Dr. Kristo Frashëri: Tri të vërteta për të cilat gënjen Janullatosi


Ortodoksë të Shqipërisë! Ta çojmë më tej valën që është ngritur në të gjitha rrethet për ruajtjen dhe ripërtëritjen e Kishës Autoqefale Shqiptare sipas kanoneve dhe traditave të saj. Të ngremë këshillat e Kishës të pastruara nga fara përçarëse antikombëtare dhe ta nxjerrim Kishën tonë të dlirë e të bukur në diellin e Shqipërisë demokratike!  Vëllezër të Kishës Shqiptare në Amerikë! Na u gjendni afër dhe na ndihmoni me përvojën dhe me përkrahjen tuaj!


 Vëllezër myslimanë dhe katolikë! Le të lidhim duart me njëri-tjetrin dhe të tregojmë se Shqipëria është, siç ka qenë kurdoherë, e të gjithë shqiptarëve dhe se do t’i dalim zot përjetë. Kur lusim Perëndinë, do të kemi në buzë dhe emrin e Shqipërisë.


Popull shqiptar! Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare nuk do ta lerë veten të bëhet robinë e huaj. E pastër, duke besuar në Perëndinë, e vendosur duke besuar tek Shqipëria, e shenjtë me binomin Perëndi-Shqipëri. Pranë ikonave të saj të Krishtit dhe martirëve të krishterimit ajo do të mbajë edhe fytyrat e Papa Kristo Negovanit, At Stath Melanit dhe martirëve të tjerë të Kishës Shqiptare. Themelet e Kishës Autoqefale Shqiptare të Fan Nolit të madh, At Vasil Markos, kryepeshkopëve Visarion Xhuvani e Kristofor Kisi, janë të patundura përjetë sepse në to është gjaku, loti dhe djersa e të gjithë bijve të saj.


Mbledhja e madhe e besimtarëve ortodoksë të Tiranës,


Tiranë, 29 gusht 1992″.


 


Kur disa javë më parë dërgova në shtyp artikullin tim mbi çështjen e Himarës nëse është ose jo krahinë minoritare greke, midis atyre që vrapuan të spekulonin mbi vrasjen e fatkeqit Aristotel Guma, përmendja dhe Hirësinë e tij Anastas Janullatosin, kryepeshkopin e Kishës Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë. Nuk ngurrova ta quaj si një emisar të nacionalizmit grek. Mendova se ai nuk do të prekej aq tepër në sedër, sepse me të vërtetë është me kombësi greke. Në fakt, unë i kalova kufijtë e sjelljes sime ndaj një kryepeshkopi, mbasi unë e padisja në tri çështje jo të këndshme për të.


 


E para, e kritikova për “trisainë” (përshpirtjen) që ai celebroi jo për ushtarët grekë të vrarë në Luftën e Dytë Botërore në tokën e Shqipërisë në luftë kundër okupatorëve italianë fashistë, por sepse përfshiu në radhët e ushtarakëve të vërtetë grekë edhe arkivole me eshtra të fshatarëve, madje edhe të fëmijëve shqiptarë, të vdekur para dhe pas luftës italo-greke. Sa më shumë e mendoj, aq më tepër më duket një akt i shëmtuar që nuk i ka hije një prelati të lartë të kishës. Më duket një akt, që mund ta kryejnë vetëm banditët e varreve, por kurrsesi një hirësi që mban në gjoks kryqin e Krishtit dhe ca më tepër emrin e kryepeshkopit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.


 


Në rastin më të mirë prisja që hirësia e tij ta anashkalonte duke heshtur për këtë veprim për të cilin është bërë zhurmë edhe në shtypin tonë të përditshëm, madje vazhdon edhe sot e kësaj dite të përshpëritet me neveri nga banorët e rrethit të Përmetit. Por, hirësia e tij ndoshta duke kujtuar se ne jemi syleshë e ngacmon vetë plagën dhe justifikohet duke thënë se ai atje bekoi eshtrat e martirëve të rënë në luftë për lirinë e atdheut të tyre, eshtra para të cilave edhe ne përulemi, por jo para arkivoleve të blera 100 apo 200 euro për copë. E dyta, i kujtoja veprimet e tij të padrejta, i cili po pengon nëpërmjet fijeve të tij të dukshme e të padukshme zyrën e Përmbarimit të Përmetit, që të zbatojë vendimin e miratuar nga të tre shkallët e gjyqësorit shqiptar për t’ia kthyer bashkësisë përmetare shtëpinë e kulturës “Naim Frashëri”.


 


Për ata që nuk e dinë, u kujtojmë se para luftës në cepin veriperëndimor të truallit ku është ngritur shtëpia e kulturës ka qenë një kishë me përmasa modeste, me emrin “Shën Mëria e Pazarit”. Banorët e moshuar e dinë se ajo kishë u rrënua gjatë luftës së fundit. Në vitet ’50 trualli ku ishte ngritur kisha u përfshi në truallin ku u ndërtua shtëpia e kulturës “Naim Frashëri” me një sipërfaqe disa herë më të madhe se ajo që kishte “Shën Mëria e Pazarit”. Gjykata e Përmetit ia njohu kishës truallin ku qe ngritur faltorja. Meqenëse vlera e godinës e ndërtuar nga shteti ishte më e madhe se çmimi i truallit, gjykata vendosi që kisha të shpërblehet me një sipërfaqe dy herë më të madhe në një vend tjetër. Ngjarje të tilla analoge kanë ndodhur edhe në vise të tjera të Shqipërisë. Ka ndodhur madje në Tiranë, në qendrën e kryeqytetit. Në truallin ku sot është ngritur hotel “Tirana International” më parë ndodhej katedralja e Tiranës kushtuar Hyjlindëses. Hirësia e tij kryepeshkopi Anastas Janullatos nuk e ngriti zërin për të marrë hotelin, por u kënaq me kompensimin që i dha bashkia apo shteti në një vend tjetër të kryeqytetit.


 


Por, në Përmet pse po ngul këmbë aq shumë? Pse kërkon me çdo kusht të vërë dorë mbi shtëpinë e kulturës? Konstruksioni i shtëpisë së kulturës nuk ka mundësi të shndërrohet në kishë. Për t’u shndërruar në kishë ajo duhet shembur nga themeli. Ç’del nga kjo? Nga kjo del se hirësia e tij, kryepeshkopi A. Janullatos nuk do që Përmeti të ketë një shtëpi kulture shqiptare. Do që ta shndërrojë shtëpinë e kulturës shqiptare në një shtëpi kulture helenike, ndonëse Përmeti nuk ka fare banorë grekë etnikë. Edhe në këtë rast, hirësia e tij i bën bisht përgjigjes. Thotë shkurt: i takon kishës se aty ka qenë dikur kishë. Pra, është njësoj si të thuash e dua hotel “Tirana International”, sepse në një cep të sipërfaqes që ajo zë dikur ka qenë kishë.


 


Vijmë te çështja e tretë, e cila është me të vërtetë çështje skandaloze. Shkurtimisht, ajo ka të bëjë me të ashtuquajturin fronëzim të Anastas Janullatos, peshkopit të Andrusës (Greqi), më 2 gusht 1992 në katedralen e Hyjlindëses së Tiranës si kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Në vitin 1991, me shembjen e regjimit komunist për shkak të gabimeve të rënda e të pafalshme që kreu Enver Hoxha në luftën e mbrapshtë që ai ndërmori kundër institucioneve fetare, bashkësitë fetare të Shqipërisë mbetën pothuajse të gjitha pa kokë, pa rrjet institucionesh, pa funksionarë të përshtatshëm të kultit dhe me shumë pak faltore që kishin shpëtuar nga furia e rrënimeve të tyre.


 


Të gjitha bashkësitë fetare të Shqipërisë – myslimane, bektashiane, katolike, ortodokse – për të rimarrë veten kishin nevojë për ndihmën e miqve dhe dashamirësve të tyre që ndodheshin jashtë Shqipërisë. Para së gjithash, kishin nevojë të sqaronin se cilën kushtetutë do të kishin për bazë në rimëkëmbjen e tyre. Kjo për arsye se kushtetutat që ishin miratuar në kongreset e tyre të para të zhvilluara në periudhën midis dy luftave botërore, kishin pësuar dy goditje të rënda, madje njëra prej tyre një goditje vdekjeprurëse. Pa e shtrirë bisedën në të gjitha bashkësitë fetare të Shqipërisë, do të përqendrohemi vetëm në rastin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë (më tej: KOASh).


 


Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, e themeluar nga Kongresi i saj në Berat më 17 shtator 1922, ishte miratuar pas përpjekjeve të gjata nga Patriarkati Ekumenik i Kishës Lindore, pra e Kishës Ortodokse, me “Tomin” e lëshuar me vulë të artë më 1937. Kjo kushtetutë ka për historinë e KOASh-it një rëndësi kardinale, mbasi ajo përmban të gjitha prerogativat që e sanksionojnë atë si një kishë kombëtare shqiptare, ashtu siç janë kushtetutat e kishave nacionale ortodokse të vendeve të ndryshme. Një nga pikat e saj të rëndësishme ishte skalitur në nenin 16, ku thuhet se të gjithë peshkopët, në mënyrë specifike kryepeshkopi i KOASh-it, duhet të jenë me kombësi dhe shtetësi shqiptare. Më 1939 okupatorët fashistë italianë e cenuan këtë parim. Në emërimin e kryepeshkopit të KOASh, u hoq kushti i kombësisë. U la si kusht vetëm nënshtetësia shqiptare. Ky qe sigurisht një hap prapa kundrejt parimeve që kishin kërkuar rilindësit tanë të mëdhenj dhe pjesëmarrësit e kongresit I të Kishës. Me këtë ndryshim u hapën dyert për t’u bërë kryepeshkop kushdo, mjafton të merrte nënshtetësinë shqiptare. Vazhdojmë më tej. Pas luftës, kur në Shqipëri u vendos regjimi komunist shteti shqiptar në mënyrë arbitrare i dha kishës një kushtetutë tjetër, e cila synonte ta shndërronte kishën në një levë të sistemit të saj qeverisës. Por, edhe kjo kushtetutë nuk pati jetë të gjatë, mbasi më 1967, në kohën e të ashtuquajturit revolucionarizim i jetës së mëtejshme, kur veprimtaria fetare u nxorr jashtë ligjit dhe kur u çmontuan të gjitha institucionet fetare, së bashku me to u bënë të paqena të gjitha kushtetutat e institucioneve fetare, përfshirë dhe atë të KOASh-it.


Kjo qe gjendja më 1991 kur u përmbys regjimi komunist në Shqipëri. Pyetja që shtrohej në atë kohë ishte kjo: nga duhej filluar? Cili statut duhej të merrej për bazë për KOASh-in? Meqenëse në mungesë të peshkopëve Shqipëria nuk mund të kishte një sinod të rregullt kishtar, çfarë rruge duhej ndjekur për të zgjedhur kryepeshkopin e saj? Veç kësaj, meqenëse në Shqipëri nuk kishte mbetur asnjë peshkop kanonik i gjallë, si duhej krijuar sinodi i shenjtë kishtar? Në këto rrethana kaq të zymta për zgjidhjen e problemit të Kishës Ortodokse, sugjerimi më i drejtë erdhi nga shqiptarët e Amerikës.


 


Në një mocion të miratuar nga Këshilli i peshkopatës kishtare të Bostonit u hodh ideja që rruga më e përshtatshme ishte të ngarkohej nga Patriarkati i Kostandinopojës një ekzark me një botëkuptim të gjerë kishtar e demokratik – një ekzark nga një vend që të mos kishte interesa politike ndaj Shqipërisë, pra as grek, as serb. Shkurt, një ekzark me detyrë të përkohshme, i cili pasi ta rimëkëmbte kishën e shkallmuar nga regjimi komunist, pasi të mëkëmbte sinodin e shenjtë dhe në momentin që sinodi të zgjidhte kryepeshkopin e KOASh-it, ai të largohej nga Shqipëria. Idenë e ekzarkut e kishte përqafuar edhe Patriarkati Ekumenik i Kishës Lindore si rruga më e përshtatshme për të rimëkëmbur strukturat e KOASh-it. Por kushtin që vinte kisha e Amerikës për një ekzark jo grek, Patriarkati i Kostandinopojës nuk e mori në konsideratë.


 


Prapaskenat që u luajtën në ato momente shumë të zymta nuk i dimë. Një gjë u bë shumë shpejt e qartë. Qeveria e Athinës, e cila vepronte si zembrek në gjirin e Kishës Ortodokse greke, ndërhyri me të shpejtë: e bindi Patriarkun Bartolome që të ngarkonte me detyrën e ekzarkut Prof. Dr. Anastas Janullatosin, në atë kohë peshkop i Andrusës. Me emërimin e tij si ekzark fillon “aventura” shqiptare e Janullatosit.


 



Kush ishte Anastas Janullatosi?


 



Kur më 3 qershor 1991 u ngarkua me detyrën e ekzarkut nga Patriarkati Ekumenik i Kostandinopojës, A. Janullatosi, me titullin peshkop i Andrusës, në atë kohë ndodhej në Afrikën Lindore, i ngarkuar me detyrën e “Kryepeshkopit aktiv” për mëkëmbjen e Kishës Ortodokse të Kenias, Ugandës dhe Tanzanisë, me qendër në Nairobi. Caktimin e tij si ekzark në Shqipëri e miratoi edhe presidenti Ramiz Alia. Lajmi i ardhjes së tij në Shqipëri u prit me interes nga qarqet ortodokse shqiptare, mbasi shpresohej se ai edhe pse qe grek, meqenëse vepronte jo në Greqi, por në Afrikë, do të ndihmonte rimëkëmbjen e KOASh-it.


Dërgimi i një ekzarku ishte i drejtë, mbasi ai sapo të rimëkëmbte kishën e shkërmoqur ortodokse shqiptare dhe fill pasi të zgjidhej një kryepeshkop i rregullt kanonik duhej të largohej nga Shqipëria. Qarqet ortodokse shqiptare menduan se ekzarku Anastas Janullatos me kulturën kishtare që kishte përvetësuar do ta kryesonte ashtu siç e kërkonin interesat e KOASh-it detyrën e vet. Janullatosi e vendosi me të shpejtë shtabin e vet në Korfuz. Me prapaskenat që u zhvilluan si me telekomandë prej tij, ekzarku thirri në Tiranë një “konfererencë” kombëtare me pjesëmarrjen e pesëmbëdhjetë klerikëve dhe tridhjetë laikëve të zgjedhur prej tij.


Janullatosi emëroi një këshill të përgjithshëm të përbërë prej nëntë vetësh, të cilët morën përsipër jashtë rregullave kanonike detyrën e Sinodit të Shenjtë të KOASh-it. Me detyrën e sekretarit të përgjithshëm të këshillit u caktua nga Janullatosi Aleko Dhima, një grekoman i vendosur për t’i shërbyer Kishës Ortodokse Greke. Ndërkohë, në shtypin grek filloi të flitej për A. Janullatosin jo si ekzark, por si kryepeshkop, madje jo si kryepeshkop i KOASh-it, por si kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale Greke të Shqipërisë. Për më tepër, këtë aspiratë dinake e zbuloi edhe vetë A. Janullatosi.


Në përpjekjet e veta ai pati si ndihmës të fuqishëm dhespotin e Konicës, Sebastianos, i cili kishte zhvilluar një aktivitet të ashpër si një nga krerët e komitetit “vorio-epirot” me qendër në Janinë. Në një letër drejtuar kryeministrit grek Karamanlis, metropoliti Sebastianos shkruante se “edhe gurët thonë se Vorio-Epiri është Greqi dhe se mjedisi gjeografik i shqiptarëve ka qenë gjithmonë mbi dhe përtej lumit Shkumbin”. Në atë kohë emri i Sebastianos lakohej pothuajse çdo ditë në Shqipëri për urrejtjen e tij antishqiptare. Cilësohej si një djall i veshur me petkat e dhespotit.


Me ndihmën e Sebastianosit, militantët e tij të parë Janullatosi i rekrutoi në Himarë. Së bashku me të, ai në emër të kryepeshkopatës së Kishës Greke, nënshkroi me Aleko Dhimën, i vetëquajtur sekretar i përgjithshëm i KOASh, një marrëveshje orgurzezë. Ja teksti: “Të dashur bashkatdhetarë! Në qendrën e vëmendjes sonë ju keni qenë e do të jeni vazhdimisht. Mendojmë për ju, për të ardhmen e fëmijëve tuaj. Pikërisht për këtë kemi krijuar edhe një organziatë të veçantë, të cilës i kemi vënë emrin “Himara e lirë vorioepirote dhe minoritare greke”. Deri në mbarim të muajit shtator 1992, kemi programuar këto aktivitete:


 



1. Vizita të përbashkëta në Korfuz, Janinë, Artë, Pargë, Paramithi, Filat, Himarë, Dhërmi, Palasë, Qeparo, Kudhës, Vuno, Sarandë, Konispol, Dropull.


 


2. Organizimi i një mbledhjeje të madhe në sheshin “Spiles” të Himarës ose në Potam, ku do të marrin pjesë edhe Sebastianos, Janullatos dhe Aleko Dhima, sekretar i përgjithshëm i Kishës Ortodokse Shqiptare. Aty do të dorëzohen edhe katër priftërinj. Do të bëhet një meshë e madhe në Katedralen e Himarës dhe një në atë të Dhërmiut (Spiridhonis e Harallambis). Do të meshojnë dhespotët Sebastianos e Janullatos. Aty do të flasë edhe prifti dhërminjas Klearkos Savas, i dorëzuar në Athinë.


3. Do të nënshkruhet një marrëveshje midis Kishës Ortodokse Shqiptare dhe asaj greke për t’i pajisur kishat e Vorio-Epirit në përgjithësi dhe ato të krahinës së Himarës në veçanti me të gjitha sendet e nevojshme. Për palën greke do të firmoset nga hirësitë Sebastianos e Janullatos dhe për palën shqiptare Aleko Dhima, sekretar i përgjithshëm.


4. Meshat në Himarë, Dhërmi, Palasë, Vuno, Qeparo, Kudhës do të mbahen në greqisht, sipas marrëveshjes Sebastianos-Janullatos-Dhima. Do të përcaktohëen administrata e Krahinës Autonome Vorio-Epirote Minoritare të Himarës, ku do të marrin pjesë njerëzit më të devotshëm nga familjet më të shquara si Bollanot, Milot, Neranxët, Joshët, Ilot, Belerajt, Rondajt, Zotajt, Dhimojanajt, Dunajt, Agnanostajt, Protajt, Janilajt, Pjerot, Dafllajt, Bifshajt, Gorecajt, Janijat, Zhupajt, Fotiadhët, Gorajt (gjithsej 21 familje – K.F.). Do të bëhen mesha përshpirtjesh për eposin grek 1940-1941 në Livadhet e Shengjergjit dhe në Skutara, pastaj në Jonomarinë e Shentheodhor, në Stavridh, në Shenjat, ku ndodhen eshtrat e ushtarëve e oficerëve grekë: Agathoklis, Konstantinis, Mihalis, Jorgor, Periklis, Athanasis, Anastasis, Elefteris, Stelianos, Dhimitris, Grigoria, Kamas etj, për të cilët do të ngrihet edhe një përmendore.


5. Do të zhvillohen veprimtari kulturore-artistike si theatro, estrada, cirk, recitime, simpoziume me temën: Traditat nuk harrohen, por forcohen, ku do të flasin historianë, poetë, muzikantë, artistë etj. Po ashtu, do të shpërndahen libra të botuara në gjuhën greke në të cilat flitet për Vorio-Epirin, Minoritetin, për traditat dhe epopetë. Do të flitet për ndihmën e madhe që i jep Kisha greke asaj shqiptare dhe për përpjekjet që bën ajo greke për të mos u shkëputur prej saj ajo shqiptare, e cila kurdohertë ka qenë dhe do të jetë e lidhur me atë greke kundër myslimanëve e katolicizmit.


6. Do të shpërndahen libra shkollore greke për shkollën greke që do të fillojë në krahinën e Himarës dhe do të caktohet grupi i parë i mësuesve grekë vullnetarë që do të vijnë atje. Me këtë punë do të merren familjet Goro e Bollano, prej gjirit të të cilave do të caktohen pjesëtarë me detyra me rëndësi në qeverisjen e Himarës. Gorot e Bollanot kanë dhënë prova të mëdha për besnikërinë ndaj atdheut të tyre – Greqisë.


7. Në Himarë do të instalohet një radiostacion vorio-epirot minoritar që në bashkëpunim me “Omonian” do të japë programe të pasura (duke kaluar shumë shpejt dhe në televizive) të kulturës, muzikës e filozofisë greke për të rrënjosur thellë patriotizmin.


8. Do të përpilohet një komunikatë e parbashkët me anën e të cilës do të përcaktohet afati tranzit i krahinës autonome të Himarës deri në bashkimin me atdheun, Greqinë-mëmë.


9. Do të vendoset një linjë e rregullt detare Korfuz-Himarë, si dhe një tjetër me autobusë Janinë-Himarë. Autobusët do të jenë grekë dhe udhëtimi i himarjotëve vatje-ardhje do të jetë gratis. Sekretarja Eftalias Papadhimitris, kryetari Rafailidhius Andrikas, Sekretari i Përgjithshëm Antonios Sollaros”. Sikurse shihet, në pragun e fronëzimit të tij si kryepeshkop i KOASh-it, A. Janullatosi ka vënë nënshkrimin në një dokument ku pa asnjë mbështetje juridike dhe politike, deklarohet haptazi se Himara është krahinë minoritare greke; se jo vetëm fshatrat Himarë, Dhërmi, Palasë, të cilat dihen se kishin banorë greqishtfolës, por edhe fshatra të tjera të krahinës, si Vunoi, Kudhësi, Qeparoi, madje dhe Saranda e Konispoli, ku banorët e të cilave nuk e njihnin greqishten, konsideroheshin si vendbanime greqishtfolëse; se qenia e këtyre vendbanimeve në shtetin shqiptar ishte tranzitore (e përkohshme) dhe se së shpejti do të caktohej afati se kur ato do të bashkoheshin me atdheun mëmë, Greqinë. Shënojmë me këtë rast se Janullatosi përveç shkeljeve arrogante që bënte mbi të drejtat kombëtare, urdhëroi që shërbesat në kishat e fshatrave të Himarës të zhvilloheshin jo shqip, siç thuhej në Aktet Juridike të Lidhjes së Kombeve, por në greqisht, madje edhe në ato fshatra ku nuk e njihnin fare greqishten. Meqenëse në bazë të akteve ndërkombëtare, krahina e Himarës nuk mund të cilësohej si krahinë minoritare etnike greke, mbasi nuk kishte vazhdimësi territoriale me Greqinë – për të kapërcyer këtë minus, Janullatosi dhe Sebastianosi përfshinë si vendbanime minoritare përveç Sarandës edhe Konispolin me banorë krejtësisht myslimanë. Komenti për përmbajtjen e marrëveshjes është i panevojshëm pasi qëllimi i aneksimit të “Vorio-Epirit”, përfshirë dhe Himarën, del qartë. Pasi pranoi propozimin grek, kryepeshkopi Bartolomeu i parashtroi Presidentit të Shqipërisë, Ramiz Alia, kërkesën për ta pranuar Anastas Janullatosin si ekzark dhe në të njëjtën kohë kërkesën për të pranuar në krye të katër dioqezave shqiptare (Durrësit, Korçës, Beratit, Gjirokastrës) katër peshkopë grekë, njëri nga të cilët do të ishte vetë Janullatosi. Katër peshkopët i duheshin KOASh-it sepse me ta formohej sinodi kishtar. Si rrjedhim, me formimin e sinodit Greqia e merrte kështu ipso facto drejtimin e kishës shqiptare. Ramiz Alia pranoi vetëm emërimin e Janullatosit si ekzark, kurse propozimin e katër prelatëve si peshkopë të katër dioqezave shqiptare e refuzoi. A. Janullatosi pas emërimit të tij si ekzark përgatiti terrenin për t’u emëruar si kryepeshkop i KOASh-it. Përgatitjet e tij vazhduan për një vit. Në përpjekjet e tij ai pati ndihmën e Bartolomeut, patriarkut ekumenik të Kostandinopojës, prapa të cilit nënkuptohet se vepronte qeveria greke, e gatshme për të përballuar fondet e nevojshme financiare.


 


Kur në pranverën e vitit 1992 President i Republikës u shpall Prof. Dr. Sali Berisha, ekzarku A. Janullatos filloi përpjekjet për të siguruar miratimin e palës shqiptare për t’u emëruar kryepeshkop i KOASh-it. Meqenëse në Shqipëri ende nuk ekzistonin mundësitë e krijimit të një sinodi, problemin e mori në dorë vetë patriarku. Në mënyrë krejt arbitrare, pra të parregullt, Sinodi Ekumenik i Patriarkanës së Stambollit emëroi A. Janullatosin jo më ekzark, por kryepeshkop i KOASh-it. Me këtë rast ai nisi në Shqipëri një delegacion patriarkal në të cilin bënin pjesë ndër të tjerët, metropolitët Perjis Evangjellos dhe Meliton i Filadelfias. Por, kërkesa e tyre për të krijuar Sinodin shqiptar kishtar me peshkopë grekë nuk gjeti gatishmërinë e Presidentit Sali Berisha. Megjithatë, presidenti dha pëlqimin vetëm për zgjedhjen e Janullatosit si kryepeshkop, ndonëse shfaqi rezervë se ai nuk kishte të drejtë t’i impononte krerët e saj. Presidenti ka për detyrë vetëm të japë pëlqimin për zgjedhjen e peshkopit nga sinodi. Por, A. Janullatosi këtë mbështetje të presidentit e trumbetoi si një vendim të shtetit shqiptar për emërimin e tij si kryepeshkop i Shqipërisë.


Por, me emërimin e Janullatosit si kryepeshkop i Shqipërisë, edhe Patriarkati shkelte tri dispozitat e shenjta që ai vetë kishte caktuar:


a) Shkeli vendimin e tij me të cilin kishte ngarkuar Janullatosin si ekzark për rimëkëmbjen e KOASh-it dhe të sinodit të saj, pa marrë pëlqimin e qeverisë shqiptare.


b) Në kundërshtim me kanonet e saj shekullore Patriarkati Ekumenik i Kostandinopojës duke emëruar A. Janullatosin si kryepeshkop mori vetë përsipër në mënyrë abuzive detyrën e sinodit të shenjtë të KOASh-it.


c) Në kundërshtim me “Tomin” e vitit 1937 dekretoi emërimin për kryepeshkop të Shqipërisë, A. Janullatosin, një prelat që nuk ishte shqiptar as për nga kombësia, as për nga shtetësia. Me këtë rast duhet vënë në dukje se delegacioni i Kostandinopojës e argumentoi emërimin e metropolitit grek si kryepeshkop i Shqipërisë jo në statutin themeltar të kishës të miratuar nga Patriarkana me “Tomin” e saj më 1937, por me kushtetutën e miratuar gjatë regjimit komunist më 1950, i cili parashtronte si kusht vetëm shtetësinë shqiptare, në një kohë kur A. Janullatosi nuk kishte as nënshtetësinë shqiptare.


Kisha ortodokse shqiptare e Amerikës me seli në Boston nën kryesinë e At A. Liolinit, kur mori vesh përgatitjet për shpalljen e Janullatosit si kryepeshkop i KOASh-it, lëshoi më 30 korrik 1992 këtë deklaratë: “Ne protestojmë vendimin e Patriarkut ekumenik në Stamboll që një prift me kombësi greke të bëhet kryepeshkop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë. Në bazë të statuteve të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, në të kaluarën të gjithë klerikët permanent prej kryepeshkopit dhe deri te famullitarët, kanë qenë shqiptarë. Klerikët e huaj që janë tani në Shqipëri janë pritur me mirënjohje për ndihmën që po japin duke rindërtuar Kishën Ortodokse në përputhje me historinë tonë të veçantë, me traditat dhe identitetin tonë, të cilat diktojnë që kryetari i Kishës Ortodokse Shqiptare të jetë me kombësi shqiptare. Letra kredenciale e peshkopit Anastas Janullatos më 3 qershor 1991, premton se puna e tij në Shqipëri si një i dërguar i veçantë ekleziastik do të ishte e kufizuar në kohë dhe në detyra deri sa të rimëkëmbej Kisha Autoqefale Ortodokse Shqiptare. Ne mendojmë se për të qenë Kisha Ortodokse Shqiptare vetëqeverisëse dhe e pavarur (autoqefale) është e domosdoshme që klerikët dhe sidomos kryepeshkopi të jenë me kombësi dhe nënshtetësi shqiptarë” (Botuar në Gazeta “RD”, Tiranë 25 gusht 1992).


 


Ceremonia e fronëzimit


 


Në gjithë këto parregullsi që shkelnin haptas sovranitetin e KOASh-it, Hirësia e tij vendosi të shpinte deri në fund detyrën me të cilën ishte ngarkuar nga kisha greke – të kryente celebrimin kanunor kishtar si kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Ky akt i guximshëm ndodhi më 2 gusht 1992. Atë ditë u zhvillua në kishën katedrale të Tiranës ceremonia solemne për fronëzimin e Janullatosit si kryepeshkop i KOASh-it. Brenda në katedrale ndodheshin mitropolitët e ardhur nga Patriarkati i Kostandinopojës, disa mitropolitë grekë të ftuar nga Jnaullatosi, disa priftërinj shqiptarë, disa dhjetëra priftërinj minoritarë dhe disa qindra besnikë të krishterë ortodoksë.


 


Sipas kanoneve kishtare, një prift apo një peshkop apo një kryepeshkop i kishës ortodokse quhet i fronëzuar kur në solemnitetin e Asamblesë Kishtare të gjithë besnikët që ndodhen në atë çast në kishë i përgjigjen pyetjes nëse kandidati i propozuar miratohet e termin tradicional bizantin “aksios” (pëlqehet). Nëse një pjesë e besnikëve të pranishëm në kishë përgjigjet “anaksios” (jo i pëlqyer, pra i pamerituar, i padenjë), ai quhet i pamiratuar. Më 2 gusht në katedralen e Hyjlindëses së Tiranës kur besnikët u pyetën nëse e miratonin ose jo A. Janullatosin si kryepeshkop i Shqipërisë, krahas shumicës që thirri “aksios”, një pjesë e tyre u përgjigj me thirrjen “anaksios” (pra, i papëlqyer). Veç kësaj, në atë solemnitet kishtar shfaqja më tronditëse ishte buçitja në katedrale e këngës rilindëse “Për mëmëdhenë, për mëmëdhenë”, në kuptimin se kryepeshkopi grek shkelte parimin thememlor të Rilindjes Kombëtare dhe se ai duhej të largohej nga kisha shqiptare. Megjithatë, Janullatosi nuk u dorëzua. Për ta realizuar me çdo kusht detyrën e ngarkuar ai u largua menjëherë nga katedralja dhe së bashku me pasuesit e vet shkoi në hotel “Tirana International”, ku celebroi fronëzimin e tij si kryepeshkop i Shqipërisë.


 


Duke kujtuar këtë ngjarje të turpshme për cilindo, që ndodhi më 2 gusht 1992 (‘Gazeta Shqiptare”, 14-15 shtator 2010), Hirësia e tij, A. Janullatos thotë se Kristo Frashëri në këtë pikë gënjen. Sigurisht që kjo është një fyerje e rëndë për një njeri dhe, ca më tepër, për një të moshuar, i cili ka bindje të plotë se deri sot nuk ka gënjyer asnjëherë. Si rrjedhim, kjo akuzë ka nevojë për t’iu përgjigjur pyetjes: kush gënjen në këtë rast, Kr. Frashëri apo A. Janullatosi? Para së gjithash, që ditën e nesërme, më 3 gusht 1992, Agjencia Telegrafike Shqiptare njoftoi botërisht se më 2 gusht 1992 në ceremoninë kishtare A. Janullatosi nuk u pranua si kryepeshkop i Shqipërisë. Në emër të A. Janullatosit, KOASh-i u përgjigj se më 2 gusht ceremonia e fronëzimit u zhvillua në përputhje me kanonet kishtare në një ambient entuziasmi të madh, por shtonte se “këtë atmosferë u përpoq ta prishë një grup i vogël njerëzish, ku bënin pjesë edhe disa myslimanë, përfshirë këtu edhe një deputet të këtij besimi”. Na kujtohen me këtë rast doktatorët fashistë dhe komunistë, të cilët kur dëgjonin zëra mosaprovimi për ta, i stigmatizonin këto zëra si vegla të armiqve të kombit dhe të atdheut. Nga ky pohim i përmendur i kishës gjithkush mund të nxjerrë konkluzionin se përveç kundërshtarëve myslimanë, midis protestuesve kishte dhe nje grup besnikësh të krishterë. Në kanonet kishtare nuk thuhet se kryepeshkopi duhet të zgjidhet me shumicë votash, sepse kisha nuk pranon asnjëherë numërim votash. Kisha kërkon që krerët e saj të pëlqehen unanimisht nga besnikët e pranishëm në çastin e fronëzimit. Si rrjedhim, mjafton prania e një grupi sado të vogël kundërshtarësh që thërrasin “anaksios” për ta bërë të pavlefshëm zgjedhjen e prelatit, në rastin tonë të A. Janullatosit.


 


Konferenca e Tiranës (29 gusht 1992)


 


Si dëshmi se ata që kundërshtuan fronëzimin e A. Janullatosit si kryepeshkop i KOASH-it nuk qenë shqiptarë myslimanë apo katolikë, por 100% ortodoksë, u mblodh prej tyre në Tiranë më 29 gusht një konferencë e posaçme, e cila miratoi këtë rezolutë:


 


“Mbledhja e madhe e besimtarëve të krishterë ortodoksë, në të cilën morën pjesë përveç përfaqësues të Tiranës edhe delegatë të rretheve të tjera, u mbajt në Pallatin e Kulturës më 29 gusht 1992, për të shqyrtuar gjendjen e palejueshme të krijuar prej shkeljes së Statutit dhe kanoneve të Kishës Autoqefale Shqiptare, nga i cili Anastasos Janullatos erdhi si ekzark dhe u shndërrua si kryepeshkop. Mbledhja shprehu me forcë vendosmërinë e përgjithshme për ta marrë në dorë shëndoshjen e shpejtë të kishës ortodokse dhe për ta rimëkëmbur Kishën mbi bazën e traditave të saj të shenjta ortodokse dhe shqiptare.


 


REZOLUTA


 


Mbledhja arriti njëzëri këto përfundime kryesore, të cilat po i riprodhojmë tekstualisht:


 


1. Vendosja e demokracisë në Shqipëri mbas 47 vjet shtypjeje komuniste hapi rrugën e ripërtëritjes së ndjenjave fetare, që ishin ndrydhur, por jo shuar. Si gjithë besimtarët e tjerë dhe ortodoksët u tubuan rreth kishës së tyre. Por ndërsa masa e ortodoksëve priste me qetësi dhe mirëbesim rimëkëmbjen e kësaj kishe në traditat e saj të shenjta e të bukura ekzarku grek dhe i ashtuquajturi “këshill i përgjithshëm” punuan në mënyrë tinëzare e të pabesë për asgjësimin e autoqefalisë së kishës shqiptare dhe për greqizimin e saj, në shërbim të forcave më regresive fanatike të kishës greke, që synojnë greqizimin e gjithë ortodoksëve shqiptarë dhe më tej.


2. I ashtuquajturi “këshill i përgjithshëm i kishës” me sekretar Aleko Dhimën, është i paligjshëm, sepse nuk është zgjedhur me zgjedhje të shpallura e të organizuara sipas rregullave të Kishës, por është vetëshpallur. Që në fillim ai nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë të drejtë të quhet “këshill i përgjithshëm”, të flasë e të veprojë në emër të Kishës dhe të administrojë pasurinë e saj, aq më pak të bëjë propozime parësore siç janë ato për emërimin e kryepeshkopit dhe peshkopëve. Ai i ka uzurpuar këto të drejta tinëzisht, duke shfrytëzuar mirëbesimin dhe indulgjencën e besimtarëve të vënë para fakteve të kryera.


3. Ceremonia e zhvilluar më 2 gusht 1992 në Kishën Katedale të Tiranës për të fronëzuar si kryepeshkop të Shqipërisë Anastasos Janullatosin, nuk është kryer dhe është e pavlefshme sipas rregullave të Kishës, sepse besimtarët kanë thirrur botërisht ‘Jo! Nuk është i vyer’ (dhen aksios – K.F.). Ekzarku me pasuesit e tij u detyruan të largohen nga Kisha pa u përfunduar ceremonia.


 


 


4. Komploti i Janullatosit për t’u shpallur kryepeshkop i Shqipërisë dhe për të emëruar tre peshkopë grekë në krye të diocezave të Korçës, Gjirokastrës dhe Beratit, në kundërshtim me nenin 16 të Statutit të Kishës që përcakton se kryepeshkopi dhe peshkopët ‘duhet të jenë prej gjaku e gjuhe shqiptarë si edhe të kenë nënshtetësinë shqiptare’, është jo vetëm një shkelje shumë e rëndë e Statutit të Kishës, por edhe atentati më flagrant kundër vetë autoqefalisë së Kishës Autoqefale Shqiptare. Mbas këtij vendimi, që ka ngjallur revoltën e drejtë të gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve, Anastasios Janullatosi nuk është i denjë të qëndrojë as si ekzark, ai duhet të largohet nga Shqipëria menjëherë dhe përgjithmonë.


5. Statuti i vitit 1950 dhe rregullorja e Kishës e vitit 1955 janë të paligjshme dhe të pavlefshme, sepse ato i janë imponuar Kishës Autoqefale Shqiptare nga qeveria komuniste.


Për Kishën Autoqefale Shqiptare është në fuqi statuti i miratuar rregullisht në vitin 1928. Patriarkana Ekumenike e Stambollit e ka njohur Kishën Autoqefale Shqiptare me atë statut në vitin 1937 dhe ai Statut është rregullisht në fuqi, sepse shfuqizimet komuniste nuk kanë asnjë vlerë.


6. Është e nevojshme që, në vazhdim të traditës së Kongresit I dhe II, të mbajtur përkatësisht në vitet 1922 dhe 1928, të mblidhet sa më parë kongresi III i Kishës Autoqefale Shqiptare, i cili të përpunojë programin dhe detyrat për rimëkëmbjen dhe zhvillimin e gjithanshëm të kësaj Kishe; të bëjë përshtatjen e Statutit dhe të emërojë në krye të Kishës, si administrator ose kancelar, një klerik shqiptar; ky këshill të kryejë funksionin e Sinodit të Shenjtë, derisa Kisha Autoqefale Shqiptare të përgatisë kuadrot e saj për të formuar Sinodin e rregullt.


7. Për të bashkërenduar punën me besimtarët e rretheve të tjera ngarkohet një grup nismëtar i përbërë nga Petrit Bidoshi, Pavllo Koja, Llazar Morcka, Thoma Çomorra, Anesti Paskali, Stefan Vokopola, Nasho Bezhani, Pirro Ndreka, Mihal Hanxhari, Vangjel Shundi, Petrika Trako, Dhimitër Ndrenika, Sotir Janço, Loreta Plumbi, Lumnie Jani, Sotir Qiriako, Kristo Frashëri, Jakov Milaj, Pandeli Çina, Dhimitër Kondakçiu, Ksanthipi Mullisi, Gjergj Zheji, Jorgji Çerepi, Petraq Kosova, Vangjel Myzeqari.


Ky grup nismëtar, mbasi të zgjerohet me përfaqësues të zgjedhur nga të gjitha diocezat dhe rrethet e tjera ku ka ortodoksë, të kthehet në “Komisionin Organizator për rimëkëmbjen e Kishës Autoqefale Shqiptare dhe përgatitjen e Kongresit të saj III”.


8. U kërkojmë organeve legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore të Shtetit, Kuvendit Popullor, rretheve, bashkive dhe komunave, të ndihmojnë e të mbrojnë në të gjitha nivelet veprimtarinë e rregullt të kishës dhe zbatimin e përpiktë të Statutit të saj, të formulojnë sa më shpejt dhe të zbatojnë dispozitat ligjore të nevojshme e financiare të këshillave të vetëshpallura të kishave në Tiranë e në rrethe, sepse ka sinjalizime për parregullsi dhe abuzime të shumta.


9. Zëri i besimtarëve myslimanë dhe katolikë, zëri i të gjithë atyre që u bashkuan me zërin e ortodoksëve për të mbrojtur Kishën Autoqefale Shqiptare, është zëri i Shqipërisë. Le të gëzohemi që shqiptarët ashtu siç punuan së bashku për të rindërtuar kishat dhe xhamitë e para, po tregojnë përsëri së toku dhe spontanisht se Feja dhe shqiptaria nuk kanë gjë të ndarë.


 


 


U bëjmë thirrje vëllezërve minoritarë, që rrojnë pranë shqiptarëve ose midis shqiptarëve të të tria besimeve, si të barabartë midis të barabartëve, të mos bien pre e intrigave të klerikëve të mbrapshtë dhe parullave të helmuara që nxisin përçarjen dhe shovinizmin. Kisha Autoqefale Shqiptare i konsideron bij të vetë të barabartë e vëllezër në Krishtin të gjithë besimtarët ortodoksë. Këtë vëllazërim ajo e ka të shenjtë dhe do ta ruajë me besnikëri e përkushtim.


U bëjmë thirrje personaliteteve të shquara të kulturës greke, pjesës më të emancipuar të klerit të Kishës Ortodokse Greke dhe intelektualëve të vërtetë grekë të kenë kujdes nga fushata shoviniste kundër Shqipërisë që ka ndërmarrë një numër dhespotësh të prapambetur e fanatikë, si dhe qarqe të tjera. Ju takon juve t’i thoni “Ndal!” kësaj fushate, që është një turp për Greqinë e Evropës së Bashkuar! Në themelet e lirisë e të pavarësisë së Greqisë, si dhe në sukseset e mëdha që ajo ka arritur, është dhe kontributi i gjakut dhe djersës që kanë derdhur dhe derdhin qindra mijëra shqiptarë të Greqisë. Mos lejoni që edhe një herë këto t’i shpërblehen popullit shqiptar me helm dhe intriga, vetëm sepse disa klerikë të djallit dhe politikanë anakronikë nuk janë të zotët të kuptojnë një Ballkan mirëkuptimi dhe bashkëpunimi. Thojuni “Ndal!” dhe kujtojuni mësimin e madh të Ungjillit: “Silluni me të tjerët ashtu siç dëshironi të sillen të tjerët me ju!”.


 


Rezoluta mbyllej me këtë thirrje:


 


 


Ortodoksë të Shqipërisë! Ta çojmë më tej valën që është ngritur në të gjitha rrethet për ruajtjen dhe ripërtëritjen e Kishës Autoqefale Shqiptare sipas kanoneve dhe traditave të saj. Të ngremë këshillat e Kishës të pastruara nga fara përçarëse antikombëtare dhe ta nxjerrim Kishën tonë të dlirë e të bukur në diellin e Shqipërisë demokratike!  Vëllezër të Kishës Shqiptare në Amerikë! Na u gjendni afër dhe na ndihmoni me përvojën dhe me përkrahjen tuaj!


 


 Vëllezër myslimanë dhe katolikë! Le të lidhim duart me njëri-tjetrin dhe të tregojmë se Shqipëria është, siç ka qenë kurdoherë, e të gjithë shqiptarëve dhe se do t’i dalim zot përjetë. Kur lusim Perëndinë, do të kemi në buzë dhe emrin e Shqipërisë.


Popull shqiptar! Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare nuk do ta lerë veten të bëhet robinë e huaj. E pastër, duke besuar në Perëndinë, e vendosur duke besuar tek Shqipëria, e shenjtë me binomin Perëndi-Shqipëri. Pranë ikonave të saj të Krishtit dhe martirëve të krishterimit ajo do të mbajë edhe fytyrat e Papa Kristo Negovanit, At Stath Melanit dhe martirëve të tjerë të Kishës Shqiptare. Themelet e Kishës Autoqefale Shqiptare të Fan Nolit të madh, At Vasil Markos, kryepeshkopëve Visarion Xhuvani e Kristofor Kisi, janë të patundura përjetë sepse në to është gjaku, loti dhe djersa e të gjithë bijve të saj.


Mbledhja e madhe e besimtarëve ortodoksë të Tiranës, Tiranë, 29 gusht 1992″.


Këtë deklaratë komisioni ia dërgoi edhe Gjykatës Kushtetuese, të përcjellë me një shkresë ku thuhej:


 


 


“Gjykatës Kushtetuese, Tiranë


 


Në emër të grupit nismëtar që bashkërendon punën për rimëkëmbjen e Kishës Ortodokse Shqiptare, nisur nga fakti se mbrojtja e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare dhe e Statutit të saj është detyrë e shtetit shqiptar e lidhur ngushtë me interesat e kombit, e kemi për detyrë t’ju parashtrojmë sa vijon:


Ekzarku grek Anastasios Janullatos ka udhëzuar klerikët e kishave ortodokse që gjatë meshës të thërrasin formulën: “Le t’i lutemi Zotit për ruajtjen e Kryepeshkopit tonë Anastas” dhe kjo formulë po përdoret në katedralen e Tiranës dhe në disa kisha të tjera, ku ka klerikë që i binden këtij udhëzimi të jashtëligjshëm.


Në kohën kur protesta e besimtarëve e ndërpreu në mes dhe e bëri të pavlefshme ceremoninë e fronëzimit të Janullatosit në 2 gusht 1992 dhe kur presidenti i Republikës është shprehur botërisht se sipas statutit të Kishës Kryepeshkopi nuk mund të jetë një person që nuk ka kombësi e nënshtetësi shqiptare, ky veprim i ri i Janullatosit është vazhdim i mëtejshëm i veprimtarisë së tij këmbëngulëse për të zhdukur autoqefalinë e kishës sonë dhe një përpjekje e ulët për të na venë përpara faktit të kryer.


 


1. Kërkojmë që organet e shtetit të ndërhyjnë me autoritet shtetëror dhe ta ndalojnë përdorimin e thirrjeve që e shpallin Janullatosin kryepeshkop kur ai as nuk është e as nuk mund të jetë i tillë, gjë që është jo vetëm një shkelje e rëndë e statutit të kishës, por edhe një sulm kundër ligjeve të rendit dhe interesit të shtetit shqiptar.


2. Kërkojmë që me një dokument shtetëror të formulohet dhe të shpallet shprehimisht se shteti shqiptar njeh dhe mbron statutin e Kishës Autoqefale të vitit 1928, sepse në bazë të nenit 16 të atij statuti ajo nuk pranon asnjë propozim të patrikanës apo kujtdo tjetër që mund të cenoje këtë nen të statutit duke venë në krye të kishës prelate me kombësi e me shtetësi jo shqiptare dhe se vetëshpallja e Janullatosit kryepeshkop është një veprim pa asnjë vlerë ligjore që konsiderohet krejt i paqenë.


3. Në veprimet komplotiste që Janullatosi ka bërë dhe vazhdon të bëjë kundër autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare, ai që pati ardhur “për të ndihmuar përkohësisht ‘nuk meriton të qëndrojë më as si ekzark’. Kërkojmë ndërhyrjen tuaj për largimin e tij menjëherë e përgjithmonë nga Shqipëria si i padenjë.


Bashkangjitur po iu dërgojmë deklaratën e mbledhjes së madhe të besimtarëve ortodoksë të Tiranës, mbajtur më 29.08.1992 me të cilën kërkohet ndërhyrja e shtetit në mbrojtje të Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare.


Me respekt për komisionin: Kryetari Petrit Bidoshi, Sekretari Pavllo Koja, Tiranë 14 shtator 1992″.


 


 


SHKRIMET E MEDIAS


 


Në lidhje me këtë konferencë, një organ shtypi shkruante: “Në Pallatin e Kulturës, në Tiranë, më 29 gusht 1992, rreth 400 besimtarë e dashamirës të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë u mblodhën në një asamble të zgjeruar, për të analizuar aktin e çalë dhe jo kanonik të Këshillit të Përgjithshëm të Kishës sonë për kurorëzimin e grekut Anastas Janullatos si kryepeshkop të Shqipërisë. Themi “i çalë”, pse një pjesë e konsiderueshme e të pranishmëve në kishë ngriti zërin me një “Jo” të zgjatur e në kor, kur u celebrua riti i pyetjes së popullit “anaksios” (i padenjë)… Kënga “Për mëmëdhenë” dhe buçitja “Kisha është e jona” ua prishën humorin atyre që kishin ardhur apostafat me autobusë të posaçëm nga minoriteti dhe përtej, për këtë ngjarje të 2 gushtit 1992, që do t’i vinte një kryq të madh përpjekjeve të lavdishme të Fan Nolit dhe atdhetarëve të tjerë që dhanë jetën dhe djersën e tyre për pavarësinë e kishës sonë autoqefale. Thamë se akti që antikonik sepse efektivisht kurorëzimi nuk u bë në kishë… por ceremonia përfundoi në hollet e hotel ‘Tiranës’. Për më tepër, u shkel statuti i vitit 1929, që ndalon kategorikisht si kryetar të kishës një prelat jo shqiptar” (Gazeta “Lirija”, 4 shtator 1992).


 


 


Për fat të keq, grupi nismëtar nuk ishte në dijeni të dispozitave kushtetuese të shtetit shqiptar, të cilat e ndalojnë shtetin të ndërhyjë në çështjet e besimit dhe në atë të institucioneve fetare. Për këtë arsye, si kërkesa e grupit nismëtar drejtuar Gjykatës Kushtetuese, ashtu edhe rezoluta e mbledhjes së 29 gushtit 1992 drejtuar institucioneve shtetërore nuk u morën në konsideratë prej tyre. Në këto rrethana, hirësia e tij A. Janullatos e gëzoi postin e padrejtë që mori tinëzisht në hotel “Tirana International” më 2 gusht 1992.


 


ARGUMENTET E JANULLATOSIT


 


Në një shkrim të botuar në “Koha Jonë”, më 11 shtator 1992, thuhet:


“Në Shqipëri vazhdon fushata kundër fronëzimit të at Anastas Janullatosit, kryepeshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare. Përditë në gazetat shqiptare botohen peticione besimtarësh ortodoksë, të cilët kërkojnë shfronëzimin e priftit grek. Në një konsultë të këtyre besimtarëve të shtunën e kaluar (5 shtator 1992 – K.F.) u vendos mosnjohja e këshillave të vetëzgjedhura dhe e sinodit të tyre dhe gjithashtu u planifikua thirrja e një kuvendi panortodoks. Po aty u tha s e70 mijë besimtarë minoritarë në tërë vendin, ortodoksët shqiptarë janë mbi 660 mijë dhe nuk ka asnjë motiv që ata të drejtohen nga një kryepeshkop grek sado i përgatitur të jetë ai”. Në atë shkrim nënvizohet fakti se konsulta e quajti A. Janullatosin të vetëzgjedhur dhe të paligjshëm si kryepeshkop i Shqipërisë.


Pyetjes që Ben Blushi, në atë kohë gazetar, i drejtoi A. Janullatosit në lidhje me fronëzimin tij i cilësuar i parregullt dhe i paligjshëm, kryepeshkopi iu përgjigj duke i bërë bisht si zakonisht përgjigjes. Në vend të saj, ai tha:


“Shumë vetë e dinë që unë s’kam pasur në jetën time ambicie për të ardhur këtu dhe për të zënë ndonjë vend. U ftova të vij këtu dhe të ndihmoj, përderisa e dija se Kisha në Shqipëri kishte vuajtur më shumë se në çdo vend tjetër pas një persekutimi të gjatë…”. Më tej ai shtoi se nuk kishte asnjë interes për politikë dhe se ata që e zgjodhën e njihnin mirë qëndrimin e tij kishtar dhe kontributin që ka dhënë në krijimin e Kishës Ortodokse në Afrikë. Shtoi më tej se ai, tani që u zgjodh kryetar i KOASH-it, “do të mbronte interesat e komunitetit ortodoks shqiptar, i cili mund të binte pre e kishave dhe pretendimeve të fqinjëve” (“Koha Jonë”, 11 shtator 1992).


Duke zënë në gojë fqinjët, ai nuk e kishte fjalën për grekët, por për maqedonët që i kishin zënë syrin Prespës dhe për arumunët që donin një peshkop rumun. Ai nguli këmbë se zgjedhja e tij është e ligjshme, mbasi mbështetet në Kushtetutën e vitit 1967 (!0, e cila, sipas tij, ishte ende në fuqi, “E di, – theksoi ai, – se ka njerëz që thonë se ky ligj i periudhës së sundimit të Partisë Komuniste nuk është ekzistent. Kjo nuk është e vërtetë, sepse shteti në atë kohë ekzistonte”. Më tej, gjithashtu kryepeshkopi pohon se për kandidaturën e tij ka dhënë miratimin edhe Presidenti Berisha, në një kohë kur ai vetë (Janullatosi) shprehet kundër ndërhyrjes së shtetit në punët e kishës. Ai thotë se presidenti u tregua shumë i përzemërt me të dhe i tha se ne (shteti shqiptar – K.F.) e pranojmë kandidaturën tuaj, por jo atë të tre peshkopëve të tjerë.


Deklaratën e tij A. Janullatosi e mbylli me këto fjalë: “Në qoftë se njerëzit duan të rri, unë do të rri, por në qoftë se jo, thotë ai duke iu referuar besimtarëve ortodoksë, unë jam i lirë të shkoj në punën time”. Më në fund ai mohon se ka pasur peticione kundër tij. Ai thotë se ato janë disa grupe të vogla edhe me emra myslimanë, të cilët ai nuk ka ndërmend t’i marrë parasysh. (“Koha Jonë, 11 shtator 1992).


Me keqardhje duhet të themi se në këtë apologji të tij kryepeshkopi A. Janullatosi gënjeu tri herë: a- Kur tha se ai u zgjodh në përshtatje me kanonet kishtare dhe se ata që thirrën “anaksios” qenë qytetarë myslimanë; b – Kur tha se zgjedhja e tij është në përshtatje me kushtetutën e vitit 1950, në të cilën kërkohet si kusht të paktën nënshtetësia shqiptare që ai nuk e kishte; c – Kur deklaroi se rezoluta e 29 gushtit 1992 ishte hartuar nga grupe myslimanësh shqiptarë, kurse në të nuk kishte asnjë pjesëmarrës islamik. Megjithatë, pika më e dobët e fronëzimit të tij si kryepeshkop i Shqipërisë është fakti se deri sot pas 18 vjetësh, ai nuk ka botuar asnjë procesverbal të hartuar në kohën e fronëzimit dhe të nënshkruar nga peshkopët që u ndodhën në kohën e fronëzimit, që të deklarojnë me përgjegjësi se në ceremoninë solemne të 2 gushtit 1992 të mbajtur në katedralen e Tiranës, ai, Hirësia e tij Anastas Janullatos, u zgjodh njëzëri në përshtatje me kanonet tradicionale kishtare kryepeshkop i KOASH-it. Pa një procesverbal të tillë, të gjitha deklaratat që ai ka bërë poshtë e përpjetë janë pa vlerë, madje mund ta themi me plot gojën, janë mashtrime.


Me emërimin e tij si një nënshtetas grek në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare dhe në shërbim të Kishës Ortodokse Greke, ai shkeli një nga parimet universale të kishës së krishterë lindore. Dihet se kishat ortodokse autoqefale të vendeve të ndryshme të pavarura nga njëra-tjetra janë motra të barabarta, kurse Patrikana ekumenike është edhe ajo e barabartë, por e para ndër të barabartat. Të gjitha kishat ortodokse autoqefale janë të varura dhe të ndërlidhura me shtetin kua to ushtrojnë besimin e tyre. Në bazë të parimeve moderne të shpallura që nga Revolucioni Frëng i vitit 1879 institucionet fetare, pra edhe kisha ortodokse, nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë në punët dhe jetën e shtetit. Nga ana tjetër, shteti për mbrojtjen e interesave shtetërore dhe kombëtare ka të drejtë të mbikëqyrë veprimtarinë administrative të çdo komuniteti fetar. Një nga parimet themelore është që udhëheqësit fetarë të jenë me kombësi ose nënshtetësi të shtetit të tyre. Për shembull, në ligjin e shtetit grek mbi fenë, paragrafi 3, neni 12, për “kryepeshkopin e Athinës dhe të gjithë Greqisë”, thotë: “të zgjedhurit e kishës duhet të jenë të gjithë të kombësisë greke”.


 


 


Janullatosi mbron pikëpamjen se statuti i kishës shqiptare miratuar në kongresin e vitit 1929 është i shfuqizuar. Kjo për arsye se atij i intereson, meqenëse neni 16 nuk lejon në mënyrë ligjore-kanonike që Prof.Dr. Janullatosi si një grek të jetë kryepeshkop ose peshkop në Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Duhet pasur parasysh se KOASH-i dhe statuti i vitit 1929 është, sikurse u tha, i njohur nga Patriarku i Stambollit Benjamin i Parë me “Tomin” e vet të lëshuar më 12 prill 1937. Për habinë tonë, kryepeshkopi Janullatos e quan të rrëzuar “Tomin” e Patriarkut të Kostandinopojës dhe emërimin e tij e mbështet në statutin e miratuar nga shteti komunist me Kongresin e Tretë të Delegatëve Ortodoksë, të mbledhur në Tiranë më 5-10 shkurt 1950 – statut që nuk ka marrë pëlqimin e Patriarkatit të Kostandinopojës. Kjo do të thotë se statuti i vitit 1929, i pajisur me “Tomin” e Patriarkut Benjamin i Parë më 1937, është ende në fuqi.


Dihet se statuti i 1950 u miratua nga një i ashtuquajturi sinod në kushtet kur dy anëtarë të tij, mitropolitët Kristofor Kisi dhe Irene Banushi ndodheshin të burgosur. Si rrjedhim, në të tilla kushte ai ishte një statut pa vlerë. Që këtej lind pyetja: a ka të drejtë A. Janullatosi të mbështetet në një statut të miratuar fund e krye nga një i ashtuquajtur kongres dhe i ashtuquajtur sinod?


Sigurisht që Janullatosit i intereson statuti i vitit 1950, sepse aty mungon kushti, sipas të cilit, kryepeshkopi duhet të jetë me kombësi shqiptare, po ashtu edhe neni 3, i cili thotë: “Ndonëse gjuha zyrtare e kishës është shqipja, në shërbimet fetare mund të përdoren edhe gjuhë të tjera”. Është pikërisht në mbështetje të këtij neni që në fillim kryepeshkopi Anastas urdhëroi që në kishat e Shqipërisë shërbesat fetare të zhvilloheshin në greqisht, pavarësisht se më vonë, për shkak të protestave popullore ai u detyrua të hiqte dorë.


Arsyet që e shtynë Janullatosin ta quajë të zhvleftësuar janë të shumta, por ne këtu nuk mund të merremi me to. Mjafton të përmendim nenin 55 të statutit të vitit 1929, i cili e ndalonte kategorikisht kishën shqiptare të merrte “dhurata” nga të huajt dhe se pranimi i tyre konsiderohej si nënshtrim i politikës ndaj shteteve kreditore në dëm të pavarësisë së shtetit dhe të kishës. Me fjalë të tjera, marrja e huave dënohej si një akt politik jo kombëtar.


Pavarësia e plotë e KOASH-it, ashtu si dhe pavarësitë e institucioneve të tjera fetare, konsiderohet në statutin e vitit 1929 si një nga garancitë e pavarësisë së shtetit shqiptar, garanci të cilën kryepeshkopi i tanishëm A. Janullatos e ka shkelur me të dyja këmbët.


 


 


PERFUNDIM


 


Nga sa u tha deri tani, del ky konkluzion: se nga pikëpamja juridike-kanonike-ekleziastike është në fuqi statuti i KOASH-it i vitit 1929, i miratuar nga Patriarkana Ekumenike me “Tomusin” e vet më 1937. Si rrjedhim, Hirësia e tij A. Janullatos është zgjedhur si kryepeshkop i Shqipërisë më 2 gusht 1992, në mënyrë të paligjshme nga 3 pikëpamje: e para, se më 1992 kur ai pretendon se është zgjedhur kryepeshkop, KOASH nuk kishte një Sinod të Shenjtë, i cili ka të drejtë të zgjedhë kryepeshkopin e Shqipërisë. E dyta, se Hirësia e tij A. Janullatosi nuk ka të drejtë të zgjidhet jo vetëm kryepeshkop, por as peshkop i kishës shqiptare, përderisa ai nuk është shqiptar nga kombësia. E treta, se ceremonia e zgjedhjes së tij nuk gjeti pëlqimin (aksios) të të gjithë të pranishmëve në asamblenë kishtare të 2 prillit 1992. Pra, proklamimi i tij si kryepeshkop i Shqipërisë në hollin e hotel “Tirana International” është një mashtrim apo abuzim i tij, quajeni si të doni, i padenjë jo vetëm për një kryepeshkop, por edhe për një prift ordiner të kishës së krishterë shqiptare. Për të gjitha këto arsye, ne e konsiderojmë ushtrimin e tij të deritanishëm në krye të KOASH-it jo si kryepeshkop, por si ekzark.


Si një dhelpër, ai arriti të bindte opinionin që frekuentonte kishën se do t’i bënte shërbime të mëdha autoqefalisë së ortodoksisë shqiptare. Në të vërtetë, ai kreu shumë investime në fushën e ndërtimit të faltoreve dhe të përgatitjes së kuadrove. Ai hoqi shpejt dorë nga lufta që sapo erdhi i shpalli Fan Nolit. Me dinakëri arriti të krijonte një sinod prej katër peshkopësh, nga të cilët tre janë me kombësi greke. Me një fjalë, ai arriti t’i fashitte protestat e intelektualëve ortodoksë shqiptarë. Në fakt, A. Janullatosi është kryepeshkop i pleqve dhe i plakave, të cilat të dëshiruara për të parë një meshë në gjuhën shqipe nuk interesohen fort për kombësinë e priftit, kur ai meshon shqip. Megjithatë, vepra e tij tinëzare nuk shlyhet kollaj. Materiali që ilustron veprimtarinë e tij në Shqipëri provon se ai është një agjent i fshehur i shovinizmit grek që përgjon ditën e përshtatshme për t’i shkëputur Shqipërisë të ashtuquajturin “Vorio-Epir”. Po ashtu, materiali dokumentar dhe mediatik tregon se ai që gënjen në trajtimin e solemnitetit peshkopal të 2 gushtit 1992 është për turpin e tij Anastas Janullatos.


Nuk ka dyshim se dinakëria e tij për ta fshehur veten si militant i politikës shoviniste greke një ditë do të zbulohej. Rastin e dha ndërhyrja e tij për aksidentin fatkeq që pati himarjoti Aristotel Guma – një ndërhyrje e kombinuar nga Athina me kronometër me akuzën e të ashtuquajturit shpërthim të nacionalizmit shqiptar që shprehën më 13 shtator 2010 zëvendësministri i Jashtëm i Greqisë, Delavekuras, deputeti i Parlamentit shqiptar, Vangjel Dule dhe kryetari i shoqatës “OMONIA’, Vasil Bollano. Është pikërisht ky kombinim kronometrik që i shndërroi dyshimet e mia mbi A. Janullatosin si simpatizant i Greqisë në një militant të politikës shoviniste greke.


Pavarësisht nga synimet e tij të fshehta, meqenëse si ekzark ai e ka kryer detyrën që kishte marrë përsipër për rimëkëmbjen e kishës së shkallmuar shqiptare, puna e do që ai të largohet me gjithë falënderimet tona nga Shqipëria. Më në fund, është e domosdoshme që me largimin e tij ndonëse me vonesë, të mblidhet një kongres i rregullt i KOASH-it, i cili t’ia kthejë Kishës Ortodokse Shqiptare prestigjin që kishte kur ajo u krijua nga i pavdekshmi mitropolit, Fan Noli.


E Martë, 10.12.2010, 10:32am (GMT+1)

Kontrolloni gjithashtu

Britania e Madhe: Kosova e Serbia duhet të jenë të përfshira në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja

Sigurimi i pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës ishte tema e diskutuar në seancën e fundit …