Dosja që trondit Serbinë: Si u shndërrua banda e Belivukut në “krahu i errët” i pushtetit të Vuçiqit

Detaje të reja rrëqethëse nga dosja e grupit kriminal të Veljko Belivukut kanë rikthyer në qendër të vëmendjes lidhjet e dyshuara mes mafias, huliganëve dhe strukturave shtetërore në Serbi, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi rolin e pushtetit të presidentit Aleksandar Vuçiç në mbështetjen e rrjeteve të dhunshme kriminale. Sipas dokumentarit investigativ të publikuar nga OCCRP dhe medias ndërkombëtare Fern, grupi i Belivukut – i njohur në botën kriminale si “Soprano” – dyshohet se kreu tortura, ekzekutime makabre dhe zhdukje të kufomave në mënyra që kanë tronditur opinionin publik në gjithë rajonin. Në qendër të hetimeve është shtëpia famëkeqe në Ritopek të Beogradit, ku viktimat sipas dosjes së Prokurorisë serbe torturoheshin dhe më pas copëtoheshin me pajisje industriale për përpunim mishi, ndërsa mbetjet hidheshin në lumin Danub për të zhdukur çdo gjurmë të krimit. Gazetari investigativ Stevan Dojčinović, kryeredaktor i portalit KRIK, ka deklaruar se përgjimet e siguruara nga rrjeti i koduar “Sky ECC” zbuluan një komunikim të drejtpërdrejtë mes grupit kriminal dhe zyrtarëve të lartë të policisë serbe. Sipas tij, në bisedat e përgjuara përmenden figura të identifikuara si “Boss” dhe “Big Boss”, të cilat sipas interpretimit të gazetarëve investigativë i referohen zinxhirit më të lartë shtetëror në Serbi. Vetë Belivuk, pas arrestimit, pretendoi para autoriteteve se grupi i tij ishte përdorur për interesa politike të regjimit, përfshirë shtypjen e protestave dhe kontrollin e tribunave të tifozëve në stadiume. Rasti ka rikthyer debatet mbi përdorimin e strukturave kriminale dhe huliganëve për ndikim politik dhe destabilizim në rajon, përfshirë edhe tensionet në veri të Kosovës. Analistët vlerësojnë se modeli i ndërthurjes së politikës me grupet kriminale paraqet rrezik serioz për sigurinë dhe demokracinë në Ballkanin Perëndimor.

 

Kontrolloni gjithashtu

Gucati

Dënohet me katër muaj burgim personi që kërcënoi Hysni Gucatin

Gjykata ka dënuar me katër muaj burgim Eqrem Avdullahun, pasi u shpall fajtor për kërcënim …