I mbijetuari i masakrës së Dubravës, Sadik Zeqiri, ka bërë thirrje për masa më të ashpra ligjore ndaj personave që përdorin rrjetet sociale për fyerje dhe akuza të pabazuara, duke vlerësuar se ky fenomen po dëmton rëndë klimën shoqërore në Kosovë. Zeqiri tha se liria e shprehjes nuk duhet të shndërrohet në mjet për sulme personale dhe gjuhë denigruese ndaj figurave publike dhe qytetarëve të zakonshëm. Ai theksoi se rastet e fyerjeve publike duhet të trajtohen me seriozitet nga institucionet kompetente. Duke iu referuar një rasti të fundit që përfshiu Rifat Jasharin, Zeqiri u shpreh se personat që keqpërdorin rrjetet sociale duhet të përballen me pasoja disiplinore dhe gjyqësore. Sipas tij, çdo qytetar që posedon fakte apo dyshime për veprime të kundërligjshme duhet t’u drejtohet organeve të drejtësisë dhe jo të zhvillojë “gjyqe publike” në Facebook apo platforma të tjera sociale. Zeqiri paralajmëroi se gjuha e urrejtjes dhe tensionet e vazhdueshme në hapësirën publike mund të prodhojnë pasoja të rënda shoqërore, veçanërisht në një periudhë të pasigurisë institucionale. Ai bëri thirrje për më shumë kulturë komunikimi, respekt të ndërsjellë dhe besim në institucionet e drejtësisë, duke theksuar se secili duhet të veprojë brenda përgjegjësive dhe kompetencave të veta profesionale.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
