Shefi i grupit parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar vazhdimin e bllokadës institucionale në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se deputetëve po u pamundësohet ushtrimi i mandatit të fituar në zgjedhje. Në një deklaratë për media, Tahiri tha se mandati i deputetit buron drejtpërdrejt nga vullneti i qytetarëve dhe se asnjë deputet apo subjekt politik nuk mund ta pengojë ushtrimin e tij. “Mandati i deputetit buron nga populli dhe askush nuk guxon të na e marrë. 120 deputetëve nuk po u lejohet ushtrimi i mandatit të fituar në zgjedhje”, deklaroi Tahiri. Ai theksoi se të gjithë deputetët kanë të drejta të barabarta në ushtrimin e mandatit dhe se një deputet nuk mund t’ia mohojë këtë të drejtë një tjetri. “Deputeti është i barabartë me deputetin tjetër, nuk mund t’ia marrë mandatin”, tha ai. Sipas Tahirit, pamundësimi i ushtrimit të mandatit përbën shkelje të parimeve themelore demokratike dhe të të drejtave të njeriut. “Kjo është shkelje e të drejtës themelore në demokraci dhe shkelje e të drejtave të njeriut”, u shpreh ai.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
