RKL: Sa herë na lavdërojnë të huajt punët i kemi si mos më keq

Servilizmi, nënshtrimi ndaj të huajve, shpirti skllav nuk janë fenomene të sotme me të cilat karakterizohen politikanët shqiptarë, dhe jo vetëm këta. Ky fenomen vetëm është ricikluar nga shekulli në shekull, nga njëra perandori sunduese te tjetra, nga njëra robëri në tjetrën.


Për të mos shkuar shumë larg në të kaluarën, në shembujt që njohim nga historia jonë kombëtare, fenomenin e nënshtrimit, servilizmit, përfitimit mbi kurriz të bashkëkombësve e hasim edhe në kohën e Skënderbeut, në rastin e Hamza Kastriotit të Ballaban Pashait, të Jakup Pashait  dhe në vazhdimësi deri në ditët tona. Klasa pacifiste shqiptare, me qëllim për të mbijetuar në vazhdimësi ka ecur rrugës më të lehtë, rrugës në nënshtrimit dhe servilizmit, sepse kjo rrugë i ka sjellë fitime, favore, por shpeshherë edhe të papritura, meqë sundimtarët nuk  iu kanë besuar kurrë politikanëve që kanë anashkaluar  interesat e kombit të vetë.


 


Ka ndodhur njëherë në Malësinë e Kurbinit kur Veziri i Shkodër kishte ofruar 100 lira turke  kokën e komitit, Kolë Gjeçi.  Sivëllami i tij me të dëgjuar për lajmin joshës dhe dobi sjellës të Vezirit të Shkodrës, tradhton vëllanë e natyralizuar, i pret kokën, e vë në calik dhe ia qet përpara vezirit, i cili e pyet cubin se si kishte arritur ta merrte kokën e njeriut, pasi kishin dështuar sa e sa para tij. Cubi i kishte treguar se komitin e kishte mashtruar lehtë meqë e kishte si vëlla. Veziri ishte tmerruar nga vepra e ligë e vëllavrasësit dhe kishte urdhëruar t’i pritej koka.


 


Ky Veziri burrë i gjanë,


Nuk po kënaqet por po qanë,


-Tu thaftë dora ç’ paske ba!


Ket farë burri qysh me vra!


A thua ai t ka besue,


E ti n’ besë e ke mashtrue?


 


-Unë me Kolën gjak kam pi


E prandej or, t’u ngjatë jeta,


Unë Kolën n’ besë e rrejta.


 


Veziri, edhe pse kishte kërkuar kokën e komitit, ishte çmeritur se atë e kishte vrarë i afërmi i tij, në besë të konakut e në lidhje gjaku, iu kishte drejtuar me fjalët:


 


-Fëlliqë na i paske vend e votër,


-Tuj tradhtue vëlla e motër,


-Mbasi vëllanë me vra ke shkue,


-Ti gja s’ lajke pa punue,


Varne qenin, qen të tërbue


Që Shqipninë e ka shnjerëzue.


 


Nuk kemi as më të voglin dyshim në vërtetësinë e informatave që sjellë kënga e trimërisë, e shënuar në “Visaret e kombit”, në vitin 1937, botuar në Shkodër, meqë edhe në kohën kur është publikuar kjo këngë kanë ndodhur shëmti vëllavrasëse. Njëjtë kishte vepruar Ahmet Zogu, i cili kishte vrarë pas shpine Avni Rrustemin, Hasan Prishtinën, Luigj Gurakuqin, Bajram Currin, Elez Isufin dhe sa e sa atdhetarë shqiptarë.  Jo rastësisht kjo këngë është publikuar pikërisht në kohën e Zogut. Asokohe njeriu i afërt me Zogun kishte vrarë edhe mikun e tij, Lym Hoxhën në besë të konakut. E kishte ftuar në darkë, i kishte shtuar gosti dhe në fund ia kishte prerë kokën dhe ia kishte dërguar Mbretit në Tiranë.


 


Të huajt na kanë lavdëruar sa herë kemi bërë punët sipas kërkesave të tyre dhe nuk na kanë lavdëruar as na  lavdërojnë sa herë që kemi vepruar në mbrojtje të interesave tona. Na kanë lavdëruar kur kemi demobilizuar UÇK-në, na kanë lavdëruar kur të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë pranuar “Pakon e Ahtisarit”. Na kanë lavdëruar sa herë që gjykatat kanë dënuar ish pjesëtarë të UÇK-së. Na kanë lavdëruar pa masë kur pas verdiktit  të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së Pavarësisë, politikanët tanë kanë filluar bisedimet me Serbinë, të cilat gjatë këtyre katër viteve quan në devalvimin dhe neutralizimin  e pavarësisë së Kosovës. Na kanë lavdëruar për heqjen dorë, gradualisht dhe vullnetarisht  nga veriu, na lavdërojnë për themelimin e gjykatës raciste e fashite kundër UÇK-së. Do të na lavdëronin me gjithë shpirt por të heqim dorë nga pavarësia dhe po të pranonim të ktheheshim sërish në sundimin serb. Në një rast të tillë, BE-ja do të propozonte të, Atifete Jahjaga, Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi të marrin çmimin “Nobel” për partneritet, servilosje, dëgjueshmëri e nënshtrim.


 


Sa e sa ambasadorë e autoritete ndërkombëtare erdhën në Prishtinë dhe na përgëzuan sinqerisht, për përkushtimin e deputetëve që pranuan themelimin e Gjykatës Speciale kundër UÇK-së dhe vazhdimin e mandatit të EULEX-it. Për këtë vendim  të Qeverisë, kryetares dhe Kuvendit na kanë lavdëruar të gjithë “miqtë” tanë, të cilët po mbesin gojëhapur me këtë mendësinë pacifiste, aziatike,  “lepe-peqe” të trashëguar nëpër  gjenet e politikanëve tanë, që nga koha a baba Dovletit.


 


Mbështetja e verbër te “miqtë” apo partnerët  tanë ndërkombëtarë, zbulon kompleksin e vogëlsisë, të paaftësisë të politikanëve  për të marrë në dorë fatin e kombit apo të Shtetit. Kjo politikë, krejtësisht servile dhe e nënshtruar e tri qendrave të politikë-bërjes shqiptare: Tiranë-Prishtinë-Shkup, ka bërë të çështja shqiptare në Ballkan të rënkojë, të stagnojë dhe të pacifikohet deri në degjenerim fatal.


 


Kjo  klasë politike, në koalicion qeveritar,  nuk është e aftë, as ka orientim ta mbrojë interesin kombëtar të shqiptarëve të ndarë në gjashtë shtete, madje nuk ka as një pikë të qartë referimi në këtë segment.  Për më tepër, politikanët tanë duan të na bindin se të huajt, “miqtë” tanë na duan më shumë sesa ne duam njëri tjetrin, vetëm për faktin se jemi të urtë, të dëgjueshëm, si ai qengji që i thith dy dele.


Për ta është me rëndësi të qeverisin, të pasurohen, të përfitojnë mbi kurriz të pasurive kombëtare, mbi kurriz të vegjëlisë dhe mundësisht gjatë qeverisjes për një apo dy mandate të krijojnë pasuri madje edhe për stërnipa e stërmbesa. Ky është qëllimi  i tyre final dhe këtë qëllim e kanë arritur 99 për qind e të gjithë politikanëve shqiptarë, në trojet e shkapërderdhura dhe të bëra pikë e pesë të Shqipërisë.


Në Kosovë njohim vetëm dy kryetarë komune, të cilët nuk janë pasuruar as duket se kanë për qëllim të pasurohen dhe tash për tash po  qeverisin me përgjegjësi dhe me ndërgjegje.  Kemi deputetë që marrin rrogë mujore sa njëzetë pensionistë bashkë, kemi ministra e zëvendës-ministra që para lufte jetonin me ndihma të organizatës bamirëse, “Nëna Terezë” dhe tani vozisin makina të blinduara, kanë shtëpi e banesa, kanë zënë në punë gratë e mamatë, ndërsa bijtë e bijat i shkollojnë në kolegje dhe universitete të huaja.


 


Politikanë tanë servilë, shumica syresh, kanë ofruar afër veti servilët si vetë, plastofilët, pa kurrizorët, butakët dhe tërë sojin e atyre, meqë të tillë janë vetë karshi të huajve. Këta vetëm sa po ia zgjasin agoninë vendit, duke u krekosur se janë të pazëvendësueshëm, se janë argatët më të mirë që ka pasur dhe ka Brukseli e ambasada amerikane në Prishtinë, se janë në gjendje të gëlltisin gjithçka që u thonë të huajt.

Kontrolloni gjithashtu

Studimi i së ashtuquajturës ‘Akademi e Studimeve Shqiptare’ në 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë, masakron historinë e LANC-it

Historianë dhe studiues gjysmakë,  me prejardhje balliste e profashiste,  në 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë …