Rexhep Qosja

Dr.Rexhep Qosja: Provokimi dhe fyerja Mustafës e Thaçit përmbanin arrogancë primitive dhe fyerje ndaj të gjithë nesh protestues e joprotestues

Në një reagim të tij publik kundër deklaratave fyese të Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit pas protestës së djeshme të opozitës, akademiku Rexhep Qosja ka deklararuar: Kryeministri i Kosovës dhe zëvendësi i tij në konferencën me gazetarët pas protestës së opozitare duke folur në emrin e Qeverisë së Kosovës e provokuan fort opozitën dhe i provokuan të gjithë qytetarët në protestë.

Kryeministri i Kosovës dhe zëvendësi i tij e provokuan gjithë Kosovën.

Kryeministri i Kosovës dhe zëvendësi i tij, për më keq, e fyen fort opozitën dhe i fyen fort gjithë pjesëmarrësit në protestë.

Kryeministri i Kosovës dhe zëvendësi i tij na fyen sot të gjithë ne.

Provokimi dhe fyerja e tyre përmbanin një arrogancë primitive pushtetore.

Provokimi dhe fyerja e tyre përmbanin nënçmim për opozitën dhe për protestuesit: nënçmim për sjelljen e tyre paqësore dhe nënçmim për guximin e tyre të “humbur” në atë sjellje paqësore!

-“Ju pritëm, u thanë, jo me kafe!” E kjo do të thotë: ju pritëm me kallash!

– “Opozita iku me bisht nën shalë”

Provokimi dhe fyerja e tyre përmbanin arrogancë primitive dhe fyerje ndaj të gjithë kosovarëve, protestues e joprotestues!

Pse jo, nuk është hera e parë që ata sillen kështu prej se janë bashkuar për t’u sjellë siç po sillen: për t’u sjellë në Kosovë si të ish Kosova “rançi” i tyre!

Pse jo, ata e kanë shkelur dhe e kanë fyer Kushtetutën e Kosovës dhe e kanë shkelur siç s’është shkelur ndonjëherë më parë: e kanë shkelur duke shitur politikisht dhe juridikisht pjesë të Kosovës, e kanë shkelur duke u dhënë Serbisë dhe Malit të Zi toka të Kosovës!

Nuk po thotë vetëm opozita se këta dy pushtetarë e kanë shkelur Kushtetutën e Kosovës!

Nuk po thonë vetëm protestuesit se këta dy pushtetarë e kanë shkelur Kushtetutën e Kosovës!

Nuk po thonë as edhe shumë e shumë intelektualë të Kosovës e të Shqipërisë se këta dy pushtetarë e kanë shkelur Kushtetutën e Kosovës.

Se këta dy pushtetarë e kanë shkelur politikisht dhe juridikisht kushtetutën e Kosovës duke shkelur disa nene të saj me nënshkrimin e Marrëveshjes për krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe dhe të Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, po e thotë edhe institucioni, fjala e të cilit juridikisht, shtetërisht dhe moralisht peshon më shumë se e kujtdo tjetër: po e thotë Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Kur Gjykata Kushtetuese thotë se ndonjë person a ndonjë institucion e ka shkelur Kushtetutën e shtetit, ai person a ai institucion ngarkohen me përgjegjësi që mund të jetë kur politike e kur penale.

Në qoftë se përgjegjësia është vetëm politike atëherë shkelësit e Kushtetutës ose japin dorëheqje ose shkarkohen nga pozitat që kanë. E në qoftë se përgjegjësia është penale atëherë shkelësit e kushtetutës gjykohen penalisht prej gjykatës përkatëse.

Kryeministri i Kosovës dhe zëvendësi i tij po e provokojnë dhe po e fyejnë opozitën, po na provokojnë e po na fyejnë të gjithë ne duke provokuar e duke fyer ashtu njëkohësisht edhe Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Dhe po e provokojnë e po e fyejnë opozitën, dhe po na provokojnë e po na fyejnë të gjithë ne, dhe po e provokojnë e po e fyejnë Gjykatën Kushtetuese të Kosovës sepse s’po duan të pranojnë përgjegjësinë e të largohen prej pushtetit, duke e bërë të mundshme kështu zgjidhjen e krizës institucionale të Kosovës.

Duke mos u larguar vullnetshëm prej pushtetit pas shkeljes së Kushtetutës, qeveria e sotme e Kosovës po ushtron pushtet të paligjshëm.

E pushteti i paligjshëm, siç dihet e siç thuhet në të gjitha vendet demokratike të botës, quhet pushtet i dhunës.

E, kur një qeveri e mban pushtetin paligjshëm, domethënë dhunshëm, kur një pushtet është pushtet i paligjshëm, atëherë, është e ligjshme që ai pushtet të largohet prej pushtetit me lëvizje demokratike popullore.

Kosova është çliruar prej pushtimit të Serbisë.

Kosova duhet të çlirohet sot edhe prej pushtimit të paligjshëm të Qeverisë së sotme.

Demokracia e Kosovës, dinjiteti dhe nderi i qytetarëve të Kosovës e meritojnë çlirimin prej kësaj qeverie dhunëtare.

Prishtinë

17 shkurt 2016

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …