Ahmet Qeriqi

Dështimi i radhës në Bruksel, tregon më së miri se BE-ja do ta mbështesë autonominë e plotë për serbët në veriun e Kosovës

Pas dështimit të radhës të dialogut më 15 shtator 2023, në Bruksel, disa  diplomatë dhe analistë ndërkombëtarë pajtohen me qëndrimet e tyre se BE-ja  me ndërmjetësimin e saj,  nuk mund të arrijë marrëveshje në mes të Serbisë dhe Kosovës, për shkak se tashmë po shihet krejt  qartë, se ka anim drejt projektit të Beogradit për auton0minë e plotë të serbëve në veri, pavarësisht se si do të quhet ai entitet vetëqeverisës.

Realisht serbët në veri janë autonomë prej qershorit të vitit 1999, kur forcat franceze të NATO-s  zbarkuan në Mitrovicë dhe e vendosën kufirin ndarës mbi Urën e Lumit Ibër të Mitrovicës.

Deputeti gjerman, Thomas Hacker, ka thënë se  nëse takimi në Bruksel nuk jep  rezultate konkrete, procesi i normalizimit në mes të Kosovës dhe Serbisë rrezikon do të dështojë përfundimisht. Ai thotë se është koha që BE-ja ta shfrytëzojë ndikimin e saj ekonomik në të dyja vendet për të promovuar normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.  Realisht, BE-ja po e shfrytëzon ndikimin ekonomik, por vetëm kundër Kosovës, jo kundër Serbisë. Kjo është krejtësisht e qartë, meqë Serbia ka një pozitë më të favorshme, në kërkim të realizimit të marrëveshjeve të vitit 2013.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka marrë përsipër dialogun dhe po bën si do vet, nuk është në gjendje të bëjë asnjë përparim, në këtë drejtim, përkundrazi po sharron thellë e më thellë në batakun e tij autarkik, duke e vënë Kosovën në pozicion të një shteti të padëgjueshëm, që shpërfillë të gjithë aleatët.  

Rreziku që Amerika të rreshtohet  me qëndrimet e BE-së tashmë është evident. Kjo kuptohet më së miri  në reagimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili shprehet i zhgënjyer pasi nuk  u arrit  përparim në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve. Në reagim thuhet: Presim që të dyja vendet t’i marrin seriozisht obligimet e tyre me Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, që kanë arritur më herët, në këtë vit. Koha po kalon. Ne duam të shohim përparim në obligimet ekzistuese dhe të mëparshme, të ndërmarra në dialog dhe me Marrëveshjen e Ohrit, duke përfshirë këtu themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë. Ne do të konsultohemi brenda dhe me partnerët tanë evropianë për hapat e ardhshëm, pasi dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja është e vetmja rrugë  për Kosovën dhe Serbinë.

Theksi i reagimit zyrtar amerikan është themelimi i Asociacionit, të cilin, Albin Kurti po e kushtëzon me pranimin paraprak të pavarësisë së  Kosovës, nga Serbia.

Reagimi i BE-së, sado i matur dhe i balancuar  është më decidiv në qëndrimet  pro Serbisë. Pas takimit të dështuar në Bruksel, BE-ja e akuzon Kosovën se po pengon normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Në reagimin zyrtar të BE-së thuhet:  Nuk arritëm t’i  tejkalojmë diferencat, tha me  këtë rast shefi i BE-së për Politikën e Jashtme, Josep Borrell, pas takimit në Bruksel me kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, takim, i cili u quajt sërish një dështim i radhës. Borrell,  tha se Kurti nuk është i gatshëm t’u japë më shumë autonomi dhe të krijojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Por për këtë Kosova ka rënë në ujdi në dialogun 10 vjeçar me Serbinë të mbështetur nga BE-ja. Kryeministri Kurti kishte këmbëngulur në Bruksel, se para dhënies së autonomisë për komunat serbe në Kosovë, Serbia duhet që ta njohë Kosovën. Borrelli i ka propozuar Kurtit dhe Vuçiqit që të zhvillojnë paralelisht planet për Asociacionin e Komunave Serbe dhe njohjen e Kosovës. Konkretisht propozimi i Borrellit ishte që një kohë që fillon ngritja e Asociacionit të rënë në ujdi prej kohësh, nga ana e Serbisë do të fillonin hapat për njohjen e Kosovës. Por Kurti për fat të keq ka këmbëngulur në njohjen e Kosovës si hap të parë, u shpreh Borrell, kurse Vuçiqi e pranoi këtë propozim, saktësoi ai.

Theksi i Borrellit nuk është te  kushtëzimi i Kurtit për njohje paraprake nga Serbia, e më pas themelimi i Asociacionit, por te fakti se Albin Kurti nuk është i gatshëm të japë më shumë autonomi dhe të krijojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Divergjencat edhe pse jo të thella në mes qëndrimeve të Amerikës dhe BE-së, megjithatë hetohen dhe do të ishte mirë që Albin Kurti të orientohej ekskluzivisht te qëndrimi amerikan, i cili mbështet parimin fondamental se nuk do të ketë Republikë Serbe në Kosovë, qëndrim të cilin edhe pse nuk e thotë, e mbështet Bashkimi Evropian.

Kryeministri Albin Kurti, më në fund do të detyrohet ta pranojë qëndrimin amerikan, pasi të ketë shlyer nga mendja, “amelikën” dhe ta ketë kuptuar përfundimisht se pa AMERIKËN, nuk ka të ardhme në Ballkan, për Kosovën,  jo se jo,  por as për shqiptarët përgjithësisht, kudo ku jetojnë: në Shqipëri, në  Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Kosovën lindore,  nën Serbi.

Nëse mendjemadhësia dhe arroganca e Kurtit vazhdon ta dëmtojë edhe më tej çështjen shqiptare në përgjithësi, atëherë ai dhe ithtarët e tij që tani nuk janë më as 20 për qind, (kjo është parë në zgjedhjet e fundit lokale  në Kosovë),    duhet të ballafaqohet  jo vetëm me opozitën latente e të përçarë të vendit, por me të gjithë shqiptarët liri-bërës dhe liridashës. Nuk është derdhur kot gjaku i dëshmorëve, që dikush të bëjë politikë për veten dhe partinë e tij,  mbi amanetin e tyre.

Të kesh trurin  dhe të injorosh këshillat e Amerikës, shtet pa të cilin nuk do kishte kurrë, Shqipëri as Kosovë, të kesh sy e të mos shohësh se e ke izoluar vendin nga të gjithë miqtë, se ke marrë edhe ndëshkime e sanksione prej tyre, të kesh vesh e të mos dëgjosh çka flasin, si fyejnë e injorojnë, si skandalizohen e i vërsulen  kujtdo që nuk mendon si prijësi i tyre, sikur bëjnë:  dona Mimoza, dona Shvarc, dona Haxhiu, dona Pacolli, dona Rozeta, shoku Bislimi, shoku Murati, shoku Sveçla, shoku Statovci, shoku Basha, shoku Bajqini e shumë të tillë, këto tregojnë se prijësi, Albin Kurti,  pajtohet me të gjithë, sepse nuk ndodhi as edhe rastësisht ta kritikojë ndonjërin  për deklarimet   ndër më të ulëtat e më skandalozet, më antikombëtarët, sidomos ato të Hekuran Muratit për veteranët e UÇK-së, dona Shvarcit për BE-në, dona Millakut për Hashim Thaçin e UÇK-në dhe  jo pak të tjerë, që përditë dërdëllisin, fryhen si gjeldeca, krenohen se po i kundërvihen “Amelikës” dhe BE-së, në kohën kur kanë humbur busullën dhe sillen  kuturu, me papërgjegjësi, me  injorancë e naivitet e disa edhe me veprime anarkike…

Është kohe e fundit që Albini dhe albinistët të kthjellën, të hapin rrugë me hatër, ose me protesta e demonstrata adekuate, për ta nxjerrë vendin nga kriza e shumëfishtë në të gjitha segmentet e qeverisjes të dështuar.

 

Ahmet Qeriqi

  1. 9. 3023

Prishtinë

Kontrolloni gjithashtu

Azgan Haklaj

Azgan Haklaj: Maqedonia e Veriut në udhëkryqin e integrimit dhe destabilizimit! 

 Fitorja e nacionalizmit maqedonas me retorikë filo-ruse, të shprehur qartë në  fushatë në thelb në …