Behxhet Sh. Shala – Bajgora: Rreth Specialkes të ndarë e të përbashkuar

Më në fund mund të bëjmë një gjumë të qetë, mbase jo të gjithë! sepse, ndonëse ia futëm vetes dhe Kosovës, e ruajtëm “miqësinë” dhe “partneritetin “me” miqtë “ndërkombëtarë” duke votuar amendamentin që mundëson formimin dhe legalizimin e një Gjykate Speciale që do t’i dënojë krimet e UÇK-së e që një rast të ngjashëm nuk e kemi pasur askund në botë, ndonëse kishte veprime luftarake të shumta. Një Gjykatë të tillë besoj se nuk do të ketë as në të ardhmen, sepse në botë nuk ka minj të tillë që pranojnë çdo lloj eksperimenti që bëhet ndaj tyre dhe kundër tyre!


 


Këmbëngul në qëndrimin tim që nga fillimi se kjo gjykatë do të ndajë “drejtësi” për viktimat, jo mbështetur në fakte, por sipas parimit etnik dhe oportunitetit politik. Nuk e them se në Kosovë nuk ka pasur krime edhe ndaj pakicave dhe se lufta jonë ka qenë 100 % e pastër sepse lufta çlirimtare nuk e garanton domosdoshmërisht pastërtinë e luftës. Shembull më të mirë e keni luftën e opozitës në Siri kundër regjimit fashist të Bashar el Asadit. Qëllimin e kishte çlirimtar dhe tash po përfundon në Al Nusra dhe ISIS, ku Bashari është shndërruar në një Mahatma Gandi dhe kontribuues për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e paqes në rajon! Madje është shndërruar në partner të rëndësishëm të atyre “miqve” të Hashimit, Isës dhe Fetes si bashkëbisedues për atë pjesë të botës pa të cilin proceset do të hynin në rrugë qorre. Me një fjalë Bashar el Asadi u bë Millosheviq i botës arabe. Edhe Millosheviqi ishte yll i Konferencës në Dejton si faktor stabilizimi dhe peace maker ndonëse në sirtar të Karla del Pontes e kishte aktakuzën e ngritur, të kuqe dhe top secret. Pastaj, si të ishte hajn i pulave, në pizhama e paketuan për Hagë pikërisht ata që i ushqeu dhe i ngriti politikisht, ushtarakisht dhe materialisht! Kështu mbase do të ndodhë edhe në Kosovë sepse jemi pjesë e Ballkanit. Nuk ka mbetur kush në Kosovë pa mbledhur fakte për krime të luftës deri në kohën kur proceset politike kanë kërkuar që këto krime të harrohen krejtësisht apo të përdoren në mënyrë të dozuar sikur të ishin barëra për qetësim, vurje në gjumë apo fshirje të kujtesës. Tribunali i Hagës ka bashkëpunuar me KMDLNj-së edhe para se të ketë filluar lufta. Viktimat e para të dhunës seksuale në Kosovë janë intervistuar nga hetuesit e Tribunalit (në një cilësi tjetër sepse nuk kanë pasur leje nga autoritetet serbe) të Hagës në zyrat alternative të KMDLN-së dhe pastaj kanë dëshmuar para këtij Tribunali si viktima të dhunimit.


Materialet e para të vrasjeve në masë të shqiptarëve (Poklek, Likoshan dhe Qirez) një mashtruese nga Beograd i ka marrë në zyrat e KMDLNj-së për t’i bërë publike në një konferencë për medie në Beograd si materiale të saja të cilat i ka dërguar edhe në Tribunalin e Hagës, pa e treguar pronarin e atyre dëshmive e ai ishte KMDLNj.


Me dhjetëra mijëra foto të masakrave në Kosovë i ka bërë “Art Foto” në Prishtinë pa pranuar edhe një fening të vetëm si kompensim në ndërkohë që Qeveria e Përkohshme dhe deputetët e pavarësisë së Kaçanikut tredhnin miza në perëndim duke shpenzuar shuma të mëdha të parave në hotele të kushtueshme dhe jetë mondane. Kishte shumë pak përjashtime në mesin e këtyre “politikanëve” dhe “ambasadorëve” të Kosovës në perëndim. Edhe pas përfundimit të luftës të gjitha materialet për pasojat e luftës (të vrarët, të zhdukurit, të arrestuarit, të keqtrajtuarit, vrasjet në masë dhe varrezat masive) e kishin burimin në KMDLNj ndonëse më vonë spekulantët e ndryshëm i shisnin si materiale të tyre. Bënin publikime, intervista dhe veprime të tjera për ta promovuar veten e tyre. Kallëzimet penale të përgatitura nga avokatët e KMDLNj-së (ishin thuaja të gjithë avokatët që punonin në Kosovë) përfunduan në sirtarët e burokratëve dhe sabotuesve të UNMIK-ut dhe dobiqit të saj me akronim EULESH. Për shkaqe ekskluzivisht politike kurrë nuk u aktivizuan. Kur flitej për domosdoshmërinë e formimit të një gjykate në Kosovë për Krime Lufte e kundërshtonin duke thënë se ndërkombëtarët që punojnë në Kosovë në fushën e drejtësisë janë kompetentë për këtë ndërsa në planin ndërkombëtar është Tribunali për Krime Lufte për ish-Jugosllavinë i njohur si Tribunal i Hagës. Tash, të deklarosh se institucionet e Kosovës janë përgjegjëse të vetme për Speciallkën sepse paska dështuar sistemi i drejtësisë kur për këtë çështje kanë vendosur 100% ndërkombëtarët, është pandershmëri e skajshme nga ata që kanë menduar, kanë vepruar, kanë planifikuar serbisht ndërsa kanë folur shqip. Është çështje tjetër pse institucionet e Kosovës, të katandisura mos e më keq janë detyruar dhe po detyrohen të shërbejnë si fatura mbuluese për dështimet e kriminelëve ndërkombëtarë sepse disa prej tyre janë edhe vet kriminelë dhe të zhytur deri në fyt në krime. Po le të dënohen për këto krime! Tribunal i Hagës ishte gjykatë puro politike që ndante padrejtësi në bazë të një interesi politik të atyre që e kishin themeluar dhe që e ushqenin financiarisht mirëpo kishte një formulë multietnike të të arrestuarve dhe të dënuarve dhe vepronte matematikisht duke caktuar përqindjen e të gjitha vendeve që kishin luftuar midis tyre duke përjashtuar kriterin e përgjegjësisë për shkaktarët e luftës dhe të krimeve të shumta! Prandaj edhe dështoi në përmbushjen e misionit sepse baraspeshën artificiale të përgjegjësisë e shndërroi në standard të drejtësisë, në vend të kishte standard faktet për caktimin e përgjegjësisë. Gjykatat e UNMIK-ut dhe EULESH-it e vazhduan punën e Tribunalit të Hagës sepse misioni i tyre ishte dhe është politik duke i paraprirë dhe përcaktuar dinamikën dhe përmbajtjen e bisedimeve Beograd -Prishtinë të cilat Kosovën e kanë shndërruar në një paçavure shtetërore! Dikush thotë se këto gjykata kanë dështuar sepse nuk e kanë përmbushur qëllimin për çka janë formuar ndërsa unë e them se këto gjykata kanë qenë 100 % të suksesshme sepse i kanë shërbyer qëllimit për çka janë themeluar. Edhe Speciallka do ta ketë fatin e atyre paraprake sepse, për dikë do të dështojë ndërsa mendimi im është se do të jetë e suksesshme duke i shërbyer politikisht qëllimeve të themeluesve dhe atyre që e financojnë këtë gjykatë raciste.


 


Si u formua Speciallka ?


 


“Klinikën për Nxjerrjen dhe Transplantimin e Organeve në stallën për bagëti të Katuçëve të Burrelit nuk e zbuloi Karla del Ponte e as shoku i saj nga Lugano, Dik Marti por e zbuluan së bashku në një projekt multietnik disa medie në Serbi dhe Kosovë. Në atë “klinikë” nuk ka pasur kushte as për të bërë synet (shkurtim i një organi të rëndësishëm) dhe as për ta nxjerrë një dhëmbë të prishur e lëre më për atë që u bë pjesë e raportit të Dik Martit, Këshillit të Evropës, Task Forcës që udhëhiqej nga prokurori “mik” amerikan Williamson, lëndë për Gjykatën për Krime Lufte të Serbisë e që do të bëhet edhe pjesë e aktakuzës së Speciallkës në Hagë e cila do ta fusë Kosovën (jo individët) në të gjithë literaturën botërore juridike kur flitet për gjykatat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Kur sot flitet për Gjykatën e Nyrebergut askush nuk përmend emra të përveçëm ai Rudolf Hes, Borgman, Gering etj. por flitet vetëm për Gjykatën e Nyrebergut . Kështu do të flitet edhe për Gjykatën Speciale për dënimin e krimeve të Luftës së UÇK-së e jo për emra dhe mbiemra të të akuzuarve dhe të dënuarve. Speciallka po formohet në kushte të një terrorizimi psikologjik ndaj atyre që është dashur ta votojnë përjashtuar deputetët dhe subjektet politike që me pasion dhe ëndje e kanë votuar këtë Gjykatë dhe të cilët u bënë prokurorë dhe gjykatës ende pa u themeluar Speciallka. Lista Srpska dhe LDK-ja e votuan 100% sikur edhe pakicat e tjera si 6+ Shaipi. Nuk mbeti kush pa ardhur në Kosovë dhe pa thënë se nuk keni shpëtim por vetëm vonim, prandaj duhet ta votoni këtë Gjykatë raciste dhe një etnike! Armiqtë e Kosovës, si në një ballo të maskave e mbuluan pafytyrën me maskën e mikut, LS e konsideron si shpagim për vuajtjen e Serbisë, ata që e sabotuan luftën po e votojnë 100 % sepse kjo gjykatë po e pastruaka luftën (mbase të ndytë të UÇK-së), ata që ofronin shërbime orale komandantëve të fuqishëm të shndërruar në politikanë pas përfundimit të luftës tani këto shërbime – shkathtësi orale po ua ofrojnë miqve ndërkombëtarë, Speciallkës dhe proceseve “demokratike” dhe “dekriminalizimit” ndonëse janë deri në palcë pjesë e organizmit kriminal, komandantët dhe politikanët (një pjesë e tyre) që nuk lanë gjë të zezë pa bërë pas përfundimit të luftës dhe të gjithë ata që me heshtjen e tyre po kontribuojnë për këtë! Specillka nuk piku nga qielli por erdhi në Prishtinë për shkak të rrethanave të krijuara pas luftës e jo për shkak të luftës. Nëse janë të besueshme pohimet se kjo Speciallkë qenka hakmarrje e amerikanëve për shkak të dështimeve të UNMIK-ut dhe EULESH-it në Kosovë atëherë le ta formojnë në Nju Jork dhe le ta akuzojnë Ban ki Munin dhe në Bruksel duke e akuzuar Bareshën Ashton! Për dështimin e Tribunalit të Hagës përkatësisht për Shtëpinë (Klinikën) e Verdhë në Burrel duhet të akuzohet Karla del Ponte e jo të formohet Speciallka. Vetëm për shqiptarët dhe vetëm për UÇK-në! I tëri ky marifet po bëhet për t’i larguar disa politikajë nga skena politike. Dhe për t’i bërë të pushtetshëm disa horra që kurrë dhe asgjë nuk kanë bërë për këtë vend dhe për këtë popull. Votimi për Speciallkën tregoi se kemi deputetë të jashtëzakonshëm. Me një fjalë mund të quhen edhe jashtëtokësorë. Që çdo gjë e bëjnë në mbrojtje të interesit të shtetit, interesit të kombit votues dhe të parimeve. Deputetët e Kuvendit të Kosovës mund të akuzohen për çdo gjë tjetër por kurrë nuk mund t’i akuzosh për mungesë të parimeve, për jondershmëri, mungesë të trurit apo joprofesionalizëm. Ata, po qe nevoja, janë në gjendje si kamikazë të sakrifikohen në mbrojtje të vlerave më të larta të njerëzimit. Sidomos këta të PDK-së! Për ata të LDK-së, LS dhe 6+ Shaipi as që mund të flitet. Deputetët e PDK-së kur vlerësuan se atdheu është në rrezik dhe se parimet nuk mund të shkelen në mbrojtje të interesit shtetëror, interesit kombëtar, atij politik dhe material, ndershmërisë dhe profesionalizmit, vlerave morale dhe aseteve materiale, të kaluarës së lavdishme, të tashmes krenare dhe të perspektivës integruese në NATO, BE, OKB, UNESKO, UNPROFOR, UNHCR, OSBE, Ligën Arabe, Unionin Afrikan, shteteve të Benelucit, Komonveltit anglez dhe aziatik, nuk menduan fare për veten e tyre por e kundërshtuan fuqishëm themelimin e kësaj Speciallke. Po të njëjtit deputetë, pas një muaji kur vlerësuan se kanë ndodhur ndryshime të mëdha, votuan për themelimin e kësaj Gjykate. Ky është moral, ky është parim, ky është guxim dhe kjo është ndershmëri që nuk mund të kontestohet nga askush. Prandaj, na mbetet të krenohemi me këta deputetë sepse të tillë nuk mund t’i gjesh në tërë rruzullin tokësor. Janë të paparë dhe shumë i admiroj dhe ndjehem shumë i hendikepuar pse nuk kam mundësi të bëhem si ata. Nuk janë të gjithë me fat, e pranoj këtë! Dhe, e dëshmuan se dinjiteti nuk ka çmim!!! Se dinjiteti është zero! Aq vlen!


 


Milaimi dhe Kimi


 


Milaim Zeka është gazetar nga kryeqyteti i Lirisë së Kosovës, Drenica. Është suedez dhe kosovar, me prejardhje shqiptare. E udhëheq një emision që prodhon shumë adrenalinë, emisionin “Pa Rrotlla” me Milaimin. Për dallim prej shumë gazetarëve të sotëm bythëmëdhenj ku duket se e kanë edhe selinë e trurit të tyre dhe profesionalizmin, Milaimi i ka bythët e dizajnuara për të veshur tirq. Ndër të rrallët e shtrëngon fort prapanicën sepse merret me do punë që të tjerët stresohen edhe në ëndërr. Po të mos ishte i krisur, nuk do të ishte Milaim! Ka tru edhe për eksport por duket se shqiptarët nuk e konsumojnë këtë materie andaj edhe jemi ku u jemi. Milaimi gjithmonë e ka kruar arushën kah bishti andaj është sulmuar madje edhe EULESH e ka në listën për gjueti andaj ia ka futur një aktakuzë dhe tash po e presim ekzekutimin e saj. Pas përfundimit të Speciallkës, Milkoja doli me një listë të atyre që do të akuzohen nga Speciallka. Realisht, përmendi emra që Dik Marti ishte familjarizuar me ta ndërsa Karla del Ponte ka ëndërruar t’i fusë në burg. Nuk kishte aty emra për të cilët nuk kemi dëgjuar më parë dhe që ishin jashtë kornizës logjike. Unë mund të mos pajtohem me këtë listë dhe pyes pse në këtë listë nuk mund të jenë Ismet Beqiri, Kujtim Paçaku, Duda Balje, Donika, Fisniku apo edhe Valdetja. Mos gjykoni se Ismeti është i vogël me trup sepse është shumë i rrezikshëm. Së fundi, Xhingis Kani, Napoleoni apo Aleksandri i Madh kanë qenë jo të gjatë me shtat. Mos të flasim për Ali Pashë Tepelenën. E çka dallon p.sh. Ismeti prej Xhingis Kanit apo Ali Pashait. Flokët i ka si të Napoleonit ndërsa shikimin përbirues sikur të Aleksandrit. Kujtim Paçaku është shumë i rrezikshëm sepse është shumë inteligjent. Prandaj paraqet rrezik potencial për sigurinë globale dhe lehtësisht mund të jetë pjesë e listës për Speciallkën. Duda Balje me asetet intelektuale dhe fizike në çdo rast mund të shpërthejë dhe pastaj…mos pyet! Plus si boshnjake që konsiderohet si rrethanë rënduese pati deklaruar se nuk do ta votojë Speciallkën dhe kjo është kandidate shumë serioze. Donika, me zërin kumbues dhe pa u ndalur kurrë, si trumpeta e Jerihos që rrëzoi muret e Jerusalemit, fort po e rrezikon Speciallkën prandaj, edhe nëse nuk është në listën e Milaimit, është në listën time! Edhe Valdetja si fort po e kundërshton Speciallkën prandaj, përkundër moshës së re që e ka penguar të jetë pjesë e luftës, nuk e siguron se nuk mund të jetë pjesë e listës aq më parë që ndërkombëtarët, nëse i pëlqen Serbisë apo kanë ndonjë interes politik, edhe Valdeten ta bëjnë komandante supreme të UÇK-së sikur që Fetja është komandante supreme e FSK e që nuk po mund të bëhet FAK sepse çdo gjë te ne është fuck. Lexues të nderuar, a më të besueshme janë listat e mia apo të Milaimit, vlerësoni vet. Milaimi i ka pasur listat e gatshme ndërsa listat e mia janë si rezultat i një studimi të thellë analitik ku për bazë janë marrë faktorë të jashtëm dhe të brendshëm që janë përcaktues për sigurinë lokale dhe globale.


Kim Kardashian është njëfarë gazetareje sepse e udhëheq një emision si Milaimi e që quhet “Pa Rrotlla” me Kardashianët apo Kipping with Kardashians. Kimi u bë dhe është e famshme duke fituar qindra milionë dollarë në saje të gjeografisë trupore përkatësisht prapanicës kapitale. Prapanica, përveç profesionit si moderatorë të emisioneve triler i bashkon Milaimin dhe Kimin. Kimi, sa më shumë që po e ekspozon prapanicën, po bëhet më e popullarizuar ndërsa Milaimi, sa më shumë që po e rrudhë këtë pjesë të trupit, më shumë po sulmohet. Një gjë është që i dallon këto dy personazhe. Kimi, këtij aseti trup(n)or që ia ka falë natyra dhe që ia ka gdhendur mjekësia po ia sheh hairin, ndërsa Milaimi duket se po i a sheh vetëm sherrin! Uroj të mos ndodhë ashtu!


Pushim nga unë deri në fillim të shtatorit.

Kontrolloni gjithashtu

Tri vjet me arrogancë, mujshari politike, keqqeverisje, korrupsion, shpërfillje e aleatëve, thellim të ndasive e përçarjeve…

Kanë kaluar tashmë tri vjet të qeverisjes së Kosovës nga koalicioni: Vetëvendosje ne krye me …