vipa
AKP
driloni com
Fillimi / Botimet / Dr. Skënder Demaliaj: Veçoritë psikologjike të jetës studentore në librin: “Studenti Rudi K”, i autorit, Ruzhdi Keraj
Dr. Skënder Demaliaj: Veçoritë psikologjike të jetës studentore në librin: "Studenti Rudi K", i autorit, Ruzhdi Keraj

Dr. Skënder Demaliaj: Veçoritë psikologjike të jetës studentore në librin: “Studenti Rudi K”, i autorit, Ruzhdi Keraj

E lexon librin me një frymë, nuk të mërzit, nuk ka monotoni, ka jetë, gjallëri, ashtu siç është jeta studentore. Personazhet janë të shumtë, shumica studentë, njerëz të zakonshëm, por edhe talente, që fillesat i kanë në auditorët e shkollës së lartë, por që shkëlqyen e u afirmuan kur dolën në punë. Djem e vajza çapkënë, gazmorë, shpirti dhe psikologjia e studentit në fundvitet ’60, që duan të jenë të lirë në jetën e tyre të përditshme, por edhe në marrjen e vendimeve të rëndësishme. Personazhet skaliten me 2-3 penelata, ku veçohen e theksohen veçoritë thelbësore…Të mbeten në mendje.

Studenti Rudi K. është i sinqertë në rrëfimet e tij, i drejtpërdrejtë, larg filozofimeve të thata, është me kurajo, i komunikueshëm, tepër njerëzor. Kur sekretari i partisë kërkon të prishet fejesa e Mirës me Bujarin, i cili ka biografi të keqe, ai ka guximin  të ngrihet, ta kundërshtojë atë (nuk është e lehtë se partia është mbi gjithçka) dhe të thotë: “Përse të prishet kjo dashuri e bukur, dashuri që lindi mes dy njerëzve të bukur, dashuri mes dy artistëve të ardhshëm?”

Shpirti i tij njerëzor nuk i duron padrejtësitë, manipulimet, hipokrizinë dhe servilët. I papajtueshëm me sistemin kur preket liria e individit, kur cënohet ai dhe sulmohet personaliteti i njeriut, ëndrrat dhe dëshirat e të rinjve (Duhet të vendosë Partia me cilin të dashurohesh, të fejohesh e të martohesh. Partia ka të drejtë të hyjë dhe në jetën intime të njerëzve.) Nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj ngjarjeve dhe ndodhive në mjedisin studentor.

Sjellja e tij përcaktohet nga parimet e larta morale dhe jo çfarë presin të tjerët nga ai. Veçoritë e personalitetit të tij janë: të qenurit i pavarur, realist, i shoqërueshëm me studentët, edhe me djemtë, edhe me vajzat, modest, punon fort për të afirmuar identitetin e tij, për të qenë i përgjegjshëm për vendimet që merr. Mbizotëron nevoja për arritje,autonomi, dominim (jo duke shkelur dhe cënuar të tjerët), për qëndresë dhe rregull. Është mosha ku qëllimet janë më të stabilizuara dhe shfaqen fillesat për të vendosur çfarë do të bëhet në jetë.

Dallohet nga aftësia shumë e mprehtë dhe e madhe e të vëzhguarit: bisedat dhe problematikat me shokët e kursit, me vajzat e fakulteteve të tjera, triskat e ushqimit kur ishte i vogël, shitja e latave në darkë, djemtë që hanë pa lata në mensë, mbrëmjet e vallëzimit, kopjet e studenteve poshtë fundit ose fustanit, sekretarja e rinisë që merr mungesat në gjimnastikën e mëngjesit në orën 700 para godinës së mësimit,tek pastrimi i qytetit natën vonë, kapanoni i madh si ahur, ku fle në zborin 6 mujor, papastërtia, era e rëndë e këmbëve që nuk lahen, edhe nga indiferenca e studentëve, por edhe nga mungesa e ujit dhe e kushteve më minimale higjenike, mjediset ku ai përgatit grupin artistik në qytetin e Laçit, në Korpusin Ushtarak të Shkodrës etj.

Vrojtimi është komponent thelbësor psikologjik, është një vrojtim specifik, një vrojtim permanent që i sheh të gjitha bukuritë e botës me syrin e përshkrimit artistik, të harmonizuara gjithnjë me probleme të imagjinatës. Syri sheh dhe aty me anë të imagjinatës së tij, studenti Rudi K. krijon produktin origjinal artistik.

Ky student ka interesa të gjera e të shumta: ka prirje për muzikant, regjizor, piktor, shkrimtar, i bie pianos, flautit, kompozon. Ka pasion të zjarrtë për të shkruar. Pasionet janë armiqtë e qetësisë. Pa ato në botë nuk ka as industri, as art e as shkencë.

Studentin Rudi K. e gjen në bibliotekë duke lexuar, në studiot muzikore, në peisazhin e natyrës duke pikturuar. Për të nuk ka pushim sepse zhvillimi i aftësive dhe talentit janë të lidhura pazgjidhshmërisht me zhvillimin e përgjithshëm të tyre, me formimin kulturor, mendor, moral dhe estetik. Veprimtaritë e tij janë të karakterit formues, hulumtues, jo thjesht informues.

Libri nuk është thjesht biografia e tij gjatë jetës studentore, por një krijim artistik sepse në vetëdijen e krijuesit bëhet pasqyrimi i realitetit, pastaj transformimi në një krijim artistik. Figura artistike është mbartëse e të veçantës, konkretes dhe njëkohësisht është një përgjithësim i karaktereve tipike dhe rrethanave tipike. Në krijimtari kemi (si operacion mendor) arsyetimin dhe ballafaqimin me realitetin.

Libri dëshmon për punën, përpjekjet, këmbënguljen dhe vullnetin e tij të hekurt për t’u formuar si artist. Që në shkollën e lartë kompozoi këngë për fëmijë, këngë për anketat në Radio-Tirana, këngë për Festivalet e Radios, për Koncertet e Majit, muzikë për filma dokumentarë, drejtoi grupin artistik në Laç, grupin artistik të Korpusit Ushtarak të Shkodrës. Edhe punonte me orë të tëra me këto grupe, edhe studionte mbi tre orë për përgatitjen e Diplomës. Është një model për studentët e ditëve të sotme. Puna dhe vetëm puna është çelësi i suksesit. Sipas psikologëve, njerëzit me vullnet të fortë e kalojnë me sukses detin e jetës, kurse ata me vullnet të dobët vetëm lahen në të. Talenti në thelb është dashuria për punën. Gjenialiteti dhe aftësia për punë janë si dy motra që ecin bashkë. Pa punë nuk mund të njohësh talentin, por pa talent nuk mund të ecësh larg. Puna dhe kërkesa për veprimtari-janë faktorë të rëndësishëm për edukimin dhe zhvillimin e aftësive. Të dyja këto kanë qenë pjesë e jetës së studentit Rudi K. A nuk kanë thënë njerëzit e mëdhenj: “Jetove aq sa punove… Rrojmë  me punë e jo me vite… Një njeri nuk është më shumë se një tjetër në qoftë se nuk punon më shumë se një tjetër.”

Temën e dashurisë e ka parë dhe trajtuar në tre elementet përbërës të saj:

Intimiteti (respekti, mirëkuptimi, mbështetja, komunikimi, lumturia).

Pasioni – eksitim fiziologjik, dashuria seksuale.

Përbërësi kognitiv – qëndrueshmëria e lidhjes.

Studenti Rudi K. e ka dashur, e ka kërkuar dhe e ka realizuar suksesin. E ka shoqëruar pritshmëria për suksesin që synonte. Motivi i suksesit e ka çuar drejt perfeksionit. Është kjo arsyeja që të gjithë studentët e njihnin, e respektonin, e vlerësonin për talentin e tij, por edhe për cilësitë njerëzore.

Studenti Rudi K. është udhëhequr nga motoja: Roli i vërtetë i njeriut është të jetojë, jo thjesht të ekzistojë.

Bashkohem me mendimin e shprehur në parathënien e librit se në këtë vepër, në formë autobiografike “…në fjalën e shkruar janë bashkuar magjia e tingullit të muzikës me atë të ngjyrës së pikturës dhe ndërthuren në balancë perfekte situatat e trishta dhe mallëngjyese me ato lirike dhe intime e ato komike e dramatike.”  E  thjeshta me të madhërishmen, e bukura me të shëmtuarën, komikja me tragjiken, përmbajtja me formën, individualja me tipiken janë në harmoni me njëra-tjetrën, plotësojnë njëra-tjetrën, krijojnë humor, nxjerrin në pah veçoritë kryesore të moshës studentore, e ndihmojnë lexuesin të meditojë për këtë moshë e për atë periudhë historike dhe të analizojë e të arsyetojë zhvillimet politike, estetike, letrare e psikologjike.

Ruzhdi Keraj lindi dhe u rrit në një familje tradicionale, intelektuale shkodrane. Kjo ndikoi fuqishëm në zhvillimin e personalitetit të tij dhe të talentit, ku ndikimin më të madh, siç shkruan në libër, e pati vëllai i tij dhe mësuesi i muzikës Prekë Jakova. U mërzit shumë për vdekjen e tij të parakohshme. Më shumë u mërzit për rrethanat që çuan në vdekjen e tij tragjike.

Mjaftorja, studentja nga Vlora që e njohu, u dashurua me të në Qytetin e Studentit, bashkëshortja e tij e ardhshme, punoi për vite të tëra si mësuese e letërsisë në shkollat e mesme në Laç e Tiranë, njohëse shumë e mirë, jo vetëm e letërsisë, por edhe e artit. E ndihmoi dhe e mbështeti bashkëshortin e saj në rrugën e suksesit.

Sokoli, djali i tij, regjizor filmash në Bogota, djali tjetër Skerdiano violinist, profesor në Këln, Gjermani. Pata rastin të ndjek para disa kohësh në sallën e Akademisë së Arteve Tiranë një koncert të tij, ku ai ishte në rolin e dirigjentit. Dhe ia doli mbanë me shumë sukses. Një familje artistash të vërtetë. Me talent, me pasion, me përkushtim e me vizion.

Autori e mbyll librin: “Eca, vrapova, ngeca, u rrëzova, u vrava, u ngrita, qesha, qava dhe në fund jam gati për një garë tjetër. Jeta është një udhë me shumë stacione, fiton ai që nuk di ku të ndalet e ku të nisë vrapin.”

Është sinteza e jetës së tij. Një jetë dinamike, me gëzimet dhe hidhërimet e saj, me vështirësitë, zik-zaket, enigmat dhe me qëllimet e mëdha të saj. Një jetë, nga e cila ka mësuar shumë. I gatshëm për ta rifilluar e për ta rishijuar e rigëzuar pafundësisht…

 (Autori është shef i Departamentit në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë).

Kontrolloni gjithashtu

Ermira Babamusta: Doli nga shtypi libri filozofi politike “Etikë dhe Politikë” i autorit Bujar Plloshtani

Ermira Babamusta: Doli nga shtypi libri filozofi politike “Etikë dhe Politikë” i autorit Bujar Plloshtani

Doli nga shtypi libri më i ri me ese “Etikë dhe Politikë” i autorit, Bujar ...