Doli nga shtypi përmbledhja poetike Rrënjët trungu dhe fryti pellazg i autorit, Mr. Salih Salihu

Doli nga shtypi përmbledhja poetike Rrënjët trungu dhe fryti pellazg i autorit, Mr. Salih Salihu

Në shënim të 17 shkurtit,  11-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Drejtoria për Kulturë, në Besianë, përuron përmbledhjen poetike të Salih Salihut, “Rrënjët trungu dhe fryti pellazg”. Përurimi bëhet ditën e diel, në sallën e filmit të Shtëpisë së Kulturës, në Besianë, duke filluar në orën 13.00.

 

Veprimtari, studiuesi, i burgosuri politik dhe luftëtari i lirisë së Kosovës, mr. Salih Salihu ka nxjerrë në dritë përmbledhjen poetike, “Rrënjët trungu dhe fryti pellazg”. I njohur në Kosovë si militant i vitit 1981, autori i kësaj përmbledhjeje poetike ka mbajtur 14 vjet burg në kazamatet e ish Jugosllavisë së Titos dhe në burgjet e kryekriminelit serb,  Milosheviq.  Salih Salihu është studiues, poet e veprimtar konsekuent i çlirimit dhe bashkimit kombëtar.

Në përmbledhjen e tij poetike, të cilën e ka nxjerrë në dritë në 550-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, ai ka prezantuar  poezi të motiveve të ndryshme, por me tematikë e përmbajtje kombëtare, në të cilat ka pasqyruar fatin e shqiptarit ndër shekuj, nga rrënjët e hershme ilire e pellazge deri në kohën tonë kur kombi shqiptar doli në vete si komb me gjuhë dhe kulturë autentike, edhe pse i ndarë dhe i copëtuar edhe sot e kësaj dite.

E veçanta e kësaj përmbledhjeje poetike janë poezitë, të cilat i ka shkruar dhe i ka ruajtur në kushte të veçanta dhe të pabesueshme. Duke qenë se në burgjet e regjimit titist, të burgosurve shqiptarë nuk u lejohej lapsi as letra, përveç në raste kur shkruanin ndonjë ankesë apo letër, Salihut i kishte lindur ideja si t’ i ruante poezitë dhe t’i nxirrte nga burgu para se të dilte vetë. Ai kishte shkoqur pjesë të çarçafëve të bardhë dhe në to kishte shkruar poezitë, ndërkohë që ato i kishte fshehur në rrobat, që i merrnin Familja për t i pastruar, me rastin e vizitave.

Për pesë vjet ai kishte vepruar pa u hetuar dhe i kishte nxjerrë nga burgu poezitë pa iu nënshtruar censurës apo edhe ndalimit kategorik nga drejtoritë e burgjeve. Rrengu që Salihu u kishte punuar zyrtarëve të burgjeve është i veçantë dhe shumë inteligjent. Poezitë që i ka shkruar nëpër burgje mbajnë vulën autentike të përjetimit, frymëzimit, preokupimit gjithnjë atdhetar në pasqyrimin e botës shpirtërore. Ato janë poezi të skalitura me kujdes me gjuhë të pasur e figuracion poetik, poezi për burgun, për vetminë e qelinë, për jetën e rëndë nën grila, pa diell pa ajër të pastër, pa ushqim të mjaftueshëm, por me një ideal të fortë për të qëndruar e për të mbijetuar.

Salihu në përmbledhjen e tij poetike,  “Rrënjët trungu dhe fryti pellazg” ka prezantuar edhe poezitë e kohës së luftës, poezi për bashkëluftëtarët dëshmorë, poezi për heroizmin e luftëtarëve të lirisë, poezi lirike e sociale por edhe krijime që kanë të bëjnë me realitetin shqiptar të kohës.( Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

Specialja lehtëson masat për një vizitor të HashimThaçit, kufizimet mbeten për 10 të tjerë

Në gjykatën speciale në Hagë, është marrë vendim që vetëm njërit prej 11 personave t’i …