Bedri Musli Demaku (16.6.1976 – 7.4.1999)

Bedri Musli Demaku (16.6.1976 – 7.4.1999)

Përveç fshatrave tashmë të njohura në historinë më të re të Kosovës për rezistencën kundër pushtuesit serb, siç janë Prekazi, Gllogjani, Reçaku, Rezalla, Likoci e të tjera, një kontribut të dalluar luftës për lirinë e Kosovës ia kanë dhënë burrat dhe djalëria e fshatit Abri i trevës së Drenicës. Abria e Epërme, luftës për liri ia ka falur dhjetëra dëshmorë e martirë. Njëra prej familjeve të këtij fshati e cila dha shumë gjak e sakrifica në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është edhe ajo Demaku. Në frontet e kësaj lufte janë radhitur e kanë luftuar kundër pushtuesit serb shumë burra e të rinj të kësaj familjeje, kurse mbështetje e UÇK-së ishin bërë tërë Demakët, i madh e i vogël, burra e gra, pleq e të rinj. Por, liria ka çmimin e vet që paguhet me gjak, prandaj gjak lirie derdhi në altarin e atdheut edhe dëshmori Bedri Demaku.

Dëshmori Bedri Demaku është i lindur më 16 qershor të vitit 1974 në Abri të Epërme. Babai i tij, Musli Demaku, i cili ra në fushën e nderit vetëm disa javë pas rënies dëshmor të të birit, Bedriut, ishte i martuar me Nurien, e gjinisë Gashi nga Perqeva e Klinës, me të cilën pati dhe rriti gjashtë bijë e bija, dy prej të cilëve ranë dëshmorë të atdheut në luftën e UÇK-së: Bedriu e Dritoni. Bedriu kishte dy vëllezër e tri motra: Dritonin, Liridonin, Lumnien, Remzien dhe Sadeten. Ai e kishte kryer arsimin fillor në shkollën e fshatit Abri, kurse atë të mesëm në Drenas, në kushtet kur pushtuesi serb e kishte ndaluar shfrytëzimin e objekteve shkollore nga nxënësit shqiptarë. Pastaj ishte regjistruar në Fakultetin Teknik në Prishtinë, objektet e të cilit, po ashtu ishin uzurpuar nga okupatori serb.

Aktiviteti çlirimtar i djemve dhe burrave të Abrisë kishte filluar qysh në vitin 1995. Duke qenë në lidhje me bashkëluftëtarin e Komandantit Legjendar Adem Jashari, Musë Jasharin nga Prekazi, ata kishin formuar formacionin ushtarak ku bënin pjesë vëllezërit Jahir, Xhevat (dëshmor), Fadil e Nexhat Demaku, Musli Demaku, xhaxhallarët e tyre, Musli Demaku (dëshmor) e Zenë Demaku, bashkëluftëtarët e tyre, Muharrem Xhemaili, Imer Xhemaili, Valdet Xhemaili (dëshmor), Vesel Demaku (shmor), Isa Xhemaili e të tjerë. Pjesëtarët e këtij formacioni kryenin detyra të caktuara ushtarake, si bartja dhe furnizimi me armatim, koordinimi i lidhjeve me Komandantin Adem Jashari dhe me familjen Jashari, vëzhgimi i terrenit, kryerja e kasioneve të ndryshme operative e të tjera. Këto aktivitete kishin vazhduar deri në betejën e zhvilluar në Qirez e Likoshan, ku ishin plagosur Musë Jashari e Sabit Lladrovci, por pas Epopesë së Prekazit, aksionet e njësitit u bënë të pandërprera, të koordinuara me aksionet e njësiteve të tjera dhe morën shtrirje më të gjerë. Në këtë kohë, me detyra të caktuara ushtarake ishte ngarkuar edhe dëshmori Bedri Demaku. Ai, fillimisht ishte i pajisur me pushkë automatike, e pastaj edhe me bomba dore e armë të tjera të lehta.

Formacioni i UÇK-së i emërtuar me emrin Guri, në kuadrin e të cilit vepronte Bedriu, kishte dalur në frontin e hapur të luftës kundër forcave të pushtuesit serb, qysh më 4 mars të vitit 1998, një ditë para se të fillonte Epopeja e Prekazit. Brenda rrezes së veprimit të këtij formacioni nuk ishte vetëm Abria, por edhe fshtrat e tjera të pjesës qendrore të Drenicës, Qëndresë (ish-Terstenik), Gllobar, Makermal, Rezallë, pastaj Terdevc, Shtrubullovë, Damanek e deri në Kozmaç e Llapushnik. Njësitin “Guri” e komandonte luftëtari Isë Xhemaili. Kur në vjeshtën e vitit 1998 u bë ristrukturimi i formacioneve të UÇK-së, Bedriu u sistemua në Brigadën 111 “Adem Jashari”, e cila ndermori aksione të pandërprera sulmi kundër pozicioneve serbe, por edhe aksione mbrojtjeje.

Më 6 prill të vitit 1999, forcat serbe kishin ndërmarrë aksione sulmi me granata e me lloje të tjera të armëve kundër fshatrave Gllobar, Abri e Epërme, Makermal, Rezallë, Abri e Poshtme me synim Likocin. Mirëpo, edhe përkundër intensitetit të lartë të luftimeve të asaj dite, forcat serbe nuk kishin arritur të depërtojnë në Abri, deri të nesërmen, më 7 prill, kur arrijnë të pozicionohen në lagjen Xhemaili. Në këto luftime, forcat serbe pësuan shumë të vrarë e të plagosur. Luftëtarët çlirimtarë kishin rrethuar shtëpinë ku ishin pozicionuar trupat serbe dhe kishin ndërmarrë sulm për likuidimin e tyre. Njëri prej sulmuesve, dëshmori Xhevat Demaku kishte bërë përpjekje për të hyrë në shtëpinë ku ishin barrikaduar trupat serbe, por ai ishte goditur nga një militar i plagosur serb. Në përpjekje për ta tërhequr Xhevatin në këto luftime bie edhe luftëtari nga Miradia e Epërme e Fushë Kosovës, Imer Shala dhe plagosen luftë- tarët e tjerë: Driton Rama, Xheladin Xhemaili e Besim Vrellaku nga Baica.

Luftimet e 7 prillit vazhduan deri në orët e pasditës, kur në lagjen Demaku, në përpjekje për t’u ardhur në ndihmë të plagosurve, bie dëshmor Bedri Demaku. Në këtë rezistencë kishin marrë pjesë rreth 30 pjesëtarë të UÇK-së. Ndërkohë, luftëtarët e plagosur në këtë betejë ishin tërhequr në drejtim të Terdevcit.

Trupat e dëshmorëve Bedri Demaku, Xhevat Demaku e Imer Shala u bë në varrezat e fshatit në Abri. Pas përfundimit të luftës çlirimtare, ata u rivarrosën në mënyrë ceremoniale në Varrezat e Dëshmorëve në Abri të Epërme. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Feti Jahir Haxholli (11.6.1975 – 20.4.1999)

Feti Jahir Haxholli (11.6.1975 – 20.4.1999)

Fetiu u lind më 11 qershor të vitit 1975 në fshatin Viti të Marecit, komuna …