Anëtari i Kryesisë së Aleancës, Daut Haradinaj, ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse për gjendjen në të cilën ndodhet sektori i qumështit në Kosovë. Haradinaj ka vlerësuar se industria e qumështit përbën një nga shtyllat e rëndësishme të bujqësisë dhe ekonomisë së vendit, duke theksuar nevojën për politika që mbështesin prodhimin vendor, fermerët dhe përpunuesit. Sipas tij, institucionet duhet të krijojnë kushte për rritjen e prodhimit dhe eksporteve, në vend të vendimeve që, siç pretendon ai, mund të rrezikojnë funksionimin dhe qëndrueshmërinë e kësaj industrie. “Çdo shtet serioz duhet ta mbrojë prodhuesin vendor, fermerin dhe përpunuesin, duke krijuar kushte për zhvillim dhe eksport, e jo duke marrë vendime që rrezikojnë mbijetesën e industrisë”, ka deklaruar Haradinaj. Ai ka paralajmëruar se pasojat e situatës, sipas tij, tashmë janë duke u reflektuar edhe në treg. Haradinaj ka thënë se në disa markete po shfaqen mungesa të produkteve të qumështit, ndërsa problematike janë edhe vështirësitë që po hasin kompanitë në linjat e prodhimit. Ai ka kërkuar që institucionet përgjegjëse të reagojnë sa më shpejt dhe të ndërmarrin masa konkrete për të parandaluar përkeqësimin e gjendjes. Sipas Haradinajt, mbështetja e sektorit të qumështit nuk është vetëm çështje e interesit të prodhuesve, por lidhet drejtpërdrejt me sigurinë ushqimore, punësimin, zhvillimin e bujqësisë dhe forcimin e ekonomisë vendore.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
