leoni

Bilall Sherifi: Gjykata Kushtetuese, ngritja dhe rënia e Isa Mustafës

Rrallë herë ndodhë që në një hark kohor prej vetëm 5 vitesh të nxirren 3 aktgjykime nga Gjykata Kushtetuese dhe të tria në forma të ndryshme të përcaktojnë fatin e një njeriu.

Aktgjykimi i parë i Gjykatës Kushtetueses, edhe pse lidhej drejtpërsëdrejti me rastin e Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiun, shkelja e Kushtetutës së Kosovës për shkak se kishte pezulluar ushtrimin e funksionit të Kryetarit të LDK-së por nuk e kishte braktisur këtë funksion, bënë që Fatmir Sejdiu të largohet nga institucioni i presidentit dhe si pasojë e kësaj të humbë edhe garën për kryetar të LDK-së. Shkelja e Kushtetutës nga ana e Fatmir Sejdiut ishte argumenti që i hapi rrugë Isa Mustafës të ngjitet në krye të LDK-së.

 

Sapo u ngjit në funksionin e kryetarit të partisë ai aplikoi metodat e moçme të eliminimit dhe diferencimit të njerëzve që mendojnë ndryshe nga ai dhe u kujdes që të ndërtojë gardën e tij “pretoriane” të cilët do t’ia siguronin qëndrimin në funksionin e kryetarit edhe në rast se i humbiste zgjedhjet.

Aktgjykimi i dytë i Gjykatës Kushtetuese kishte të bënte me përcaktimin e “grupit më të madh parlamentar”. Përmes këtij aktgjykimi Gjykata Kushtetuese përcaktonte PDK-në si grup më të madh parlamentar për shkak të koalicionit parazgjedhor dhe asaj i jepte të drejtë që të propozonte personin në funksionin e Kryetarit të Kuvendit. Ky vendim zhvlerësoi pjesën e Marrëveshjes ndërpartiake VLAN që lidhej me postin e Kryetarit të Kuvendit që duhej t’i takonte Isa Mustafës nëse VLAN-i shpallej grup më i madh parlamentar.

Ky vendim, në shikim të parë negativ për Isa Mustafën, u shfrytëzua nga ai që të luajë një lojë të dyfishtë: në kuadër të VLAN-it dhe në raport me PDK-në. Loja e dyfishtë ia përforcoi Isa Mustafës pozitën në bisedimet që zhvillonte edhe në VLAN-in edhe me Hashim Thaçin. Ende pa përfunduar bisedimet në kuadër të koalicionit pas zgjedhor, kërkesën që bënte në kuadër të VLAN-it për postin e kryeministrit e fitoi nga Hashim Thaçi. Dhe, nga vendimi i dytë i Gjykatës Kushtetuese ai doli sërish fitimtarë: u ngjit në postin e kryeministrit.

Në funksionin e Kryeministrit Isa Mustafa nënshkroi Marrëveshjen për krijimin e “Zajednicës”. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje që godiste rëndë sovranitetin e Kosovës i dha zjarr skenës politike në vend. Jeta institucionale u bllokua domosdoshmërisht për të penguar jetësimin e kësaj marrëveshje. Nuk do të flas për dhunën e shkaktuar si pasojë e kësaj marrëveshje dhe asaj të përcaktimit të kufirit me Malin e Zi, përmes të cilës humben mbi 8000 hektarë të territorit të Kosovës. Lexuesit e këtij shkrimi e dinë fare mirë se çka ndodhi.

Kjo situatë solli deri te aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me Marrëveshjen e 25 gushtit 2015.

Gjykata Kushtetuese analizoi marrëveshjen e lartpërmendur dhe solli konkluzione lidhur me vlerësimin e përputhshmërisë së parimeve që përmban dokumenti i titulluar “Asociacioni/Bashkësia i komunave me shumicë serbe në Kosovë”.

Konkluzionet e Gjykatës Kushtetuese janë të qarta:

Marrëveshja për “Zajednicën” ” nuk është në përputhje me standardet kushtetuese të parapara në Kornizën ligjore ;

Marrëveshja për “Zajednicën” nuk është në përputhje parimet për vetëqeverisjen lokale në Republikën e Kosovës;

Marrëveshja për “Zajednicën” ” nuk është në përputhje me parimet e kushtetutës që përcaktojnë Organizimin dhe Funksionimin e vetëqeverisjes Lokale ;

Strukturat organizative të “Zajednicës” janë shqetësuese për respektimin e diversitetit të komuniteteve tjera në komunat pjesëmarrëse dhe si të tilla nuk janë në përputhje me parimet kushtetuese;

Parimet e përcaktuara për strukturën organizative të “Zajednicës” nuk plotësojnë standardet kushtetuese;

Gjykata konsideron se Parimet e përcaktuara ne kapitullin për Marrëdhëniet e “Zajednicës” me autoritetet qendrore nuk plotësojnë standardet kushtetuese;

Parimet për kapacitetin ligjor, buxhetin dhe përkrahjen, dhe dispozitat e përgjithshme dhe përfundimtare nuk plotësojnë standardet kushtetuese

Dhe në fund Gjykata Kushtetuese sjell vendimin se parimet mbi të cilën është elaboruar krijimi i “Zajednicës” nuk janë në përputhje me frymën e Kushtetutës dhe sidomos me nenin që përcakton Barazinë para Ligjit, me kapitullin për Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre dhe me kapitullin për të Drejtat dhe liritë THEMELORE.

Me një fjalë, përmes Marrëveshjes që nënshkroi Isa Mustafa Me Aleksandër Vuçiçin, cënoi THEMELET e Kushtetutës së Kosovës.

Për të gjitha këto shkelje të rënda kushtetuese që bëri, për Isa Mustafën, “Karriges së Kryeministrit” i është shkatërruar THEMELI i legjitimitetit kushtetues.

Nëse dy vendimet e para të Gjykatës Kushtetuese e ngritën atë në funksione të larta, vendimi i fundit i dha fund funksionit të tij si Kryeministër Legjitim i Numrave në Parlament.

Kontrolloni gjithashtu

BDI: Për fituesin vendosin qytetarët dhe jo VMRO

Bujar Osmani ka siguruar epërsi të lartë nga votimi i Mërgatës, në zgjedhjet presidenciale që po mbahen në Maqedoni

Sipas mediave në Maqedoninë e Veriut, raportohet se janë publikuar rezultatet paraprake nga votimi i …