driloni com
vipa
Fillimi / Kultura / Dervish Shaqa (1912 – 1985) këngëtari më i përkushtuar i këngës rapsodike shqiptare
Dervish Shaqa (1912 – 1985) këngëtari më i përkushtuar i këngës rapsodike shqiptare

Dervish Shaqa (1912 – 1985) këngëtari më i përkushtuar i këngës rapsodike shqiptare

Lindja dhe vdekja e këngëtarit legjendar të shqiptarëve, Dervish Shaqa shënohet me dy data të rëndësishme historike. U lind në vitin 1912, në vitin më të  përgjakshëm shqiptar, kur Serbia me ndihmë të Rusisë, shteteve sllave dhe evropiane, copëtuan Shqipërinë e katër Vilajeteve dhe ua bënë  “tapi” Greqisë, Bullgarisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Vdiq më 13 prill të vitit 1985, në Tiranë, dy  ditë pasi kishte vdekur edhe  prijësi  komunist i  Shqipërisë, Enver Hoxha, të cilët kishin pasur nderim e respekt të ndërsjellë për njëri tjetrin. Të dy ishin varrosur më 15 prill të vitit 1985.

Dervish Shaqa, u lind në fshatin Llukë e Epërme të Deçanit, në vitin  1912. Deri në vitin 1956, në kohën e “Aksionit” famëkeq për grumbullimin e armëve të shqiptarëve nga regjimi titist-rankoviqist”, jetoi në Kosovë, mirëpo në atë vit  iu desh të lëshonte vendlindjen,  për shkak të përndjekjes nga Sigurimi i Punëve të Brendshme të Jugosllavisë. Së bashku me këngëtarin Demush Neziri, kishin kaluar kufirin dhe ishin  vendosur në fshatin Rashbull afër Durrësit, në Shqipëri.

Ai  në “Nanën Shqipni” vazhdoi traditën e këndimit të këngës shqipe të Dukagjinit, e cila ishte unifikuar si këngë nga Kosova dhe trevat shqiptare nën pushtimin e RSFJ-së. Në Rashbull, themeloi e  udhëhoqi grupin rapsodik nga Kosova.  Po me atë grup në vitin 1968 paraqitet  për herë të parë në Festivalin e Folklorit Kombëtar, në Gjirokastër.

Studiuesi më i zellshëm dhe më i përkushtuar i këngës dhe veprës së Dervish Shaqes, mr. Kadri Rexha, në librin e tij “Dervish Shaqa”, (temë e magjistraturës), botuar në  Prishtinë, në vitin 2012, shkruan:  Me këngën e kulluar shqipe, me melosin e pastër të Dukagjinit dhe me interpretimin plot virtuozitet, Dervish Shaqa u dëshmua dhe u imponua si individualitet i shquar ndër rapsodët më të mirë të kohës së tij. Si personalitet me ndikim të theksuar Dervish Shaqa konsiderohet institucion në vete.  Ata që Dervish Shaqën kanë pasur rast ta shohin dhe ta dëgjojnë duke kënduar në dasmat e Kosovës, me lot në sy, me përmallim, me fjalët më të mira flasin për rapsodin dhe për interpretimin e papërsëritshëm të tij. Në mënyrë të veçantë ata i shquajnë këngët patriotike, këngët kushtuar trimave të kësaj toke, këngët kushtuar luftërave të pandërprera kundër armiqve turq dhe serbo-malazezë që e kishin pushtuar atdheun tonë. Ata flasin për interpretimin e tij të pa kund shoq, për meloditë, për “mekamin” e moçëm shqiptar larg çdo elementi oriental, për shqiptimin e pastër të fjalës, për timbrin e veçantë të vokalit të tij, për gjestet, për aktrimin gjatë këndimit si dhe për afërsinë dhe dashurinë që ai rrezatonte tek dashamirët e këngës dhe tek publiku në përgjithësi.  (Kadri Rexha: Dervish Shaqa, Prishtinë, 2012, f. 7).

Kënga e Derish Shaqës ruan në vete karakteristikat më origjinale të këndimit shekullor shqip, të atij këndimi rapsodik, mbase edhe  relikti i fundit i  këndimet të “eodëve” antikë, që kanë lënë gjurmë të thella kudo në këngën e muzikën e popujve të Ballkanit, veçanërisht në këngën shqipe, e cila ruajti origjinalitetin autentik,  pavarësisht ndikimeve të fuqishme nga orienti dhe muzika bizantine ballkanike.

Për dallim nga këngëtarët e shkolluar, të cilët marrin edukatën muzikore gjatë arsimimit, Dervish Shaqa,  shkollën e këngës së tij e kishte kryer në odat shqiptare, ku jo vetëm këndohej, por edhe kumtohej e komentohej përditshmëria, historia, e kaluara, filozofia popullore, humori e satira, rrëfimi dhe anekdota, ku  ndahej drejtësia, ku komentohej, specifikohej e lakohej  me zhdërvjelltësi çdo nen  i Kanunit të Lekës, ku lidheshin miqësi dhe ku burrat merrnin vendime me rëndësi në raste të caktuara…

“Shkollën popullore të odave shqiptare”, Dervish Pasha e kishte maturuar me notën maksimale. Veç kësaj, në “Nanën Shqipni”, ai kishte gjetur terren e klimë të pastër kombëtare për ta vazhduar këngën, për ta thelluar përmbajtjen e temën  dhe për ta vënë atë në shërbim të popullit, të Atdheut, të historisë dhe aspiratave kombëtare për çlirim dhe bashkim kombëtar. Pavarësisht sesi e interpretojnë sot këngën e tij disa mendje “shkencore”, të cilët dikur i duatrokisnin Shqipërisë Socialiste dhe prijësit, Enver Hoxha dhe sot e përdhosnin dhe bëjnë përpjekje ta  deformojnë sa më shumë, Dervish Shaqa gjatë tërë jetës i mbeti besnik kombit dhe  Shqipërisë, e tillë çfarë kishte qenë në kohën e tij. Ai gjatë tërë jetës këndoi dhe jetoi vertikalisht, burrërisht, njerëzisht…

Kënga e Dervish Shaqës ka shumë veçanti origjinale, të cilat rapsodi i ka vjelë me mjeshtri, jo vetëm nga tradita por edhe nga bashkëkohësit, nga kënga folklorike shqiptare, e cila ruante dhe në një masë ruan edhe tani tingullin e pastër të shpirtit muzikor shqiptar.

Duke qenë përfaqësues tipik i këngës së Kosovës, ai arriti ta unifikojë dhe ta tipizojë një këndim me veçantë autentik  shqiptar, që kishte filluar të ushtronte ndikim  jo vetëm te  shtresa e njohur e rapsodëve në Kosovë, por edhe në trevat veriore të Shqipërisë. Kënga e tij ishte prore e pranishme në valët e Radio-Tiranës, Radio-Kukësit, Shkodrës e etj. Ajo përhapej kudo në Kosovë e në trevat ku jetonin shqiptarët. Emri e kënga e tij  kishin shpërthyer eterin në nën qiellin e  kombit dhe kishin arritur deri në mërgatën e largët.

Kënga e Dervish Shaqës dëgjohej me përkushtim e respekt, ajo ngjallte emocione atdhetare te të gjithë shqiptarët liridashës.

Emri i tij radhitej në mesin e rapsodëve më të njohur të kohës si: Tomë Nikolla, Frrok Haxhia, Aziz Ndreu, Sali Mani, Qerim Sula, Rizah Bllaca, Salih e Feriz Krasniqi e të tjerë. Sharkia e çiftelia e tij përçonin zërin burrëror  që buronte nga një shpirt i pastër dhe i përkushtuar deri në palcë, duke kënduar gjithnjë  për kombin e Atdheun, për traditat, trimërinë shqiptare nëpër shekuj, për  heroizmin dhe epikën, besën e burrërinë, për punën, dashurinë dhe hiret e jetës.

Doemos se Dervish Shaqa i ka kënduar edhe Shqipërisë Socialiste të kohës, sepse ishte ajo Shqipëria që i kishte dhënë shtytje historike zhvillimit, ndërtimit e përparimit të të gjitha segmenteve të jetës shqiptare, pavarësisht si komentohet sot nga mendje-terratisurit, nga ata që Atdheun e duan për ta zhvatur dhe për të jetuar mbi kurriz të të tjerëve, dhe jo për ta përparuar dhe zhvilluar atë.  Ai i kishte kënduar Enver Hoxhës, jo se kishte qenë i porositur, por sepse atij dhe Shqipërisë Socialiste të kohës, i  kishte kënduar tërë një popull. Kënga nuk këndohet nga zori. Edhe nëse këndohet ajo del e deformuar, pa jetë, pa frymëzim, pa shpirt. Del një palo këngë, këngë  mushke si ato këngët dygjuhëshe, shqip-serbisht,  që ishin kënduar dikur  në Kosovë nga disa rapsodë, si: “Oj dragane iza brega” ( o i dashun ne at’ breg) ose Marshall Tita n’ kali  t’  bardhë, e të tjera, të cilat nën ndikimin e fuqishëm të këngëve nga Radio Tirana u shuan sikur shuhet  vesa e mëngjesit nga dielli veror.

Deri në cilin nivel kishte arritur ta pushtonte publikun dhe dëgjuesin shqiptar në përgjithësi kënga e Dervish Shaqës, tregon edhe interesimi i kompozitorëve të shquar e muzikës shqiptare për ta marrë në konsideratë dhe për ta përpunuar atë. Mbi melodinë dhe tekstin e këngës së  Dervish Shaqës, kompozitori i mirënjohur shqiptar, Tish Daija ka përpunuar  këngën “Festë të madhe ka sot Shqipëria” , e cila për më shumë se dy dekada ka qenë kënga më e pranishme, më e preferuar dhe më e dëgjueshme  në radiot  dhe  në Televizionin Shtetëror  të Shqipërisë.

Kontrolloni gjithashtu

Msc. Adem Lushaj: Rrugëtimi që lidhi Gjakovën historike, me Ulqinin turistik dhe Krujën e Skënderbeut

Me rastin e turnit treditor të “Muzave të Alpeve”, të organizuar nga Shoqata e Shkrimtarëve ...