Bilall Sherifi: Të vërtetat gjysmake të Vjosa Osmanit

Në pjesën e parë të emisionin Interaktiv të KTV-së të datës  9 korrik 2015 deputetja e LDK-së Vjosa Osmani shpalosi qëndrimet e veta për zhvillimet në LDK. Sa i përket pjesës që ka të bëjë me problemet e brendshme të një partie politike nuk do të ndalem fare. Ajo për të cilën dëshiroj të flas përmes këtij shkrimi ka të bëjë me qëndrimet  për Gjykatën Speciale, të ekspozuara në pjesën e dytë të intervistës së saj.

 

Për të tërhequr vëmendjen e teleshikuesve të këtij emisioni Vjosa Osmani thekson, me bindje të fortë, se “nëse nuk e themelojmë ne gjykatën atëherë do ta themelojë Këshilli i Sigurimit i OKB-së.” Bindja e saj për rrezikun që na kanoset nga OKB-ja është edhe argumenti i vetëm pse u dashka të votohen ndryshimet kushtetuese për t’i hapur rrugë krijimit të Gjykatës Speciale. Ajo e thotë në mënyrë të qartë se ” Unë personalisht nuk do ta votoja sikur ta dija se kjo gjykatë nuk do të themelohej nga OKB-ja”.

 

Vazhdimisht kam pasur mendimin tim rreth kompetencave të OKB-së dhe mundësive për ta themeluar Gjykatën Speciale. Mendimet e mia lidhur me këtë çështje nuk i kam shprehur asnjëherë publikisht sepse arsyet e mia pse e kundërshtoj themelimin e një gjykate të tillë selektive dhe suprimimin e sovranitetit të Kosovës mbi sistemin e saj të drejtësisë nuk kanë të bëjnë aspak me “argumentin” e “rrezikut që një gjë të tillë ta bëjë Këshilli i Sigurimit i OKB-së”.

 

“Argumenti” për “rrezikun që gjykata të themelohet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së” nuk është argument i qëndrueshëm. Për më tepër, është një argument që do t’u jepej armiqve të Kosovës sikur dikush dëshiron t’i ik ballafaqimit me drejtësinë.Pra, po e ritheksoj se kundërshtimet e mia për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës në fushën e drejtësisë nuk kanë të bëjnë me ikjen nga ballafaqimi me drejtësinë.Përkundrazi, gjithmonë kam këmbëngulur në domosdoshmërinë e ndërtimit të një shteti të së drejtës ku secili shkelës i ligjit do të jepte llogari.

 

Krahas pikëpamjes që askush të mos del mbi ligjin dhe secili të përgjigjet për të bëmat e veta mendoj se debati lidhur me atë nëse mundet apo nuk mundet të krijohet një gjykatë e tillë nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së është një debat i pavlerë. Fundi i fundit nuk është punë e deputetëve të Kuvendit të Kosovës e as i politikanëve partiak që të tregojnë se çka mundet dhe çka nuk mundet të bëjë Këshilli i Sigurimit  i OKB-së.

 

Detyra jonë është të tregojmë se çka mundemi dhe çka nuk mundemi të bëjmë, të tregojmë se çka kemi të drejtë dhe çka nuk kemi të drejtë të bëjmë. Pa e zgjatur më shumë me detaje të kësaj natyre mund të them se nga kompetencat tona del qartë se ne nuk kemi të drejtë të suprimojmë sovranitetin e Kosovës mbi sistemin e vet dhe as t’i ik ballafaqimit me drejtësinë. Nëse dikush bën përpjekje të suprimojë sovranitetin e Kosovës mbi sistemin e vet të drejtësisë, pa marrë parasysh me cilat argumente arsyetohet një  gjë e tillë, është shkelja më e rënde ligjore dhe duhet të ballafaqohet me drejtësinë.

 

Vetëm duke ruajtur sovranitetin e Kosovës mbi sistemin e vet dhe krijimin e domosdoshmërisë së ballafaqimit me drejtësinë për të gjithë shkelësit e ligjit (pa seleksionim) ne mund të arrijmë të ndriçojmë të gjitha krimet që janë kryer në Kosovë. Vetëm në këtë mënyrë drejtësia mund të vihet në vend. Mbi 13 mijë të vrarë, mbi 20 mijë gra të dhunuara dhe rreth 1 milion të dëbuar gjatë politikës së spastrimit etnik të Kosovës presin drejtësi. Udhëheqësit dhe përfaqësuesit në institucionet shtetërore të Kosovës e kanë për obligim që të mobilizojnë tërë potencialin akademik që të përgatitet dosja e gjenocidit që shteti i Serbisë ka kryer në Kosovë. Kjo çështje është në kompetencat tona dhe ne duhet t’i kryejmë ato gjëra që na takojnë neve e të mos e zhvendosim vëmendjen në kompetencat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

 

Zhvendosja e vëmendjes në “kompetencat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së” është e qëllimshme për të manipuluar me opinionin publik të Kosovës. Shembujt që sillen për të argumentuar  “rrezikun që gjykata të themelohet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së” dëshmojnë për qëllimin e vërtetë të kësaj fushate histerike kundër votës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës që hodhën poshtë projektligjin për ndryshimet kushtetuese.

 

Po i shqyrtoj rastet që Vjosa Osmani i përdor si “argumente” për të përforcuar thënjen e vet se “nëse gjykatën nuk e themelojmë vet atëherë atë gjithsesi do ta bëjë Këshilli i Sigurimit të OKB-së”.

 

Në intervistën e lartpërmendur Vjosa Osmani deklaron se Këshilli i Sigurimit i OKB-së, duke u mbështetur në kapitullin e VII të Kartës së OKB-së “themeloi tribunale speciale, gjykata speciale apo tribunale për krime lufte, duke filluar nga Tribunali për ish-Jugosllavinë, Tribunali për Ruandën, Dhomat e specializuara për Kamboxhën, Gjykata Speciale për Sierra Leone, Tribunali special për Libanin etj”.

 

Sikur deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, të shprehte mendimin e vet subjektiv lidhur me mundësinë që gjykata speciale për Kosovën të formohej nga Këshilli i Sigurimit secili do ta respektonte në këtë të drejtë. Por, meqenëse ajo përpiqet të bind të tjerët dhe pretendon se ka të “vërtetën absolute” për këtë çështje unë vendosa të sjell për lexuesin atë pjesë të realitetit që nuk u tha në këtë intervistë e që e bën të “vërtetën” e Vjosa Osmanit të “vërtetë gjysmake”.

 

Për të qenë bindëse se puna e krijimit të një gjykate speciale është punë shumë e lehtë për OKB-në, Vjosa Osmani përmend se nga ky institucion ndërkombëtar u krijuan Tribunali Penal Ndërkombëtarë për Ish-Jugosllavinë, Tribunali Penal Ndërkombëtare për Ruandën, Tribunali për Sierra Leonen, Tribunali për Libanin dhe Tribunali për Kamboxhën..

 

Por, dëshira për të përmendur sa më shumë  gjykata të krijuara nga OKB-ja, që numri të bind teleshikuesit se një gjykatë speciale shtesë për Kosovën është fare e lehtë, Vjosa Osmani fut në një thes institucione që ndryshojnë rrënjësisht si për nga forma ashtu edhe për nga përmbajtja.

 

Çdo analizë e mirëfilltë e këtyre gjykatave imponon kategorizimin e tyre në gjykataqë janë krijuar pa marrëveshje me shtetet për të cilat janë themeluar dhe në gjykata të cilat janë krijuar me kërkesën dhe në marrëveshje me vendet përkatëse.

 

Gjykatat Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe për Ruandën janë themeluar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, pa marrëveshje me ish-Federatën e Jugosllavisë dhe Ruandën. Këto gjykata kishin mandat të hetojnë dhe të gjykojnë të gjitha krimet që janë kryer në periudha të caktuara në territoret e këtyre dy vendeve.

 

Dihet se edhe Kosova përmes dy rasteve Fatmir Limajt dhe Ramush Haradinajt ka qenë pjesë e hetimeve dhe gjykimeve në GjykatënPenale Ndërkombëtarepër ish-Jugosllavinë.

 

Duke pasur parasysh këtë fakt është shumë e qartë se OKB përmes gjykatës për ish-Jugosllavinë ka përfunduar me hetimin dhe gjykimin e krimeve të kryera në territorin e ish- Jugosllavisë, për krimet që kjo gjykatë ka konsideruar si të domosdoshme të trajtohen nga ajo. Rastet tjera të “krimeve më të lehta” u janë bartur në kompetencë të Gjykatave për Krime Lufte që u krijuan në shtetet e pavarura që lindën pas shpërbërjes së Jugosllavisë.

 

Askush nuk mund ta përjashtojë hipotezën se OKB-ja mund të krijojë një gjykatë vetëm për “krimet e supozuara të UCK-së” të cilat i ka ngritur në raportin e tij  Dik Marty. Por, në këtë rast do të krijohej një precedentku OKB-ja do të themelonte dy gjykata për të njëjtin territor dhe për të njëjtën luftë. Edhe më keq se kaq. Do të krijonte precedent ku gjykata do të hetonte dhe gjykonte vetëm njërën palë ndërluftuese. Precedenti i tillë do të hapte një kapitull të ri në të drejtën ndërkombëtare ku secila palë e pakënaqur me hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës do të kërkonin që për palën tjetër të themelohet edhe një gjykatë speciale. Mbetet të shihet se a do të krijohet një precedent i tillë.

 

Dallimet thelbësore të Tribunaleve të krijuara nga OKB-ja

 

Tani po ndalem në dallimet përmbajtjesore të gjykatave të krijuara nga OKB-ja e që Vjosa Osmani i futë në një thes. Është me rëndësi të shihet pse gjykatat për Ruandën dhe për ish-Jugosllavinë dhe gjykatat për Sierra Leonen, Libanin dhe Dhomat e Specializuara për Kamboxhën dallojnë njëra prej tjetrës.

 

E shoh të domosdoshme të tërheq vëmendjen e lexuesit se në këtë shkrim do të ndalem vetëm në ato elemente që më duken të rëndësishme për temën tonë ndërsa të gjithë atyre që u intereson më shumë mund t’i kërkojnë të dhënat në faqen zyrtare të OKB-së dhe të gjykatave për të cilat bëhet fjalë.

 

Po filloj me Gjykatën për Sierra Leonenpër të vetmen arsye që të ndjek një kronologji të periudhës kur janë krijuar këto institucione.

 

Për të mos u zgjatur shumë do të vë në pah vetëm momentet më të rëndësishme se si erdhi deri te themelimi i kësaj gjykate.

 

Më 12 qershor të vitit 2000, presidenti i Sierra Leones, Ahmad Tejan Kabbah, përmes një letër drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annanit, kërkoi që bashkësia ndërkombëtare të gjykoj krimet që janë kryer gjatë luftës civile pas 30 qershorit të vitit 1996.

 

Në përputhje me këtë kërkesë, më 10 gusht të vitit 2000 Këshilli i Sigurimit miratoi rezolutën 1315 përmes së cilës autorizoi sekretarin e përgjithshëm të OKB-së të fillojë negociatat me qeverinë e Sierra Leones për të themeluar gjykatën që do të hetonte dhe gjykonte krimet e kryera.

 

Si rezultat i negociatave të vazhdueshme më 16 janar 2002 OKB-ja dhe Sierra Leone nënshkruan marrëveshjen për themelimin e gjykatës.

 

Mjafton të lexohet statuti i Gjykatës Speciale për Sierra Leonen sepse prej tij del qartë forma dhe mënyra e organizimit të kësaj gjykate. Nuk ka asnjë instancë e kësaj gjykate ku nuk janë të pranishëm gjyqtarët e Sierra Leones. Emërimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve që bën Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së i bën pas konsultimeve me Qeverinë e Sierra Leones.

 

Ndërsa, sa i përket gjykatës së Libanit po sjell shkurtimisht disa të dhëna.

 

Më 13 dhjetor të vitit 2005 qeveria e Libanit kërkoi nga OKB-ja themelimin e një gjykate e cila do të hetonte dhe gjykonte vrasjen e kryeministrit të Libanit, Rafik al-Hariri. Kryeministri libanez u vra në atentatin që u krye në Bejrut, më 14 shkurt 2005,. Përveç kryeministrit në këtë atentat humbën jetën edhe mbi 20 persona tjerë.

 

Pas marrëveshjes së arritur mes Kombeve të  Bashkuara dhe Republikës së Libanit, Këshilli i Sigurimit të  OKB-së përmes rezolutës 1757 të datës 30 maj 2007 themeloi Gjykatën Speciale për Libanin. Rezoluta hyri në fuqi më 10 qershor 2007.

 

Në këtë kontekst ndërkombëtar organizata Human Rights Watch kërkoi që gjykata të ketë kompetencë të hetojë edhe 14 atentatet tjera që kishin ndodhur në Liban nga 1 tetori i vitit 2004.

 

Marrëveshja mes OKB dhe Libanit parashihte që kompetenca e gjykatës mund  të shtrihet përtej atentatit ndaj kryeminstrit të Libanit vetëm në rast se Gjykata do të vlerësonte se atentatet e kryera mes 1 tetorit 2004 kanë lidhje qoftë përmes motivit, kryesit të atentatit apo përmes modus operandi me atentatin e kryer ndaj kryeministrit të Libanit Rafiq al-Hariri.

 

Pos tjerash në Statutin kësaj gjykate përcaktohet qartë se nuk do të përdoret e drejta ndërkombëtare por ajo e Libanit, duke përjashtuar dënimin me vdekje dhe me punë të detyrueshme.

 

Edhe në rastin e kësaj gjykate speciale në të gjitha instancat e procesit (hetuesia, prokuroria, gjyqësia e shkallës së parë dhe asaj të Apelit) janë të pranishëm gjykatës hetues, gjykatës, prokurorë libanez. Po përmend vetëm strukturën e gjykatësve. Në shkallën e parë të Gjykatës Speciale Libaneze trupi gjykues përbëhet nga 3 gjykatës(një libanez dhe 2 ndërkombëtarë) ndërsa në Gjykatën e Apelit trupi gjykues përbëhet nga 5 gjykatës(2 libanezë dhe 3 ndërkombëtarë).

 

Edhe për Gjykatën e Kamboxhës, që përmend Vjosa Osmani, kemi të njëjtin proces. Në qershor të vitit 1997 Qeveria e Kamboxhës kërkoi ndihmën e OKB-së për t’i ndjekur ish-udhëheqësit e Kmerëve të Kuq për krimet që kishin kryer gjatë periudhës 1975-1979. Për këtë kërkesë të autoriteteve kamboxhiane OKB-ja propozoi krijimin e një gjykate të ngjashme si ajo për ish-Jugosllavinë dhe për Ruandën. Qeveria e Kamboxhës e hodhi poshtë idenë e një mekanizmi të tillë dhe pas negociatave të shumta dhe divergjencave të mëdha arritën deri te rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme e OKB-së (A/RES/57/228 B) e 13 maj 2003 cila i hapi rrugë në marrëveshje bilaterale të nënshkruar më 6 qershor 2003. Megjithë nënshkrimin e marrëveshjes u dash ende kohë që të përfundojnë të gjitha ndryshimet e nevojshme për ta përshtatë ligjin e Kamboxhës me këtë marrëveshje ndërkombëtare. Ndryshimet e plota të legjislaturës u kryen më 27 tetor 2004.

 

Në fund, si rezultat i këtij procesi disavjeçarë u krijuan Dhomat e Veçanta të Gjykatave të Kamboxhës, të strukturuara në tri nivele: Procedura paraprake, Shkalla e parë dhe Shkalla e Apelit.

 

Pos këtyre niveleve, në kuadër të Dhomave të Veçanta janë dy organe hetuese, prokurori dhe gjykatësi hetues si dhe administrata shoqëruese.

 

Për zhvillimin e hetimeve për cilindo rast kompetent janë një gjykatës hetues i Kamboxhës dhe një gjykatës hetues ndërkombëtar.

 

Dhoma e procedurës paraprake, e cila përbëhet nga 5 gjykatës (3 kamboxhian dhe 2 ndërkombëtar) vendos në rastet kur ka mospajtim mes prokurorit dhe gjykatësit hetues.

 

Trupi gjykues i shkallës së parë gjithashtu përbëhet nga 3 gjykatës kamboxhian dhe 2 ndërkombëtar, ndërsa Gjykata supreme si instancë e fundit përbëhet nga 7 gjykatës prej të cilëve 4 janë kamboxhian dhe 3 ndërkombëtarë.

 

Edhe administrata e gjykatës, me qendër në Phnom Penh të Kamboxhës, përbëhet nga një drejtues kamboxhian dhe një ndërkombëtar.

 

Kjo është e vërteta për këto tri gjykatat të krijuara nga OKB-ja të cilat publikut dhe deputetëve të Kosovës po u paraqiten si një e keqe shumë më e madhe që do t’i ndodhte vendit në rast se nuk do ta themelonte vet Gjykatën Speciale. Kushdo qoftë që dëshiron të krahasojë statutet e këtyre tri gjykatave speciale të themeluara me ndihmën e OKB-së do të bindet se projektligji i propozuar për ndryshimet kushtetuese për t’i hapur rrugë krijimit të Gjykatës Speciale për Kosovën është e keqja më e madhe që mund t’i vinte popullit të Kosovës. Prandaj, një mirënjohje e veçantë u shkon të gjithë përfaqësuesve që votuan kundër.

 

Pra, kur Vjosa Osmani përmend këto gjykata ajo përmend vetëm gjysmën e së vërtetës: krijimin e këtyre gjykatave nga OKB-ja. Ajo nuk e tha të vërtetën e plotë se këto gjykata u themelua pasi u kërkua nga qeveritë e shteteve përkatëse ndihmë për themelimin e tyre. Ajo nuk e tha të vërtetën e plotë se në këto gjykata, në të gjitha nivelet e procesit (nga hetuesia e deri te gjykata e Apelit) vendorët janë prezent dhe me kompetenca relevante. Me të vërteta gjysmake Vjosa Osmani përpiqet të manipulojë me opinionin publik me qëllim që të krijohen parakushtet e rikthimit eventual të gjykatës speciale në Kuvendin e Kosovës. Kësaj i thonë luftë speciale por mbes me bindje se demokracia do të ngadhënjejë mbi diktatin!

 

Intervista e Vjosa Osmanit mban edhe elemente tjera të paqëndrueshme por nuk do të zgjatem më shumë. Nëse më vjen rasti do t’i trajtoj edhe të vërtetat tjera gjysmake të Vjosa Osmanit për të nxjerrë në shesh të vërtetën e plotë të kësaj lufte speciale. 

Kontrolloni gjithashtu

Tri vjet me arrogancë, mujshari politike, keqqeverisje, korrupsion, shpërfillje e aleatëve, thellim të ndasive e përçarjeve…

Kanë kaluar tashmë tri vjet të qeverisjes së Kosovës nga koalicioni: Vetëvendosje ne krye me …