Doli nga shtypi libri: “Lindja dhe organizimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” i autorit, Skënder Hamzaj

Në fundshekullin XX, saktësisht në periudhën e viteve 1997-1999, populli i Kosovës përjetoi dhunën, dëbimin, vrasjet e masakrat më të egra e barbare, që njerëzimi i kish harruar prej kohësh. Këtë fushatë represive të shfarosjes gjer në gjenocid ndaj shqiptarëve po e ushtronte aparati shtetëror policor dhe ushtarak i Serbisë. 

Klika gjakatare serbe, në fillimvitet ’90, nxori prej katakombeve mesjetare arsenalin e armëve më makabre të krimit dhe torturave, për t’i përdorur ndaj popujve të tjerë të ish-Jugosllavisë, që kërkonin të jetonin në liri në trojet e veta të trashëguara ndër shekuj. 

Edhe te ne, për të gjunjëzuar dhe mposhtur popullin shqiptar të Kosovës, forcat paraushtarake, ushtarake e policore serbe kryen krimet e torturat më çnjerëzore, që iu bënë të njohura opinionit botëror nëpërmjet shumë mediave të shkruara dhe adiovizive. 

Për heroizmin dhe qëndresën e popullit tonë, gjatë viteve 1997-1999 e për luftën e tij nën udhëheqjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë shkruar shumë libra prej autorëve të huaj dhe shqiptarë, që për së afërmi e vëzhguan dhe u përpoqën të pasqyronin me vërtetësi këtë ngjarje që tronditi rajonin e Ballkanin dhe turbulloi shumë ndërgjegje njerëzore. Po me këtë tematikë, një libër të veçantë do ta shkruajë edhe prof. Skënder Hamzaj, nga Mitrovica, veprimtar i cili u angazhua në Kosovë, që nga fillimi i themelimit të organizatës ushtarako-politike “Fronti i Rezistencës dhe për Bashkim Kombëtar”, anëtar i së cilës ishte, por në strukturat udhëheqëse të saj. 

Në librin monografik “Lindja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, të autorit Skënder Hamzaj do të gjejmë informacione të shumta e të sakta për fillet e rezistencës sonë gjatë viteve ’90 të shek. XX, si dhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, lindjen e saj, themeluesit, strukturat udhëheqëse dhe betejat e saj për liri.

Me krismat e pushkëve çlirimtare të Adem Jasharit, të Hamzës e babë Shabanit, të Abedin Rexhës-SANDOKANIT e të Zahir Pajazitit, nisi epoka e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga krismat e së cilës u detyrua doemos të aktivizohej patjetër edhe diplomacia europiane dhe ajo botërore, madje edhe ushtarakisht me aleancën veri-atlantike NATO-n, për t’i dhënë zgjidhje këtij konflikti. 

Prof. Skënder Hamzaj, gjithnjë me vërtetësi na njofton me të gjitha këto zhvillime, me shumë ecejake të personaliteteve më të larta politike botërore, madje nga më të rëndësishmet, si presidenti amerikan, Bill Klinton, kryeministri britanik, Toni Bler e shumë të tjerë; me takime të pareshtura në kryeqytetet e Europës për të shuar zjarrin e ndezur në Ballkan dhe për të ndaluar dorën kriminale ndaj popullit kosovar.

Në duart e lexuesve tanë, për ta mbajtur të freskët në kujtesën e tyre atë kohë të sakrificave të djemve e të vashave më të mira të kombit, që u rreshtuan në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për t’u shkëputur njëherë e përgjithmonë nga vargonjtë e robërisë serbe; rreth heroizmit të pashoq të shqiptarëve, kudo në Kosovë (në Drenicë, Llap, Shalë, Dukagjin, Anamoravë e gjetiu); për krimet serbe në Kosovë, tashmë vjen ky libër i ri, i shkruar prej një protagonisti e dëshmitari, që me vërtetësi i ka paraqitur të gjitha ato zhvillime të asaj kohe të pakohë, me masakrat dhe torturat që ushtronte okupatori, por edhe me heroizmin ademjasharian të popullit tonë liridashës.

Libri i Prof. Skënder Hamzaj-t, është i veçantë në llojin e tij për problemet e Kosovës. Ai është përpjekje e suksesshme për të nxjerrë në dritë shumë të vërteta ende të pathëna rreth luftës në Kosovë. Autori dëshmon, akuzon dhe argumenton me fakte të shumta e të padiskutueshme masakrat dhe barbaritë serbe mbi popullatën e pafajshme. Çdokush që lexon këtë libër rrënqethet, drithërohet para ndodhive të pabesueshme, por që kanë ndodhur dhe pyet: Si ka mundësi që në ditët e sotme të përsëriten krimet më të egra e më barbare që ka njohur njerëzimi në kohët më të errëta dhe nga protagonistët më barbarë?

Në faqet e këtij libri do të gjeni informacione të bollshme për ASPIRATAT E SHQIPTARËVE PËR BASHKIM KOMBËTAR, për ORGANIZATËN USHTARAKO–POLITIKE “FRONTI PËR REZISTENCË DHE BASHKIM KOMBËTAR”, (anëtar i së cilës ishte edhe vetë autori i librit, madje edhe në strukturat udhëheqëse të saj); qëllimin e themelimit, objektivat dhe disa nga veprimtarët politikë, siç ishin, Sokol Dobruna e Mentor Kaçi, prof. Enver Haliti, Azem Hysen Drenica, Nasuf Sylejman Shabani e ndonjë tjetër. 

Temë bosht e librit është LINDJA E USHTRISË ÇLIRIMTARE dhe ORGANIZIMI FILLESTAR i saj, për të vazhduar pastaj me LUFTËN E FAMILJES SË SHABAN JASHARIT ME FORCAT USHTARAKE DHE POLICORE TË SERBISË, me AKSIONET GUERILE TË USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS, për SULMIN E PARË E TË DYTË të POLICISË SË SERBISË KUNDËR PJESËTARËVE TË USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS, për BETEJAT FRONTALE TË USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS, për TRI BETEJAT E JASHARËVE, për PERSONALITETIN E ADEM JASHARIT, të ABEDIN REXHËS-SANDOKANIT, TË ILAZ KODRËS etj.

Autori pastaj na sjell njohuri dhe fakte për STRUKTURIMIN dhe RISTRUKTURIMIN E USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS, ku tregon cilët ishin ANËTARËT E SHTABIT TË PËRGJITHSHËM TË UÇK-së dhe për FORMIMIN DHE ORGANIZIMIN E ZONAVE DHE NËNZONAVE OPERATIVE, për KOMANDANTËT E ZONAVE OPERATIVE TË USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS, për DISIPLINËN NË NJËSITET E USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS, për SHËRBIMIN INTELIGJENT TË UÇK-së etj.

Në vazhdim të librit, autori Prof. Skënder Hamzaj shkruan edhe për INFILTRIMIN E NJERZËVE TË SERBISË NË RADHËT E UÇK-së, për OFENSIVAT E FORTA TË SERBISË NË DRENICË; për REAGIMET NDËRKOMBËTARE dhe për TAKIMET E PËRFAQËSUESVE USHTARAKË E POLITIKË TË UÇK-së ME FAKTORËT NDËRKOMBËTARË, siç ishte TAKIMI Z. ALBERT ROHAN-LULI. Pastaj kemi informacione për figurat e KOMANDANT “LULIT”, të ADEM DEMAÇIT, TË HASHIM THAÇIT- SI UDHËHEQËS ORGANIZATIV DHE POLITIK I USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS; të JAKUP KRASNIQIT, SI ZËDHËNËS I USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS, TË REXHEP SELIMIT, të BEKIM BERISHËS DHE BEDRI SHALËS, BASHKËLUFTËTARË NË LUFTËN ÇLIRIMTARE TË ATDHEUT, të luftëtarit BESIM MALA-KOMANDANT MURRIZI, të KOMANDANTIT ABAZ THAÇI- HERO I KOMBIT; TË GJENERAL RRUSTEM BERISHËS, TË LUFTËTARIT ESAT KRASNIQI-KOMANDANT I KAZERMËS NË KOSHARE; TË GENERALIT FADIIL HADËRGJONAJ-KOMANDANT BJESHKA; TË GJENERALIT SYLEJMAN SELIMI, TË SAFET BOLETINIT – KOMANDANT TIGRI, HERO I POPULLIT KOMANDANT I PËRGJITHSHËM I LUFTIMEVE, NË FRONTIN E KOSHARES; GJENERALIT HISEN BERISHA, e sidomos të GJENERALIT KUDUSI LAMA-GJENERAL I LUFTËS ÇLIRIMTARE DHE FAKTOR I UNITETIT, TË FADIL DEMIRIT, OFICER I KARRIERËS, VEPRIMTAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE DHE LUFTËTAR PËR LIRI DHE PAVARËSI, por edhe të BUJAR BUKOSHIT, si kryeministër në ekzil dhe tejet destruktiv. 

Autori shpjegon mjaft qartë edhe për KARAKTERIN POLITIK TË USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS. E kaptinë e veçantë është KONFERENCA NË RAMBUJE dhe MARRËVESHJA NDËRKOMBËTARE PËR KOSOVËN, po NË RAMBUJE dhe DHJETË PIKAT E ASAJ MARRËVESHJEJE, për të treguar pastaj për BRIGADËN – 111 “ADEM JASHARI” TËE USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS, ZOD; për PAJISJET DHE LLOJET E ARMATIMIT TË UÇK-së; për BETEJËN NË LIKOSHAN DHE QIREZ, MË 28 SHKURT 1998; PËR PLANIN OPERATIV SEKRET PËR SHKATËRRIMIN E USHTRISË ÇLIRIMARE TË KOSOVËS dhe për KUNDËRSHTARËT E USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS, për BATALIONIN E VULLNETARËVE NË KOSHARE dhe për BETEJËN E KOSHARES etj.. 

Në faqet e këtij libri tejet interesant, të shkruar nga profesori penartë Skënder Hamzaj, do të njihemi me falangat ogurzeza serbe, që shpalosën flamurin e zi dhe të kobshëm të egërsisë mbi popullin tonë; me kontura skenash të përgjakshme me viktima civile (fëmijë, pleq e gra) të masakruara e të torturuara barbarisht. 

Në anën tjetër, po në faqet e këtij libri, autori i zellshëm prof. Skënder Hamzaj lartëson shpirtin liridashës, guximtar dhe të paepur të popullit shqiptar në Kosovë përpara çdo barbarie, e në veçanti heroizmin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Libri është përmendore, homazh dhe memorial për ata qindra- mijëra pjesëtarë të etnisë shqiptare, që u masakruan, derdhën gjakun dhe sakrifikuan jetën për lirinë e Kosovës.

Historia e Kosovës martire ende nuk është shkruar sa duhet e si duhet, prandaj në fletët e këtij libri gjendet vërtet dhimbja, tmerri, krimi, por edhe krenaria e heroizmi i bijave e bijve më të denjë të popullit, që në Kosovë u ngritën në luftë për paqe, të rreshtuar në varganin e gjatë të UÇK-së. 

Në fund të fjalës sonë, duke e përgëzuar autorin e librit “Lindja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, prof. Skënder Hamzajn, për këtë punë kolosale që ka bërë, le të kujtojmë fjalët e një burrështetasi: “Në qoftë se nuk luftoni kur fitorja mund të arrihet, atëherë do të detyroheni të luftoni kur fitorja do të arrihet me vështirësi, por vdekja është me e parapëlqyer se skllavëria e përjetshme”.

Zymer Mehani, Besianë, më 1 tetor 2023

 

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Stigmatizimi i tradhtisë në këngët tona rapsodike është temë e veçantë e memories shqiptare

Kënga e Kolë Gjegjit dhe Kënga e Lym Hoxhës Stigmatizimi i tradhtisë në këngët tona …