Dënohet për spiunazh ish-punonjësja e OSBE-së, Gjukanoviq merr 6 vjet burg

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtoren Jellena Gjukanoviqin për veprën penale të spiunazhit, duke e dënuar me gjashtë vjet burgim. E akuzuara ishte e pranishme në sallën e gjyqit gjatë shpalljes së aktgjykimit. Gjukanoviq ishte arrestuar më 28 shkurt 2025 në pikën kufitare të Jarinjës dhe që nga ajo kohë ndodhej në paraburgim. Aktakuza ndaj saj ishte ngritur në shtator të po atij viti, ndërsa gjykimi kishte nisur më 16 shtator. Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, ajo kishte transmetuar informacione tek Agjencia Serbe e Sigurisë dhe Inteligjencës (BIA), duke rrezikuar rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës. Në seancat gjyqësore u tha se Gjukanoviq kishte kontakte me zyrtarë të BIA-s në Novi Pazar dhe Beograd. Prokuroria pretendoi se ajo kishte shfrytëzuar pozitën e saj si punonjëse e OSBE-së për të ndihmuar krijimin e një narrative armiqësore ndaj institucioneve të Kosovës, duke cenuar sigurinë e zyrtarëve shtetërorë, qytetarëve dhe personelit ndërkombëtar. Megjithëse Prokuroria kishte kërkuar dënim prej 25 vjetësh burgim, gjykata vendosi ta dënojë me gjashtë vjet heqje lirie. Gjukanoviq gjatë gjithë procesit kishte mohuar fajësinë.

Kontrolloni gjithashtu

PDK merr epërsinë në Malishevë, bastionin tradicional të Nismës

Partia Demokratike e Kosovës ka dalë në epërsi në Malishevë, një komunë që tradicionalisht është …