Arbana Qeriqi – Gashi: LIRIA DUHET TË KUJTOHET, POR EDHE TË JETOHET

Çdo vit, me të drejtë, shqiptarët urojnë njëri-tjetrin për Vitin e Ri, për Bajramin, për Krishtlindjet dhe për festat e tjera familjare e fetare. Mirëpo, shpesh kalojnë në heshtje ditët që na sollën vetë mundësinë për t’i festuar të gjitha këto: ditët e lirisë, të pavarësisë dhe të sakrificës kombëtare.

Pse ndodh kjo?

Ndoshta sepse ende nuk kemi arritur ta ndërtojmë kulturën e kujtesës si detyrim qytetar dhe kombëtar. Festat fetare trashëgohen natyrshëm brenda familjes, përsëriten çdo vit me rituale të qarta dhe mbështeten nga institucionet fetare.

Ndërsa kujtesa për luftën çlirimtare, për të Rënët dhe për historinë tonë kombëtare shpesh mbetet e kufizuar vetem në akademi përkujtimore, në homazhe zyrtare ose në fjalime të rastit.

Për mendimin tim eshtë paradoksale që 28 Nëntori Dita e Flamurit dhe e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, të mos përjetohet me të njëjtin entuziazëm në çdo shtëpi shqiptare. Po ashtu, 17 Shkurti, dita e Pavarësisë së Kosovës, dhe 12 Qershori, Dita e Çlirimit,  data qe ende nuk kanë marrë dimensionin e festave që bashkojnë të gjithë kombin në një emocion të përbashkët.

Liria duhet të ruhet si sytë e ballit. Një popull që harron luftën e të Rënëve, rrezikon të humbasë ndjenjën e përgjegjësisë ndaj shtetit dhe identitetit të vet.

Çfarë duhet bërë?

Së pari, familja duhet të bëhet institucioni i parë i kujtesës. Fëmijët duhet të dëgjojnë rrëfimet për dëshmorët, për vuajtjet dhe luften qe solli lirinë.

Së dyti, historia e luftës çlirimtare duhet të trajtohet më thellë në shkolla, jo vetëm si fakt kronologjik, por si edukim për përgjegjësinë qytetare dhe dashurinë ndaj atdheut.

Së treti, institucionet shtetërore dhe komunale duhet t’i shndërrojnë këto data në festa gjithë popullore, me aktivitete kulturore, artistike, sportive dhe edukative që përfshijnë të gjitha moshat.

Së katërti, mediat kanë përgjegjësi të madhe. Në vend që këto data të trajtohen vetëm si kronika ceremoniale, ato duhet të sjellin dëshmi, dokumentarë dhe rrëfime njerëzore që zgjojnë ndërgjegjen kombëtare, siç vepron vetëm Radio Kosova e Lirë qe 27 vite dhe Televizioni Dielli qe 11 vjet.

Pra, secili prej nesh duhet të fillojë nga gjesti më i thjeshtë: të urojë. Të themi me krenari: “Gëzuar Ditën e Çlirimit!”, “Gëzuar 28 Nëntorin!”, “Gëzuar Ditën e Pavarësisë!”. Një urim nuk është formalitet; është dëshmi se kujtojmë dhe nderojmë.

Liria e Kosovës nuk erdhi rastësisht. Ajo është e larë me gjakun e mijëra bijve e bijave me të zgjedhur te këtij vendi. Prandaj, këto data nuk duhet të jenë vetëm ditë pushimi në kalendar, por ditë reflektimi, mirënjohjeje dhe krenarie kombëtare.

Brezi që e fitoi lirinë ka përmbushur misionin e vet. Brezi ynë ka një detyrë tjetër: ta ruajë kujtesën dhe t’ua trashëgojë atë brezave që vijnë.

Sepse një komb jeton aq gjatë sa kujton.

Qoftë kujtimi për të Rënët udhërrëfyesi ynë i përhershëm, ndërsa LIRIA e Kosovës të mbetet përgjithmonë e mbrojtur me dashuri, unitet dhe përgjegjësi.

Urime Dita e Çlirimit Kosovë! Lavdi dëshmorëve të kombit dhe nderim i përjetshëm për të gjitha familjet që e shkruan historinë e lirisë me gjakun dhe sakrificën e tyre.

Kontrolloni gjithashtu

Milaim Sylejmani: Kapitullimi i Milosheviqit midis presionit të NATO-s dhe goditjeve finale të UÇK-së, qershor 1999

#QERSHOR 1999, Kapitullimi i Milosheviqit midis presionit të NATO-s dhe goditjeve finale të UÇK-së Midis …