Luan Islam Nimanaj (2.12.1978 – 17.4.1999)

Luan Islam Nimanaj (2.12.1978 – 17.4.1999)

Luan Nimanaj u lind më 2 dhjetor 1978, në familjen e njohur Nimanaj të Gllogjanit të Deçanit, e cila vazhdimisht mori pjesë aktive në ngjarjet e rëndësishme që u zhvilluan që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878) e deri në betejat për lirinë dhe çlirimin e trojeve të robëruara shqiptare.
Në vitet ‘30-të të shekullit XX, Sadik Nimanaj, kishte likuiduar kriminelin e shumëfishtë serb të organizatës terroriste “Crna Ruka”, i njohur me emrin Gjura i Rastavicës, i cili kishte vrarë e masakruar shumë shqiptarë. Pastaj, gjatë Luftës së Dytë Botërore, burrat e kësaj familjeje kishin marrë pjesë në luftimet e zhvilluara për mbrojtjen e Plavës e të Gucisë dhe viseve tjera etnike shqiptare nga sulmet shoviniste serbo-malazeze. Prandaj nga kjo derë trimash e atdhetarësh nuk mund të mos dilte edhe trimat si dëshmorët Luan Nimanaj, Naim Nimanaj dhe Fatmir Nimanaj. Dëshmorët Luan Nimanaj e Naim Nimanaj ranë në të njëjtën betejë.
Luan Nimanaj ishte njëri ndër luftëtarët dhe eprorët më të dalluar të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili që nga dita e parë e angazhimit në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 5 mars 1998, deri në rënien heroike, në prill të vitit 1999, luftoi e veproi me përkushtim, pa u hamendur asnjëherë në rrugën e lirisë.
Prindërit e dëshmorit, Islami e Safetja lindën dhe rritën tre djem e një vajzë. Luani ishte fëmiu i tyre i parë.
Luani kreu shkollën fillore në Rrezar (ish-Irzniq), ku e vijoi edhe shkollimin e mesëm, të cilin e ndërpreu në vitin e katërt, në prag të maturës, për t’iu bashkuar radhëve të luftëtarëve të lirisë në front. Edhe pse në moshë të re, që në vitin 1992, ishte ndër anëtarët më të dalluar të grupit muzikor të SHKA “Jusuf Gërvalla” në Deçan, ku bashkë me djalin e axhës Fatmirin, me të cilin nuk u nda as në jetë, as në përjetësi, me vite të tëra u këndoi trimave, heroizmit popullor dhe lirisë, derisa u kthye edhe vetë në këngë.
Luani, pas betejës heroike të 24 Marsit në Gllogjan, bashkë me bashkëluftëtarë të tjerë shkoi në vijat e para të fronteve më të rrezikshme të luftës, ku luftimet ishin të përditshme, si në: Baballoç, Prejlep, Voksh, Carrabreg të Poshtëm, Rastavicë, Shaptej, Biteshe etj., ku gjithnjë u dallua për guxim e trimëri.
Veç tjerësh, Luani ishte i pandarë edhe nga djali i dajës së tij, Agim Selmanaj, nga Gllogjani, njëri ndër luftëtarët më të dalluar të UÇK-së. Ata ishin edhe moshatarë dhe ishin rritur e shkolluar bashkë dhe bashkë iu kishin bashkuar radhëve të UÇK-së e bashkë edhe hynë në përjetësi. Agimi ra vetëm dy javë pas rënies së Luanit, më 1 maj 1999.
Pasi e kishte përvetësuar artin luftarak në shkallë të lartë, si nga ana teorike ashtu edhe nga ana praktike, në korrik të vitit 1998, Luan Nimanaj si oficer i stërvitjes, bashkë me Driton Mustafajn, po nga Gllogjani, me urdhër të komandantit të Shtabit të Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, dërgohet në fshatin Ruhot të Pejës, për t’i stërvitur ushtarët e rinj të kësaj ane.
Luan Nimanaj merr pjesë në luftimet e zhvilluara gjatë ofensivës së përgjithshme, që ndërmorën forcat serbe në muajin gusht (9-12 gusht 1998) kundër forcave serbe të vendosura përreth Gllogjanit që ishte seli e Shtabit Operativ të Rrafshit të Dukagjinit. Në këtë kohë, në luftimet e zhvilluara në Gllogjan, Luani plagoset rëndë, ndërsa bien heroikisht në altarin e lirisë dëshmorët Naim Nimanaj, djali i axhës së Luanit dhe, Arton Hasanaj, të dy nga Gllogjani.
Pas plagosjes, Luani për një kohë detyrohet të kalojë në Shqipëri për shërim, por asgjë nuk mund ta ndalë t’iu bashkohet shokëve të luftës në Kosovë, prandaj në tetor të vitit 1998, kthehet në Kosovë. Madje prej kësaj kohe bëhet moto e luftëtarëve të lirisë kënga e përshtatur nga Luani: “M’ka thirrë UÇK-ja nanë me shku me luftu”, që u këndua mijëra herë gjatë luftës dhe që këndohet edhe sot e kësaj dite me mall e dashuri:

“…Ani mora rrugën oj nanë për Kosovë,
Ani m’zuni terri oj nanë bujta në Tropojë,
Ani m’zuni terri oj nanë e më çeli drita,
Oh sa i vogël kesh oj nanë, e sa fort u rrita.

Ani kjo Kosova oj nanë asht rrethue,
M’ka thirr UÇK-ja oj nanë, me shku me luftue,
Ani kjo Kosova oj nanë gropa-gropa
Ani djemtë e ri oj nanë, me gjoks përmbi topa…”

Luani sërish do të gjendet në vijat e para të frontit në rajonin e përgjegjësisë të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, si në Ratishë të Epërme (tash Qëndresë) e në Dashinoc, në Pozhar e Lumbardh, në Rrezar (ish-Irzniq), Kodrali etj.
Luani plagoset sërish në epopenë e luftës në Pozhar, më 28 mars 1999, kur ranë heroikisht dëshmorët Elez Gecaj e Maxhun Berisha, por luftën nuk e ndali. Ai do të përjetojë edhe marshin dhjetëditor për transferimin e luftëtarëve të plagosur deri në Kaliçan të Burimit, por asnjëherë nuk diti ç’është lodhja a demoralizimi. Gjithnjë i buzëqeshur, me shkathtësi e guxim të pashoq, me moral të pathyeshëm luftarak, siç ishin luftëtarët e përgatitur nga komandanti Shkëlzen Haradinaj, Luani si luftëtar i dalluar dhe epror i Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, brigadë kjo që asnjëherë nuk e njohu humbjen, kudo triumfoi me pushkë e këngë.
Më 16 prill 1999, në betejën për mbrojtjen e popullatës civile, e zhvilluar në afërsi në malet mes Zhebelit e Maznikut, pas rënies së bashkëluftëtarit Hasim Halilaj, Luani do të jetë përkrah komandantit Shkëlzen Haradinaj e Fatmir Nimanajt në flakën më të madhe të luftës. Pas luftimeve disaorëshe, Shkëlzeni e Fatmiri, bien dëshmorë duke i mbrojtur e shpëtuar nga masakra e gjakatarëve serbë popullatën e strehuar në grykat e maleve të Maznikut, e sidomos në Grykën e Duboçakës. Në këtë përballje Luan Nimanaj sërish merr plagë të rënda.
Në rrethana tepër të vështira lufte, në rrethi të hekurt atë e nisin për ta dërguar në Shqipëri. Gjatë gjithë rrugës, nëpër shi e erë të fortë, Luani asnjëherë nuk rënkoi nga plagët e rënda, por në gojë mbante emrat e Shkëlzenit e të Fatmirit… Nuk mund të jetonte pa ta. Kësaj radhe mbase nuk kishte dëshirë t’i mundte plagët si herëve të tjera. Jo, kësaj radhe nuk donte të ndahej nga më të dashurit e tij. Të nesërmen, më 17 prill, në Bjeshkë të Strellcit, te Tëbanat e Gllogjanit, pushoi së rrahuri zemra e këtij trimi 20-vjeçar.
Grupi i luftëtarëve të ngarkuar për dërgimin e Luanit në Shqipëri, tani nuk kishte arsye të vazhdonte rrugën më tutje. Pasi e varrosi Luanin te Tëbanat, me zemër të thyer kthehet prapa për t’iu bashkuar bashkëluftëtarëve. Mirëpo gjatë rrugës grupi i luftëtarëve ndeshet me forcat serbe. Dhe prej atij momenti për njërin prej luftëtarëve të këtij grupi, Asllan Dinajn nga Skivjani, luftëtar i Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, nuk dihet asgjë.
Pas çlirimit të vendit, më 24 gusht 1999, Luani u kthye nga bjeshka bashkë me bashkëluftëtarët e rënë në fronte të ndryshme të luftës, në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Gllogjan, për t’u shndërruar në roje të truallit përgjithnjë, ku varret e djalërisë trime kosovare u përjetësuan me kurora lavdie.
Sot Kosova mëmë, me dhembje e krenari e ruan gjithmonë të gjallë kujtimin për bijtë e saj. E në mesin e tyre edhe të Luanit, i cili në themelet e Kosovës së lirë e të pavarur me dëshirën më të madhe e vuri gjakun dhe jetën në lule të rinisë.
Luan Nimanaj nuk ishte i martuar. Pas vetes ka lënë të atin Islamin, nënën Safeten, motrën Albinën, vëllezërit Albanin dhe Luanin e ri, i lindur pas luftës, i cili trashëgon emrin e të vëllait dëshmor.
Familja Nimanaj është nderuar me mirënjohje të shumta për djalin e rënë dëshmor, si nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit, Brigada 131 “Jusuf Gërvalla”, komuna e Deçanit, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së etj. Heroizmi i dëshmorit Luan Nimanaj dhe i dëshmorëve të tjerë të familjes Nimanaj, është përjetësuar edhe në një dokumentar për dëshmorët Nimanaj të Gllogjanit.
Dëshmori Luan Nimanaj, së bashku me bashkëluftëtarët dëshmorë Shkëlzen Haradinaj, Fatmir Nimanaj, Hasim Halilaj e Agim Selmanaj, janë përjetësuar në një përmendore të përbashkët, afër vendit të rënies në Malet e Maznikut. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Në familjen Muzaqi, në Vushtrri, më 13 nëntor të vitit 1978 u lind, Arsim Muzaqi. …