Dr. Shefqet Krasniqi: Trekëndëshi i degradimit medial


Informimi është fuqi në vete. Në demokraci është konceptuar si fuqi e popullit apo mjet i tij për të ushtruar ndikim në rrjedhën e politikes. Për këtë, mediet janë përshkruar si institucioni i pavarur i cili duhet ta informojë publikun drejtë dhe paanshëm. Po kështu, mediet duhet ta kenë saktësinë si kriter profesional të pa-kompromis. Megjithatë, për fat të keq ky nuk është realiteti i medieve. Nëse i hedhim një vështrim të shkurtër medieve tona shohim se në fakt ato veprojnë të kundërtën e kësaj që u tha. Ato nuk janë zëri i popullit dhe as mjeti i informues i tij. Personalisht, kam vërejtur tri elemente që kanë ndikuar në këtë transformim monstruoz të medieve, natyrisht duke mos përfshirë të gjitha pasi që gjithmonë ka përjashtime. 


 


1. PARTIZIMI I MEDIAVE


 


Politika me kohë ka aplikuar një kriter famëkeq atë se kush kontrollon mediet, kontrollon dhe popullin. Mu për këtë politika ka investuar mjaft shumë në media. Nuk duhet shumë kohë të meditosh për të dalluar se cili medium televiziv i përket cilës parti, cila gazetë është e afërt me cilën parti, cilët gazetarë janë partizanë të cilin subjekt politik, etj. Kjo për shkak të presionit material të politikës ndaj medieve. “Të padëgjueshmit” janë ndëshkuar. Ky presion ekonomik i ka thyer disa media. I ka nënshtruar, i ka bërë të pa kriter, servil dhe të nënçmuara. Për pasojë Ato nuk pasqyrojnë realitetin objektiv, as zhvillimet afirmative të qytetarëve të Kosovës. Por siç thotë populli ato janë “tek lind, ndërsa populli tek perëndon”.


 


2. HUMBJA E KRITEREVE PROFESIOANLE


 


Një dështim tjetër i medieve manifestohet përmes humbjes se kritereve profesionale. Jo rrallë prezantojnë lajme, falsiteti i të cilave zbulohet gjatë ditës. Në mëngjes na thonë diçka e që në mbrëmje vërtetohet të mos jetë ashtu fare. Kësaj në fjalorin e popullit i thonë rrenë ndërsa në atë të medieve ndoshta ‘shkathtësi’. Pastaj disa nga ato medie i kanë vërë veti objektiv të caktuar, në veçanti kur është në pyetje Islami dhe muslimanët, ku jo rrallë herë orvaten të bëjnë mizën buall, siç u pretendua rrejshëm këtyre ditëve në lidhje me aeroplanin nga Cyrihu. Sikur dhjetëra hera më parë, u pretendua për një akt të rrejshëm terrorist siç dinë shpesh ato mediume të pretendojnë. Ato kurrë nuk cekën ndonjë vlerë të kësaj feje madhështore së cilës i përkasin edhe vet, apo së paku rrjedhin nga familjet të cilat kanë këtë fe, ata gjithmonë u përpoqën që ta paraqesin Islamin si fe të dhunës e të injorancës dhe muslimanët, në veçanti rininë, si njerëz të manipuluar. Mjaftojnë këto ilustrime për ta kuptuar se shumë nga mediet kanë devijuar misionin e tyre, pra në vend se të informojnë publikun ato janë vënë në shërbim të të tjerëve.


 


3. ZHVESHJA NGA MISIONI EDUKATIV


 


Elementi i tretë degradues i medieve ka të bëjë me moralin. Zaten morali është një ndër shtyllat kryesore të shoqërisë, ashtu që nuk ka shoqëri të mirëfilltë  pa moral të mirëfilltë. Për atë arsye çdo profesion shoqëror në vete ngërthen edhe këtë element, pra moralin, edukatën dhe kulturën e mirëfilltë, apo siç njihet ndryshe: etika profesionale. Këtë e gjejmë në mjekësi, në arsim, në ekonomi, në biznes, në fe, nëpër rrethe familjare dhe çdo kund tjetër, e natyrisht se edhe në medie është dashur të kishte etikë. Por realiteti i medieve tona tregon ndryshe.


Komercializimi i tyre i ka bërë që të shohin vetëm paranë ndërsa të mos kenë dert për mesazhet çoroditëse dhe shthurëse që përçojnë. Për ta paraja është zot, është etikë, është çdo gjë. Ata nuk shohin e as nuk njohin tjetër pos parasë. Televizionet tona po shkatërrojnë përditë e më shumë shoqërinë tonë me seriale e telenovela latine e turke. Tradhtitë bashkëshortore, divorcet pa shkasë, shkatërrimi i familjeve, nuk janë vetëm skena të atyre serialeve, por edhe mesazhe indirekte që vërtetë po kanë ndikim direkt dhe po formojnë një mentalitet të ulët të shoqërisë sonë.


Po kështu disa nga portalet tona informative aq shumë kanë materiale çoroditëse saqë ndonjëherë të krijohet përshtypja se janë sajte pornografike, dhe çfarë është më e keqja, ato marrin guximin që në emër të perëndimizmit të publikojnë atë që po të publikohej në media perëndimore do të ndëshkohej rëndë.


Këto dhe elemente tjera kanë bërë që qëndrimet dhe shkrimet e medieve nuk mund të merren si parametër për ta matur pulsin apo qëndrimin e shoqërisë. Sa herë është vërtetuar gjerë më tani se ndryshe përcaktohet dhe shprehet opinioni publik, e krejt ndryshe interpretohet në disa nga mediet tona. Natyrisht se me këtë artikull nuk synoj të ngacmoj apo përulë asnjërën nga mediet por vetëm dua të tërheq vërejtjen ashtu që të nxjerrë në pah ndikimin dhe rolin e madh që posedojnë mediet në një shoqëri. Po shpresoj se me medie më transparente, me më shumë etikë, paanshmëri dhe profesionalizëm të gjithë do të viheshim në shërbim të shoqërisë, shtetit dhe atdheut. Zoti na çoftë në hair të gjithëve. Deri në javën tjetër, esselamu alejkum.


 


Dr. Shefeqet Krasniqi: Misionet e pamundura të politikës së Kosovës


 


Tash e pesëmbëdhjetë vite pothuaj nuk mbeti qeveri pa rënë para përfundimit të mandatit të saj. Po kështu dhe parlamenti. Rënia, zakonisht, është arsyetuar me mosfunksionim të tyre si organe shtetërore. Është thënë, sikur edhe tash, se po rrëzohen qeveria dhe parlamenti, për shkak se për projektet shtetërore ka nevojë përbërje të reja ose ndryshim të strukturës përfaqësuese në shtet. Megjithatë, kjo doli të mos jetë e suksesshme. Edhe kësaj radhe, këto organe po rrëzohen për shkak të mosfunksionimit. Shtrohet pyetja: a deri në pafundësi duhet që qeveritë tona të rrëzohen? A thua misionet tona janë të pamundura aq sa çdoherë duhet rënë një qeveri për të ardhur tjetra, e cila do të rrëzohet po kështu, e kështu, mjerisht, po vazhdojmë.


A mendohet ndonjëherë për popull? Tërë këto shuma parash, që derdhen për zgjedhje, sikur të investoheshin në ndonjë projekt kapital, shteti do të përfitonte shumë. Janë paralajmëruar edhe “pastrimet” e listave për deputetë. Kjo tingëllon se deputetët e deridjeshëm paskan qenë të padenjë. Nëse është puna kështu dhe mendoj se ashtu është, atëherë dikush duhet të japë përgjegjësi pse ata kanë qenë aty. Nuk eksperimentohet me popull. Fati i tij nuk guxon të bjerë në duart e njerëzve të padenjë. Apo kjo na bën të mendojmë se ndoshta edhe populli ende nuk i ka hapur mirë sytë sa duhet, e shumë lehtë po mashtrohet e po manipulohet, andaj dhe mu për këtë e ka një pjesë të madhe të përgjegjësisë.


Por, kam një bindje se, megjithëkëtë, ka një hair në këtë punë. Në zgjedhjet e fundit lokale u dëshmua se populli mund të stopojë dështakët dhe keqpërdoruesit. Ka ardhur koha që këtë ta bëjë në një nivel më të lartë. Pothuajse nuk ka asnjë institucion i Kosovës që nuk është përfolur për emra të mëdhenj të udhëheqësisë së tyre për punë jo të ndershme.


E kemi rastin të formojmë institucionet tona në mënyrë të ndershme. E di që neglizhimi i reformës zgjedhore është bërë për të vazhduar me avazin e vjetër të vjedhjes së votave dhe mashtrimeve, por, siç u dëshmua në zgjedhjet e fundit, ato nuk mund të bëjnë punë nëse populli dëshiron ndryshimet.


Dhe padyshim se populli jo vetëm që i dëshiron ndryshimet, por edhe i kërkon ato. E nisur nga kjo unë ua përkujtoj se jeta është e shkurtër, ndërsa mandatet e posteve të ndryshme janë edhe më jetëshkurtëra. Kujtoni mandatin që patët se çfarë bëtë apo nuk bëtë. Kujtoni dhe mendohuni sepse duhet të punohet edhe për dynja e edhe për ahiret. Gjithçka kalon, sikurse edhe mandatet e juaja, madje me shpejtë sesa që e keni paramenduar, dhe çka mbetet? Mbetet vetëm vepra e mirë, puna e bërë për Zotin dhe interesin e popullit.


Unë u bëj thirrje të gjithë qytetarëve se përgjegjësia për votën nuk është vetëm qytetare, por edhe fetare. Do të pyeteni në Ditën e Llogarisë për votën tuaj. Do të ankohen njerëzit para Gjykatësit Suprem, Krijuesit Fuqiplotë, se janë emëruar nga vota juaj që ua keni dhënë mashtruesve. Imponojeni kërkesën tuaj si qytetarë dhe besimtarë nëpërmjet votës suaj. Zgjidhni njerëzit që kanë dinjitet. E di se ka kohë ende për zgjedhje, por po dua t’iu kërkojë vigjilencën tuaj që tani. Fushatat fillojnë. Premtimet e kota me përfitime personale do të jenë pjesë e fushatave. Interesi juaj në raport me interesin e popullit nuk është asgjë, ndaj edhe nuk duhet t’iu mashtrojë.


 


Dr. Shefqet Krasniqi: Kush po thotë se perëndimorët nuk kanë fe?


 


Shenjtërimi i dy papëve në Vatikan mblodhi liderë dhe politikanë nga e tërë bota. Në mesin e tyre, padyshim, ishin edhe liderët tanë të cilët mezi s’presin t’i thërras dikush nga perëndimi pavarësisht rastit apo shkasit. Pra vetëm të numërojnë se kemi qenë këtu e atje ani pse nganjëherë nuk bëjnë asgjë. Në këtë ceremoni rasti kishte edhe përfaqësues nga shumë vende të botës, pavarësisht asaj se a ka përfunduar epoka e njerëzve të shenjët apo a kanë të drejtë njerëzit ta shenjtërojnë njeri-tjetrin. Për sa i përket asaj se sa ka mbështetje fetare, logjike e filozofike një gjë e tillë, mendoj se jo vetëm ne, muslimanët, që e dimë shumë mirë përgjigjen, por edhe ata vet besoj se e dinë. Por pyetja që medoemos kërkon përgjigje dhe shkakton huti në mesin e masave është përse gjithë kjo pjesëmarrje në një manifestim ekskluziv fetar kur shumica e politikanëve pretendojnë të jenë laikë dhe se vijnë nga vende laike? A mos vallë ende nuk e kemi kuptuar laicizmin dhe domethënien e tij? Apo mos laicizmi, sikurse edhe demokracia, ka kuptim të njëanshëm që nënkupton se laik do të thotë të mos shprehesh identitetin tënd si musliman ndërsa të shfaqësh përkatësi tjetër fetare nuk ka problem.


Andaj, siç e kemi potencuar shumë herë, liderët perëndimorë duke filluar nga Italia deri në Kanada e Amerikë janë fetarë dhe fenë e kanë pjesë të identitetit të tyre. Kjo është një e vërtetë e pamohueshme sikur që është e vërtetë po ashtu se Evropa dhe perëndimi janë fetarë dhe fenë e kanë pjesë të shtetit të tyre. Realitetin e tyre fetar perëndimorët jo vetëm që e shprehin apo deklarojnë publikisht por madje edhe e zbatojnë në praktikë pa ndonjë kompleks e as vesvese. Të gjithë jemi dëshmitarë të asaj se liderët perëndimorë betohen në Bibël me rastin e inaugurimit të tyre, vizitojnë kishat, shprehin botërisht përkatësinë e tyre fetare, siç ndodhi vetëm para pak ditësh kur kryeministri anglez pa ndonjë kompleks promovoi vendin e tij si të krishterë.


Pyetje tjetër që shton edhe më shumë habinë është se si gjejnë kohë, hapësirë dhe mundësi liderët tanë të shkojnë gjerë në Vatikan kurse këtu, në Prishtinë, xhamitë nuk i kanë as 100 metra larg zyrave dhe nuk gjejnë ‘kohë’ as vullnet të vijnë madje qoftë edhe një herë të vetme? A mos vallë kaq shumë ka domethënie për liderët tanë pjesëmarrja në një shënim të një shteti që vazhdon të mos na pranojë me arsyetime tepër fyese? E lexoja me habi një lajm, në një gazetë të krishterë në Kosovë, ndërsa qeshja me gojën plot, se si përshkruhej gëzimi i liderëve tanë për shkak të takimit me Papën: “Jahjaga e Thaçi ia prekin dorën Atit të Shenjtë”?! A thua vallë aq domethënëse qenka një prekje e atillë sa që ia vlejtka barra qiranë të shkohet gjerë në Vatikan vetëm për t’i prek dorën ‘Atit të Shenjtë’!


A thua vallë kush e bëri Atin të ‘Shenjtë’ dhe për kë vlen kjo shenjtëri. A mos vallë kjo shenjtëri vlen edhe për liderët tanë, të cilët nuk besojnë dhe nuk respektojnë as fenë e vet e lere më të tjetrit, apo mos kjo është edhe një diplomaci tjetër, në raport me Zotin, ashtu që përgëzimi për falje mëkatesh dhe fitim parajse të merret nga gjithkush tjetër përpos Atij.


Të supozojmë se, për shkaqe diplomatike, liderët tanë duhet të shkojnë nëpër tubime të këtilla, ani pse janë tipike fetare, por pse kur është në pyetje feja e popullit të tyre, të cilës edhe ata vet i përkasin, këta liderë mundohen t’i ikin realitetit e të bëhen kinse ne nuk kemi fe dhe se feja e shteti nuk kanë asgjë të përbashkët. Pse shtetet tjera laike bën ta kenë fenë e tyre, herë-herë ta predikojnë atë, të krenohen me të, të betohen në librin e tyre të shenjtë e shumë gjëra të tjera. Ndërsa në Kosovë nuk bënë as të përmendet feja, lëre më të betohen liderët në Kuran apo të marrin pjesë në ceremoni fetare siç është Xhumaja dhe Bajrami. Nuk ka dyshim se kjo është një diplomaci e brishtë, një papjekuri politike e cila tregon se liderëve tanë u ka humbur rrugën në mes të oborrit, as vet nuk po e dinë se kush janë dhe çka janë, e kjo është më e keqja. Populli në thëniet e tij të famshme ka treguar qartë ‘Kur tandes nuk ia din vleften dhe e huaja nuk te do, atehere mbetesh as me Sheher e as me Barileve’. Allahu i drejtoftë këta njerëz, po edhe neve të gjithëve. Amin dhe deri javën e ardhshme me një temë tjetër selam alejkum.  


 


Dr: Shefqet Krasniqi: RTK-ja njëanshmëri edhe në fe


 


Gjatë javës së kaluar ishin pashkët, respektivisht njëra ndër festat më të rëndësishme të krishterëve të cilët pretendojnë se Jezusi, respektivisht Isai alejhiselam u ngrit nga varri pasi që e kishin gozhduar dhe u ngrit në qiell, teori që natyrisht Kur’ani e kundërshton ashpër, ashtu siç e kundërshton mundësinë që Isai alejhiselam të jetë biri i Zoti. Ai është njëri sikurse njerëzit tjerë, përveç se ai është i dërguar dhe i shpallur Pejgamber sikurse edhe Pejgamberët e tjerë para dhe pas tij, asgjë më tepër.


Sido që të jetë, në këtë rast nuk e kam ndërmend të flasë për këtë temë, sepse për të kam folur me dhjetëra herë dhe së fundi e kemi cekur edhe në librin tim më të ri “Merjemja Gruaja më e Veçantë”, por ajo çka më shtyri të shkruaj është fakti se kësaj radhe festa e pashkëve edhe pse shkoi mbarë, për të u fol e u përfol gjatë në aspektin e sigurisë veçanërisht të ndërkombëtarëve.


Unë mendoj se shumë prej ndërkombëtarëve të ngarkuar me punë tek ne, e ndiejnë veten më të sigurt në Kosovë sesa në vendet prej nga vinë, për të mos thënë më të sigurt sesa në të gjitha vendet tjera. Falë Zotit, kjo siguri është vërtetuar që moti në të gjitha rrafshet. Madje këtë siguri e kanë dëshmuar shumë ndërkombëtarë të profileve të ndryshme. Shqiptarët përpos që e kanë si zakon ti respektojnë të huajt, ky respekt shqiptarëve u shtohet edhe më shumë për faktin se shumica e tyre janë muslimanë, ngase feja në mënyrë të prerë ndalon keqbërjen ndaj mysafirit në çfarëdo forme, edhe nëse ai është i një përkatësie tjetër fetare. Për këtë kemi shumë argumente fetare. Ani pse mal “pa ujqër nuk ka” siç thotë populli, por në vija të trasha shoqëria jonë është shumë mikpritëse, andaj aspak nuk ka pasur nevojë të flitet e diskutohet aq shumë për mundësinë e ndonjë rreziku gjatë kësaj feste. U fol gjithashtu edhe për mundësinë e njohjes së Kosovës si shtet nga ana e Vatikanit, e që vet Vatikani është deklaruar për të satën herë se nuk do ta njoh Kosovën përderisa atë ta bëjë vet Serbia, e që nënkupton të mos e njoh kurrë, deri në kiamet.


Çështje tjetër e cila mendoj se shumë kujt i ka ra në sy gjatë kësaj feste është qëndrimi i njëanshëm i RTK-së ndaj besimit katolik. Se RTK nuk është duke vepruar siç i ka hije si medium i pavarur këtë e kanë thënë kritikë të shumtë. Dyshimet për shërbimin ndaj partive të caktuara kanë ekzistuar që moti, ndërsa ato me kalimin e kohës edhe janë vërtetuar. Por, siç duket, RTK nuk ka marrë mësim. Përkundrazi, ajo jo vetëm në kuptimin politik por edhe në atë fetar po shpreh anime të caktuara. Është vënë re përgjatë gjithë kohës simpatia për Kishën Katolike dhe liderët e saj. Shumë më shumë u jepet hapësirë atyre nëpër emisione dhe debate televizive sesa muslimanëve, ani pse jemi mbi 95%. Natyrisht, nuk dua të them që atyre të mos u jepet hapësirë fare, pra nuk kemi asgjë kundër dhënies së asaj hapësire, sepse edhe ata janë pjesë e shoqërisë sonë, por ata të dalin dhjetëra herë ndërsa myslimanët a dalim apo nuk dalim njëherë kjo gjithsesi nuk është në rregull.


Edhe tash së fundmi me rastin e festës së Pashkëve, RTK, jo vetëm që shfaq këtë simpati, porse atë e bën edhe në mënyrë paksa të tepruar. Ajo publikoi lajmin e atyre 20 personave që kinse u konvertuan në krishterim, gjë që nuk do të duhej ta bënte me atë ritëm e theks. Nuk ka gjë të keqe të transmetoj festën dhe mesazhet, por jo edhe të publikoj artikuj që mund të jenë fyes dhe që shkelin politikat e një mediumi të një shteti laik. Paramendoni çfarë rrëmujë do të shkaktohej sikur me rastin e Bajramit të sillnim në Xhami 20 të krishterë dhe ta deklaronim Islamin, gjë që shumë thjeshtë mund  bëjmë madje edhe ndërkombëtar po qe nevoja. Kjo, natyrisht se do të ndizte debate dhe reagime që do të vazhdonin me javë. Nuk dua të më gjykoj dikush sikur po nxitoj. Shikojeni artikullin e publikuar në RTK dhe do të vëreni se dikujt iu është nxituar ta publikojnë atë për qëllime të caktuara. Artikulli nuk ka as edhe redaktimin më të thjeshtë gjuhësor. Është përplot gabime, madje që në titull. Në mediume sikur RTK këto gabime janë të pafalshme. Në vend të kësaj, ndoshta më e udhës do të ishte që RTK të organizonte debate për qëndrimin e Vatikanit, të cilit edhe i përket vet Kisha Katolike, dhe i cili refuzon të na pranojë për shkaqe tejet fyese për ne si shtet duke na quajtur “Djep i Serbisë”, ani pse ne i kemi ofruar krejt çka është kërkuar, duke rrënuar edhe shkollën më të vjetër dhe duke ndërtuar në vend të saj Katedrale, vetëm e vetëm për t’iu hyrë në hatër, por jo, ata nuk duan as të dëgjojnë për ne. Është e vërtetë se ata janë të lirë të veprojnë e të mendojnë çka të donë karshi nesh, fundja nuk mundë t’ua obligojmë, por siç thotë populli “ai që nuk të do, me zor mik nuk mund ta bësh”. 


Allahu i përmirësoftë mediat tona, intelektualët dhe udhëheqësit tanë si dhe popullin në përgjithësi. Amin, deri në javën tjetër selamu alejkum.

Kontrolloni gjithashtu

Komisioni për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës miraton raportin për kërkesën e anëtarësimit të Kosovës

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka shënuar një hap të rëndësishëm në procesin e …