Binak Ulaj: Treva shqiptare e Plavës e Gucisë ka një histori dhembshme, por edhe krenare të mbijetesës ndër shekuj

Binak Ulaj: Treva shqiptare, Plavë e Guci, ka një histori të dhembshme, por edhe krenare, të mbijetesës ndër shekuj

Në emision javor: “Bisedë” në studion e TV-Diellit dhe në valët e  Radios-Kosova e Lirë, ishte i ftuar veprimtari i Lëvizjes atdhetare,  profesori i gjuhës shqipe, disa herë i burgosur politik, Binak Ulaj, i lindur në vitin 1944 në Vuthaj të Malit të Zi, në komunën e Plavës. Në Prishtinë ka kryer  studimet në  gjuhë dhe letërsi shqipe. Në vitet ’70-të ka qenë ndër themeluesit e Organizatës së quajtur, “Grupi Revolucionar i Kosovës”.  Në vitet 1993-1996 ligjëroi gjuhën shqipe në Gjimnazin, “Xhevdet Doda”,  në Prishtinë, prej 1996 deri në 2003 ishte edhe  drejtor i asaj shkollë që për  shumëçka ka bërë emër në Kosovë.  Në vitet 2004-2009, ai drejtoi Zyrën e Përkthimit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe në 1996-2000 ai ishte nënkryetar i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut e në Prishtinë.

Binak Ulaj,  fëmijërinë e rëndë dhe të mundimshme e kaloi në një trevë me histori të veçantë të rezistencës shqiptare kundër pushtuesve, në një krahinë e cila 141  vjet më parë, me një Traktat  ndërkombëtar, krejt padrejtësisht  iu kishte dhënë  Malit të Zi, por shqiptarët nuk u shkulën dot nga ato troje, edhe pse në kushte dhe rrethana të caktuara shumica syresh janë degdisur. Për ato troje  është derdhur gjak jo vetëm i banorëve të Plavës e Gucisë por edhe shumë shqiptarë liridashës të viseve të tjera dhe janë troje amanet i të gjithë shqiptarëve…

Fillimisht, Binak Ulaj, në studion e TV-Diellit ka sjellë në kujtesë dromca të jetës në Vuthaj, në familjen kurdoherë në shënjestër të  pushtuesit, pastaj shkollimi dhe përpjekja e paepur  për t’ i bërë ballë rrebeshit të pamëshirshëm të kohës nën pushtim.  Ai thotë se bijtë e bijat e Plavës e Gucisë morën pjesë në të gjitha përpjekjet e Kosovës për çlirim e bashkim. Nga kjo anë ishte veprimtarja,  Ajshe Gjonbalaj, e burgosura politike e viteve 80- të shekullit të kaluar,  e cila qe dënuar 13 vjet burg, e  vetmja femër shqiptare së cilës iu shqiptua  dënimi më i lartë me burg nga  të gjitha femrat e dënuara  për pjesëmarrje në demonstratat e vitit 1981 dhe për veprimtari të organizuar  kombëtare.

Ai ka  shpjeguar hollësisht shkollimin e banorëve shqiptarë të kësaj treve në Kosovë, me qëllim për të ruajtur gjuhën e  traditën kombit, si dhe mikpritjen që u ka bërë populli kudo në Kosovë, meqë në vendlindjen e tyre kishte vetëm shkollë fillore në gjuhën shqipe dhe dashuria për dije e shkollim ishe shumë e shprehur te malësorët,  të cilët nuk hezitonin fare  t’i dërgonin fëmijët për shkollim në Kosovë, pavarësisht kushteve të rënda ekzistenciale.

Ai thotë se  frymëzimi dhe literatura  që vinte nga Shqipëria, veprimtaria e organizuar atdhetare, leximi i veprave të rilindësve dhe shkrimtarëve bashkëkohorë shqiptarë ndikuan në rizgjimin e ndjenjës kombëtare, e cila shprehej veçmas në Kosovë, ku popullata shumicë shqiptare i kishte rezistuar me shekuj pushtuesve. Ulaj përmend kohën kur punonte në fshatin,Vrellë të Burimit, aktivitetin atdhetar në demonstratën e tetorit të vitit 1968 në Prizren, ngritjen e flamurit edhe në Vuthaj në një dasmë më 12 tetor të po atij viti.  Z. Ulaj ka sjellë në kujtesë edhe raste konkrete të dhunës së kishte ushtruar mbi shqiptarë regjimi i kohës sikur ishte vrasja e xhaxhait  dhe babait  të  doktorit e veprimtarit të njohur,  Jusuf Dedushaj  dhe raste të tjera të vrasjeve tinëzare kundër shqiptarëve, në atë kohë.

Duke shpalosur veprimtarinë e fshehtë  atdhetare, ai përmend shokun e tij, Idriz Zeqiraj i cili kishte kaluar kufirin dhe nga Shqipëria dërgonte literaturë në Kosovë, pastaj bashkëveprimin ilegal me veprimtarët e mirënjohur si:  Kadri Osmani, Xhafer Shatri, Jashar Alia e shumë të tjerë.

Në përpjekjen për shënimin e një-vjetorit të demonstratave të vitit 1968, në vitin 1969 ishte dënuar  me burg së bashku me disa veprimtarë për shkak se kishte shpërndarë afishe me Kadri Osmanin e shokë të tjerë, afishe të cilat i kishte shtypur me shaptilograf, Selami Elshani nga Mitrovica.

Veprimtari Binak Ulaj ka folur për kohën kur  së bashku me veprimtarët e mirënjohur  të Kosovës, Kadri Osmani, Xhafer Shatri, Mehmet Hajrizi, Jashar Alia,  në fund të shtatorit të vitit 1973, kishin themeluar organizatën atdhetare të quajtur  “Grupi Revolucionar i Kosovës” i cili më vonë kishte  nxjerrë organin e vet të shtypit “Zërin e Kosovës”. Falë organizimit “në treshe”,  dhe respektimit rigoroz të rregullave të konspiracionit, ishte zgjeruar  veprimtaria, pavarësisht arrestimit të herëpashershëm të disave prej anëtarëve. Ndaj, ky grup, themeloi  degët e veta  në shumë qendra të Kosovës, por edhe në  vise tjera shqiptare, ndër to edhe në Plavë e Guci, Në bazë të zgjerimit të suksesshëm dhe numrit të konsiderueshëm të anëtarëve, ku bënin pjesë edhe Kadri Zeka,  i martirizuar së bashku me Jusuf e Bardhosh Gërvallen, në një atentat, në Gjermani, më 17 janar 1982, pastaj promotorët e Lëvizjes, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, paraprijës të gueriles urbane në Kosovë, të cilët kishin rënë  duke luftuar kundër forcave policore, natën ndërmjet 11 e 12 janarit të vitit 1984,  Zija Shemsiu, i mbytur me tortura në burgun e Beogradit, më 5 maj 1985. Në këtë organizatë e cila më vonë u quajt Grupi Marksist-Leninist i Kosovës ishin edhe  veprimtarët e paepur, Hydajet Hyseni, Jakup Krasniqi, Mehmet Hajrizi, Nezir Myrtaj  e shumë të tjerë, ishte edhe grupi  paraprijës i  demonstratave të vitit 1981, i cili në vitet 90-të  do të kurorëzohet me themelimin  e Ushtrisë  Çlirimtare të Kosovës.

Binak Ulaj në studion e TV Diellit dhe në valët e Radios-Kosova e Lirë ka folur edhe për jetën e kaluar nëpër burgje, fillimisht në vitin 1969, pastaj  nga burg në burg prej vitit 1974 e deri në vitin 1979, izolimin tre muaj  në pranverë të vitit 1981 si dhe izolimin  dhe trajtimin blutal që i kishte bërë atij dhe rreth 300 të izoluarve të tjerë të burgosur më 29 mars të vitit 1989, kur regjimi i Milosheviqit kishte suprimuar autonominë e Kosovës.

Aktiviteti kombëtar revolucionar i Binak Ulajt, vitet e tëra nëpër burgjet e pushtueset mësimdhënia në shkolla, veçmas në Gjimnazin “Xhevdet Doda”, në Prishtinë, ku ka punuar në vitet 90-të, veprimtaria intensive në dobi të kombit e atdheut, puna në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, qëndrimi i pa epur në rrugë të zhvillimit dhe përparimit të vendit janë tregues  i një jete të tërë në shërbim të dijes përparimit dhe emancipimit arsimor e kombëtar.

Ai  sot ndihet në masë i zhgënjyer me gjendjen e përgjithshme që po mbretëron në Kosovë, korrupsionin që ka përfshirë një pjesë të madhe të shoqërisë, mungesën e perspektivës për brezin e ri, migrimet e rinisë në kohën kur Kosova ka fituar lirinë e pavarësinë, keqpërdorimet e zyrtarëve, nepotizmin e shprehur dhe hendekun gjithnjë e më të thellë, mes shumë të pasurve e shumë të varfërve  duke vënë në pikëpyetje  klasën e mesme, e cila kudo në botën e zhvilluar e demokratike është klasë e qëndrueshme ekonomikisht.

( Bisedën, në studion e TV-Diellit me z. Binak Ulaj e zhvilloi, Ahmet Qeriqi)

Prishtinë

  1. 4. 2019

 

Kontrolloni gjithashtu

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën: Flasin Meri Mezini, Irini Qirjako, Margarita Xhepa, Alida Hisku, Myfarete Laze, Enrieta Sina

Festa e Nënës vjen bashkë me pranverën Gëzuar 8 Marsin nënat tona Çfarë është për …