Bekim Çollaku, ka hedhur kritika të ashpra ndaj kryeministrit Albin Kurti për mënyrën se si është trajtuar procesi i zgjedhjes së Presidentit, duke e cilësuar atë si një strategji të qëllimshme për të imponuar marrëveshje në momentet e fundit. Sipas Çollakut, Kurti nuk ka pasur asnjëherë vullnet real për të ndërtuar një partneritet politik me opozitën, por ka ndjekur një qasje të njëanshme që nga formimi i qeverisë. Ai vlerëson se lënia e çështjes së Presidentit për në fund nuk ishte rastësi, por një kalkulim politik për të vënë nën presion partitë opozitare. “Që në fillim ka munguar vullneti për marrëveshje të mirëfilltë. Nëse do të kishte seriozitet, bisedimet do të nisnin menjëherë pas zgjedhjeve. Por Kurti zgjodhi të ecë i vetëm, duke e shtyrë çështjen e Presidentit për në fund me shpresën se opozita do të dorëzohej përballë presionit të afateve kushtetuese”, theksoi ai. Çollaku shtoi se kjo strategji rezultoi e pasuksesshme, pasi partitë opozitare refuzuan ofertat për poste qeveritare dhe qëndrimi i tyre i prerë e ka futur vendin në një situatë të pasigurt politike. Ndërkohë, Kosova ndodhet në javën vendimtare për zgjedhjen e Presidentit, dhe në mungesë të një marrëveshjeje, rreziku për zgjedhje të parakohshme mbetet real.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
