Frank Shkreli: Një mbështetje historike ndërkombëtare ndaj lirisë së fjalës

Frank Shkreli: Turpi i radhës i Qeverisë, rrëzohet dhe vritet për të dytën herë Prekë Cali

Për disa vitem ishte shtëpia e At Gjergj Fishtës që ka tërhequr vëmendjen, e shpallur si monument kulture, por i lënë krejtsisht pas dore nga autoritetet vendore dhe qëndrore shqiptare, ndërkohë që po shembet vetvetiu nga moskujdesja, megjithë disa përpjekjeve private për ta restauruar atë.   Ja tani, sipas lajmeve të fundit, i paska ardhë radha Kullës së Prekë Calit, turpi i radhës i qeverisë!   Rrëxohet dhe vritet për të dytën herë Prekë Cali.   Urrejtje ndaj Gjergj Kastriotit- Skenderbe, urrjetje ndaj At Gjergj Fishtës, urrejtje ndaj Prekë Calit.  Këto ndërtesa, as Enver Hoxha nuk i kishte shembur, por i përdorte për qëllime të tjera.   Ja, sot jemi dëshmitarë të një ngjarjeje të pa shembullt në trojet shqiptare, alla talebançe.   Njoftohet se fadromat e Inspektoriatit Ndërtimor të Malësisë së Madhe nën mbikyrjen e Policisë së shtetit shqiptar, të ënjtën shëmben muret dhe themelet e Kullës së Prek Calit, trimit të maleve dhe mbrojtësit të kufijve të Shqipërisë nga synimet grabitqare  shekullore të shovinstëve sllavë.

Duket se sipas të gjitha gjasave, për arsye që vetëm ata i dinë, autoritetet shqiptare kishin hesituar deri tani të autorizonin legalizimin e restaurimit të kullës së Prek Calit në Vermosh të Kelmendit të Malësisë së Madhe, ashtu siç ka ndodhur më përpara edhe me shtëpinë e At Gjergj Fishtës.  Duket gjithashtu se sipas burokratëve të revolucionit kulturor në Tiranë, At Gjergj Fishta dhe Prekë Cali nuk përfaqësojnë asgjë, asnjë vlerë, jo vetëm për Malësinë e Madhe, por as për historinë e Shqipërisë dhe as të kombit shqiptar dhe si të tillë duhet tu fshihen gjurmët, përfshirë shembjen e shtëpive ku kanë jetuar.   Jam i sigurt se autoritetet do të justifikojnë shembjen e kullës duke thënë se nuk kishin dhënë lejet e nevojshme për resaturimin e kullës, gjë që mund të jetë e vërtetë.  Nëqoftse është kështu, pse mos të jepej urdhëri për ndalimin e punimeve dhe të mos shembeshin themelet e kullës, në pritje të autorizimeve të nevojshme, pasi ato fonde të mbledhura dhe të përdorura për atë qëllim, janë mundi dhe djersa e dikujt?   Por, si zakonisht, askush nuk jep ndonjë shpjegim zyrtar se pse ndodhi kjo shembje e kullës së Prek Calit, që në fakt ishte shpallur monument kulture që në vitin 1993, por që as qeveria e atëhershme as qeveritë e mëvonshme nuk kanë bërë asgjë për ta mirëmbajtur ose për të rinovuar kullën e regjistruar, si një monument kulture.   Kështu kishte ndodhur fatkeqsisht më heret edhe me shtëpinë e At Gjergj Fishtës, lënë në mëshirë të fatit, pa i dhënë asnjë zgjidhje projektit, nga ana e autoriteteve zyrtare.   Duket se autoritetet e Ministrisë së Kulturës dinë të shembin e të shkatërrojnë, por jo të ndërtojnë, të pakën në këto dy raste!

Thuhet se falë fondeve të mbledhura nga diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara kishin filluar punimet për restaurimin e kullës së Prek Calit, por dita e ënjtë ishte dita që shënoi shembjen e saj, përball protestave të banorëve vendas, të cilët sipas disa mediave e cilësuan këtë si një ditë të zezë ndër ato troje , në prani të policisë së shtetit. Përdorimi i fadromave për shembjen e kullës së Prekë Calit, duket se mund të kishte lidhje edhe me njoftimet e kohëve të fundit nga komuniteti shqiptaro-amerikan në Nju Jork dhe Detroit, për të mbledhur fonde muajin që vjen, për restaurimin e kullës ku ka jetuar Prekë Cali, i cili u pushkatua nga regjimi komunist pas kryengritjes së Këlmendit kundër regjimit të Enver Hoxhës.  Burime të komunitetit njoftojnë se janë planifikuar dy takime për mbledhje fondesh nga “Fondacioni Prekë Cali”: njëri në Nju Jork me 1 tetor dhe tjetri në Detroit, me 7 tetor, 2017. Nuk është e qartë tani nëse përballë ngjarjeve të fundit në Vermosh, rrafshimit pra të kullës së Calit, do të shkohet përpara me planet për mbledhjen e fondeve për restaurimin e kullës së Prekë Calit, nga ana e komunitetit shqiptaro-amerikan, në Nju Jork dhe në Detroit.

 Merreni me mend tashti. i ashtuquajturi Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit ka shembur themelet e shtëpisë së Prek Calit, Mbrojtësit të vërtetë të Territorit dhe të Kufijve të Shqipërisë.   Çka e bën këtë situatë edhe më të ndërlikuar, por edhe absurd, ashtu siç më njofton një mik i imi nga Shkodra, janë edhe akuzat për falsifikime dokumentash si dhe procedurat burokratike ose më mirë të themi grindjet për të drejtat jurisdiksionale mbi territorin ku gjëndej shtëpia e Prek Calit, midis dy enteve qeveritare me rëndësi, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Kulturës.  Po kush i kontrollon këto ministri? Hajde dreq e merre vesh!

 Si dhe pse ndodhë që në këtë rast, ashtu si edhe në rastin e përpjekjeve, tani të dështuara falë Ministrisë së Kulturës për rinovimin e shtëpisë së poetit kombëtar At Gjergj Fishtës, pengesat kryesore paraqiten nga ata që pikërisht duhet të jenë ruajtsit e këtyre vlerave kombëtare, i.e burokratët e Tiranës!  Turp e faqe e zezë! Nëqoftse nuk dëshironi të harxhoni fondet tuaja, atëherë lejoni njerzit që janë gati të mbledhin fondet për rinovimin e këtyre objekteve, në këtë rast diaspora shqiptare në Amerikë.

Ironia e kësaj ngjarjeje tragjike qëndron në faktin se kushedi për të satën here, kjo situatë pasqyron hipokrizinë e kësaj klase politike shqiptare të shëmtuar të 27 viteve të fundit – tjetër flasin e tjetër bëjnë.   Ndërkohë, që në Vermosh jepet urdhëri për shembjen e kullës së Prek Calit, i cili udhëhoqi atë që besohet të ketë qenë kryengritja e parë anti-komuniste në Evropë, përfaqsuesit më të lartë të Organizatës NATO-s — aleancës më të fortë ushtarake që ka njohur ndonjëherë historia e njerëzimit dhe mburoja anti-komuniste për gjysëm shekulli – janë duke u mbledhur në kryeqytetin e shqiptarëve në Tiranë për të biseduar sigurinë dhe paqën në Evropë dhe në botë.   Ndërsa autoritetet shqiptare, si talebanët hedhin në erë kullën e Prek Calit.   Kam drojë se as përfaqsuesit e NATO-s të mbledhur në Tiranë nuk e kuptojnë ende se me kë kanë të bëjnë.   A ka gjë më turp!

Veni more gishtin në ballë e mendoni pak.  Cilat do që të jenë arsyet, legjitime ose jo legjitime, për shembjen e kullës së Prek Calit, ky akt është i pafalshëm.   Ky akt duhet të shqetësoj ndërgjegjen e çdo shqiptari, kudo.Kulla e Prek Calit nuk është më, por për ata që duan të dinë se ku ishte dhe çka përfaqësonte ajo kullë, lahutari i Malësisë – ndonëse sot mund të jetë duke vajtuar shembjen e kullës së Prek Calit — për derisa të jetë lahuta ai do të këndojë dhe do tu tregoj brezave se ku ishte dhe çka përfaqsëonte ajo kullë:.

Bash ku rrinë shqipet e malit

Ka pas kenë kulla e Prekë Calit

Ka pas kenë nji kullë e bardhë

S’thonë kot malet derë e parë

Derë kreshnikësh ku knohet lahuta

Hije i ka pas sofra dhe pushka…

…Atëherë krajlat po bajnë kuvend

Po, Hot e Grudë, Shkrel e Këlmend

O me ia falë o Malit të Zi

Kur Kongresi o i Berlinit

Ne na i dau o foshnjet prej gjinit

Trupin tonë o e ndau me mur

Qysh se na ndau o shqipen flamur

Njaj Prekë Cali u del përballë

Nuk t’i lshoj këto bjeshkë për të gjallë.

 Prekë Cali është pushkatuar me 25 Mars 1945 nga forcat komuniste të Enver Hoxhës në vendin e quajtur Zall i Kirit.   Dëshmitarët kanë shënuar se para se të rrëxohej trupi vigan i këtij malësori — i cili nuk njohu as Londrën as Berlinin — por mbrojti kufirin, burri i Kelmendit sy pa trembur, para se të jepte shpirt, jo nga plumbat e sllavit të cilin e luftoi gjithë jetën, por nga plumbat e  shqiptarit — ka bërtitur me një zë të fuqishëm:  “Rrnoftë Shqipënia, Rrnoftë populli shqiptar.   Heret ose vonë, Shqipënia do të fitojë”.

Fatkeqsisht, me shëmbjen e kullës së Prek Calit këtë javë në Vermosh të Malësisë së Madhe nuk fiton as Shqipëria as kombi shqiptar.   Kur të merret parayshë debati i kohëve të fundit mbi Gjergj Kastriotin Skenderbe, shëmbja e kullës së Prek Calit dhe mos ndërhyrja për vite me radhë për rihabilitimin e shtëpisë së poetit kombëtar, At Gjergj Fishtës – do e s’do – të bën të pyesim veten se çfarë forcash veprojnë në vendin e të parëve tanë dhe ku është shteti.   Çuditërisht, një mik imi më dërgoi një mesazh duke më thënë se kështu pat filluar edhe në vitin 1945.

Kontrolloni gjithashtu

Ali Ahmeti nga Zvicra: Të hiqen kufijtë midis nesh siç i hoqi Europa dhe të bëhemi bashkë në BE

Salla përplot në Cyrih të Zvicrës mirëpriti liderin e shqiptarëve, Ali Ahmeti, i cili u …