Brickos

Pas drejtimit me sukses të OSBE-së, Shqipëria merr presidencën njëvjeçare të Nismës Adriatiko – Joniane

Burrat janë atje, te varret, meshkujt në shtëpi…

Është mjaft e përhapur një urti popullore e thënë përmes një malësoreje, e cila mbanë vulën e kohës apo  kohëve të caktuara, që në vazhdimësi përsëriten.

 

Kishte rastisur që një drumtari, i kishte ngelur  qerrja në një hendek dhe nuk arrinte ta nxirrte vetë, andaj kishte shkuar në shtëpinë më të afërt  dhe kishte trokitur  në derë.

Një malësore e moshuar e kishte pyetur se çfarë halli kishte.

–  A i ke burrat në shtëpi oj loke? – kishte pyetur ai.

– Qe besa mos bir, nëse po pyet për burrat, ata janë atje te kodra, te ato muranat, në varre, e në shtëpi janë meshkujt.

– Më ka mbetur qerrja në një hendek e më duhet dikush të më ndihmojë sipas mundësive, ta nxjerrë nga atje, thotë me zë lutës drumtari.

– Po mor bir, tash e kuptova, meshkuj sa me shty qerre e për pazar asht  plot shtëpia, njëtash t’ i dërgon lokja, ia kishte kthyer Malësorja…

Se cilët kanë qenë burrat dikur e cilët janë burrecat tani, sidomos nëse marrim në shqyrtim burrërinë e tyre, një është  fare e sigurt. Shqiptarët aktualisht nuk kanë asnjë burrë që krye të shtetit apo në politikë, burrë në kuptimin sikur i kishte përkufizuar malësorja e rrëfimit.

Çfarë burrërie ka Ilir Meta, mashkulli (?)  më i korruptuar i Shqipërisë, i cili e quan veten, Avni Rrustem, ndërsa ka qindfish më shumë kapital sesa kishte argatë e shërbëtorë, Esad Pashë Toptani. Vetëm  Villa në Beograd i ka kushtuar qindra mijëra euro, dhjetëra banesa e apartamente në Shqipëri, në Greqi e ku jo.

 

Madje atij, duke qenë se po i rrëshqet ‘froni’  i pushtetit,  i ka rënë ndërmend t’ ia  përkujtojë njerëzve se është shqiptar, që mund të matet edhe me Mic Sokolin e Avni Rrustemin. Merita më e madhe e tij, e të qenit shqiptar, është nderimi shtetëror që i ka bërë satanait Janullatos, duke e shpallur qytetar nderi, priftin që çkrishëroi e greqizoi Kishën Ortodokse shqiptare të Fan Nolit dhe fundosi krishterimin burimor shqiptar në atë grek.

Është burrë ku Ilir Meta, apo vetëm mashkull. Ç’ është e vërteta këtë të dytën nuk e përmend kurrë, pale….

Sali Berishës  i thonë “burrë” për shkak të gjuhës së tij “të pastër, malësore”, gjuhë që bubullonte si termet, në Kuvendin e Shqipërisë, kur u shante nënat, motrat, kunatat, vajzat me emër e mbiemër deputetëve kundërshtarë, tamam fjalor burri, nga ata kacabunat e shakllabanat e Gjergj Fishtës. Ky burri, Sali Berisha, dikur skllav e shërbëtor i Enver Hoxhës, komunist i verbër dhe partiak i degjeneruar, sot rrah gjoks për demokraci, por vetëm për një lloje demokracie të fiksuar  sipas mënyrës sesi ai e kupton dhe e zbaton atë. Ka mjaftuar që ishte ndër ata, që të parët hodhën triskat e Partisë së Punës dhe formuan Partinë e Përfitimeve, Pasurive, Plaçkitjeve, të tokave e resurseve të Atdheut, me qëllim për ta shkatërruar çdo gjë që ishte ngritur në Shqipëri me punën dhe djersën e tërë një populli. Dhe, krej kjo bëhej sipas mesazhit të internacionales:

Botën mizore ne do ta shkatërrojmë,

Që nga themeli e paskëtaj

Për veten tonë  do ta ndërtojmë,

Botën e re në vend të saj…

Berisha, Basha, Kryemadhi, Meta duan me çdo kusht ta marrin pushtetin, jo me votë, jo me burrëri, sepse e kanë humbur kredibilitetin dhe nuk e marrin kurrë, por po bëjnë përpjekje ta marrin duke hedhur mollotov në institucione, duke thyer e djegur, sipas shembullit të internacionales.

Janë këta burrat apo meshkujt e Shqipërisë?

Ndodhet në këtë mes edhe një femër që e konsideron veten mashkull.

 

Po Edi Rama, është burrë apo vetëm mashkull dy metra i gjatë?

Duke lënë për një çast anash cinizmin e kategorizimit të burrave e meshkujve, duhet pranuar faktin se Edi Rama ka bërë shumë punë për ta vendosur rendin dhe ligjin në Shqipëri. Por lufta e tij e pa kompromis iu kthye bumerang, sepse nuk e kishte kuptuar me kohë se anarkia që ishte mbjellë për shumë vjet në Shqipëri, nën maskën e fjalës demokraci, tashmë kishte lëshuar rrënjë si “pirrovina” dhe nuk shkulet dot, jo me 5 e tetë vite, por as me 20 të tjera.

Nuk shkulet sepse duke shkatërruar shtetin ku kishin investuar shqiptarët për afër 50 vjet, virusi i shkatërrimit është përhapur  në tërë jetën shoqërore, politike, ekonomike e tregtare të Shqipërisë.

Sali Berisha e Azem Hajdari, me kohë  kishin krijuar laboratorin e tyre në Llazarat, për të parë se çfarë rezultati do të jepte fitimi pa mund, pa  djersë, fitimi puro kapitalist, meqë premtimi i paragjykuar se pasi ta digjinin Shqipërinë, atë do ta ndërtonte Amerika, ishte treguar i pa sukses…

Është një fakt që e ilustron më së miri se deri ku është futur e liga në mesin e njerëzve parazitë, vulgarë e mujsharë, që i kishte ndërtuar demokracia berishjane. Në zgjedhjet e fundit të 30 qershorit 2019, nga 2000 mijë e më shumë votues sa ka Llazarati, Edi Rama mori vetëm një votë. Kjo shifër flet se deri në ç’ masë është mbjellë në mendjet e njerëzve prodhimi  dhe trafiku i domosdoshëm  drogës, të cilin e kishin lejuar e stimuluar demokratët  e Salo Berishës dhe Azem Hajdarit.

Është ky një rast që flet shumë, por nga i cili nuk ka mësuar asgjë, kryeministri, Edi Rama. Ai kishte goditur gjarprin në bisht, jo në kokë, andaj edhe mori dhe po i merr goditjet dhe në fund do të marrë edhe kafshimin e helmin.

Në këtë rast del se Edi Rama ka vepruar si shqiptar, sipas asaj maksimës së njohur reaksionare, shqiptare: Gjarpëri, që nuk më helmon mua, rroftë 100 vjet. Ai nuk i përmbahet maksimës së Talmudit ku shkruan: Gjarprin mbyte kudo ta shohësh. Po ta kursesh ai nuk të fal.

Rama si mashkull që është, i dehur nga suksesi provizor, mendoi se po e demontonte të ligën, që kishte zënë rrënjë për 25-vjet dhe nuk e kishte kuptuar, madje mendoj se as sot nuk e kupton se gjarprit duhet shtypur koka dhe jo bishti. Por ai nuk është burrë dhe as mashkull kur është fjala për ta goditur kokën e gjarprit. Ai gjuan gurë, por nuk ia drejton dot në kokë. Si mashkull del të jetë frikacak, andaj frika e burrëria edhe ashtu nuk shkojnë bashkë.

Janë edhe katër meshkuj të tjerë, katër pehlivanë të politikës sonë në Kosovë dhe në Maqedoni: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Ali Ahmeti.

 Cilit nga këta mund t i thuhet burrë, në kuptimin e njeriut që e mbanë fjalën, që respekton ligjin, që nuk vjedh e nuk mashtron, që interesin e kombit e vë mbi interesin e vet?.

Cili nga këta nuk është i korruptuar?

Cili nga këta interesohet më shumë për kombin sesa për pasurinë dhe favoret që kanë përfituar,  duke qenë në postet më të larta të shtetit?

Këta katër kalorës të politikave feudale, janë meshkuj por jo burra, sikur ishte Adem Demaçi, Ukshin Hoti, sikur është Rexhep Qosja dhe ndonjë tjetër.

Nuk do të analizojmë kësaj radhe bëmat e këtyre katër meshkujve, në kulmin e mujsharisë së tyre fizike.

Por një fakt është më se i sigurt, me meshkuj të fuqishëm si demat, fitohen favoret familjare, klanore e politike. Ata janë në skenën tonë të mjerë për të na treguar muskujt, retorikën e tyre pompoze deri edhe delirante, fjalamaninë e shpërfytyruar, patetikën herë- herë edhe revolucionare, sidomos kur u rrezikohen interesat apo postet.

Shqipëria, Kosova, Maqedonia duhet të gjejnë burrat, ata që kanë dije dhe guxim të bëjnë epoka, sikur Skënderbeu, Ismail Qemali, Adem Jashari e të tjerë. Meshkujt, mjerisht i kemi me bollëk, e burrat, ku janë?  Burrat, ata të muranave e shtatoreve i njohim të gjithë, të tjerë nuk po duken në horizont…

(Ahmet Qeriqi)

 

Shëngjin

  1. 7. 2019

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …