Gurakuq Kuçi

Gurakuç Kuçi: Territorializimi, asociacioni dhe hapja e “Kutisë’’ së Ahtisarit!

Shtetmëdhenjtë të cilët kuptojnë rëndësinë strategjike, lëvizin gurët historikë, politik dhe juridik, që të dërgojnë vendin nga pozicioni i pafavorshëm negociues në favor të pozicionit strategjik negociues. Shtetmëdhenjtë që shteti i tyre nuk është humbës, në negociata nuk pranojnë ku vendi i tyre nuk është të paktën i barabartë në kërkesa. Kosova një dekadë pas shpalljes së pavarësisë, po kërcënohet t’i hapën shumë dritare të sanksionuara që të mos hapen asnjëherë me kushtetutë dhe pakon e Ahtisarit.

Përkundër këtij kërcënimi që do duhej të shpallte panik tek shtetarët për shtetin, në efekt po ndodh e kundërta ku kemi panik nga shtetarët për vetën-individ. Realisht, shtetarët e vërtetë kurrë nuk i zë paniku, ata gjithmonë kanë të paktën një strategji, me të cilën veprojnë taktikisht.

Por, kur janë ashtu siç do i quante Kanti “spitullaqë e pipiruqë” për të mbuluar dhe shpëtuar vetveten janë të gatshëm që shtetit t’i shkaktojnë fiasko politike, shtetërore dhe kombëtare, duke përdorur pika të dhimbshme nacionale, si Luginës së Preshevës (Tutje vetëm Lugina).

Duhet së pari, të saktësojmë se cilat pjesë përfshinë sot Lugina (termi Luginë, është term ushtarak), a po flasim për Luginën si pjesë territoriale apo për pjesën etnike ku jetojnë shqiptarë?

Pastaj, çka përfshinë ‘korrigjimi’ si term në rastin në fjalë për ndryshim territoresh? A zgjidhet vërtetë problemi i shqiptarëve në atë pjesë? A përfshihen edhe populli me pronat e tyre të cilat mund të shtrihen edhe tek vendbanimet ku ka serbë apo etni tjera?

Është shumë e rëndësishme të kihet parasysh se çka po jepet në këmbim, është banale të mendohet se lëre më të thuhet që nuk do të ketë këmbim, sepse po i bie ndarje e Serbisë jo më e Kosovës.

Presheva e cila ka dalje në Kumanovë të Maqedonisë përveç me Kosovën lidh më lehtë shqiptarët etnikisht. Por, Presheva dhe Bujanoci kanë shkëputje kufitare me Medvegjën, dhe kjo e fundit ka fare pak banorë shqiptarë, dhe pothuajse nuk ka gjasa të përfshihet në ndryshimin territorial. Në territorin e Preshevës kalon magjistralja Beograd-Nish-Shkup, dhe aty afër edhe hekurudhat, që janë Korridori X i Evropës, pasi e lidh Evropën e Mesme me atë Jugore. Dhe këto bëjnë që Serbia të japë territor të Luginës vetëm deri tek korridori i dhjetë dhe të manipuloj me kilometra territorialë në pjesën e kontestuar tek Gjilani.

Pozita gjeografike e Luginës që shtrihet në pjesën qendrore të Gadishullit Ballkanik, në vete përmban edhe rrjedhat ujore të Moravës dhe Vardarit, përderisa Medvegja ka rrjedhë ujore të lumit të Jabllanicës, degë e Moravës Jugore.

Në anën tjetër, veriu i Kosovës përfshin vargmalet e Kopaonikut, me rëndësi strategjike për të cilat kam shkruar më herët për përballjen NATO-Rusi, Çakorr-Kopaonik, pasi Kopaoniku përmban edhe një bazë ushtarake telekomanduese, por ka edhe rëndësi ekonomike turistike me rreth 600 hektar vargmale. Veriu përfshin edhe Liqenin e Ujmanit (Gazivodës) që rreth 70% e prodhimit të energjisë në Kosovë varet nga ky liqen. Dhe veriu ka resurse natyrore si minierat e Trepçës.

Kështu këto lëvizje sa i japin një pikë Serbisë (Rusisë) nga Kopaoniku me demarkim, në anën tjetër, nga Lugina kufiri i Serbisë me Maqedoninë zvogëlohet dhe NATO ka aftësi të afrohet me bazën ruse ushtarake dhe të spiunazhit në Nish.

Por përtej shkëmbimit klasik të territoreve mund të ketë një hile edhe më të madhe, në kontekstin e shtrirjes së Kosovës, ndarjen e vijës me Sanxhakun dhe Bosnjën!

Bashkësia Ndërkombëtare në çdo format që bien dakord palët në dialogun Kosovë-Serbi, është në favorin e tyre, dhe si të tillë janë të gatshëm madje të ndihmojnë plane territoriale në mos edhe iniciues si të përmendura më lartë. Andaj, mbetet në duart e Kosovës që të shfrytëzoj këto konjuktura nëpërmjet diplomacisë së mesme shumë-nivelesh.

Kosova para vetes ka një prani të NATO-së të paluajtshme në çdo lloj të marrëveshjes, dhe para vetes ka opinionin pro pavarësisë të Gjykatës Ndërkombëtarë të Drejtësisë. Andaj, në kuadër të këtyre konjukturave ndërkombëtare, Kosova duhet të kornizoj interesat e saj.

Me kauzën e Luginës, po fshehën fiaskot që do i shkaktohen Kosovës, ku imponohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, sipas marrëveshjes së Brukselit, si institucion paralel me diktim nga Serbia. Zbutja deri në mbyllje apo konflikt të çështjes së luftës mes Kosovës dhe Serbisë, që shmang përgjegjësinë e Serbisë.

Gjithmonë ka mënyra e mënyra politike për bishtnime ligjore, e të imponohet kushtetutshmërish ky asociacion, si pushtet paralel që bosnjizon Kosovën.

Kur jemi përpara këtyre çështjeve, atëherë decidivisht po hapet ‘Kutia’ e Ahtisarit!

Rrethi i vijave të reja kufitare e pastron Serbinë nga çështjet e hapura si Lugina dhe Sanxhaku (këta të fundit po tentojnë të shfrytëzojnë Kosovën për çështjen e tyre), ku me dhënien e një pjese të vogël të Luginës, mbyllet çështja historike mbi territorin dhe të drejtat e popullit të aneksuar. Pastaj, me autonominë substanciale të veriut të Kosovës dhe serbizimin e saj de jure, si një akt fait accompli që është tani, e rrethon me serbë nga Kosova dhe Bosnja përfundimisht Sanxhakun, pasi nga ana e Bosnjës fillon Republika Serpska që potencialisht edhe mund ta hapë çështjen e RS.

Andaj, ashtu si vitin e kaluara që Kryeministrja e Serbisë, kishte deklaruar se veriut të Kosovës duhet t’i jepet autonomi substanciale dhe të bisedohet për çështjen e serbëve brenda komunave dhe fshatrave tjerë të Kosovës, e bënë asociacionin që të jetë një autonomi gjithëpërfshirëse e serbëve në Kosovë dhe monoetnike.

Në kuadër të kësaj Kosova duhet të pikë-veproj me strategji ku duhet të kërkoj dhe fusë në lojë çështjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe që të kufizohen të drejtat, përfaqësimi i tyre në Kuvend dhe institucione si element shkëmbimi me asociacionin, dhe të lirohet nga barra të tjera kushtetues që nuk e lejojnë Kosovën të formojë ushtri pa kompromis nga Serbia. Këtu qëndron mundësia që ky asociacion të mos kërkoj komandë dhe decentralizim të ushtrisë së ardhshme.

Dhe pas këtij procesi Kosova të ndryshoj sistemin dhe ligjin zgjedhor ku përfaqësimi me shumë zona zgjedhore amortizon mbi-përfaqësimin serb dhe shfrytëzimin e serbëve të Kosovës nga Serbia. Ose ndryshe, asociacioni duhet të bëhet vërtetë sipas një koncepti të një OJQ-je ku statuti i OJQ-ve është shabllon, ku nuk bëhet fjalë më për çështje shkëputje, referendumi, autonomie dhe gjëra që kanë cilësi shtetërore. Në kuadër të të gjitha këtyre levave të kërkohet njohja e padiskutueshme e shtetit të Kosovës (assesi këmbimi i mos-njohjes me ulëse sepse efekti i ulëses në OKB nuk e siguron shtetësinë e vërtetë, dhe efekti i ulëses humb ndikimin kur mos-njohja bëhet akt juridik edhe për shtetet dhe organizatat tjera), nga ana e Serbisë dhe gjithsesi çështja e viktimave të luftës, të zhdukurve, reparacioneve, shpëlarja me mbetjet e obligimeve nga ish-Jugosllavia, heqja e Kosovës nga Kushtetuta e Serbisë e çështje të tjera, që në përgjithësi duhet të jenë të vendosura si pika në strategji të Kosovës, e cila nuk ekziston.

Këto duhet përmbledhur që me kujdes të shikohet çështja e Luginës.

Andaj ato pritjet emocionale se do ketë këmbim territoresh dhe Lugina i kalon Kosovës si tërësi, është një mashtrim i njerëzve të paskrupullt të cilët që nga paslufta asnjëherë nuk janë ndalur duke mashtruar dhe gënjyer qytetarët e Kosovës, ashtu si Serbia qytetarët serbë shtetas të Kosovës.

Sidoqoftë, këto negociata na gjejnë të radhitur karshi shteteve të dështuara, me korrupsion enorm, ekonomi të dështuar, papunësi dhe përfaqësim diletant që e bëjnë automatikisht Kosovën humbëse, e cila edhe tani po mbahet falë sponsorëve të saj ndërkombëtar.

Synimi i këtij artikulli, është më shumë që të kihet parasysh se çka po synohet dhe jo të ofroj një zgjidhje me disa reshta, dhe të vijë në shprehje kornizimin e një strategjie dhe jo sharlatanizëm medial.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …