Besim Bislim Mala (14.8.1971 – 17.4.2000)

Besim Bislim Mala (14.8.1971 – 17.4.2000)

Qëndresa e luftëtarëve të Drenicës kundër pushtuesve është e njohur qysh në periudhat e hershme të historisë. Në kohën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Drenica u bë bastioni më i qëndrueshëm dhe Termopilja e pathyeshme e kësaj lufte, falë trimave e trimëreshave të kësaj ane, falë moralit të tyre të fortë luftarak, që ishte kalitur e trashëguar nga brezi në brez, si dhe besimit të patundur në fitore. Në mesin e luftëtarëve më emblematikë të Drenicës, pa dyshim radhitet edhe Besim Mala, i cili njihej për trimëri, zgjuarsi, zhdërvjelltësi fizike, ndërmarrje të aksioneve spektakulare dhe sulmeve të befasishme kundër forcave armike.

Besim Mala lindi më 14 gusht të vitit 1971, në Drenas, (ish-Gllogoc). Babai i tij, Bislimi, një punëtor i vyeshëm, me prejardhje nga një familje atdhetare, e mirënjohur si kundërshtare e regjimit serb, dhe bashkëshortja e tij, Nailja, rritën bijtë: Besimin Lulëzimin dhe Blerimin, si dhe bijat: Shukrijen, Gjylën, Razën e Luljetën.
Shkollën fillore Besimi e kreu në Drenas. Po aty, ka vazhduar mësimet e mesme në Qendrën Shkollore “Skënderbeu”.
Në vitin 1989, pikërisht kur kishte filluar edhe shpërbërja e Jugosllavisë, ashtu sikur shumë të rinj shqiptarë, edhe Besim Mala largohet nga Kosova, për të mos iu përgjigjur ftesës për shërbimin e detyrueshëm ushtarak në ushtrinë e Serbisë. Ai shkon në Holandë, ku edhe gjen punë.
Edhe pse në vend të huaj, ai kurrë nuk do ta harronte familjen, as Drenicën e tij të dashur. Ishte në mesin e veprimtarëve që mendonte se Kosova mund të çlirohej nga Serbia vetëm me kundërvënie ushtarake dhe me luftë të armatosur, e kurrsesi me politikën e pritjes, të pranimit të rezignatës së robërisë dhe me improvizimin e jetës plurale të klasës pacifiste, nën robërinë jugosllave.
Asokohe njihet me shokun e tij, Ferid Berisha, me të cilin do të jetë i pandashëm deri në fund të luftës dhe pas saj.
Ishte në kontakt të aktiviteteve, që zhvillonin veprimtarët militantë të lëvizjes kombëtare, të cilët tashmë kishin krijuar edhe bërthamat e para çlirimtare.
Në pranverë të vitit 1998, së bashku me Ferid Berishën dhe me bashkëmendimtarë të tjerë, Besim Mala lë gruan dhe bijën katër-vjeçare, Lenditën, në Holandë dhe niset në drejtim të Shqipërisë e më vonë kalon kufirin që ndante trojet e Shqipërisë etnike. Fillimisht ishte vendosur në fshatin Baicë e Elshanit të Drenasit, atje ku Fehmi Lladrofci, Rasim Kiçina, Musë Jashari, Jahir Demaku e shumë e luftëtarë të tjerë, tashmë kishin krijuar pikat ushtarake të UÇK-së.
“Morëm vesh se ishte kthyer nga Holanda dhe meqë kishte 10 vjet që nuk e kishim parë, shkuam në Baicë të Elshanit që ta shihnim”, – thotë babai Bislimi. Ndërsa nëna e tij, Nailja rrëfen për momentin kur e kishte parë djalin pas 10 vitesh. – “Ishte me rroba të ushtrisë dhe mezi e njoha”, – thotë ajo.
Gjatë luftës Besim Mala e kishte kryer detyrën e oficerit të lartë në Njësinë Speciale të Zonës Operative të Drenicës. Për trimërinë e treguar, për pjesëmarrjen aktive në shumë aksione e beteja të përgjakshme gjatë luftës çlirimtare, ishte bërë i njohur jo vetëm në rajonin e Drenicës, por në mbarë Kosovën.
Besim Mala ka marrë pjesë pothuajse në të gjitha vendet ku çlirimtarët kanë luftuar kundër forcave serbe, si në Rezallë, Morinë, veçmas në aksin rrugor prej Drenasit deri në Skënderaj, ku së bashku me njësitet speciale “Tigrat e Zi” kishte sulmuar sa e sa herë në befasi forcat policore e ushtarake serbe. Ai ka sulmuar edhe Stacionin e Policisë në Drenas, disa herë ka sulmuar forcat serbe në shkritoren “Feronikeli”, së bashku me Asllan Fazliun, Rabit Aliun, Sabit Lladrovcin e të tjerë.
Janë të shumta dhe të panumërta aksionet e Besimit dhe të njësitit sulmues “Tigrat e Zi” kundër forcave pushtuese serbe, ndërsa në këtë jetëshkrim të shkurtër për dëshmorin kemi veçuar të rrëfejmë aksionin spektakular të rrëmbimit të minave në një depo serbe të armëve në Golesh të cilin e kishte kryer me sukses Besim mala me trimat e tij.
Duke folur për aksionin e rrëmbimit të municionit në deponë e ushtrisë serbe në kodrën e Goleshit afër Magurës, komandanti i Batalionit “Ruzhdi Salihu” i Brigadës 121 “Ismet Jashari – Kumanova”, Elez Durmishi thotë: “Më 18 maj 1999 isha duke shkuar në komandën e Brigadës, në Kleçkë, së bashku me disa luftëtarë. Në rrugë më ndaloi komandanti Haxhi Shala, i cili ishte bashkë me komandant “Gurin”, Jetullah Rexhën. Ata më thanë se duhej të kthehesha, meqë kishin marrë urdhër për një aksion ushtarak. U ktheva në Grykën e Krojmirit ku ndodhej popullata civile dhe takova komandantin e njësisë speciale “Tigrat e zi”, Besim Mala. Ndërkohë, nga ai mësova se duhej të fillonte realizimi i planit për rrëmbimin e armatimit në një depo të municionit të forcave serbe, në Golesh. Besimi kishte planifikuar që në këtë aksion, i cili duhej të kryhej gjatë natës, të angazhoheshin pjesëtarë të popullatës civile, të aftë për të bartur municion mbi supe. Filluam mobilizimin në fshatin Pjetërshticë, ku në çdo dhjetëshe nga radhët e popullatës, caktonim nga dy ushtarë, pastaj disa të tjerë i mobilizuam edhe në Krojmir, Shalë, Risinovc dhe nga fshatrat e tjera të kësaj ane. Për një afat të shkurtër u mobilizuan rreth 150 pjesëtarë të popullatës civile dhe rreth 50 luftëtarë dhe eprorë të armatosur”.
Aksioni ka filluar në orët e mbrëmjes, pasi ishte errësuar. Duke qenë se roja serbe e bunkerit me të filluar terri largohej nga depoja për shkak të sulmeve të mundshme të aeroplanëve të NATO-s, depoja mbyllej por nuk ruhej.
Ndërkohë, luftëtarët e lirisë afrohen te depoja bunker dhe fillojnë të ngarkojnë mbi supe mina antitank dhe sasi të konsiderueshme të municionit. Ishin tërhequr disa tonë municion. Pasi ishte larguar edhe ushtari i fundit komandanti Besim Mala kishte dhënë urdhër të minohej e më pas të hidhej në erë bunkeri depo, ku kishin mbetur shumë raketa të tipit tokë-tokë, predha të kalibrave të ndryshëm dhe municion. Pas disa minutash, xhenierët kishin aktivizuar minat dhe bunkeri ishte hedhur në erë, ndërkohë kishte filluar edhe shpërthimi i qindra predhave. Herë pas herë nga shpërthimi i fuqishëm tërë vendi ndriçohej dhe shumëkush kishte menduar se ishte sulm nga ajri i aeroplanëve të NATO-s.
Shpërthimi i municionit kishte zgjatur rreth 30 minuta. Luftëtarët dhe pjesëtarët nga radha e popullatës civile ishin kthyer të ngarkuar me municion në relacionin Shalë – Krojmir. Municioni ishte grumbulluar në “Grykën e Shpëtimit”, në Krojmir ku ndodheshin të strehuar rreth 30 mijë njerëz nga popullata civile nga fshatrat e Drenicës dhe nga vende të tjera të përfshira në luftë.
Të nesërmen, municioni ishte bartur me xhipa dhe qerre kuajsh në drejtim të selisë së Komandës së Brigadës 121, në Kleçkë, nga ku minat antitank u shpërndanë në të gjitha zonat e luftës së UÇK-së. Me vënien e minave gjatë natës, në të gjitha pikat nga ku kalonin forcat serbe ishte paralizuar forca e motorizuar e armikut. Gjatë ditëve në vijim prej 20 majit e deri më 20 qershor kanë rënë në ato mina: pizgauerë, tanke, mjete të motorizuara, vetura, xhipa të forcave policore e ushtarake serbe, në të gjitha zonat e luftimeve, e sidomos në pikat strategjike të rrafshnaltës së Berishës, ku ndodheshin të strehuar nëpër luginat e maleve dhe të lumenjve rreth 100 mijë banorë të zhvendosur.
Forcat e motorizuara serbe, të cilat po sulmoheshin nga ajri nga aeroplanët amerikanë dhe anglezë, po hasnin nëpër mina dhe nuk ishin më të sigurta nga ajri, nga ku bombardonin avionët e NATO-s, as nga toka, ku papritmas binin nëpër minat antitank, që ishin rrëmbyer në depotë e tyre.
Aksioni i rrëmbimit të municionit të depon bunker të forcave serbe në Golesh, ka qenë aksioni më spektakular i forcave të UÇK-së gjatë tërë luftës deri më 21 qershor të vitit 1999, kur nga Kosova u dëbuan përgjithmonë forcat ushtarake e policore serbe.
Në gjysmën e dytë të qershorit të vitit 1999, Besim Mala, ashtu sikur edhe shumë ushtarë dhe eprorë të UÇK-së ishin futur në Prishtinë dhe kishin marrë përsipër ruajtjen e rendit dhe të sigurisë. Me rastin e shpërbërjes së UÇK-së dhe krijimit të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, Besim Mala rreshtohet në këtë formacion, i cili trashëgonte vlerat e luftës dhe të fitores historike të UÇK-së për çlirimin e vendit.
Veprimtaria luftarake e Besim Malës dhe interesimi i tij për ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse të TMK-së po bëhej pengesë për shërbimet e caktuara, që u vendosën në Kosovë së bashku me administratën e UNMIK-ut, qysh në vitin e parë pas çlirimit të vendit.
Në Kosovën e çliruar nga robëria serbe ende mbretëronte një gjendje e rëndë e pasigurisë, meqë në vend po vepronin ilegalisht edhe disa mbeturina të – ish regjimit kriminal, të cilat ishin marrë në mbrojtje nga policia e UNMIK-ut, të cilit edhe i shërbenin. Forcat ushtarake paqeruajtëse të KFOR-it, ishin përqendruar në përcjelljen dhe arrestimin e shumë luftëtarëve të lirisë. Ata përditë bastisnin dhe u merrnin armët atyre madje edhe armët që ata i mbanin me leje.
Pa asnjë shkak, iu mor arma që e mbante me leje edhe komandantit të Batalionit për Ndërhyrje të Shpejtë në kuadër të Gardës së Trupave Mbrojtëse të Kosovës, Besim Mala, i njohur gjatë luftës si “Komandant Murrizi”. Ai me siguri se nuk e kishte pandehur motivin e marrjes së armës. Në mesditën e 16 prillit të vitit 2000 në qendër të Prishtinës, te lokalet e Postës, nr. 3 përballë Radio-Kosovës, Besim Mala së bashku me shokun e tij të pandashëm, Ferid Berisha, i njohur gjatë luftës si “Komandant Shkupi”, u godit prapa shpine nga një person, me të cilin kohë më parë kishte pasur një zënkë verbale. Në ditën kur u vra pabesisht, Besim Mala ishte në detyrë dhe me uniformë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, në postin e komandantit të Batalionit për Ndërhyrje të Shpejtë, në kuadër të Gardës së Kosovës.
Për vrasjen pas shpine të Besim Malës kishte reaguar edhe SHP i TMK-së, duke kërkuar nga organet kompetente, të ndriçohej rasti e kriminelët që e kishin goditur prapa shpine të arrestoheshin dhe të dënoheshin. Mirëpo policia e UNMIK-ut kishte mbyllur dosjet për këtë krim, ashtu sikur do të mbyllte më vonë të gjitha atentatet dhe krimet, që ishin kryer kundër pjesëtarëve të TMK-së dhe ish – luftëtarëve të lirisë. Besim Mala ka ngelur në kujtesën e bashkëluftëtarëve dhe të mbarë kombit si një luftëtar i paepur i lirisë, një shpirt militant tejet i përkushtuar dhe një dalëzotës i Kosovës në kohët më të vështira të saj.
Besim Mala ka lënë bijën e vetme, Linditën, e cila jeton në Holandë dhe po rritet larg Kosovës. Po ashtu ka lënë edhe babain, Bislimin dhe nënën, Nailen, e cila krahas dhembjes, por edhe krenarisë së ligjshme për djalin dëshmor, ndien mall edhe për mbesën, e cila jeton diku larg Kosovës, dhe të cilën kurrë nuk e ka parë. Besimi ka lënë vëllezërit: Lulëzimin e Blerimin si dhe motrat: Shukrijen, Gjylën, Razën dhe Luljetën. Familja e dëshmorit ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e QPK-së, nga Garda e Kosovës, nga SHP- i TMK-së dhe nga shoqatat e luftës. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ismajl Isuf Kryeziu (20.2.1965 – 18.4.1999)

Ismajl Isuf Kryeziu (20.2.1965 – 18.4.1999)

Dëshmori i kombit, Ismajl Kryeziu, ka lindur më 20 shkurt të vitit 1965,  në Arbanë …