Brickos

Halil Mehmet Bajraktari (13.10.1969 – 17.4.1999)

Halil Mehmet Bajraktari (13.10.1969 – 17.4.1999)

Historia më e re e Kosovës dhe lufta e saj çlirimtare nuk do të ishin të plota pa lavdinë dhe pa emrin e dëshmorit Halil Bajraktarit nga Drenasi. Secili brez i familjes bujare Bajraktari ka dhënë burra që me shembullin e tyre të urtësisë, guximit e trimërisë kanë zënë vend në faqet e ndritura të historisë sonë. Ramadan dhe Hasan Bajraktari, trima me nam të derës së bajraktarëve, gjatë luftës së dytë botërore, ishin rreshtuar në Brigadën e Shaban Palluzhës dhe ndoqën hordhitë serbe e malazeze deri në Kolashin. Ata ranë në mbrojtje të trojeve stërgjyshore duke u bërë shembulli më i mirë i sakrificës për atdhe.
Po nga kjo familje, më 1944, për shkak të veprimtarisë atdhetare dhe në shenjë hakmarrjeje për qëndrimin e drejtë në mbrojtje të popullsisë civile, në Skënderaj u ekzekutua eprori Bajram Bajraktari.
Përndjekjet dhe maltretimet kundër kësaj familjeje nuk pushuan as gjatë viteve 1955- 1956, në aksionin famëkeq të armëve, kurse gjatë viteve gjashtëdhjeta të shekullit njëzet, në vazhdimësi burrat e kësaj familjeje u burgosën e përndoqën.
Edhe Halili i ri, i brumosur me ideale lirie, u bë pjesë e një lufte të lavdishme që do ta finalizojë ëndrrën e shumë brezave,- çlirimin e Kosovës.

Halil Bajraktari u lind më 13 tetor 1969 në Drenas. Ishte fëmija i dytë me radhë nga shtatë fëmijët e prindërve Mehmet e Bahtije Bajraktari.
Mësimin fillor dhe atë të mesëm i mori në qytetin e lindjes. Meqenëse kishte një fizik të përkryer, ëndrra për t’u regjistruar në Fakultetin e Kulturës Fizike në Universitetin e Prishtinës u bë realitet. Mirëpo, shkaqet ekonomike e detyruan të emigrojë në Gjermani, duke u shkëputur nga studimet. Në vitin 1990, përfundimisht kalon në vendet perëndimore, duke lënë edhe klubin e hendbollit, me të cilin aq shumë ishte lidhur. Mirëpo, edhe pse jashtë atdheut, ai për asnjë çast nuk reshti së angazhuari në aktivitete sportive, krahas angazhimit rreth çyshtjes së Kosovës. Nga viti 1992-1997 garoi në klubet hendbollistike”Meringu” dhe “Landsberg”. Stërvitjet dhe ushtrimet trupore i bënte, siç thoshte në shumë raste, edhe për faktin se njëditë do të jetë pjesëtar i ushtrisë së Kosovës.
Ndonëse ishte angazhuar aktivisht në grumbullimin e mjeteve financiare për të mbajtur gjallë arsimin e në Kosovë, i cili ishte vënë në kushte segregacioni racist, përmes këshillave që ishin themeluar gjithandej ku jetonin dhe punonin bashkatdhetarët e tij shqiptarë, i ndikuar nga literatura dhe fletushkat që botoheshin në Perëndim, te ai sforcohej bindja se mundësia e vetme për t’u çliruar nga okupatori është kryengritja e armatosur. Për këtë arsye, me fillimin e luftës në Kosovë, ai me shokë, përmes fondit “Vendlindja Thërret!” përkrahu luftëtarët e lirisë dhe popullsinë civile të rrezikuar nga sulmet e forcave pushtuese serbe. Në Gjermani qëndroi deri më 6 prill 1999, kur edhe vendosi t’i përgjigjej ftesës së Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së për mobilizim.
Me të arritur në Kukës, Halili iu nënshtrua stërvitjeve disaditëshe, por duke parë përgatitjen e tij psiko-fizike, eprorët e angazhuan në Frontin e Koshares, i sistemuar në Brigadën 138 ”Agim Ramadani”, në cilëssinë e komandantit së një toge këmbësorie. Në luftimet e pandërprera në këtë front, Halili tregoi trimëri dhe guxim të rrallë në luftë kundër pushtuesit serb.
Më 17 prill të vitit 1999, në Shkozë të Molliqit u zhvillua një luftë e ashpër. Forcat serbe përdorën armatim kalibrash të ndryshëm për t’i zbrapsur luftëtarët e lirisë të UÇK-së. Në këto luftime bie edhe dëshmori Halil Bajraktari, duke iu bashkuar vargut të atyre që lirinë e Kosovës po e shkruanin me gjak. Varrimi i trupit të dëshmorit Halil Bajraktari u bë në qytetin Bajram Curr, pranë varrit të shokut dhe bashkëluftëtarit Gëzim Morina. Tërheqja e trupit të dëshmorit Halil Bajraktarit nga varrezat e Bajram Currit u bë për t’u rivarrosur, më 28 gusht 1999, në varrezat e dëshmorëve në Polac të Skënderajt.
Në luftën e fundit familja Bajraktari ka dhënë edhe dëshmorët Halim e Rrahim Bajraktari, si dhe martirët: Muhametin, Hasanin, Ekremin, Shpendin, Bekimin dhe Arbenin.
Familja Bajraktari, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e dhënë për çlirimin e Kosovës ka marr mirënjohje të shumta nga institucionet e ndryshme, ndërsa në nderim të përjetshëm të veprës së dëshmorit Halil Bajraktari, shkolla nëntëvjeçare e Drenasit është emëruar me emrin e tij. (I. S.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …