RKL: Shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës u radhit kundër luftës së UÇK-së

Pas debatit të sotëm, (23. 4. 2014) në Kuvend, me  89 vota për,  22 kundër dhe 2 abstenime,  deputetët votuan për themelimin e Tribunalit kundër UÇK-së. Kundër votuan deputetët e Vetëvendosjes, deputetët e Lëvizjes për Bashkim, pesë deputetë të PDK-së dhe tre deputetë të AAK-së.  Për tribunalin votuan unanimisht deputetët e LDK-së, të AKR-së shumica të AAK-së dhe shumica e deputetëve të PDK-së, Po ashtu pro Tribubalit kanë votuar edhe deputetët serbë dhe ata që përfaqësojnë minoritetet. 


Nga numri i deputetëve të pranishëm në sallën e Kuvendit, nëse përjashtohen deputetët serbe, konstatohet se dy të tretat e deputetëve shqiptarë kanë votuar për themelimin e Tribunalit  kundër UÇK-së, kurse një e treta e tyre kanë votuar kundër. Është shumë me rëndësi që një e treta e deputetëve shqiptarë ruajti dinjitetin e luftës sonë çlirimtare dhe nuk u bë pjesë e dëmtimit, satanizmit dhe demonizmit të vlerave të kësaj lufte.


 Është po ashtu vetëm një e treta e shqiptarëve të Kosovës, mbase edhe më pak. E cila  ka marrë pjesë dhe ka luftuar kundër regjimit të Milosheviqit, kështu që konfiguracioni dhe shpalosja morale e kombëtare e deputetëve duhet të kundrohet edhe nga prejardhja dhe origjina politike e tyre në të kaluarën, pavarësisht se disa deputetë, të cilët votuan pro Tribunalit kanë qenë pjesë e luftës, por me kohë kanë reviduar qëndrimet e tyre me qëllim për të shpëtuar edhe kësaj radhe vetvetet  e tyre nga ndjekjet e mundshme të mujsharëve të Bashkimit Evropian.


Përveç deputetëve të Vetëvendosjes, të cilët unanimisht kanë votuar kundër Tribunalit,  nga radhët e PDK-së  votuan kundër edhe: Hydajet Hyseni, Fadil Demaku, Haxhi Shala, Lumnije Morina, Ganimete Musliu dhe  Nait Hasani. Kundër Tribunalit kanë votuar edhe tre deputetë të AAK-së: Daut Haradinaj, Ahmet Isufi dhe Time Kadrijaj. Po ashtu kanë votuar kundër edhe dy deputetët e Lëvizjes për Bashkim, Afrim Kuleta dhe Aurora Bakalli. Ka abstenuar, kryetari i  Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe deputeti, Fatmir Limaj nuk ka votuar fare.


 


Deputetët të cilët votuan për themelimin e Tribunalit, prej sot e tutje do të kujtohen si deputetë të nënshtruar, të manipuluar, të shantazhuar, mjeranë e qyqarë, pa kurrizorë, servilë e puthadorë të pushtetarëve të vendit dhe të mujsharëve të huaj, matrapazë, që për të ruajtur postet, favoret, përfitimet, pasuritë e fituara mbi kurriz të luftës votuan, kundër gjakut të derdhur për çlirimin e vendit, kundër betimit të Ushtarëve të UÇK-së, kundër aspiratave dhe luftës së Legjendarit Adem Jashari dhe të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit.


 


Ata deputetë që votuan për krijimin e një Gjyqi special, që dënon vetëm shqiptarët, të cilët kanë marrë guxim dhe  kanë luftuar për çlirimin e vendit, janë po ata deputetë që kanë votuar ligjin për amnistinë e kriminelëve serbë, janë po këta deputetë që u kanë bërë aminin të gjitha makinacioneve dhe prapaskenave, që ka luajtur mbi kurriz të shqiptarëve, Beogradi zyrtar, një segment i Bashkimit Evropian dhe kancelaritë evropiane. Ata po u shërbejnë po këtyre kancelarive evropiane, të cilat  që nga Paqja e Shën Stefanit e vitit 1877, Kongresit të Berlinit i vitit 1878, Konferenca e  Ambasadorëve të Londrës, e vitit 1913 dhe të gjitha konferencave ndërkombëtare, kanë dëmtuar deri në substancë qenien kombëtare shqiptare dhe mbajnë të ndarë  shqiptarët në gjashtë shtete të Ballkanit.


Këtyre qarqeve antikombëtare u kanë bërë shërbim sot 89 deputetë të Kuvendit të Kosovës, kryetarja e vendit, zonja, Atifete Jajhaga  që është zgjedhur në postin e kryetares, e propozuar nga ambasadori amerikan, Kris Dell,  Qeveria e Kosovës, e cila është ngulur në pushtet si pasardhëse e UÇK-së edhe pse asnjëherë në çastet kritike nuk i ka mbrojtur interesat e UÇK-së. Për më tepër i ka mashtruar dhe i  ka pacifikuar veteranët, të cilët sot nuk ndihen të gjallë, meqë shumica e tyre dërrmuese ka probleme ekzistenciale dhe nuk i besojnë më askujt. Nga ky mes i veteranëve skamnorë e të mjerë  do të jenë edhe të akuzuarit kryesorë të Tribunalit të ri të Turpit, sepse këta milionerët e miliarderët e Qeverisë, të Kuvendit, të Presidencës, edhe nëse akuzohen  nuk ka forcë, ligj apo gjykatë që i dënon. Këta angazhojnë avokatët me të njohur në botë, të cilëve u paguajnë miliona euro dhe më në fund shpallen të pafajshëm.


 


Deputetët, të cilët me fakte e argumente dëshmuan se ky tribunal është i orientuar kundër luftës së UÇK-së, në një segment edhe kundër pavarësisë së Kosovës, të paktën do të ndihen mirë me ndërgjegjen e tyre, sepse nuk janë bërë pjesë e prapaskenave të rrezikshme antishqiptare të atyre qarqeve, të cilat vazhdojnë ta trajtojnë Serbinë si “viktimë” të luftërave për mbrojtjen e Jugosllavisë dhe jo si sodomë dhe jo si shtet i kriminalizuar që ka shkaktuar qindra mijëra viktima dhe që ka luftuar kundër të gjithë popujve të Ballkanit, me qëllim që të mbetet edhe më tej  shtet xhandar në këto vende për të ruajtur interesat e Kremlinit dhe të Brukselit.


 


Sot institucionet qendrore të vendit, për hir “të miqve” kanë shkelur  me të dyja këmbët drejtësinë,  nderin dhe dinjitetin e kombit, luftën lavdiplote të UÇK-së, gjakun e Legjendarit Adem Jashari dhe gjakun e mijëra dëshmorëve  e martirëve të kombit.


Sot në Kosovë u  përsërit  gushti i vitit 1945, kur komunistët e Fadil Hoxhës për hir të Titos dhe miqve e vëllezërve të tyre sllavë,  pranuan që Kosova të mbetet nën Serbi dhe shfuqizuan Rezolutën e Vetëvendosjes për bashkimin e  Kosovës me Shqipërinë.


Sot u lëndua  deri në zemër Pavarësia e Kosovës, nëse ajo pavarësi kishte bazament luftën e UÇK-së dhe gjakun e derdhur për liri.


Sot kryetarja e Kosovës,  ish-policja, kryetarja e zarfit të Kristofer Dellit  e përtyp turpin me lugën e zezë të turpit.


Sot Qeveria konstaton se Kosovës po i bëhet padrejtësia më e madhe deri tani, por ka pranuar të bëhet edhe vetë pjesë kryesore e kësaj padrejtësie.


89 deputetë u deklaruan pro themelimit të Tribunalit  kundër UÇK-së.


 


Sot është 23 prilli i vitit 2014.


Mbajeni mend mirë këtë ditë, ditë  të nënshkrimit të turpit, të gjithë ju që jeni  bërë pjesë e këtij turpi, me qëllim për të ruajtur karriget  në Kuvend, për të ruajtur pasuritë që keni fituar mbi kurriz të këtij populli dhe për të ruajtur të paprekur favoret që iu ka ofruar dhe iu ofron pushteti,  nën pushtetin e mujsharëve të Evropës dhe të atyre miqve që aq fort  na duan, sa shpeshherë edhe na kafshojnë ku të mundin dhe tani na thonë se për hir të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, ju duhet ta dënoni luftën e UÇK-së, sepse ajo nxiti regjimin e Milosheviqit për të bërë krime e masakra. Sipas tyre, shkaktari i vërtetë për luftën në Kosovë janë shqiptarët që kanë luftuar regjimin gjakatar, dhe jo Serbia që i ka mbajtur nën pushtim, sepse paska qenë shtet që e paska ruajtur vendin, qetësinë publike  dhe territorin sipas konventave ndërkombëtare.


 


Ka mbetur që një ditë një Dik Marti tjetër  apo ndonjë zyrtar tjetër i BE-së  të kujtohet për të propozuar  që Kosova t i kërkojë falje Serbisë, të cilën e paska detyruar për të bërë krime, sepse Serbia nuk paska arsye t’iu kërkojë falje shqiptarëve për masakrimin e 1700 fëmijëve, 2.000 grave e nuseve ndër to edhe gra shtatzëna, për dhunimin shtazarak të disa mijëra femrave shqiptare, për pushkatimin e  dhjetëra mijëra të martirizuarve, për zhdukjen e 1700 të tjerëve dhe qindra mijëra të tjerë  të vrarë e të masakruar në Bosnje, në Sanxhak dhe  në Kroaci.  Me votimin për Tribunalin, deputetët shumicë të Kuvendit të Kosovës kanë votuar turpin, me qëllim për ta ruajtur rehatinë dhe pasuritë e tyre.

Kontrolloni gjithashtu

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës e lëshojnë sallën e Kuvendit, nuk marrin pjesë në votime

Në Kuvendin e Kosovës. në mungesë të kuorumit, ka dështuar të themelohet komisioni hetimor për kontratat njëburimore

Në mungesë të kuorumit, ka dështuar të themelohet komisioni hetimor për kontratat njëburimore, pasi deputetët …