leoni

Bedri Islami: Kush ishte Prekë Cali dhe si janë hedhur në erë bustet e Jordan Misjes, Perlat Rexhepit, Qemal Stafës, Migjenit

Bedri Islami: Kush ishte Prekë Cali dhe si janë hedhur në erë bustet e Jordan Misjes, Perlat Rexhepit, Qemal Stafës, Migjenit

Nuk kam shkruar asnjëherë për Prek Calin, as në kohë të shkuara dhe as tashmë, kur gjërat mund t’i rrotullosh sipas dëshirës dhe kur asgjë nuk të ndalon të bësh të zezë të bardhën dhe të bardhën të zezë.

Prek Cali, përmendorja e të cilit ndodhet në njërin nga udhëkryqet e qytetit të Shkodrës, është një figurë e njohur që ka kaluar përmes dritëhijeve të kohës, por që njëkohësisht koha i ka bërë vendin e saj. Herë për të mirë, e herë për të keq, deri sa më në fund ai është njohur me njërin nga atributet më domethënëse si mbrojtësi i kufijve veriorë. Kundërshtar i Zogut dhe i përkëdhelur prej tij përmes një posti ushtarak, pasues i Nolit dhe harrues i ideve të Qershorit 1924, i heshtur ndaj italianëve që nuk e bënë dot për vete, por jo i heshtur ndaj falangës gjermane, i denjë për vendin e tij, Kelmendin dhe mbrojtës i duhur në kohën e duhur. Më së fundi, e gjithë ajo që u vërvit rreth tij ishte si një dalldi politike, deri sa zuri vend aty ku duhej. Përderisa një qytet i mençur si Shkodra, edhe përmes dalldisë politike, i bëri vendin që mendoi se ishte më i duhuri, kjo do të thotë se më në fund kemi një staturë që meriton të nderohet për atë që ka bërë, por edhe të dëshmohet e vërteta për atë që nuk ka bërë mirë ose e ka bërë gabim.

Për pesëdhjetë vite kulla e Prek Calit, si më e mira në Vermosh, ka qenë edhe banesa e rojeve të kufirit dhe kjo i shkonte në natyrën e saj dhe tani. Prishja e saj, pas një rikonstruksioni të bukur, në mos tjetër, është një turp që nuk duhet të ndodhte.

Sidoqoftë ai mbetet mbi të gjitha një gur kufiri i patundur, pjesë e kësaj Shqipërie që kemi.

Në këto ditë, ai krejt papritmas, u bë edhe një herë qendra e vëmendjes së politikës, por jo vetëm të saj. Një ndodhi meskine, si prishja e kullës së dikurshme të tij, që po ringrihej nga të afërmit e dashamirësit, solli në vëmendje figurën e tij, megjithëse jo si një staturë rreth vlerave të së cilit mund të shkruhej, por si fillesë sherri mes qeverisë dhe opozitës, mes njerëzve që ndërmorën këtë fillesë, që për mua është fisnike, dhe një institucioni që gjeti “ të shpalosë” vlerat e tij në ruajtjen e ligjeve pikërisht tek kjo kullë, që aty ku po ngrihej, mbi një themel të vjetër, më të lashtë se të gjithë ata që e prishën.

Sherrnaja e krijuar nga një akt që mund të priste zgjidhjen është shumë më e madhe se sa mund të pritej, por që ngado që ta shohësh, nuk mund të hynte në hullitë e politikës, aq më shumë në hullitë e një politike të mbrapshtë, që vetëm pret një sebep për të nisur “luftën”.

Prek Cali nuk i takon thjeshtë opozitës e as shumicës. Duke qenë vlerë, për ato vlera që ka bartur, u takon të gjithëve, dhe njerëzit e kanë pranuar, megjithë dritëhijet që e kanë përshkuar. Askush nuk të bën hero me zor e askush nuk të deheroizon me dhunë. Prishja e një kulle në ndërtim nuk e prek dot figurën e Prek Calit, ashtu si edhe ngritja e saj nuk i shton asgjë më shumë nga ajo që vetë ai ka bërë.

Opozita që bën sot nacionalisten, mbrojtësen e vlerave dhe kërkon të marrë mbi vete primarin mbi të vërtetën, nuk ka qenë gjithnjë kështu. Përkundrazi, që në fillimet e saj ka qenë në bjerrjen e vlerave dhe ngritjen e antivlerave. Ka ngritur antivlerat që i ka interesuar për një grusht votash dhe ka hedhur vlerat që nuk i kanë ardhur për shtat, thjesht për hir të një politike mohuese dhe jo pak herë, antikombëtare.

Siç e cilësova në këtë shënim, Prek Cali ka vendin e tij, por edhe të tjerë, qoftë në ato përmasa ose diçka më pak apo më shumë, kanë vendin e tyre. As njëri e as tjetri nuk i bëjnë hije shoshoqit dhe, edhe nëse nuk kanë qenë në të njëjtën anë, ata kanë pasur shpesh herë vizione dhe ideale të përbashkëta, me të cilat opozita e tashme, duhet thënë shkoqur, nuk ka asgjë të përbashkët.Edhe opozita e tanishme nuk ka asgjë të përbashkët me Prek Calin, njeriun që mbrojti kufijtë, kur pikërisht kjo opozitë ishte e gatshme të falte pjesë nga kufiri jugor i Shqipërisë për një qeshje bakojaniste. Nuk ka asgjë të përbashkët, pasi kur Prek Cali nderonte të rënët për kufirin, opozita e tashme zhdukte përmendoret e të rënëve në Luftën Nacional-Çlirimtare.

Pak vite më parë, përmes një vendimi të Bashkisë së Shkodrës, pikërisht në qytetin ku ndodhet sot përmendorja e Prek Calit, u hoq  Përmendorja e 5 Heronjve të Vigut dhe në pak kohë u hodh mbi ta aq shumë baltë, sikur ata të ishin vrarë në diskot e Mirditës dhe jo në një rrethim që zgjati 6 orë. Në Shkodër janë hedhur në erë bustet e Jordan Misjes dhe të Perlat Rexhepit, të Qemal Stafës dhe të Migjenit, vështirë të gjesh më bustet e Pashko Vasës dhe të Filip Shirokës, për të mos kërkuar për bustin e Vasil Shantos, që dikur quhej biri i madh i Shkodrës. Pikërisht pasuesit e atyre që sot çirren për mungesën e tolerancës nga nacional-çlirimtarët, jo vetëm i vranë, por nuk lejuan as të varrosen, duke i lënë trupat e tyre në përroin e tharë të Vigut, që trupat e tyre ose t’i marrin ujërat e vjeshtës ose të qelben mbi zallin e thatë. PD-ja e tashme, që është e njëjtë me të djeshmen, asnjëherë nuk protestoi, nuk e ngriti zërin, nuk tha se kjo ishte vepër e turpshme, pasi, si “5 Heronjtë”, në pak kohë u shkulën të gjithë bustet e përmendoret e dëshmorëve. E jo vetëm të tyre. Ndoshta, pas disa kohësh ata do të kërkojnë të ngrihen edhe përmendoret e Esat Toptanit, të Hamzait e të tjerëve që përdhosën emrin e kombit.

Të kërkosh sot të shfaqesh kombëtare përmes një figure që nuk ka asnjë lidhje me ty, qoftë si opozitë, qoftë si  lider politik, do të thotë të kërkosh të nxjerrësh nga zjarri gështenjat përmes një personaliteti që nuk ka asgjë të përbashkët me ty. Kjo opozitë që sot përbetohet kaq shumë për komb e atdhe, prej kohe e ka harruar edhe kombin, edhe atdheun, pasi që ditën e parë të pushtetit të saj u bë vegël e atyre që rrëmonin kufijtë e këtij vendi.

Kur hiqeshin heronjtë e luftës, të gjithë të rinj dhe idealistë deri në themelin e jetës së tyre, PD-ja nxiste që me hu e me zjarr  të shuhej ajo periudhë, që ishte më e ndritur nga të gjitha luftërat, pasi, për herë të parë ishim në anën e duhur, që mjerisht nuk zgjati shumë. Të kërkosh sherrin përmes një figure paqtuese është normale për sherrxhinjtë. Por nuk është normale për një vend të civilizuar. Të vjen ndot që përdhosësit e vlerave, duke u nisur nga një fajësi e ngutshme e strukturave të shtetit, kërkojnë të marrin në duar një flamur, të cilin e kanë harruar prej kohe. (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Albin Kurti: Brukseli dhe Uashingtoni bënë padrejtësi ndaj Kosovës duke i vendosur masa ndëshkuese

Huqet dhe teket e Albin Kurtit, kë e do kë e urren

Kryeministri i Kosovës ka arritur një shkallë të rëndë mentale të frustrimit, konfuzionit  dhe të papërgjegjësisë …