Bedri Hamza ka akuzuar qeverinë në detyrë të Albin Kurti për keqpërdorim të buxhetit shtetëror dhe përdorim të parasë publike për qëllime politike e elektorale. Hamza deklaroi se situata ekonomike dhe institucionale në vend po përkeqësohet si pasojë e menaxhimit aktual, duke theksuar se fondet publike po përdoren, sipas tij, edhe për “blerje vote”. “Inflacioni është vetëm një element. Nëse e shikon shpenzimin e buxhetit, thënë të drejtën, buxheti është duke u abuzuar e duke u përdorur edhe për blerje të votës. Po, po, paraja publike është duke u përdorur për blerje të votës”, deklaroi Hamza. Kreu i Partisë Demokratike e Kosovës kritikoi gjithashtu mungesën e investimeve në sektorin energjetik, duke thënë se gjatë pesë viteve të fundit Kosova ka humbur mundësinë për ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese. Sipas tij, me mjetet e shpenzuara deri më tani, vendi do të mund të ndërtonte një termoelektranë moderne me financim të jashtëm dhe përfshirje të sektorit privat. “Ne kemi refuzuar termoelektranën, e kemi refuzuar atë të gazit dhe nuk kemi kapacitete të reja energjetike”, tha Hamza. Deklaratat e tij vijnë pasi qeveria në detyrë ndau 2 milionë euro për subvencionimin e linjave ajrore për diasporën, në kuadër të Masës 4.5 “Mbështetja e Mërgatës”, pjesë e Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
