Brickos

Dr. Skёnder Demaliaj: REFORMIMI I ARSIMIT TË LARTË DHE ZHVILLIMI I EKONOMISË II

Dr. Skënder Demaliaj: NJË LIBËR, HISTORI NËPËRMJET PUNËS

Mesazhet e librit “Nëpër vitet e jetës” vepër e autorit,  Ibrahim Hamza

Ibrahim Hamza është bytyҫasi që ka patur funksionin më të lartë shtetëror e partiak para viteve `90. Ka qenë nënkryetar i Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë në vitet 1982-1991, sekretar i parë i Komitetit të Partisë të Rajonit të Fierzës nga fillimi deri në mbarim të hidrocentralit, sekretar i parë i Komitetit të Partisë të Rrethit të Pukës në vitet 1982-1991. Ka botuar librat “Fierza e dritës”, “Në gjurmat e vlerave”, “Për të ardhmen e dritës”.

Jeta e tij, gjithnjë në krye të punëve ka kaluar nëpërmjet tre momenteve të rëndësishme: shkollimi e puna si mësues e drejtues, puna në ndërtimin e hidrocentralit të Fierzës dhe drejtuesi kryesor në rrethin e Pukës për gati një dekadë.

Djali i një familjeje të varfër nga fshati Zherkë i Bytyҫit të Malësisë së Gjakovës nuk e pati të lehtë të ngjiste majat e pushtetit. Sa i varfër ishte e ka treguar në librin e tij: Mori rrugën e dijes duke kaluar nga Paci në Bajram Curr, në Shkodër e në Tiranë edhe pse i vogël, vetëm 14 vjeҫ, pa e shoqëruar askush, me 300 lekë të vjetra në xhep, të cilat i kishte siguruar: 100 lekë i kishte marrë tek Vorri i Mirë në Sylbicë, ku njerëzit linin nezrat dhe 200 lekë i mori borxh tek komshiu i tij, lekë që i kishte siguruar nga shitja e ҫerepëve.

Herë në këmbë, herë me makinë (në karroceri), në borë e në shi, duke fjetur në shumicën e rasteve jashtë në Helshan e Qafë Mali mbaroi me sukses shkollën pedagogjike, Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër, dega Gjuhë-Histori, Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në Tiranë, Universitetin e Tiranës (me korespondencë) në degën Gjuhë shqipe-Letërsi, kursin pasuniversitar për Filozofi në Tiranë. I la pas të tjerët, të cilët kishin filluar shumë vite para tij studimet, bile një pjesë e tyre nuk i përfunduan asnjëherë. Arsimimi i tij ishte një përpjekje shumë e madhe dhe e vështirë në kushtet e tij familjare, me largësinë e madhe të vendeve ku arsimohej dhe me gjendjen e rëndë politike, ekonomike e sociale të Shqipërisë në ato vite. Është ndër mësuesët e parë në Bytyҫ. Punoi me përkushtim në Zherkë, në Pac, në Dragobi, në disa shkolla të Tiranës pas viteve `90 si mësues e drejtor shkolle.

Në Fierzë kalova me sukses shkollën e madhe të punës e të drejtimit – shkruan në librin e tij

 

Hidrocentrali i Fierzës është vepra më e madhe energjitike e ndërtuar në vendin tonë, e papërsëritshme në llojin e saj. Fierza prodhon 1 miliardë e 800 milionë kilovatorë në vit. Është rregullator për prurjet në hidrocentralin e Komanit e të Vaut të Dejës. 

Punë intensive, sakrifica të shumta, tensione të vazhdueshme, shqetësime e presione nga më të ndryshmet deri në përfundimin me sukses të kësaj vepre monumentale. Terreni, ku ndërtohej, një vepër me përmasa të mëdha që kërkonte ekspertizë dhe drejtim të lartë teknik dhe teknologji të veҫantë, largimi i specialistëve kinezë e bënë të vështirë përfundimin e saj në kohë e me cilësi. Vendosmëria e klasës punëtore, e drejtuesve të saj, e personelit inxhiniero-teknik bënë të mundur të përballoheshin me sukses të gjitha vështirësitë dhe t’i jepte dritë vendit në kohën e planifikuar. Nuk ka metër katrore që Ibrahimi nuk e ka shkelur shumë herë në ҫdo skaj të kësaj vepre. Punoi me projektues e inxhinierë të kalibrit të lartë: me Petrit Radovickën, Farudin Hoxhën, Emin Musliun, Miҫo Veshin, Muhedin Muҫën, Ismajl Ahmetin, Besnik Bekteshin, Edmond Pingulin, Kiҫo Negovanin, Egon Gjadrin, të cilët punuan me orar të zgjatur dhe iu dhanë zgjidhje të gjitha probleme teknike në vazhdimësi. Për punën në Fierzë Ibrahim Hamza mori Dekoratën e Lartë “Flamuri i Kuq i Punës i Klasit të Parë”.

Punonjësit e Fierzës në këto vite ndihmuan edhe për zhvillimin e qytetit të Bajram Currit (asfaltimi i rrugës Gri-Bajram Curr, asfaltimi i rrugëve të brendshme të qytetit, ndërtimi i varrezave të reja të dëshmorëve, ndërtimi i hidrocentralit në Lekbibaj si edhe transport të mallrave nga parku automobolistik i Fierzës brenda dhe jashtë rrethit etj). Mbi të gjitha  u krijua një mentalitet i ri për punën, për drejtimin, për kulturën, për mënyrën e jetesës, për marrëdhëniet dhe komunikimet midis njerëzve, midis drejtuesve dhe vartësve. Gjithashtu u përgatitën me qindra teknikë e specialistë tropojanë të zotët e të aftë në të gjithë sektorët.

Fierza e mësoi se ҫdo gjë është e mundur dhe se ҫdo objektiv është i arritshëm, se nuk duhet hequr dorë nga realizimi i detyrave përballë pengesave dhe vështirësive. Ibrahimin si drejtues e ka karakterizuar vendosmëria, mostërheqja deri në arritjen e qëllimit final. Fokusim-qendrueshmëri-këmbëngulje ishin trinomi i jetës dhe i veprimtarisë së tij. Insistimi i tij për t’u përmirësuar ia rriti dhe ia siguroi suksesin. Sipas psikologëve përpjekja vlen dyfish. Jeta dhe veprimtaria e Ibrahim Hamzës, paraqitur në librin e tij na mëson se vendosmëria mund të zhvillohet dhe se duhet të kemi besim se përpjekjet tona nuk shkojnë kot kur jemi të vendosur. Të kesh vendosmëri do të thotë të vazhdosh të hedhësh hapat njëri pas tjetrit, t’i përmbahesh një qëllimi interesant dhe domethënës, të investosh ҫdo ditë përballë një praktike sfiduese, të rrëzohesh shtatë herë dhe të ngrihesh tetë herë. Nëse në veprimtarinë tënde udhëhiqesh nga asetet themelore psikologjike: interesi, praktika, qëllimi (konkret, specifik, në shërbim të njerëzve) dhe shpresa nuk ka kala që nuk e merr, fiton zemrat dhe besimin e njerëzve. Rëndësi ka të mësosh rreth tyre, t’i zbulosh në kohë, t’i zhvillosh e t’i ҫosh më tej. 

Populli i Pukës zë një vend të veҫantë në jetën time – shkruan me entuziazëm dhe sinqeritet

 

Nuk ishte aspak i lehtë drejtimi në Pukë, një rreth malor, me klimë të ashpër, me mundësi të kufizuara për jetesë dhe pas asaj që ndodhi: arrestimi dhe dënimi i drejtuesve kryesorë të mëparshëm të rrethit. Drejtoi për 9 vjet në kohën kur filloi dhe erdhi duke u thelluar kriza totale e gjithë sistemit politik e shoqëror në vend, në periudhën e fillimit të tranzicionit politik që nisi me pluralizmin politik e krijimin e partive të reja politike opozitare. Dëgjimi me vëmendje i mendimit të specialistëve, mbështetja e tyre, mosnxitimi për të zbatuar në mënyrë shabllone orientimet që jepeshin nga lart, por veprimi mbi bazën e kushteve konkrete të vendit e ndihmuan të arrijë rezultate pozitive dhe në realizimin e detyrave. U ndërtuan vepra të reja: fabrika e pasurimit të bakrit dhe ujësjellësi në Fushë-Arrëz, stabilimenti i ri i lëndës së drurit, fabrika e fibrës, zbulimi i vendburimit të bakrit në sektorin e Lak Roshit. Prodhimi i përgjithshëm industrial në vitin 1970 ishte 63.3 milionë lekë, në vitin 1980 arriti në 121.5 milionë lekë, në vitin 1986 shkoi në 160.8 milionë lekë dhe në vitet e mëvonshme arriti në 192.7 milionë lekë. Në vitin 1981 në sektorin shtetëror punonin 8123 veta, në sektorin kooperativist 7900 veta. Në vitin 1989 në sektorin shtetëror punonin 10323 veta, kurse në sektorin kooperativist 9113 veta. Kjo si rezultat i rritjes së popullsisë për periudhën 1981-1991 me 10 mijë veta, ku mosha mesatare ishte 23 vjeҫ, më e reja në shkallë vendi. Puka në këtë kohë kishte 82 mijë hektarë pyje, nga të cilat 24500 hektarë e zinte pisha e zezë, duke zënë kështu vendin e parë në shkallë republike. Vetëm gjatë viteve 1980-1990 u mbollën rreth 10 mijë hektarë pyje të rinj. Edhe pse me tokë të pakët dhe jo shumë pjellore u arrit që në vitin 1986 të merreshin 81 mijë kv drithëra buke, 2.5 herë më shumë se në vitin 1970, dy vjet pas ngritjes së kooperativave. Në shumë parcela merreshin deri në 100 kv misër për hektar.

Stili i punës së tij ishte larg rregullave strikte e burokratike, duke i dhënë përparësi takimeve me njerëzit kudo, ku punonin dhe banonin. Si drejtues kryesor i rrethit arriti të zbutë dhe të mënjanojë konfliktet. Vlerësimi i individit bëhej mbi bazën e aftësive të tij dhe të figurës morale, duke mos u mënjanuar nga drejtimi për një gjë të vogël në biografinë e tij. Gjatë këtyre viteve në Pukë nuk pati procese gjyqësore për ҫështje politike. Iu dha zgjidhje në rrugë realiste problemeve të ndryshme që krijoheshin. Për të siguruar furnizimin me mish derri u krijuan mikrotufëzat, ku 2-3 familje fqinje me njëra-tjetrën mbanin secila nga 1 derr. Inkurajoi mbjelljen e tokave djerrë nga kooperativistët për sigurimin e perimeve për nevojat e tyre, jashtë parcelës kooperativiste. Pati, siҫ e pohon vetë ai në libër arritje dhe dështime, gëzime e hidhërime. Por detyrën e kreu me përkushtim, me seriozitet, duke fituar kështu zemrat e pukjanëvë. Falë dy cilësive të rëndësishme:

  • Komunikimit me njerëzit, i cili është edhe ҫelësi i suksesit. Komunikimi i lirshëm me njerëzit kërkon që në vend të emancipimit të disa formulave të komunikimit, të emanciposh si drejtues gjithë personalitetin tënd. Këtë e arriti bindshëm Ibrahim Hamza. Takimet e lirshme me njerëzit për hallet që kanë e rritin dhe e stimulojnë iniciativën e njerëzve të thjeshtë, të thonë pa frikë fjalën dhe mendimin e tyre, të pyesin për ҫdo gjë që e kanë të paqartë. Në komunikim ka rëndësinë e vetë ajo ҫka thuhet (mesazhi racional), por shpesh rëndësi parësore merr mënyra sesi thuhet. Kjo ka të bëjë me aspektin emocional psikologjik të komunikimeve. Asnjëherë Ibrahim Hamza në majë të pushtetit në Pukë nuk fyeu e nuk lëndoi njeri, nuk bërtiti, por ruajti qetësinë në ҫdo moment. Komunikimi i tij me njerëzit ishte i sinqertë, pa nënkuptime, pa nëntekste dhe ironi, i ҫliruar nga vulgariteti dhe banaliteti. Njohuritë psikologjike dhe pedagogjike që mori në shkollë, puna e tij si mësues për disa vite, përvoja në hidrocentralin e Fierzës e ndihmuan të ishte një drejtues edukator.
  • Cilësitë e tij të larta morale. Ngrohtësia në marrëdhëniet me njerëzit, ku ҫdonjëri ndjehej i vlerësuar, duke krijuar përshtypjen se është i rëndësishëm. Ai iu dha kohë njerëzve për të reflektuar mbi problemet e shtruara. Asnjëherë nuk mori vendime të nxituara. U foli njerëzve për ato që u interesonin. Ai ishte një dëgjues i mirë dhe që në ҫdo ҫast e kontrollonte veten. Jetesa e tij ka qenë e thjeshtë, detyrën nuk e ka parë si vend përfitimesh për veten e për familjen. Bashkëshortja e tij qëndronte në radhë në dyqane si gjithë të tjerët, në punë ishte shembull, nuk bridhte nëpër magazinat e tregtisë e nëpër zyra për të marrë autorizime për televizor, frigorifer e lavatriҫe për të afërm e miq, për t’u furnizuar me produkte që ishin me pakicë, siҫ bënin shumë nga bashkëshortet e drejtuesve kryesorë në rrethe e në kryeqytet. Asnjëherë nuk e cënoi dhe nuk e vuri në diskutim figurën dhe dinjitetin e tij moral. 

E vërteta thuhet ashtu siҫ është, me të mirat dhe të këqiat e saj 

 

Është e njohur shprehja proverbiale: “Thuaj të vërtetën dhe nuk do të mbetesh kurrë pa miq!” Ibrahim Hamza në librin e tij na përcjell mesazhin e rëndësishëm dhe aktual: “Perceptimi për të kaluarën, mbështetur në fakte është një mënyrë shumë e vështirë, por edhe shumë frymëzuese dhe kuptimplote”. Një perceptim për të kaluarën, mbështetur në fakte na shërben për të gjetur drejtimin e duhur, për t’u korrigjuar dhe për t’u përmirësuar më tej. T’i besosh forcës së faktit do të thotë të kuptosh se kur është urgjente nevoja për të marrë një mendim. Vlerësimet dhe përmirësimet që bëhen hap pas hapi mund të jenë më pak spektakolare, por janë shumë më frytdhënëse se masat drastike. Sot hidhet baltë pafund mbi arritjet në vitet 1945-1990. Mohohet gjithҫka pozitive, mundi dhe djersa e shqiptarëve në këto vite. Çlirimi i vendit konsiderohet nata e zezë e shqiptarëve. Vitet 1945-1990 sipas nihilistëve u kanë sjellë vetëm fatkeqësi e mjerim shqiptarëve. Çka nuk është e vërtetë… Ka patur plot arritje, por edhe dështime. Instinkti i fajit është instinkti për të gjetur një arsye të qartë e të thjeshtë pse ka ndodhur diҫka e papëlqyer. Nga kjo duhet nisur analiza. Pa mllefe, pa inate, pa paragjykime, pa interesa politike, me gjakftohtësi e me argumenta. Duhet kushtuar më shumë vëmendje shkakut sesa shkaktarëve. Është e nevojshme të drejtojmë energjitë për ta kuptuar ndërthurrjen e shkaqeve me tërësinë e sistemit që shkakton situatën. Nëse dikush rreh gjoksin se ka bërë diҫka të mirë, pyeteni nëse kjo do të kishte ndodhur, pavarësisht veprimeve të tij. Është urgjente nevoja për vetëvlerësim dhe të jemi të pakursyer në vlerësime të ndershme dhe të sinqerta. Buda na mëson: “Urrejtja nuk shuhet me urrejtje, por me dashuri”. Duke pranuar se mund të gabojmë, nuk do të gjenedemi kurrë në vështirësi. Çdonjëri prej nesh ndjen kënaqësi kur ka guxim të pranojë gabimet. Këto vlera dhe përfundime i gjejmë në librin e Ibrahim Hamzës: “Nëpër vitet e jetës”. Një rrëfim prekës, i sinqertë, mendjehapët, frymëzues dhe i dobishëm për të gjithë ata që e lexojnë.

Kontrolloni gjithashtu

Dr. sc. Bekim Vishaj: Në shenjë përkujtimi, 39 vite me parë u nda nga jeta Doajeni i folklorit shqiptar, Dervish Shaqa

Dervish Shaqa  u lind në fshatin Llukë e Epërme të Deçanit, në vitin 1912. U …