Besart Krasniqi: Asociacioni kancer brenda “trupit” të Kosovës!

Proceset kundër  Kosovës nuk kanë të ndalur, madje këto për fat keq dita-ditës veç sa po shtohen e po fuqizohen edhe më shumë, siç janë Gjykata speciale, demarkacioni i kufirit me Malin e Zi dhe Maqedoninë, tani asociacioni i komunave serbe (zajednica). Kosova gjendet në fazën më të rëndësishme dhe njëkohësisht më të rrezikshme që nga paslufta e vitit 1999. Kjo për faktin se Qeveria e Kosovës po i vazhdon kompromiset e dhembshme për Kosovën.

Prej se kanë filluar negociatat me Serbinë e deri më tani jemi dëshmitarë të dështimeve të njëpasnjëshme të Kosovës, ndërkohë që Beogradi po përfiton nga to.

Duhet përkujtuar se kundërshtarja më e zëshme kundër decentralizimit në vija etnike serbe ishte Lëvizja Vetëvendosje, të cilin e ka cilësuar një “kancer” brenda territorit të Kosovës, i cili do t’ia pamundësonte Kosovës zhvillimin normal. Partitë që përbënin koalicionin qeveritar, si dhe ato në “opozitën” e mëhershme, gjithherë e kanë kundërshtuar Vetëvendosjen për çështjen e decentralizimit, duke mos pasur asnjë argument të vetëm për këtë. Por sot, pas shumë viteve, jemi dëshmitarë se ajo për çka ka reaguar Vetëvendosja ka pasur shumë të drejtë për shkak se tan po i vuajmë e për fate keq do t’i vuajmë edhe më vonë pasojat e këtij decentralizimi që na servohet si asociacion komunash me shumicë serbe, të cilit do t’i bashkohen edhe komunat këndej Urës së Ibrit. Pra, Kosova edhe në pjesën qendrore të saj do të ketë një “kancer”, pasi që siç dihet decentralizimi etnik dhe politik iu ka mundësuar që të themelohen komuna edhe me nga dy-tre fshatra! Madje edhe arsyetimi se decentralizimi po bëhet për t’iu shërbyer sa me afër qytetarëve është absurd, ngase shumë fshatra iu kanë uzurpuar komunave të mëparshme që kanë qenë shumë pranë qytetit për t’iu dhuruar atyre me shumicë serbe, edhe pse janë me dhjetëra kilometra larg, vetëm sa për të përmbushur “kriterin” për themelimin e një komune serbe!

Duhet që të gjithë ta kemi të qarttë  se për shkak të këtyre negociatave të dëmshme Kosova kurrë nuk ka qenë përfituese, përkundrazi, për fate keq, gjithmonë ka pësuar humbje. Si rezultat i këtyre negociatave të dëmshme dhe njëkohësisht pa asnjë kushtëzim për Serbinë, Kosova ka “fituar” mos kontrollimin e 30% të territorit të saj, gjykatën speciale, demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, Mitrovicën e ndarë, parkun e “paqes”, mos liberalizimin e vizave, forcimin edhe me të madh të strukturave kriminale serbe në veri dhe së fundmi asociacionin e komunave me shumicë serbe. Krejt këto çka i ka “fituar” (humbur) Kosova, Serbia i ka fituar, kjo për faktin se në krye të qeverisë e rrjedhimisht edhe në krye të negociatave janë njerëzit servilë dhe të korruptuar që për interesat e tyre personale janë në gjendje ta bllokojnë e copëtojnë Kosovën edhe më shumë.

Sa më shumë që po zhvillohen negociata me Serbinë, aq më shumë Kosova po humb territore. Ky trend  tejet i rrezikshëm koncesionesh kundër Kosovës nuk do të ndalet për deri sa populli nuk  e ndal këtë qeveri dhe serbizimin e saj. Populli shqiptar duhet ta kuptojë, që sovraniteti dhe liria nuk mbrohen/fitohen pa rezistencë, dhe se rezistenca nuk ndodhë pa veprim. Populli shqiptar duhet të ngrihet kundër asociacionit të komunave serbe për ta parandaluar dhe pamundësuar bosnjëzimin e Kosovës. Arsyeja pse nevojitet një reagim i fuqishëm kundër këtij “kanceri” është se përmes tij Kosova nuk do të jetë një shtet normal dhe si i tillë nuk do të mund ta ketë asnjë zhvillim politik, ekonomik e shoqëror.

Kontrolloni gjithashtu

Ali Ahmeti nga Zvicra: Të hiqen kufijtë midis nesh siç i hoqi Europa dhe të bëhemi bashkë në BE

Salla përplot në Cyrih të Zvicrës mirëpriti liderin e shqiptarëve, Ali Ahmeti, i cili u …