Profesori amerikan Daniel Serwer paralajmëron se dialogu Kosovë–Serbi nuk mund të prodhojë përparim nëse BE-ja kërkon zbatimin e Asociacionit pa ofruar përfitime konkrete për Kosovën. Garancitë për sovranitetin dhe integritetin territorial duhet të jenë parakusht. Ai ka vënë në pikëpyetje mundësinë e përparimit në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se shumëçka do të varet nga strategjia negociuese e Bashkimit Evropian dhe mënyra se si Brukseli do ta trajtojë çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Procesi nuk mund të ecë përpara nëse BE-ja vazhdon ta vendosë Asociacionin në krye të prioriteteve, pa ofruar në këmbim përfitime konkrete për Kosovën. Një qasje e tillë rrezikon ta mbajë dialogun të bllokuar, duke krijuar një proces ku kërkesat ndaj Kosovës nuk shoqërohen me hapa të barasvlershëm në drejtim të saj. “Strategjia negociuese e BE-së do të jetë e rëndësishme”, ka deklaruar Serwer, duke shtuar se, nëse Brukseli vazhdon t’i japë përparësi Asociacionit pa ofruar kundër përfitime për Kosovën, dialogu nuk do të shënojë përparim.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
