F.Ramosaj: Themelimi i gjykatës që i paragjykon krimet në baza etnike është i paprecedent

Në seancën e 26 qershorit, Kuvendi i Kosovës nuk i miratoi ndryshimet kushtetuese që do ta mundësonin themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, e cila parashihej t’i gjykojë në mënyrë selektive vetëm ish-pjesëtarët e UÇK-së. Themelimi i një gjykate të tillë që i paragjykon krimet në baza etnike, madje jo vetëm në baza etnike, por bën edhe selektime brenda llojit, do të ishte i paprecedent, i padrejtë, i njëanshëm, racist, e mbi të gjitha një veprim jo juridik, por skajshmërisht politik dhe si i tillë do të përbënte shkelje të rëndë të lirive dhe të drejtave të njeriut, njëkohësisht do të cenonte rëndë sovranitetin e shtetit të Kosovës.


 


Debatet e gjata që e përcollën këtë çështje para se të vihej në rend dite në Kuvendin e Kosovës, gjatë seancës, por edhe më shumë pas moskalimit të saj, vunë në pah qëndrimet për dhe kundër të palëve. Partitë e opozitës AAK, NISMA e Vetëvendosje! (ndonëse kjo e fundit kur ishte publikuar raporti skandaloz i Dick Martyt, në dhjetorin e vitit 2010, kishte dalë në mbështetje të tij), në rastin e fundit u pozicionuan me kohë kundër votimit për themelimin e kësaj gjykate, ndërkaq vendimtare ishin votat e deputetëve të partisë së pozitës – PDK-së, të cilët votuan kundër apo abstenuan. Natyrisht, po të vepronin ndryshe, përkundër rrethanave me të cilat mund të jenë përballur, do të shkelnin rëndë besimin e dhënë nga elektorati i rajoneve që i përfaqësojnë, që kanë pësuar aq shumë nga lufta e nuk kanë marrë drejtësi. Për këtë mund të bindet gjithsecili që vendosë të ndajë vetëm ndonjë orë nga koha e çmuar e tij, për të takuar  njerëzit e prekur nga lufta.


 


Kishte dhe ka zëra nga ata që me opinionet e tyre u vunë në shërbim të themelimit të sa më të shpejtë të një gjykate të tillë, se kjo gjykatë po na vije peshqesh pasi që Kosova s’e paska dënuar asnjë “kriminel lufte”! Po t’i dëgjojë apo t’i lexojë dikush që nuk ka njohuri për periudhën e pasluftës në Kosovë mund edhe të bindet në deklarimet e tilla, aq më tepër kur kjo klasë abuzon edhe me emrat e miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës sa herë që dëshiron ta bindë dikë për deklarimet e veta! Por, po t’u referohemi fakteve, realiteti është ndryshe! Pothuajse të vetmit që janë arrestuar, gjykuar e dënuar, por edhe mbajtur në burgje me vite të tëra pa aktgjykime të plotfuqishme janë ishte pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Janë të paktën shtatë mijë ish-pjesëtarë të UÇK-së nga e gjithë Kosova, që kanë kaluar nëpër organet e hetuesisë e të gjyqësisë së UNMIK-ut e të EULEX-it, të paraburgosur, të akuzuar, të gjykuar, por edhe të dënuar për krime lufte, megjithëse në shumicën dërmuese të rasteve drejtësia nuk ka mundur t’i materializojë akuzat e ngritura kundër tyre. Natyrisht të gjitha këto akuza janë hartuar e përpunuar në Beograd, por nuk përjashtohet as implikimi edhe i segmenteve të caktuara vendore. Pothuajse të gjitha deklaratat paraprake “të dëshmitarëve” të përdorur në gjykata kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së janë dhënë në Serbi, madje nga disa herë. Për shembull, të të akuzojnë se ke vrarë dikë, që nuk i dihet emri as mbiemri, pra që nuk ka identitet, që nuk ka varr, që gjyqi nuk ka mundur ta vërtetojë fare ekzistencën e viktimës, vetëm në bazë të një dëshmie të një dëshmitari, siç ndodhi ditë më parë në procesin gjyqësor në rastin Drenica, nuk ndodh as në vendet më të prapambetura të botës, por lejohet dhe tolerohet të ndodhë në Kosovë dhe atë vetëm kundër ish-UÇK-së! Prandaj, dorën në zemër, meritat për suksese apo përgjegjësitë për dështimet e deritanishme në gjykimin e krimeve të luftës u takojnë mekanizmave ndërkombëtarë të drejtësisë (UNMIK-ut e EULEX-it) që kanë vepruar në Kosovë.


 


Një gjykatë e tillë speciale ndërkombëtare, në formatin në të cilin po i imponohet Republikës së Kosovës nga bashkësia ndërkombëtare, natyrisht pas presioneve disavjeçare të Serbisë agresore e të Rusisë, është e paarsyeshme dhe e papranueshme. Se Europa është e interesuar për zgjidhje të lehta dhe të shpejta, edhe pse tepër të padrejta në raport me shqiptarët, kjo nuk është hera e parë për ne që e provojmë në kurriz, por duhet pranuar edhe përgjegjësitë për mospunën tonë institucionale për argumentimin real të krimeve të luftës dhe akteve të gjenocidit gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), madje jo vetëm gjatë kësaj periudhe.


 


E kam thënë edhe herë të tjera se vëllezërve shqiptaro-amerikanë Yll, Agron e Mehmet Bytyçi, luftëtarë të Batalionit “Atlantiku” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qoftë edhe për së vdekuri është për t’ua pasur lakmi. Po, lakmi për interesimin dhe këmbënguljen që e bëjnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve të vet! Mbase po të mos ishte ky rast, vështirë se do të zbuloheshin varrezat masive me trupa të shqiptarëve në Serbi, përkatësisht në afërsi të Beogradit (Zemun-Batajnicë e Petrovo Sello), aq mirë të maskuara nën asfaltin e vendqëndrimeve të njësiteve elite të policisë e të ushtrisë së Serbisë, që siç u shpreh një vit më parë kryeministri serb, vozhdi çetnik Aleksandar Vuçiq, i kishin “paluar si sardele”!


 


Vetëm për rastin e vëllezërve Bytyçi janë më shumë se 40 veta, që do të duhej të përgjigjeshin para drejtësisë. Këto dëshmi nuk janë të sotme, pasi që dosja e vrasjes së vëllezërve Bytyçi që nga viti 2001, është në duart e drejtësisë serbe, por askush nuk është dënuar për vrasjen e tyre. Ndonëse në vrasjen e vëllezërve Bytyçi, e më pas në fshehjen e kufomave të tyre, sikurse edhe në rastet e mijëra shqiptarëve të tjerë, faktet e pakontestueshme dëshmojnë se janë të implikuara instancat më të larta të shtetit serb, i gjithë zinxhiri komandues i policisë dhe i ushtrisë serbe, ka më shumë se një dekadë që as ky rast nuk ka marrë drejtësi, sepse Serbia vazhdon t’i mbrojë me fanatizëm kriminelët e luftës. Tek e fundit ata kanë vepruar nën platformën serbomadhe, e përgatitur, e elaboruar, e përpunuar dhe e zbatuar gjatë më shumë se 150 vjetëve nga strukturat më të larta kishtare, akademike e politike serbe, që kanë pushtet absolut edhe sot e kësaj dite në Serbi, të përforcuar edhe më shumë me fitoren e vozhdëve çetnikë në zgjedhjet e fundit në Serbi.


 


Kur jemi këtu, nuk duhet lënë pa përmendur se që nga plan-programi serbomadh “Naçertanije” i Garashaninit (1844) e deri në ditët tona janë të njohura 24 programe serbomëdha, të cilat e parashohin në detaje shfarosjen e shqiptarëve. Po ndalemi kësaj radhe vetëm tek njëri prej këtyre programeve, bashkëhartues të të cilit janë edhe drejtuesit e sotëm të Serbisë, përkatësisht presidenti dhe kryeministri.


 


Në vitin 1995, kryeministri i tashëm serb, Aleksandar Vuçiq, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Radikale të Serbisë (SRS), së bashku me kryetarin e Partisë Radikale të Serbisë, Vojisllav Sheshel, nënkryetarin Tomisllav Nikoliq, dr. Nikolla Poplashen, Maja Gojkoviq, Ranko Dujiq e Aqim Vishnjiq, e hartuan dhe e nënshkruan platformën antishqiptare – programin e “Drejtoratit Qendror Atdhetar të Partisë Radikale Serbe” (SRS), me titull “Si do ta zgjidhin serbët problemin e Kosovës”, i cili në detaje parashihte se si duhet të bëhet spastrimi etnik i Kosovës nga popullsia shqiptare dhe kolonizimin me gjysmë milioni serbë; parashihte që Prishtina të ishte kryeqyteti i Serbisë; që këtu të vendoseshin qendrat e forcave ushtarake e policore të Serbisë; që përqindja etnike e popullsisë me të gjitha mjetet të ndryshohej dhe të sillej në shkallën 50:50, etj. Pjesë të kësaj platforme serbe edhe sot po tenton t’i jetësojë qeveria Vuçiq!


 


Kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Carla Del Ponte, në aktakuzën e ngritur kundër Sllobodan Millosheviqit dhe grupit të tij të afërt, për krimet e luftës në Kosovë, i akuzoi ata vetëm për 17 varreza masive, duke i lënë jashtë aktakuzës edhe 483 varreza të tjera masive me trupa shqiptarësh, që i lanë pas vetes forcat serbe pas kapitullimit të tyre në luftën e Kosovës. Madje masakrën e Raçakut, masakrën kundër Familjes Imeraj në Padalishtë dhe masakrën kundër të burgosurve shqiptarë dhe robërve të luftës në Burgun e Dubravës, i hoqën më pas nga procesi gjyqësor kundër udhëheqësve të lartë serbë, me arsyetimin: për thjeshtësim procesi!


 


Përveç këtyre, askush nuk është përgjigjur as për varrezat tjera masive me trupa të shqiptarëve, të zbuluara në afërsi të Beogradit që nga viti 2001 e këndej (në Batajnicë e Petrovo Sello), varrezën masive në Rudnicë të Rashkës, të cilën përkundër fakteve të pakontestueshme për vendndodhjen e saj, e mohoi dhe e zvarriti aq gjatë Serbia; autofrigoriferët e zbuluar me kufoma të shqiptarëve në lumin Danub dhe në Liqenin Peruçac në Serbi; dëshmitë për djegien e kufomave të shqiptarëve në fabrikën e Maçkaticës e të Surdulicës (në afërsi të Vranjës); pastaj djegiet e kufomave në shkritoret e Trepçës e në Furrnaltat e Obiliqit në Kosovë dhe në një varg krematoriumesh të tjera. Këto që u përmendën më lartë janë vetëm disa nga treguesit për rastet e shumta të përpjekjeve të organeve më të larta shtetërore të Serbisë për fshehjen e organizuar të dëshmive për gjenocidin e kryer nga forcat okupuese serbe në Kosovë. Rastet e tilla edhe sot e kësaj dite në Serbi vazhdojnë të konsiderohen “sekret shtetëror”, madje moszbulimi dhe mosgjurmimi i tyre në territorin e Serbisë, në disa raste ishte urdhëruar edhe me dekrete presidentësh. Gjithashtu, vite më parë nga përtej Atlantikut, u ofruan dëshmi rrëqethëse lidhur me eksperimentimet e bëra me robërit shqiptarë të luftës në vend të minjve në laboratoret nëntokësore të VMA-së (Akademisë Ushtarake të Mjekësisë) dhe të Institutit për Siguri të ish-RSFJ-së në Beograd, por askush nuk është marrë me këtë çështje. Për këtë, vite më parë opinionit publik i kemi ofruar edhe një dëshmitar të gjallë, ish-pjesëtar i UÇK-së, rob i luftës, i cili gjatë vitit 1999 i ishte nënshtruar trajtimit të dhunshëm për marrjen e veshkës në Akademinë Ushtarake të Mjekësisë (VMA) në Beograd, derisa mbahej në Burgun Qendror (CZ).


 


Dihet botërisht se gjatë tërë kohës së pasluftës në Kosovë, administrata ndërkombëtare e ka imponuar “një ligj të pashkruar”, për minimizimin dhe mohimin e krimeve serbe mbi shqiptarët. Madje, ajo ka shkuar edhe më larg. Me të gjitha mjetet është përpjekur t’i shkatërrojë dëshmitë që do të argumentonin gjenocidin serb në Kosovë. “Shumë prova u fshehën, por edhe u pengua grumbullimi i të tjerave nga UNMIK-u”, kanë deklaruar njohës të mirë të rrethanave brenda këtij misioni. Nga dikur viktima, propaganda serbo-ruse dhe ajo e UNMIK-ut, ndikuan që Perëndimi të fillojë t’i shohë shqiptarët si viktimizues e serbët si viktima. Skenari kryesor u realizua nga UNMIK-u nëpërmjet fshehjes së provave të gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve. Dhe për këtë, fatkeqësisht, deri më sot askush nuk kërkoi, as nuk dha llogari.


 


Deri në vitin e kaluar, me të gjitha proceset gjyqësore që kanë pasur të bëjnë me krimet e luftës në Kosovë, është marrë ekskluzivisht bashkësia ndërkombëtare, përkatësisht UNMIK-u e më pas EULEX-i, të cilat kanë rezultuar të jenë tepër të njëanshme. Në një raport të publikuar në gazetën “Koha Ditore”, më 26 mars 2011, duke iu referuar shifrave zyrtare thuhej se “pesëfish më shumë shqiptarë sesa serbë janë dënuar për krime të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë, edhe pse gjatë luftës llogaritet të jenë vrarë mbi 12 mijë shqiptarë e rreth 800 serbë”. Pra, gjatë dekadës së parë të pasluftës, raporti etnik i të dënuarve për krime lufte në Kosovë ishte 5:1, ndërkaq pesë vjet më vonë, nuk përjashtohet fakti që kjo diferencë është edhe më e madhe. Pra, pesëfish më shumë janë gjykuar e dënuar shqiptarë, edhe pse në shumicën e rasteve gjyqi nuk ka mundur t’i argumentojë akuzat e ngritura kundër tyre.


 


Përmasat e tilla të gjykimeve, kanë ndodhur falë përfaqësuesve “të drejtësisë” ndërkombëtare, të tipit të kryeprokurorit shumëvjeçar të EULEX-it, Mauricio Salustro, i shquar për zellin e tij në proceset e shumta gjyqësore kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së, i cili pas përfundimit të mandatit në Kosovë, doli se gjeti punë të re (mbase mund të jetë punë edhe më e hershme se detyra zyrtare që e kishte në Kosovë) dhe atë ku tjetër pos në Beograd, në cilësinë e këshilltarit kryesor të zëvendësprokurorit për krime lufte të Serbisë, Bruno Vekariq, ku u mor vesh se nuk ka shkuar duarthatë, por i ka marrë me vete të gjitha dosjet e krimeve të rënda, që i kishte në duar gjatë punës së tij të dyshimtë në Kosovë! Se kjo kategori e dosjeve kanë përfunduar në Beograd, e ka vërtetuar kohë më parë edhe prokurorja britanike e EULEX-it, Maria Bamieh, krahas skandaleve e shkeljeve të tjera të shumta, të bëra nga ky mision.


 


Është e udhës të përmendet se ka raste të shumta kur të akuzuarit shqiptarë janë mbajtur padrejtësisht me vite të tëra në paraburgim e pastaj janë liruar të pafajshëm, ka raste kur deri në një dekadë janë mbajtur në burgje pa aktgjykim të plotfuqishëm, por drejtësia ndërkombëtare nuk ka qarë kokën për këtë, sepse të akuzuarit ishin dhe janë ish-pjesëtarë të UÇK-së. Si të tillë janë kategoria e shtetasve të Republikës së Kosovës që në Kosovën e pasluftës, janë viktimizuar më së shumti, janë kategoria që i janë bërë dhe po vazhdojnë t’i bëhen më së shumti padrejtësi, janë kategoria që është tentuar të njolloset e të poshtërohet më së shumti. Dhjetëra ish-luftëtarë të lirisë janë vrarë në Kosovën e pasluftës, por asnjë vrasje e tyre nuk është zbardhur deri më sot, madje as që i përmendë dikush; dhjetëra të tjerë janë gjykuar e dënuar në procese të montuara politike; dhjetëra të tjerë të gjendur buzë ekzistencës i kanë dhënë fund jetës duke u vetëvrarë; qindra të tjerë edhe gjashtëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës nuk i kanë as kushtet elementare për jetë, as për trajtim mjekësor, as një vend pune, as një kulm mbi kokë. U deshën të kalojnë 15 vite pas përfundimit të luftës, që Kuvendi i Kosovës të miratojë ligjin për veteranët e luftës, por që ende nuk ka gjetur zbatim.


 


Nuk është asgjë e re, as e panjohur, se Serbia çdo krim që e ka kryer në Kosovë është përkujdesur t’ia adresojë UÇK-së, ndërkaq në rastet tjera është përkujdesur të trumbetojë se krimi apo krimet janë bërë gjithsesi për shkak të saj (UÇK-së). Në kohën kur ende vazhdojnë të zbulohen varreza të reja masive me eshtra të shqiptarëve, të zhvarrosur e të rivarrosur shumë herë nga forcat serbe për të fshehur gjurmët e gjenocidit, që e kreu Serbia ndaj popullit shqiptar në Kosovë, propaganda serbe tenton të krijojë paralelizma të tillë te shqiptarët. Në mungesën faktike të varrezave masive të serbëve, ajo tenton të gjejë individë, të cilët do të akuzoheshin për krime lufte. Në këtë funksion është edhe përralla serbe (e huazuar nga ndërkombëtarët) për “trafikim organesh”.


 


Është e çuditshme se si përralla e vozhdit çetnik Vojisllav Sheshel, për kinse “trafikim organesh” të serbëve nga ana e UÇK-së, e lansuar në vitin 1999, e përpunuar më pas nga shërbimi sekret serb BIA dhe e ashtuquajtura Prokurori Speciale (e Serbisë) për Krime të Luftës, me seli në Beograd, si e tillë përfundoi fillimisht në librin tendencioz të ish-kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte (përkundër kësaj, më 12 prill të vitit 2014, siç raportonte Agjencia Informative “Presheva Jonë”, Del Ponte iu deklaroi medieve ndërkombëtare në Cyrih të Zvicrës se hetimet për “trafikun e organeve” në Kosovë do të dështojnë) e më pas në raportin e senatorit zviceran të Këshillit të Europës, Dick Marty, i njohur për përcaktimet e tij proserbe, të marrë përmasa të tilla. Aq më tepër kur dihet se nuk ka asnjë gjasë reale, as teorike as praktike që UÇK-ja gjatë luftës të ketë pasur mundësi të merret me “trafikim organesh” të serbëve apo të kujtdo tjetër. Në anën tjetër, dhjetëra luftëtarë të UÇK-së, të plagosur kanë ndërruar jetë në pamundësi të ofrimit të ndihmës përkatëse mjekësore, e dhjetëra të tjerë kanë dhënë jetën gjatë përpjekjeve për dërgimin e të plagosurve për shërim në Shqipëri.


 


Kur e trajtojmë çështjen e “Gjykatës Speciale” e cila ekskluzivisht do të merrej me krimet e pretenduara të UÇK-së, duhet shtruar disa pyetje, të cilat kërkojnë përgjigje nga bashkësia ndërkombëtare:


 


– Së pari, a kanë kërkuar ndonjëherë zyrtarisht nga Serbia që ta sqarojë veprimtarinë e Sigurimit shtetëror serb në raport me Kosovën, sidomos pas zbardhjes së fakteve për ekzistencën e “Drejtorisë së Gjashtë” (“Drejtorisë për Vrasje”) të RDB-së, në krye me Ratko Romiqin, që përveç mekanizmave të tjerë, e kishte në dispozicion njësinë famëkeqe për operacione speciale JSO (apo “Beretat e Kuqe”, pasuese e të cilës sot është xhandarmëria e Serbisë), kur është dëshmuar se përmasat e aktiviteteve kriminale të “Drejtorisë për Vrasje” të RDB-së kanë përfshirë jo vetëm periudhën e luftës, por edhe atë të pasluftës, duke pasur në fokus me theks të veçantë zhdukjen e dëshmive e të dëshmitarëve të mundshëm që do të dëshmonin për krimet serbe, kur dihet se vrasjet e kryera nga kjo strukturë (anëtarët e të cilës edhe sot kanë pozita vendimmarrëse në institucionet më të larta shtetërore në Serbi) kanë përfshirë një gamë të gjerë të vrasjeve, të kryera jo vetëm në nivel në Serbisë e të Kosovës, por edhe në nivel ndërkombëtar, siç ishte rasti i vrasjes së gazetares së BBC-së Jill Dando gjatë luftës, vrasja e ministres së Punëve të Jashtme të Suedisë, Ana Lind, pas përfundimit të luftës, etj. A është kërkuar ndonjëherë të dihet se cilat janë përmasat e influencimit dhe të implikimit të drejtpërdrejtë të kësaj strukture në vrasjet e shumanshme që kanë ndodhur në periudhën e pasluftës në Kosovë?


 


– Së dyti, si ndodhi që më 12 shkurt 2010, një gjyqtar i EULEX-it, fare pa zhurmë mediale, përkundër fakteve të shumta që i kishte në dispozicion, në seancën kur aktakuza duhej të merrte formën e prerë, t’i lirojë nga akuza oficerët e shërbimit sekret serb BIA? Agjentët e BIA-s Igor Juçinac, Millutin Radanoviq e Predrag Zhelkoviq, në qershor të vitit 2009, ishin kapur në flagrancë nga Policia e Kosovës në Çagllavicë derisa ishin në gjah për mbledhjen e dëshmive të rrejshme për të materializuar shpifjet dhe fabrikimet e Beogradit zyrtar “për trafikim organesh të serbëve”. Siç dihet, këta pjesëtarë të BIA-s u akuzuan të kenë nxitur familjarë të serbëve të zhdukur, por edhe qytetarë shqiptarë, për të dhënë dëshmi të rrejshme me qëllim të trillimit të aferës për gjoja trafikimin (transplantimin) e organeve njerëzore gjatë luftës nga UÇK-ja, duke u ofruar të paktën shumën prej 100 deri në 300 mijë euro për një deklaratë të tillë. Aso kohe, agjentët e shërbimit sekret serb – BIA, u deklaruan organeve të hetuesisë se shumat e premtuara për dëshmitarët e tillë (të rrejshëm) i paguan shteti!!! Me “dëshmi” të tilla u ndërtua raporti i Dick Martyt!


 


– Së treti, si ndodhi që të kalojë në heshtje rasti skandaloz, i publikuar në gazetën “Zëri” të Prishtinës (2 gusht 2013), me titull: “Komploti i Serbisë me veshka”, ku ofrohen fakte të tmerrshme mbi komplotin e shërbimeve sekrete të Serbisë për materializimin e procesit famoz “të trafikimit të organeve”. Sigurisht që ky nuk është një rast i izoluar. Faktet që i ofron gazeta, duke iu referuar të dhënave zyrtare nga hetuesia vendore, janë të tmerrshme. Sipas gazetës, në fillim të vitit 2012, ishte planifikuar që mbetjet mortore serbe të sillen në mënyrë ilegale në Kosovë dhe të varrosen skaj kufirit me Serbinë. Këto mbetje do të vendoseshin në zonat ku hetuesit e Tribunalit të Hagës do të nisnin gjurmimet për hetimet rreth trafikimit të organeve njerëzore gjatë luftës në Kosovë. Shërbimet serbe kishin gjetur grupin e trafikantëve kosovarëve (një pjesë e të cilëve ishin arrestuar nga Policia e Kosovës, më 23 korrik 2013, në qytete të ndryshme të Kosovës) për ta realizuar këtë plan të Serbisë, që të sjellin “dëshmi” se në Kosovë është bërë trafikim i organeve. Për transportimin ilegal të një mbetjeje mortore shërbimi sekret serb do t’ua paguante shumën prej 20 mijë eurosh! Bartja e tyre ishte planifikuar që të bëhej me veturat e ndihmës së shpejtë të spitalit rajonal të veriut të Mitrovicës, për të mos dyshuar policia e doganierët gjatë kontrollit kufitar. Grupi i trafikantëve kosovarë ishin kontaktuar nga shërbimi sekret serb, për ta realizuar planin, që përfundimisht 14 vjet pas përfundimit të luftës do të “gjendeshin dëshmi se gjatë luftës në Kosovë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë trafikim me organe të civilëve serbë”. Serbët kishin ofruar para të majme për grupin e trafikantëve kosovarë në këmbim të kontributit që ata do të jepnin me sjelljen e mbetjeve mortore serbe nga Serbia në vende të caktuara në Kosovë. Për më tepër, trafikantët nga Kosova kishin premtuar se do të ofronin dëshmi shtesë se në Kosovë ka pasur trafikim organesh.


 


“Gjatë bisedave të tyre, grupi nga Kosova i ka premtuar shërbimit serb se do të gjejnë edhe dëshmitarë, të cilët pa problem do të dëshmonin rrejshëm nëse do të paguheshin mirë”, shkruante “Zëri”, duke iu referuar burimeve nga hetuesia vendore. Por, jo vetëm shërbimet sekrete serbe kanë pasur interes për grupin e trafikantëve nga Kosova. Këta të fundit ishin marrë vesh me shërbimin serb që t’i ndihmojnë gjatë transportimit ilegal të refugjatëve kosovarë, që përmes territorit serb t’i qesin në Europë.


 


Çdo ditë e më shumë po zbulohen fakte të reja që zbardhin përmasat e krimeve të luftës dhe të gjenocidit që e kryen forcat okupuese serbe në Kosovë, me theks të veçantë forcat e rregullta ushtarako-policore serbe në Kosovë, si masakrën e Rezallës, të Izbicës, të Terrnjes, të Abrisë, të Kralanit, të Lybeniqit, të Qyshkut, të Mejës, të Krushës së Madhe, të Krushës së Vogël, të Lugishtës së Hasit, Godenit, Burgut të Dubravës, etj., të cilat, bazuar në dokumentet e publikuara ushtarake serbe, i kanë drejtuar edhe gjeneralë, që sot gjenden në krye të Armatës së Serbisë; janë ofruar fakte se serbët kanë shkuar aq larg sa që me kafka të shqiptarëve të vrarë, kanë bërë edhe llampa ndriçuese për tavolina; zyrtarë të lartë serbë pranojnë se Serbia ka shkuar aq larg sa që për të arritur qëllimet serbomëdha, të vrasë edhe fëmijët dhe të rinjtë serbë (kujto rastin e kafenesë “Panda” në Pejë në dhjetorin e vitit 1998), por që nga e njëjta linjë kanë filluar edhe vrasjet e qytetarëve serbë në Kosovën e pasluftës (kujto rastin e vrasjes në masë në fshatin Grackë e Vjetër të Lypjanit, në korrik të vitit 1999), për të cilat u akuzuan shqiptarët; vet qytetarët serbë kanë ofruar dëshmi për vrasjet e familjarëve të tyre nga forcat serbe, vetëm pse u kanë ndihmuar fqinjëve të tyre shqiptarë, por edhe kanë ditur shumë për krimet e bashkëkombësve të tyre serbë. Të gjithë jemi dëshmitarë se këto vrasje më pas ia ngarkuan UÇK-së.


 


Në të gjitha proceset gjyqësore lidhur me krimet e luftës në Kosovë, e ashtuquajtura Prokurori Speciale për Krime të Luftës e Serbisë dhe Departamenti për Krime të Luftës i Gjykatës së Lartë në Beograd, kanë kryer vetëm procese formale gjyqësore ndaj individëve të parëndësishëm, që nuk kishin përgjegjësi komanduese në formacionet e rregullta ushtarako-policore, duke tentuar ta shfajësojnë shtetin serb nga përgjegjësia për gjenocidin dhe krimet e luftës në Kosovë. Në legjislacionin penal të Serbisë nuk ka institucion të përgjegjësisë komanduese, por nuk ka as vullnet politik që të gjykohen gjeneralët. Serbia është tallur dhe vazhdon të tallet me viktimat e luftës.


 


Sipas dëshmive publike, e ashtuquajtura Prokurori Speciale për Krime Lufte e Serbisë, në vend që t’i mbrojë, i ka përndjekur, i ka persekutuar, i ka shantazhuar e madje edhe i ka vrarë dëshmitarët serbë, që kanë dëshmuar pranë kësaj prokurorie për krimet e luftës në Kosovë. Për shembull, janë tepër qesharake dënimet që i ka shqiptuar Gjykata e Lartë në Beograd për krimet e luftës që i kanë kryer forcat serbe në Kosovë, qoftë për masakrën mbi familjen Berisha të Suharekës, qoftë për masakrën e Qyshkut, të Pavlanit e të Zahaqit, etj.; me ç’rast të akuzuarit serbë, nuk u dënuan as me nga një vit burgim për një shqiptar të vrarë. Por edhe këto dënime Serbisë i janë dukur shumë të larta, ndaj që në fund të muajit mars të këtij viti, rastin e Qyshkut e kanë kthyer në rigjykim! Përkundër këtyre proceseve gjyqësore, që janë vetëm një farsë, askush deri më tani nuk e ka ngritur zyrtarisht çështjen se këto raste të krimeve të luftës duhet të gjykohen në vendin ku kanë ndodhur krimet, pra në Kosovë, apo në ndonjë vend të tretë.


 


Të kthehemi sërish te “Gjykata Speciale” ndërkombëtare për UÇK-në. Ka kohë që është banalizuar shprehja e stërpërdorur se kjo gjykatë nuk është e drejtuar kundër UÇK-së, kundër shqiptarëve, por kundër individëve! Të gjitha faktet e pasluftës e dëshmojnë të kundërtën.


 


Përkundër të gjithave që kanë ndodhur deri më tani, është joparimore, joetike dhe jonjerëzore që të ketë kute të ndryshme për ndarjen e drejtësisë. Në njërën anë të bëhen përpjekje për mohimin dhe minimizimin e skajshëm të krimeve të luftës e të gjenocidit që e kreu Serbia pushtuese mbi popullin shqiptar të Kosovës, madje jo vetëm mbi atë, ndërkaq në anën tjetër, një rast selektiv, faktikisht një rast joekzistencial i palës shqiptare që bëri luftë mbrojtëse, duke i respektuar të gjitha konventat ndërkombëtare, të ngritet artificialisht për trajtim në nivel ndërkombëtar, jo për të vënë drejtësinë në vend, por për t’ia bërë qejfin Serbisë dhe për të arritur balancat politike, nën presionin e vazhdueshëm të aleancës serbo-ruse.


 


Të gjitha kushtet dhe parakushtet për gjykime të krimeve të luftës në Kosovë, të çfarëdo niveli qofshin ato, janë të favorshme. Meqenëse misioni i EULEX-it, si një mekanizëm ndërkombëtar që iu referon njëkohësisht edhe BE-së edhe OKB-së vazhdon ta ketë ekskluzivitetin mbi rastet e krimeve të luftës, për çfarëdo rasti që të jetë fjala shtrohet pyetja ç’nevojë ka që të formohet gjykatë e re ndërkombëtare me seli në tri shtete, apo vetëm për t’ia bërë qejfin Serbisë? Është e paarsyeshme dhe e papranueshme ngritja e një gjykate të tillë vetëm për UÇK-në. Bazuar në faktet reale, nëse ka drejtësi, asnjë ish-luftëtar i UÇK-së nuk ka pse t’i frikësohet asnjë lloj gjykate as vendore as ndërkombëtare, sepse Ushtria Çlirimtare e Kosovës si aleate e NATO-s në të gjitha fazat e luftës, ju ka përmbajtur të gjitha konventave ndërkombëtare. Me amnisti për gjenocidin dhe krimet serbe të luftës e të pasluftës (madje edhe me miratime të ligjeve të veçanta) në njërën anë, e me organizim të gjykimeve e gjykatave të posaçme për raste të fabrikuara kundër shqiptarëve, kah po tentojmë të shkojmë ne, kah po tenton të shkojë bashkësia ndërkombëtare? Është e palogjikshme të ngritet gjykatë mbi gjykatë ndërkombëtare dhe atë vetëm për shqiptarët, që do të shënonte rastin e vetëm në rajon që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, edhe pse krimet e pretenduara që i vihen në barrë UÇK-së qoftë në përmbajtje, qoftë në numër janë të papërfillshme në raport me agresorin serb, që u amnistua nga përgjegjësia për spastrimin etnik e gjenocidin e kryer në Kosovë. Nuk ka asnjë dëshmi reale, që do të dëshmonte se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë krime lufte kundër civilëve serbë apo të tjerëve, e lëre më spastrim etnik apo gjenocid!


 


Tribunali Ndërkombëtar i Hagës i ngritur nga OKB-ja për gjykimin e krimeve të luftës në ish-Jugosllavi e ka dhënë verdiktin për serbët, për shqiptarët e të tjerët. Po ashtu, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka dhënë verdiktin e saj. Nëse patjetër duhet themeluar gjykatë, le të jetë ajo gjykatë apo departament që do të vepronte në kuadër të sistemit të drejtësisë së Republikës së Kosovës dhe që do t’i trajtonte të gjitha rastet e krimeve të luftës pa dallim, gjithsesi me seli në Kosovë e jo diku tjetër. Janë qindra-mijëra raste të krimeve të luftës që kërkojnë drejtësi, por jo trajtim paragjykues e selektiv në baza etnike, madje edhe trajtim paragjykues brenda të njëjtës etni, por që përgjithësisht kërkojnë trajtim objektiv, kërkojnë drejtësi e jo padrejtësi të reja, madje edhe me lënie në harresë. Është e padrejtë dhe jonjerëzore që për çfarëdo qëllimi apo arsyeje të tentohet të barazohet xhelati me viktimën, apo të amnistohet xhelati e të fajësohet viktima, siç po ndodh në rastin konkret. Do të ishte njëlloj sikur në përfundim të Luftës së Dytë Botërore të përzgjidheshin hebrenjtë për t’i gjykuar e të amnistoheshin të tjerët, ata që i kryen krimet. Është jo vetëm antinjerëzore, por edhe e papranueshme që t’i zgjedhin për t’i flijuar sërish padrejtësisht ish-pjesëtarët e UÇK-së. Kosova ka kapacitete dhe duhet të tregojë se është e aftë t’i marrë dhe t’i kryejë përgjegjësitë e veta shtetërore.


 


 Autorja është bashkëpunëtore profesionale në Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës – Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …