Dr. Shaqir Shaqiri: Mbyllja e syve para realitetit tejet të dhembshëm mund të na kushtojë shumë

Nëse kemi parasysh gjendjen e përgjithshme në Kosovë, dhe duke marrë parasysh se një pjesë e madhe e truallit tanë (e pranuam apo jo) është ende nën okupim të Serbisë dhe se gjithçka ishte jona ose humbi ose po tretet dalëngadalë, shtrohet pyetja: Ku jemi? Veriun e Kosovës e humbëm në paqe. Këto ditë vijnë edhe indikacionet se do të formohet Kuvendi paralel i serbëve, e më pastaj edhe ndarja e plotë e veriut të Kosovës, gjë që u mundësua nga marrëveshja e Brukselit në prill të vitit të shkuar .Dhe jo vetëm që po humbim tokat tona… Identitetin kombëtar e kemi nëpërkëmbur dhe dita-ditës gjithçka që dikur e dinim si shenjtëri kombëtare po zbehet dhe po çoroditet. Pranuam të kemi një flamur i cili me asgjë nuk pasqyron etnitetin kombëtar (e që me të drejtë dikush e quajti “lecka e Ahtisaarit”) dhe një himn pa tekst (!). Mbase mbetja e himnit pa tekst është edhe fatbardhësi sepse ekziston rreziku të na imponohet një tekst sipas normave të dikurshme të “vëllazërim-bashkimit” të kohës së Fadil Hoxhës dhe Azem Vllas(t)it.

Në këtë kohë “të mrekullive” dhe në këtë lëmsh të një gjendjeje paradoksalisht të mjerë kemi zënë ta humbim edhe kontaktin me realitetin dhe me vlerat kombëtare e njerëzore. Gjithkund në botë tradhtarët e popullit dënohen, kurse ne i varrosim me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake. Tradhtarët e gjallë i emërojmë në poste shtetërore, ndërsa lejojmë që një luftëtar i UÇK-së, pjesëmarrës në tri lufta (Kosovë, Maqedoni, Kosovë Lindore), ta “sigurojë” kafshatën e bukës për familjen e tij duke mbledhur kanaqe! Në ç´djall të mallkuar vajtën ndjenjat njerëzore?! Luftëtari i lirisë përpëlitet me urinë kurse disa nga deputetët e Kuvendit të Kosovës morën nga 80.000 (tetëdhjetë mijë) euro paga pa e thënë kurrë asnjë fjalë! Llogaris se këta deputet, në pyetjen time se ku kanë ndërgjegjen dhe si i zë gjumi natën, do t´më përgjigjeshin: Ne e bëjmë gjumin ditën (në Kuvend). Po ashtu, llogaris se me këto mjete që arrijnë rreth një milion euro, do të mund të ndërtohej një objekt i madh përkujtimor për 1700 fëmijët dhe 12.000 civilët duarthatë që u vranë mizorisht nga bandat çetnike, dhe për mijëra gra e vasha shqiptare të dhunuara nga bandat sllave. Ky objekt do të ishte përkujtues i mirë për gjeneratat e reja… Objekt ky që do t´ua mësojë leksionin e historisë për barbaritë e sllavit, gjithnjë të prirë nga kisha ortodokse.

Dhe, tani që zumë në gojë kishën ortodokse, nuk mund e të mos e kujtojmë “incidentin” e para pak ditësh kur zyrtarët më të lartë shtetëror e kishtar të Shqipërisë ftojnë patriarkun e kishës serbe Irinej, të njohur si nxitës të krimeve në trojet e ish-Jugosllavisë dhe ideolog të ëndrrës serbe për Kosovën si djep të Serbisë. Dhe, ky mjekër-cjap, i mbështetur nga bashkëkishtarët e vet Janullatos dhe Bartolomeu I, në Shkodër bën propagandë politike dhe gjen kurajë të deklarojë se fillet e kishës serbe gjinden në Shkodër! U mor vesh, faji është joni! Ne e ftuam Irinejin dhe ishim ne ata që në krye të kishës ortodokse shqiptare emëruam grekofilin dha antishqiptarin e përbetuar: Janullatos.

Dhe, jemi ne ata që nuk mësojnë gjë nga historia e bujshme e krimeve të nxitura nga kisha ortodokse. Nuk mësuam gjë nga barbaritë e nxitura nga kjo kishë në trevat tona dhe nuk na bëjnë përshtypje mizoritë e nxitura (dhe shpeshherë edhe të kryera) nga kisha ortodokse në Qipro në vitin 1974 (me në krye mikun e Titos, kryekishtarin Makarios); në Nagorno Karabah të Azerbajxhanit në vitin 1994, apo nxitjen e luftës së fundit në Ukrainë! Por, për hir të sinqeritetit, duhet theksuar se gabimin që e bënë para pak ditësh vëllezërit tanë matanë kufirit administrativ, ne në Kosovë e bëjmë çdo ditë: Konsumojmë mallin e dyshimtë të armikut shekullor ndërsa miliona qytetarë anë e kënd botës haptazi bojkotojnë produktet izraelite shkaku i dhunës që ky vend ushtron ndaj palestinezëve.

Mbyllja e syve para realitetit tejet të dhembshëm mund të na kushtojë shumë. Në kohën kur jemi të kërcënuar nga armiku shekullor (i mbështetur nga blloku ortodoks) a mund t´i lejojmë vetes luksin të merremi me vetveten dhe me luftën e individëve të krisur për pushtet? Kur në ajër mbizotëron fryma e pasigurisë dhe ajo e luftës tinëzare, nuk bën e të mos e kujtojmë proverbin anglez: ÇMIMI I LIRISË ËSHTË SYQELTËSIA E PËRHERSHME!

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hasani: Kryetarja e shkeli Kushtetutën, por mos dekretimi i Blerim Isufajt nuk mund të rrëzohet

Profesori i së drejtës kushtetuese, Enver Hasani, thotë se Asociacioni është obligim ndërkombëtar i Kosovës që do të përmbushet

Profesori i së drejtës kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se Asociacioni është obligim ndërkombëtar i …