Blerim Muriqi

Blerim Muriqi: PUSHTIMI I FUNDIT

Braktisja e parimeve nga pushtetet, obligon anëtarësinë a fraksionet që prodhohen të marrin atributet e partisë për t’u qëndruar ideve themeltare dhe parimeve të kontratës sociale.

Në histori, popujt janë pushtuar shpesh nga të tjerët, por jo rrallë edhe nga vetë pushtetet e tyre. Ky lloj pushtimi është më i rafinuar: nuk vjen me ushtri e flamur, por me përvetësimin e ndërgjegjes qytetare, me shtypjen e parimeve, me uzurpimin e marrëveshjes së përbashkët mbi të cilën qëndron shoqëria.

Kur Europa po largohej ngadalë nga monarkitë absolute të shekujve XVI–XVII – prej asaj bote ku mbreti sundonte “me të drejtën hyjnore” dhe ku pesha e pushtetit absolut nuk po durohej më – te mendjet e urta të kohës lindën parimet e një kontrate sociale. Jo një kontratë me nënshkrim dhe vulë, por një marrëveshje themelore mbi parimet përmes të cilave njerëzit pranojnë të qeverisen.

Kontrata sociale u bë matrica e mendimit modern për qeverisje. Njerëzit pranojnë vullnetshëm pushtetin vetëm kur ai është për të mirën e përbashkët dhe vetëm për aq sa ai pushtet respekton parimet që e mbajnë gjallë këtë marrëveshje. Kur parimet bien dhe kontrata sociale thyhet, pushteti nuk është më qeverisje: është pushtim. Dhe sot, mund të themi pa frikë: jemi të pushtuar nga monarku ynë.

Çfarë po ndodh me ne sot?

Ne jemi një shoqëri e pushtuar – jo nga të huajt, por nga ata që duhej të ishin përfaqësuesit tanë. Parimet e kontratës sociale nuk qeverisin më, pushteti nuk kontrollohet, nuk matet me rezultatet, nuk justifikohet dhe nuk ndalon asnjëherë për të reflektuar. Shoqëria ka mbetur në mëshirën e “Monarkut Albin”, të ngjitur në fronin e parkut të tij politik, nga ku tallet me ne sepse ka varrosur parimet që dikur e shfaqën si engjëll të ndryshimit. Ai sundon mbi këneten e heshtjes sonë.

Vetëvendosja, kur erdhi, ishte një platformë parimesh, ideale dhe rebelimi moral. Sot ajo ka mbetur një ngrehinë e paformë, e pangjyrë, një strukturë që nuk përfaqëson as premtimin për të cilin lindi, as njerëzit që dikur e mbanin mbi supe. Bartësit e saj, të kohës së shpresës, kanë nisur të ikin, secili me plagën e vet, secili duke kërkuar strehë larg asaj që dikur e bashkë-ndërtuan me pasion.

Historia e politikës europiane njeh mirë këtë rrëshqitje. Para se të ekzistonin partitë, lindën faksionet e para të qëndrueshme politike, që ndanë shoqërinë britanike në pro-parlamentarë dhe pro-mbretërorë – një ndarje e qartë mes lirisë dhe autoritetit të pakufizuar. Aty filloi të përkufizohej demokracia moderne.

A e dimë ne sot ku kalon ky kufi?

Pushtimi i fundit nuk vjen nga jashtë. Ai vjen nga brenda – nga heshtja jonë, nga dorëzimi ynë, nga pranimi i një pushteti që nuk matet më me parimet që dikur na bashkuan. Një shoqëri e pushtuar nga vetë pushteti i saj është më e pambrojtur se një vend i pushtuar nga të huajt, sepse nuk e sheh më rrezikun; e normalizon pushtimin e njëshit deri në atë shkallë sa e përqesh edhe vet kundërshtinë, sa do parimore të jetë ajo.

Ambienti politik te ne është i infektuar rëndë. Eshalonet e ndarjes janë kurthe me gojën e hapur fort. Gjithçka është deformuar, më së rëndi besimi se mund të dalim nga ky rreth vicioz. Kush mund ta ngrejë këtë besim?, është pyetja që shtrohet kudo.

Heqja dorë dhe braktisja e madhe që ka ndodhur brenda partive tona politike – nga aktorë themelues e veprimtarë me kontribute shtrirjeje në gjithë gjeografinë e vendit – mos-rigrumbullimi për të vazhduar idealet themeltare dhe parimet e kontratës sociale, ka prodhuar këtë gjendje apatie shoqërore dhe këtë kënetë politike që po e vuajmë.

Prandaj, për të rivendosur lirinë dhe besimin, duhet të rikthejmë kontrollin qytetar, të rivendosim parimet dhe të rigrumbullojmë idealet që dikur i bëmë bazë për tu çliruar e për ta ndërtuar shtetin deri në bashkimin e madh. Pa këtë, çdo reformë, çdo premtim dhe çdo ndryshim do të jetë vetëm një fasadë e pjesshme, dhe shoqëria jonë do të mbetet peng nga njëri pushtet në tjetrin dhe asecili nuk do ta njoh kufirin e vet në babëzinë e tij.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Adem Demaçi dhe projekti i tij për TV-Diellin

Arbana Qeriqi- Gashi: Urime 9-vjetori i themelimit të TV Diellit!

Vëlla Zamir, ky përvjetor është më shumë se një datë simbolike, është një dëshmi e …