Doli në dritë libri: “Loti që nuk shuhet kurrë”, i autorit, Ramadan Rizani

Doli në dritë libri: “Loti që nuk shuhet kurrë”, i autorit, Ramadan Rizani

Veterani i arsimit dhe i luftës së UÇK-së, Ramadan Rizani nxori  në dritë përmbledhjen letrare publicistike, “Loti që nuk shuhet kurrë”

Pas botimit të librit publicistik, “Krojmiri, strehë për mijëra të zhvendosur gjatë luftës”, në vitin 2020,  veterani i arsimit dhe i UÇK-së, Ramadan Rizani nga fshati Krojmir i Drenicës, nxori në dritë edhe përmbledhjen,    “Loti që nuk shuhet kurrë”, me tematikë nga lufta e UÇK-së por edhe rrëfime të tjera.

Ramadan Rizani në këtë vepër  ka sjellë në kujtesë edhe shumë rrëfime, të tjera sidomos  të kohës së  luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Krojmir dhe fshatra përreth  gjatë vendosjes së parë, në verë të vitit 1998 dhe vendosjes së dytë masive në muajt prill maj qershor të vitit 1999.  Ai ka shkruar tregime të shkurtra kryesisht me motive nga koha e vuajtjeve të shqiptarëve gjatë robërisë serbe, veçmas pas luftës së Dytë  Botërore dhe ri mbetjes së Kosovës nën sundimin e ish RSFJ-së dhe të Serbisë deri në qershor të vitit 1999.

Pa pretendime për të ndërtuar një strukturë të veçantë rrëfimi, Ramadan Rizani, në diskursin e tij letrar, është mjaftuar për rrëfime të thjeshta, të shkurtra, por që secili ka një përmbajtje të caktuar, qoftë si  motiv, mesazh apo thjesht si rrëfim, i cili i ka ngelë në kujtesë më shumë, sikur rasti i “Aksionit për grumbullimin e armëve” i dimrit të viteve 1955-1956, kur ai ishte në moshë shumë të re,  me të cilin edhe fillon libri. Ajo histori e dhunshme e mizore e rrahjes masive të burrave, duke u kërkuar pushkët që nuk i kishin, apo që i detyronin t i blinin për të mos i torturuar edhe më tej, i ka ngelur në kujtesë si lajtmotiv  tmerri, që nga mosha e fëmijërisë kur sapo kishte filluar  të shkonte në shkollë.

Kjo përmbledhje dokumentare letrare shquhet për  thjeshtësi në rrëfim, për qasje reale me personazhe po ashtu reale, të cilat i kanë shërbyer autorit për të  rrëfyer botën e preokupimeve të tij, që krejtësisht lidhen me fatin e popullit, me dhunën që për shumë vite kishte ushtruar regjimi serb e jugosllav, deri në kohën e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Vlera ideo-artistike e këtyre rrëfimeve qëndron  në pozicionin e tij të fortë kombëtar, militant, duke qenë se prej fillimit, Ramadan Rizani, apo sikur e quanin shkurtimisht, “Mësuesi Dan”  ishte pjesë e luftës çlirimtare me krejt familjen, me shumë të afërm dhe me pjesën dërrmuese të banorëve të fshatit. Me bashkëveprimtarët ishte vënë në shërbim të konsolidimit të radhëve të luftës, në pjesën jugore të Drenicës, e njohur edhe si Drenica e Epërme në saje të konfiguracionit gjeografik dhe kishte dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në organizimin  e shtabeve  civile ushtarake, duke ushtruar kontroll në mesin e popullatës dhe duke u interesuar maksimalisht sidomos për popullatën  e zhvendosur në “Grykën e Shpëtimit”, në Krojmir prej fillimit e deri në mbarim të luftës. Ajo periudhë dhe koha që ka kaluar  në mesin e popullatës, sidomos me bashkëveprimtarët, Heset Hamdi Olluri, tani i ndjerë dhe Vehbi Tafil Qeriqi e me shumë të tjerë, i ka ngelur thellë  në kujtesë si koha më e çmuar  dhe më me vlerë e tërë jetës, sepse në ato troje gjatë 400 ditëve të luftës, vetëm dy net kishin depërtuar forcat ushtarake e policore serbe.

Kujtimet dhe rrëfimet për luftën të Ramadan Rizanit në këtë përmbledhje,  kanë vlera dokumentare por edhe letrare e artistike, Ato  janë rrëfime të përjetuara, të cilat nuk harrohen sepse kanë ngelur thellë në kujtesë një kohë të caktuar dhe vendimtare për kombin e atdheun. Duke qenë edhe vetë protagonist i  luftës së UÇK-së, duke mos hezituar  për asnjë moment  për ta dhënë kontributin e vetë dhe duke mos u hamendësuar asnjëherë, sikur bënë disa të tjerë, autori i këtij libri,  lë mbresa për përshkimin realist të rrëfimeve nga këndi i tij i pasqyrimit të subjektiv të realiteti objektiv të kohës. (Ahmet Qeriqi)

Libri ka 108 faqe, në formatin A5, botues Radio Kosova e lirë, shtypshkronja Shkrola.

Kontrolloni gjithashtu

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Doli nga shtypi Libri: “Analiza, kumtesa, poezi, politikë”, i autorit, Ismet Begolli

Libri i Ismet Begollit: Analiza,  kumtesa, poezi, politikë”, është një përmbledhje e veçantë krijuese, në …