Behxhet Sh. Shala: Z. Meuçi: Lëshoni radhën pasardhësit tuaj që ta bëjë atë që po e bëni ju…

         Gabriele (Xhebrail) Meucci, ndryshe shef i Misionit për Sundim të Ligjit (çfarë emërtimi qesharak dhe joserioz!!) EULESH, në një shkrim, mbase autorial, në gazetën ‘Epoka e re’ të datës 15 gusht 2015, me titull “Kosova meriton më shumë”, përveçse zhgënjehet me rezultatet e Freedom House, në të cilin Kosova cilësohet si vend me “regjim autoritar gjysmë i konsoliduar”, e që nënkupton të jetë më së paku demokratik në Ballkan, ai moralizon duke e liruar nga përgjegjësia për këtë kualifikim të Freedom House misionin që aktualisht e drejton sepse thotë se misioni EULESH (në Kosovë në pushime nga viti 2008) ka pasur sukses të përzier (flet për sukses, por nuk përmend fare dështimin e këtij misioni), kurse shënjestër kryesore e këtij shkrimi duket të jetë Shërbimi Korrektues i Kosovës.


            Thënë më qartë, signore Meucci shkruan se Njësia për Përcjelljen e të Burgosurve e SHKK-së ishte një prej tregimeve të suksesshme derisa EULESH-i kishte kapacitet ekzekutiv (sipas ligjeve të Kosovës (!!!), të cilave nuk u jep llogari fare), ndërsa kur kaluan në MMK – Mentorim, Monitorim dhe Këshillim (EULESH-i pra), SHKK-ja nuk e vazhdoi trajektoren e tij pozitive duke përmendur se gjatë 18 muajve të fundit ndodhën një mori incidentesh kur procedurat dhe institucionet e demokracisë janë shpërfillur për t’u shërbyer strukturave joformale të pushtetit dhe interesave politike të cilat i cilëson si skandaloze. Si shënjestër për kualifikim të tillë e merr rastin e Grupit Drenica, të cilët vendosen në një vend ku hyjnë e dalin sipas dëshirës dhe marrin udhëzimet e mjekut për të shkuar aq lehtë që ai (Meucci) dhe ne mund ta blejmë një espreso duke vazhduar për “perspektivën” e Kosovës në BE, por se paraprakisht duhet ta dëshmojë vetën në fushën e sundimit të ligjit dhe ballafaqimin e saj me të kaluarën, duke siguruar drejtësi për viktimat gjatë luftës dhe pas përfundimit të saj, mirëpo e meta e saj është se Kosova preferon të mbesë në të kaluarën, në burgun e strukturave joformale të pushtetit, duke e pranuar korrupsionin dhe nepotizmin dhe duke pritur që ndryshimi të vijë nga jashtë.


               Joseriozitetin e vet signore Meucci e dëshmon kur shkruan se: “Ne në EULESH nuk jemi tjetër veç mysafirë në Kosovë dhe, si mysafirë, e dimë që nuk mund të imponojmë ndryshimin”, duke vazhduar se është populli i Kosovës që vendos kur të vijë koha (!!!) t’i dërgojë kriminelët e saj në burg etj. Pas këtij lamentimi moral signore Meucci mendon se është i pastruar nga çdo lloj përgjegjësie si shef i një Misioni krejtësisht të dështuar sipas vlerësimeve vendore dhe ndërkombëtare e që unë e quaj krejtësisht të suksesshëm sepse e ka luajtur rolin që i ka takuar që nga data kur i ndërroi rrobat e palara të UNMIK-ut (2008) duke u bërë aktori kryesor në realizimin e projekteve të caktuara politike të Brukselit që ishte edhe themelues dhe financues i EULESH-it. Në këtë çka ka shkruar signore Meucci nuk besojnë as vartësit e tij sikur që nuk e beson as ai vetë, por tregu i Kosovës është mësuar me artikuj gjithçka 1 euro e pse mos të besojë në këto pohime prapa të cilit qëndrojnë Brukseli, Uashingtoni, shtetet e Kuintit, “miqtë” ndërkombëtarë, mediet servile si dhe një pjesë e politikanëve të korruptuar për karrierën e të cilëve është përkujdesur pikërisht EULESH-i duke e mirëmbajtur atë apo duke e rrënuar atë sipas nevojave të politikës.


 


            Të bëhemi të sinqertë, EULESH-i gjithmonë ka pasur dhe ka edhe sot kapacitet ekzekutiv, andaj është qesharake të pohosh se këtu është vetëm mysafirë. EULESH-i, si pasardhës i UNMIK-ut, ka pasur kompetenca të 100 %-ta në luftimin e korrupsionit të profilit të lartë, tregti me narkotikë, trafikim të qenieve njerëzore, sidomos me raste të ndjeshme të krimeve të motivuara etnikisht e mos të flasim për ato raste që kanë të bëjnë me krime lufte kur vendorët as që kanë pasur mundësi të marrin erë e lere më t’i gjykojnë këto raste. Përgjegjësi kryesore për mbrojtjen e dëshmitarëve bashkëpunues ka qenë e UNMIK-ut dhe fëmijës të jashtëligjshëm të tij, EULESH-it. Dhe dihet mirë fati i këtyre dëshmitarëve të “mbrojtur”!!! Shumica e tyre, ndonëse kanë qenë të mbrojtur, kanë përfunduar si të vrarë në rrethana të pasqaruara apo si të vetëvrarë.


                 Prandaj nuk ka pasur e as që do të ketë drejtësi për viktima. Prandaj edhe ballafaqimi me të kaluarën do të jetë i njëanshëm, i ngjyrosur etnikisht dhe politikisht, i cili nuk do të jetë në shërbim të përafrimit të palëve që luftuan, por do të jetë si mjet për realizimin e projekteve të caktuara politike. Top korrupsionin në Kosovë e përbëjnë ndërkombëtarët që nga Gerhard Fisher (zëvendës i kryeadministratorit të UNMIK-ut, Joe Trushler ish-bos i KEK-ut dhe shumë ndërkombëtarëve të tjerë që as u hetuan, as u arrestuan e as u dënuan). Edhe EULESH-i është shndërruar në ekspozitë dhe thesar të korruptuarve andaj e kemi korrupsionin siç e kemi, të shëndoshë dhe në tendencë progresi. EULESH-i ishte përgjegjës në veri të Kosovës dhe nuk lejonte praninë e institucioneve vendore sepse serbët dhe Serbia nuk ndjeheshin të qetë. Të gjithë e kemi të qartë se çfarë sigurie kemi në veri të Kosovës. Këtu kemi grumbullimin e të gjithë kriminelëve dhe krimeve si në Çikagon e Alfred Kepones, Kolumbinë e Pablo Eskobarit, Kartelën e Sinaloas të Guzmanit apo territoret që administroheshin nga Cosa Nostra dhe Totto Rina. Askush dhe asnjëherë nuk u angazhua që para drejtësisë në Kosovë të dalin 22 të arrestuar që ikën (unë them të liruar nga UNMIK-u) në vitin 2000 nga burgu në veri të Mitrovicës e që të gjithë akuzoheshin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.


                 Si u liruan serbët e akuzuar për mbledhje të dëshmive gjoja për trafikim të organeve duke ofruar qindra-mijëra euro për këto dëshmi?! Apo si u liruan disa të akuzuar shqiptarë për korrupsion dhe krime lufte, përveçse me vendime të politikës ndërkombëtare dhe afera korruptive, prandaj dhe jemi cilësuar si: “vend me regjim autoritar të konsoliduar përgjysmë”. Nepotizmi, sidomos skllavëria moderne seksuale, ka qenë e theksuar edhe në UNMIK e, mbase, edhe në misionin që e drejtoni. Duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë ekonomike, ka pasur kushtëzime për një vend pune me ofrimin e shërbimeve seksuale. Janë keqpërdorur në këtë kontekst edhe femrat, edhe meshkujt, sidomos fëmijët e moshës jomadhore. Ka pasur edhe përfundime tragjike si rasti i Vlora Bërbatit nga Peja, vrasësi i së cilës, një sherif nga Egjipti, ishte dënuar me pak vite burg për t’u transferuar në vuajtje (lirim) të dënimit në Egjipt. Të tjerët nuk janë dënuar, sidomos ata që kanë shkaktuar viktima në njerëz, pasi kanë drejtuar makina zyrtare pa pasur leje për vozitje. Shumë ka raste të tilla dhe më duhet të shkruaj fejtone për të gjitha këto raste të pandëshkuara për shkak se kemi imunitet nga ndjekja dhe përgjegjësia penale. Keni bërë ç’keni dashur dhe kurrë nuk jeni ndjerë si mysafirë, por jeni ndjerë dhe jeni sjellë si pronarë të Kosovës dhe shumë mirë keni bashkëjetuar me pjesën e korruptuar të klasës politike në Kosovë. E keni blerë një segment të shoqërisë civile si dhe të medieve të cilave, kur ka qenë në interesin tuaj për ta eliminuar dikë nga skena politike si dhe nga radhët tuaja, i keni bërë publike edhe informatat e klasifikuara si top sekret. Si në lojën e shahut, e keni sakrifikuar kalin (gomarin) për ta shpëtuar mbretin. Ballafaqimi me të kaluarën nuk bëhet nëse prokurorët, gjykatësit, hetuesit e ish-UDB-së, në vend se t’i eliminoni si respekt ndaj viktimave, ju i vishni me pushtet dhe i bëni më të fuqishëm se që ishin më parë. Madje ua fusni si ve të qyqes politikanëve në pushtet për t’i “monitoruar” nga brenda dhe për t’u raportuar juve!



                  Tash, sa i përket Shërbimit Korrektues të Kosovës, SHKK ka qenë nën kontroll 100 % të UNMIK-ut dhe është nën kontroll tuajin ani pse deklaroni se jeni vetëm në cilësinë e monitoruesit, gjë që nuk është aspak e vërtetë. Jeni shumë të fuqishëm në vendimmarrje dhe vota juaj është përcaktuese edhe në këtë shërbim. Ky shërbim është i ri, ende i pakonsoliduar mirëpo, nëse krahasohet me vendet në rajon, aspak nuk qëndron më keq. Madje në shumë drejtime është para vendeve të rajonit. Rasti Drenica është unik në drejtësi dhe kësi rasti nuk ka në botë. Sikur që ishte më parë edhe rasti Hajra, ku pati dënime drakonike për një krim të pabërë, por se të dënuarit supozohet se e dinë kush e ka bërë krimin, por nuk tregojnë. Struktura e VIP të burgosurve të dënuar në Kosovë është dukuri e njohur në Kosovë që nga fillimi i punës së këtij shërbimi deri në ditët e sotme. Bekimin për këtë e kanë dhënë politikanët e vendit si edhe ata ndërkombëtarë. Nëse doni, mund të bisedojmë për këtë. Konkretisht, të dënuarit e rastit Drenica, përkundër 100 vërtetimeve mjekësore, nuk do të mund të strukeshin në QKUK pa lejen e gjykatësit. E ai është ndërkombëtar. Ju me qëllim i lejoni vendorët të bëjnë lëshime për t’i sulmuar dhe diskredituar më vonë. Shembull për këtë është se ishte vetë gjykatësi ndërkombëtar ai që urdhëroi kthimin e këtyre të dënuarve nga QKUK në Burgun e Dubravës. Kjo është e vërteta.


                 Të njëjtën lojë po e luani me të akuzuarin Ivanoviq. Ju po ia vazhdoni paraburgimin, ndërsa u nënshtroheni ultimatumeve të Serbisë dhe serbëve lokalë që pastaj Oliver Ivanoviqit t’i caktohet një masë më e butë e arrestit. Përsëri EULESH-i është parimor sepse vetëm monitoron, ndërsa Gjykata e Apelit vendos. 


                 Signore Meucci, para juve ishin bosët e tjerë të EULESH-it, Marnak, Kermabo e disave që as emrat nuk na kujtohen sepse nuk kanë bërë gjë të hairit për t’i kujtuar. Ata e kanë bërë punën e tyre, si pensionistë kanë pushuar në Kosovë, kinse po punojnë për EULESH-in, duke marrë paga marramendëse për rrethanat tona. Kanë qenë të siguruar në çdo aspekt dhe nuk kanë qenë të rrezikuar nga askush.


Të vetmin problem mund ta kenë pasur me potencën, probleme të tjera nuk kanë pasur. Për të mos e zgjatur më shumë, po jua tregoj një si barsoletë që ndërlidhet me ju dhe misionin që e drejtoni dhe që e bën më të kuptueshëm misionin tuaj dhe gjendjen tonë të mjerë.


                Disa kodoshë e takojnë një femër shumë të bukur dhe në pamundësi për ta bërë për vete, e dhunojnë në mënyrë brutale, duke ia grisur rrobat dhe duke e lënë të lidhur për një dru. Pas një kohe vjen një kalimtar i rastit dhe trishtohet me pamjen e femrës së dhunuar, duke i premtuar ndihmë dhe përkujdesje. Mirëpo, i hutuar pas bukurisë së saj, edhe ai e dhunon, duke e lënë në gjendje si e gjeti më parë. Pastaj erdhi edhe një kalimtar tjetër i rastit dhe filloi me moralizime por femra, duke ditur se çka e pret, i drejtohet me këto fjalë: “Hajt bëje edhe ti atë që e bënë ata para teje dhe vazhdo tutje”. Prandaj, signore Meucci, atë që e bënë paraardhësit tuaj, Kermabo, Marnjak e të tjerët, bëjeni edhe ju dhe vazhdoni më tutje. Lëshoni radhën pasardhësit tuaj që ta bëjë atë që po e bëni ju e që e kanë bërë ata para jush.


                Qëmoti i kemi lëshuar pantallonat poshtë dhe jeni gati t’ju kënaqin. Kjo çështje madje na është shndërruar në automatizëm. Bëjeni atë që e bënë dhunuesit e femrës dhe mos moralizoni. E as mos e shani vendin që po iu ofron kënaqësi dhe super mirëqenie materiale. Lëreni moralin në Bruksel dhe bëhuni më praktikë.

Kontrolloni gjithashtu

Sejdi Veseli

Sejdi Veseli: URANIUMI I VARFËRUAR DHE NDOTËSIT E TJERË RREZIK SERIOZ PËR KOSOVËN

Po mbushen tetë vete të plota nga përfundimi i luftës së armatosur kundër shkelësve të …