SHBA sinjalizon ndryshime në KFOR – NATO paralajmëron rishikim gradual të pranisë në Kosovë

Shtetet e Bashkuara pritet të bëjnë ndryshime në kontributin e tyre në misionin e NATO-s në Kosovë KFOR, si pjesë e një procesi më të gjerë të rishikimit të pranisë ushtarake të Aleancës në vend.

Një zyrtar i Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara deklaroi për Radion Evropa e Lirë se vendimi bazohet në rishikimin vjetor të Komandës Supreme të Forcave Aleate në Evropë SHAPE, e cila ka rekomanduar përshtatje të trupave në terren.

Sipas tij, NATO do të “optimizojë pozicionimin” e KFOR-it, ndërsa SHBA do të bëjë një përshtatje graduale të kontributit të saj, bazuar në vlerësime të rrezikut dhe në koordinim me aleatët. Ai theksoi se misioni mbetet kyç për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Ndërkohë, NATO  ka bërë të ditur se do të zvogëlojë gradualisht praninë e saj në Kosovë gjatë vitit të ardhshëm, duke e lidhur këtë vendim me përmirësimin e përgjithshëm të situatës së sigurisë në terren.

Aktualisht, KFOR numëron mbi 4.600 trupa nga 31 vende në Kosovë, SHBA ka rreth 590 ushtarë të dislokuar, përfshirë edhe praninë strategjike në kampin Bondsteel pranë Ferizajt.

Debati për praninë amerikane në rajon është intensifikuar edhe pas raportimeve dhe analizave të ndryshme, përfshirë edhe artikuj në media ndërkombëtare si Politico, që kanë ngritur mundësinë e një rishikimi të rolit amerikan në misionet jashtë vendit.

Ekspertë të sigurisë paralajmërojnë se çdo reduktim i shpejtë i pranisë amerikane mund të krijojë boshllëk sigurie dhe të rrisë rrezikun e destabilizimit në një rajon ende të ndjeshëm, ku tensionet mes Kosovës dhe Serbisë mbeten të pranishme.

Nga ana tjetër, përfaqësues të Departamentit amerikan të Mbrojtjes dhe NATO-s kanë theksuar vazhdimisht se çdo ndryshim do të jetë i koordinuar, gradual dhe i bazuar në vlerësime të kujdesshme të situatës në terren.

Kontrolloni gjithashtu

Fatmir Limaj për rrugën Arllat–Malishevë: Për dy dekada qytetarët janë përballur me të njëjtin problem

 Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka vizituar rrugën rajonale Arllat–Malishevë, ku së shpejti pritet …