Brickos

Dr. Sylë Ukshini

Dr. Sylë Ukshini: PLANI “PATKOI”, QËLLIMI STRATETGJIK SERB I SPASTRIMIT ETNIK TË KOSOVËS IV

Debati në Bundestagun gjerman

Plani strategjik ushtarak “Patkoi” dhe çështja e legjitimitetit të vendimit të koalicioni kuq-gjelbër lidhur me pjesëmarrjen e Bundeswehrit  në operacionin e NATO-s kundër Jugosllavisë së mbetur u bënë temë e debateve të shumta në mes pozitës dhe një pjese të opozitës gjermane në Bundestag, si dhe një nga temat më përfolura në konferencat për shtyp gjatë dhe pas luftës.  Treshja qeveritare, Shrëder-Fisher dhe Sharping u bënë mbështetës të vendimit të NATO-s për ndërhyrje në luftën e Kosovës, madje dhe pa mandatin e Këshillit të Sigurimit, me qëllim që të evitohej katastrofa humanitare dhe të pamundësohej dëbimi i përhershëm i shqiptarëve nga Kosova.  Në anën tjetër, një pjesë e opozitës, kryesisht nga e majta radikale, ish-komunist, si dhe një grup i vogël i pacifistëve nga radhët e të gjelbërve dhe socialdemokratëve shfaqte dyshime për këtë angazhim të ushtrisë gjermane, duke pretenduar se ky veprim shkelte parimet e politikes tradicionale gjermane dhe binte ndesh me te drejtën ndërkombëtare.

Bundestagu gjerman u takua më 15 prill 1999 në një takim të veçantë për të debatuar për gjendjen në Kosovë. Për shkak të kundërshtive të brendshme të grupeve pacifiste, para së gjithash të të majtëve të PDS-it, qeveria e koalicionit kuq-gjelbër mbronte qëndrimin se në javët dhe muajt para fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s bashkësia ndërkombëtare kishte bërë përpjekje për arritjen e një zgjidhje politike të çështjes së Kosovës. Po ashtu, qeveria federale iu kundërpërgjigj kritikave se Millosheviqi kishte qenë ai që kishte penguar çdo zgjidhje politike, duke kryer krime ndaj popullatës shumicë shqiptare në Kosovë. Për shkak se ministri gjerman i Mbrojtjes, Rudolf Sharping, mbronte pjesëmarrjen e Bundeswehrit në operacionet ajrore të NATO-s dhe e kishte pohuar ekzistencën e Planit “Patkoi”, deputetët e opozitës së majtë nga radhët e PDS-it e quanin si “Kriegsminister“.

“Më në fund kemi dëshmi për atë se spastrimi dhe dëbimi i shqiptarëve të Kosovës ishte i planifikuar me të gjitha detajet dhe emërimet për njësitet pjesëmarrëse jugosllave… Informacionet u morën nga një burim i besueshëm i Shërbimit Informativ. Përpunimi dha një pasqyrë të qartë trishtuese. Unë vendosa që ky plan “Patkoi “të bëhet publik në ditët vijuese“, pati thënë Sharping,141 i cili ishte kritikuar ashpër në opinion nga kundërshtarët e bombardimeve të NATO-s ndaj Jugosllavisë së mbetur.

Duke diskutuar për gjendjen në Kosovë, kancelari i atëhershëm federal, Gerhard Schröder,  para deputetëve të Bundestagut, deklaronte se: “Udhëheqja jugosllave që nga fillimi ka besuar dhe planifikuar fushatën e spastrimit etnik, një fushatë, dëshmitar të së cilës jemi ne sot.  Kjo, të nderuar zonja dhe zotërinj,  deri më sot u ka kushtuar me jetë mijëra njerëzve në Kosovë. Jam i tronditur me imazhet e përditshme të vuajtjes së refugjatëve. Ne kemi parë shtëpi të bombarduara dhe dëshmitarët e deportuar kanë raportuar neve gjëra të tmerrshme. E gjithë kjo është vepër e ushtrisë dhe policisë “jugosllave”. Pa marrë parasysh se cilin ju e takoni apo përpiqeni ta intervistoni, kjo nuk e ndryshon realitetin: Dëbimi dhe vrasjet kishin filluar shumë më herët sesa kur NATO-ja filloi aksionin e saj ushtarak, dhe ajo kishte filluar vetëm që të mund t’i jepte fund deportimit dhe dëbimit.”142 Ndërsa, ministri i Jashtëm Joshka Fisher pohonte se plani “Patkoi” mund të quhet si të dëshirohet, por e rëndësishme ishte se ky plan kishte filluar të zbatohet qysh në vitin 1998. Ai bëri thirrje për ta kuptuar saktë intencën e këtij plani duke lexuar biografitë e familjeve shqiptare nga Kosova që ishin vendosur në Gjermani dhe historitë e tyre të dëbimit.

“Atëherë do ta kuptoni atë çfarë ka ndodhur një vit më parë dhe në fillim vitin 1999.  Kemi 300 000 mijë të dëbuar brenda Kosovës, kjo do të thotë se gjërat tashmë ishin në zhvillim të plotë. Shesheli, zëvendëskryeministri i qeverisë serbe, dëshiron dhe synon një Kosovë pa shqiptarë. Më tej, ai pohonte se për ta pamundësuan realizimin e kësaj ideje, erdhi reagimi i NATO-s, të cilin me zemër të thyer e kishte mbështetur qeveria kuq-gjelbër. Ajo arriti ta ndërpriste katastrofën humanitare, për fat të keq vetëm ta ndërpriste”, kishte thënë Fisher.

Ndërsa, deputeti nga radhët e SPD-së, Peter Struk, pretendonte sse që nga pranvera e vitit 1998, elita shtetërore serbe në krye me Millosheviqin po zhvillonte një aksion dëbimi dhe të shkatërrimit të fshatrave shqiptare në shkallë të gjerë. Sipas tij, para dhe gjatë marrëveshjes Hollbruk-Millosheviq ishte dizajnuar  plani “Patkoi” për dëbimin e shqiptarëve dhe se ishte realizuar derisa bashkëpunëtorët e Milosheviqit ndodheshin në tavolinën e bisedimeve në Rambuje. “Ky plan parasheh shpopullimin e Kosovës nga shqiptarët. Prandaj, kjo nuk duhet të lejohet të ndodhë”143, ka deklaruar në Bundestag, deputeti Struk.

Rezzo Schlauch, (Aleanca 90/Të gjelbrit), duke shpjeguar kërkesa e përhershme e të gjelbërve gjerman “Kurrë më luftë“, nënkuptonin ”Kurrë më gjenocid“, ka thënë prerazi se dëbimi i shqiptarëve nga Kosova mund tëduke shtuar se pengimi ndalohej vetëm dukepërdorimin e mjeteve ushtarake kundër Millosheviqit144, veprim që kontestohej nga disa grupe pacifiste dhe e majta radikale gjermane.

Pavarësisht kritikave të një pjese të opozitës, ministri gjerman i Mbrojtjes këmbëngulte se ai kishte në dorë planin serb “Patkoi“, i cili nuk mund të shpalosej në hollësi, shkaku i konfidencialitetit. Në një konferencë shtypi më 16 prill 1999, afërisht një muaj pas fillimit të bombardimeve- Sharping i bëri të njohur shtypit njoftimet më të reja lidhur me luftën në Kosovë, përkatësisht për krimet serbe mbi popullsinë civile shqiptare: Ushtarët serbë kanë vrarë gra shtatzëna u kanë nxjerr  foshnjat nga barku”145, duke shtuar se me “kokat e të vrarëve kishin luajtur futboll”146

Scharping, edhe në librin e tij ditar për luftën e Kosovën, ka mbrojtur q qëndrimin se dëbimi sistematik dhe vrasjet masive nuk ishin një politikë e rastit e regjimit të Millosheviqit. Sipas tij, operacionet ushtarake dhe policore serbe kundër popullsisë shqiptare në Kosovë ndodhën shumë kohë para hartimit të një plani të tillë.147

Nga ana tjetër, Winfried Nachtwei,  anëtar i partisë gjermane ekologjiste Aleanca 90/Të gjelbrit, në Komisionin e Mbrojtjes,  e kundërshtonte me forcë konstatimin e homologut të  tij partiak, Joshka Fisher, për ekzistimin e planit operacional të serbëve për luftën në Kosovë dhe synimin e tij për ndryshimin e dhunshëm të strukturës etnike në Kosovë.148 Nachtwei vlerëson se ky plan nuk luajti ndonjë rol të rëndësishëm për deputetët e Bundestagut gjerman, por kishte një rol të veçantë për publikun e gjerë, meqë një zhvillim i tij mund të shihej  si dëshmi për politikën dëbuese serbe. Ka qenë një gabim i deputetëve gjermanë që “nuk kanë menduar në mënyrë radikale e konsekuente lidhur me alternativën e sulmeve ajrore”, pohon Nachtwei, duke bërë aluzion se nuk janë përdorur maksimalisht mjetet politike dhe diplomatike për arritjen e një zgjidhje paqësore. “Edhe më tej kam shumë pikëpyetje, nëse është bërë gjithçka, pohon ky politikan, kur flet për angazhimin e Bundeswehrit në konfliktin e Kosovës. Më kritik në këtë drejtim ishte deputeti gjerman nga radhët e PDS-së, një trashëgimtare i ish-komunistëve gjermano-lindor, Gregor Gysi, i vetmi politikan gjerman që shkoi në Beograd dhe u takua me Millosheviqin në kohën e bombardimeve të NATO-s, por që me asnjë fjalë nuk e kishte dënuar fushatën e spastrimit etnik. Në këtë kontekst, ai kishte vënë në dyshim ekzistencën e planit “Patkoi“ me argumentin se plani i tillë quhej sipas fjalës kroate “Patkova“ dhe ekspertët ushtarakë serbë nuk do të hartonin një plan të tillë në këtë gjuhë.149

Një vit pas sulmeve ajrore të NATO-s kundër Jugosllavisë së mbetur në Bundestagun gjerman më 5 prill 2000 sërish do të zhvillohen diskutime kundërthënëse për përmbajtjen dhe publikimin e origjinalitetin e dokumentit “Operacioni Patkoi.”150 Pretendimeve të një pjese të opozitës dhe raportimeve kritike të mediave se ka pasur manipulime të fakteve nga Perëndimi me rastin e përgatitjes të operacionit ushtarak të Aleancës atlantike kundër regjimit të Millosheviqit, ministri i Jashtëm gjerman Joshka Fisher i vlerëson si të pavërteta të gjitha pikëpamjet që vënë në pikëpyetje ekzistencën e planit “Patkoi” dhe masakrën e Reçakut.151

Ministri i Jashtëm gjerman thotë se plani ushtarak “Patkoi” nuk kishte pasur “funksioni e shkaktarit” të ndërhyrjes së NATO-s kundër regjimit të Beogradit, duke qartësuar se ky plan ishte bërë i njohur në Gjermani tek në fillim të prillit 1999 përmes shërbimeve inteligjente. Për më tepër, sulmet e NATO-s kundër Jugosllavisë së mbetur kishin filluar më 24 mars 1999, pasi sipas UNHCR-së në këtë periudhë mbi 200 mijë shqiptarë në Kosovë ndodheshin në arrati, ndërsa 100 mijë të tjerë tashmë ishin larguar jashtë vendit.152

Deputeti Heidi Lippmann (PDS), kishte pyetur ministrin e mbrojtjes lidhur me origjinalitetin e dokumentit “Operacioni Patkoi”. Sipas tij, udhëheqja ushtarake serbe synonte dëbimin në mënyrë sistematike dhe të plotë të popullsisë shqiptare dhe kërkonte prova për qëllimet e atëhershme për shkatërrimin e njësiteve ushtarake të UÇK-së. Ministri gjerman i mbrojtjes, Rudolf Sharping, kishte përsëritur deklaratat e tij të mëhershme në lidhje me ekzistencën e planit “Patkoi”, duke shpjeguar se burimet origjinale kishin konfirmuar se qëllimi i operacionit “Patkoi” ishte neutralizimi i UÇK-së. Sipas ministrit gjerman, dëbimi i popullatës shqiptare nga Kosova me qëllim të ndryshimit të dhunshëm rajonal dhe demografik në Kosovë ishte gjithashtu pjesë e planeve serbe dhe një gjë e tillë ishte konfirmuar nga zhvillimet në terren.153

Ai tërhiqte vëmendjen e Bundestagut se “në momentin e Marrëveshjes Holbruk-Miloseviq brenda Kosovës ishin dëbuar 200 000 shqiptarë, ndërsa jashtë Kosovës kishte 98 000 të dëbuar. Në periudhën e bisedimeve në Rambuje brenda Kosovës kishte 210 000, ndërsa jashtë Kosovës 50 000 të dëbuar. Ndërsa në momentin e bisedimeve në Paris u rrit numri i të dëbuarve jashtë Kosovës në 60 000 të dëbuar. Me 24 mars 1999 numri i të dëbuarve në Kosovë ishte 250 000, ndërsa jashtë Kosovës kishte 100 000 të dëbuar. Në këtë pikë, këto zhvillime konfirmojnë atë që ne kemi si material burimor.“154 Nga ana tjetër, eksperti i SPD-së, për politikë të jashtme, Gernot Erler foli për një debat të çuditshëm dhe drithërues, që është fokusuar me ngulm për punën e ministrit të Mbrojtjes Rudolf Sharping, i cili si në Gjermani dhe jashtë saj  kishte fituar respekt të madh për angazhimin e tij përkrah Aleancës Antlantike nga përqendrimi në operacionin “Patkoi”, ekzistencën e tij dhe emërtimet variant “Potkova” apo “Potkovica”.

Në këtë debat ai foli edhe për artikullin e 8 prillit 1999 të revistës “The Times”, në të cilin ishin publikuar provat se metodat e dëbimit të shqiptarëve nga Kosova ishin përgatitur prej shumë muajsh dhe pastaj fjalë për fjalë konstatohej: “CIA e kishte mësuar qysh në vjeshtë 1998 për një plan me emrin e koduar “operacioni Patkoi” me qëllim për brenda disa muajve vrasjen dhe dëbimin e shqiptarëve”.155

Por, disa deputetë në Komision i kishin kërkuar Sharpingut shpjegime të mëtutjeshme. Zëdhënësi i CDU-së për politika të mbrojtjes, Paul Breuer, deklarimet Sharping i cilësonte të pamjaftueshme. Ndërsa, deputeti Karl Lamers, i unionit CDU/CSU,  deklaroi në Bundestag se operacioni “Patkoi” dhe Raçaku luajnë edhe sot një rol të madh, për shkak se përfaqësuesit e qeverisë federale një vit më parë i kishin përdorur në “formë moralisht të tepruar”. Kurse Christian Schmidt (Fürth) (CDU/CSU), kujton se ky përdorim “i tepërt” para së gjithash i kishte shërbyer qeverisë në debatet e Bundestag-ut, sidomos për të bindur të majtën në kampin e tyre qeveritar për domosdoshmërinë e angazhimit të NATO-s.156

Derisa deputetja nga radhët formacionit politik ekologjisë, Aleanca e Gjelbër, Angelika Beer, e mbronte edhe një herë si të pa alternativë vendimin e një viti më parë të qeverisë federale për operacionet ajrore kundër Jugosllavisë së mbetur, kolegia nga radhët e grupit të saj partiak Annelie Bunde Bach e kritikonte këtë pikëpamje dhe kërkonte shpjegime të plota për Reçakun dhe operacionin “Patkoi”. Beer theksonte po ashtu se popullata gjermane kishte dëshmuar gatishmëri dhe zemërgjerësi për situatën e krizës dhe se shteti gjerman kishte pranuar refugjatë të luftës.157 Nga Kosova për shkak të rrethanave të cilat mbretëronin atje, kishin ardhur në Gjermani mbi 200 000 persona.158

Një zë kritik në skenën gjermane jashtë Bundestagut lidhur me përfshirjen e Gjermanisë në operacionet e NATO-s në luftën e Kosovës është edhe gjenerali i dikurshëm i armatës gjermane, Heinz Loquai159,icili mbante një qëndrim kritik lidhur me pohimet e Ministrisë gjermane e Mbrojtjes se kishte në dispozicion planin “Patkoi“, duke pretenduar se qeveria gjermane kishte vetëm indikacionet për një plan të tillë.160 Loquai dhe bashkëmendimtarët pretendonin se plani ishte shpikur për të arsyetuar pjesëmarrjen e Gjermanisë në këto bombardime.

Në vitin 2001 kanali televiziv gjerman WDR në dokumentarin “Es begann mit einer Lüge “161 pretendon se e gjithë historia ishte fiktive dhe shërbeu vetëm për të përligjur operacionet ushtarake të NATO-s, përkatësisht përfshirjen e ushtrisë gjermane në këtë operacion ushtarak. Ky raport, nga ana tjetër, ishte cilësuar si raportimi i njëanshëm nga gazetari i njohur Matthias Ryb (FAZ)162 dhe nga Claus Christian Malzahn (Der Spiegel)163,të cilët  ukritikuan për pasqyrim selektiv të dëshmive dhe për metoda “të papastra” të kërkimit. Kësaj kritike iu bashkuan edhe gazetari dhe themeluesi i organizatës humanitare “Cap Anamur”, Rupert Neudeck, dhe deputeti i Bundestagut Norbert Blym (CDU), të cilët kontestuan të gjeturat e filmit të WDR-it.

Nga sa u tha më sipër, duket qartë se qarqet politike dhe mediat që konteston të drejtën e ndërhyrjes së NATO-s në luftën e Kosovës, në të njëjtën kohë kontestuan edhe ekzistencën e planit “Patkoi”, si dhe të masakrës së Reçakut,duke akuzuar qeverinë federale dhe NATO-n për mungesë vullneti për të shfrytëzuar mundësitë politike për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Për ta përligjur një qëndrim të tillë u operua me konstruksione të ndryshme, gjysmë të vërteta dhe teori të komplotit, vetëm e vetëm që të kontestohej ndërhyrja e  e Aleancës Veriatlantike në evitimin e katastrofës humanitare në Kosovë dhe për dhënien fund të vrasjeve dhe dëbimeve masive të popullatës shqiptare. Në këtë kontekst, krahas hedhjes së dyshimeve rreth masakrës së Reçakut, plani serb “Patkoi“, është edhe një tjetër rast, që u politizua skajshmërisht në nga një pjesë e mediave dhe politikanë gjermanë, kryesisht nga grupe politike me orientim majtist.

Në anën tjetër, qeveria e koalicionit kuq-gjelbër si dhe opozita me orientim djathtist ( CDU, CSU dhe FDP), mbronte qëndrimin e vetë fushata e spastrimit etnik në Kosovë ishte dëshmia më e mirë e ekzistimit të planit “Patkoi”, i cili po përdorej si instrument për serbizimin e Kosovës. Sipas tyre, ishte kjo ndërhyrje ushtarake që ia pamundësoi udhëheqjes serbe arritjen e këtij qëllimi. Në fund, fushata ajrore e NATO-s përcaktoi dështimin e realizimit të planit “Patkoi”, sipas të cilit ushtria, paraushtarakët dhe policia serbe ndiqnin në mënyrë sistematike strategjinë e tyre vrasëse dhe të dëbimit kundër shqiptarëve të Kosovës. Duke analizuar fushatën e dëbimit sistematik dhe vrasjet masive të shqiptarëve të Kosovës, sidomos  gjatë largimit të misionit mbikëqyrës (Kosovo Verification Mission – KVM) të OSBE-së, mund të pohohet pa diskutim për ekzistencën e planin serb “Patkoi.”164  Prandaj, ishte absurde që të krijohet një ndërlidhje midis sulmeve ajrore të NATO-s dhe valës së dëbimeve deri në qershor të vitit 1999, pasi ndërhyrja e Aleancës Veriatlantike në Kosovë ishte një kërkesë permanente dhe këmbëngulëse e elitës dhe e popullatë shqiptare, me qëllim që t’i jepej fund krimit shtetëror serb në Kosovë.

Hetimet e Tribunalit të Hagës

Duke pasur parasysh atë që kishte ngjarë në Bosnjë-Hercegovinë dhe në gjysmën e dytë të vitit 1998 në Kosovë, shumë organizata dhe personalitete ndërkombëtare kërkonin që Millosheviqi të shpallej kriminel lufte dhe të gjykohej në Hagë, meqë kishte fakte të mjaftueshme se ai ka nisur luftërat dhe se ka pasur pushtet mbi establishmentin ushtarak, policor dhe mbi forcat paramilitare.165 Më 27 maj 1999, dy muaj pas nisjes së operacioneve ajrore të NATO-s kundër Jugosllavisë së cunguar, kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës për Krime Lufte, Louise Arbur, kumtoi publikisht se kishte ngritur aktakuzën kundër Sllobodan Millosheviqit dhe udhëheqësve të tjerë serbë të Serbisë dhe të Jugosllavisë së cunguar. Ky vendim kishte dy efekte: e para, Millosheviqi përfundimisht nuk ishte më partner i drejtpërdrejtë negociata dhe në të njëjtën kohë nxiti një kthesë strategjike në luftën e Kosovës. Dhe, e dyta, me këtë veprim Tribunali i Hagës gjithashtu demonstroi vendosmëri për ndëshkimin e përgjegjësve për krimet e luftës edhe në Kosovë. Por, ironia e fatit ishte se “kasapi i Ballkanit” vdiq në qelinë e burgut të Hagës, pa arritur të marrë dënimin e gjykatës. Me këtë, Tribunali i Hagës jo vetëm e nxiti një kthesë strategjike në luftën e armatosur që kishte përfshirë Kosovën, por gjithashtu shtoi edhe një figurë në rebusin e një rendi kushtetues ndërkombëtar në paraqitje e sipër.166

Tribunali i Hagës, i themeluar më 1993, si reagim ndaj akuzave për mizoritë e shkaktuara nga forcat ushtarake dhe paramilitare serbe në territorin e Bosnjë-Hercegovinës si dhe, më herët, në Kroaci, me aktakuzën kundër udhëheqjes së lartë serbe dha sinjalin e qartë se mizoritë e forcave ushtarake dhe formacioneve paramiliatare serbe në Kosovë, të lidhura kryesisht me fushatën e spastrimit etnik, nuk do të mbeteshin të pandëshkuara. Në udhëheqjen e shteteve të BE-së dhe të SHBA-së, ishte miratuar një politikë e vendosur e ndërhyrjes së drejtpërdrejtë për t’i ndalur dhe për t’i gjykuar personat përgjegjës për shkeljen e rëndë të së drejtës ndërkombëtare humanitare.  Në fakt, Tribunali kishte reaguar me shpejtësi ndaj raporteve për masakrat serbe në rajonin e Drenicës në fazën e hershme të luftës.  Në deklaratën e 10 marsit 1998, Tribunali konfirmonte pikëvështrimin e vet se juridiksioni i tij “vazhdonte dhe përfshinte dhunën që kishte ndodhur para pak kohës në Kosovë”167.

Meqë situata në Kosovë ishte shndërruar në luftë të armatosur midis Ushtrisë Çlirimtare të Kosovsë dhe formacioneve ushtarake dhe paraushtarake serbe, Tribunali e vinte në funksion juridiksionin e tij në raport me Kosovën. Kjo nënkuptonte edhe njohjen e statusit të UÇK-së si një lëvizje e organizuar e armatosur që kontrollonte një pjesë të territorit të Kosovës.

Sa i përket Jugosllavisë së mbetur/Serbisë, Tribunali i Hagës shprehu shqetësimin për një sërë akuzash specifike dhe të besueshme në lidhje me vrasjen dhe ekzekutimin, sulmet kundër civilëve shqiptarë dhe plaçkitjen.168 Juridiksioni i Tribunalit në raport me Kosovën ishte konfirmuar edhe nga Këshili i Sigurimit të OKB-së me rezolutën 1199 (1998)169 dhe me kapitullin VII të rezolutës 1207, të miratuar në nëntor të vitit 1998.170 Mirëpo. Qeveria serbe e mohoi këtë juridiksion dhe bashkëpunimin si dhe nxorri pengesa për futjen e hetuesve të Tribunalit në Kosovë. Situata kulmoi kur kryeprokurores së Tribunalit iu refuzua hyrja. Ajo u përpoq të hynte në Kosovë pas lajmit për masakrën e Reçakut në janar të vitit 1999.171 Përderisa Tribunali nuk arriti të kishte qasje, megjithatë vazhdoi të mblidhte dëshmi sa më shumë që mundte me qëllim që t’i ngrinte aktakuzat. Kjo përfshiu intervista nga personeli i Tribunalit me disa nga rreth 100 mijë viktima të dëbuar me dhunë në vendet fqinje me Kosovën. Natyrisht ky aktivitet u shtua kur, pas dështimit të konferencës së Rambujesë dhe largimit të misionit të OSBE-së si dhe të medieve ndërkombëtare, regjimi i Millosheviqit  sforcoi fushatën e depërtimeve të dhunshme të gati krejt popullatës shqiptare etnike të Kosovës.172

Në aktakuzën kundër zyrtarëve më të lartë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë, Tribunali kishte përcaktuar se këta individë173 kishin planifikuar, shtypur, urdhëruar, kishin kryer ose ndihmuar fushatën e dhunës së ushtruar nga forcat serbe në Kosovë. Ajo fushatë, thuhej në aktakuzë, përbëhej nga një fushatë e planifikuar dhe e koordinuar mirë për shkatërrimin e pronës në pronësi të civilëve shqiptarë të Kosovës. Këta civilë shqiptarë gjithashtu kishin qenë të keqtrajtuar, të poshtëruar dhe të degraduar sistematikisht nëpërmjet abuzimit fizik dhe verbal. Fushata e represionit është përcjellë nga depërtimi i paligjshëm dhe transferimi i dhunshëm i qindra mija shqiptarëve nga Kosova prej shtëpive të tyre. Kjo politikë përkrahej nga sulmet e shtuara kundër popullsisë civile shqiptare, përfshirë edhe granatime të rënda të qyteteve dhe fshatra, djegien e shtëpive, fermave e të ngjashme dhe me marrjen dhe shkatërrimin sistematik të dokumenteve të identifikimit dhe të targave të regjistrimit të automjeteve. Thuhej se të akuzuarit ishin të lidhur me këto aktivitete për shkak të përgjegjësisë komanduese dhe prandaj u ngarkuan së bashku me tri akuza për krime kundër njerëzimit (deportim, vrasje dhe përndjekje, por jo për gjenocid) dhe një akuzë për shkeljeve e ligjeve apo të zakoneve të luftës. Në këtë kuptim, Tribunali, gjithashtu, luajti një rol strategjik, ngase veprimi i tij ia mohoi Beogradit çfarëdo shprese që t’i arrinte qëllimet e veta kryesore.

Edhe pas përfundimit të luftës dhe pas rrëzimit të Millosheviqit nga pushteti, autoritet shtetërore serbe, edhe pse me gjysmë zemre, kanë pranuar bashkëpunimin me autoritetet ndërkombëtare të Tribunalit për dëshmimin dhe zbulimin e krimeve tjera që kanë ndodhur në Kosovë. Mirëpo, ka munguar vullneti i bashkëpunimit edhe për ndriçimin e krimeve që çojnë te vërtetimi i operacionit të koduar “Patkoi”.Konfirmimi i ekzistimit të një operacioni të tillë pashmangshëm do të çonte tek akuzat për gjenocid shtetëror.174 Pikërisht për këtë është shumë domethënëse mungesa e interesimit të kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Louise Arbour, për ta siguruar dokumentin e shtabit ushtarak të Beogradit “Patkoi”, të cilin ia kishte dorëzuar ministrit gjerman të mbrojtjes Sharping. Kjo çështje si duket nuk u trajtua deri në fund. ”Në mëngjes u takova me Loise Arbour, kryeprokuroren  e Tribunalit të Hagës; ia dorëzova asaj planin “Patkoi”, të gjitha incizimet e fluturimeve të brumbujve dhe protokollet komplete të marrjeve të deritashme në pyetje,” 175 kujton Sharping në librin e tij të kujtimeve për luftën e Kosovës.

Pra, edhe Tribunali i Hagës, jo vetëm që ndikoi në vonesën e dëshmimit të krimeve më të rënda në Kosovë që nga Lufta e Dytë Botërore, por edhe nuk e përkufizoi qartë dhe deri në fund dimensionin dhe intencën e krimeve të kryera në Kosovë nga kreu më i lartë shtetëror serb, bashkë me të edhe në identifikimin dhe dënimit të protagonistëve të planit “Patkoi”, i cili ishte identik me planet serbe që ishin zbatuar të paktën që nga luftërat ballkanike në filli të shekullit XX. Ndaj, edhe aktakuza e Tribunalit u kufizua për shkelje të të drejtave të njeriut dhe spastrim etnik, por jo për gjenocid në kuptimin e plotë të fjalës.

Në anën tjetër, Prokuroria për Krime të Luftës në Serbi nën drejtimin e Vladimir Vukçeviqit,megjithëse ka bërë disa hetime për krime që kanë ndodhur në Kosovë, asnjëherë nuk është marrë me përpjekjen shtetërore që të fshihen gjurmët e operacionit “Patkoi”, i cili zbulon qartë se qëllimi i Millosheviqit ishte spastrimi etnik në Kosovë. Kjo politikë kulmoi me vrasje dhe dëbime masive,176 të cilat ishin planifikuar prej shumë vitesh, por që u manifestuan në formën më agresive në vitet e luftës 1998/1999. Në kuadër të kësaj politike duhet parë edhe  planin strategjik ushtarak serb “Patkoi”, ekzistenca e të cilit është konfirmuar fillimisht nga pala gjermane, por së fundi edhe nga vetë pjesëtar të aparatit shtetëror të Serbisë. Edhe Gjykata e Hagës arriti në përfundim se operacioni “Patkoi” ishte një plan ushtarak i hartuar nga Shtabi i Përgjithshëm  në Beograd nën kontrollin e drejtpërdrejt të Sllobodan Millosheviqit.177 Graham Blewit, zëvendësprokurori i Tribunalit për Krime të Luftës në Hagë, duke folur për padinë ndaj Milosheviqit,ka theksuar se ai dhe të gjithë të tjerët janë përgjegjës të drejtpërdrejt për vrasjet, deportimet dhe dëbimet.178

Sipas hetimit të Tribunalit, me publikimin e planit “Patkoi”, dhe në çastin kur regjimi në Beograd merr informacionin se Tribunali i Hagës ka vendosur të ngre aktakuzë kundër udhëheqjes shtetërore të Serbisë, me urdhër direkt nga Beogradi, fillon  operacioni i zhdukjes së gjurmëve të krimeve të kryera si pjesë e këtij operacioni. Të gjitha kufomat e varrosura fillojnë të zhvarrosen dhe të transportohen për në Serbi, me qëllim që në këtë mënyrë të zhdukeshin kufomat e shqiptarëve të ekzekutuar në masë.179 Sipas të njëjtave burimeve, një pjesë e kufomave nga Kosova janë djegur në shkritoren e Borit (Serbi), një pjesë tjetër janë e kufomave me kamionët frigoriferë janë hedhur në ujë, por të gjitha kufomat nuk kanë mundur të zhduken.180

Prandaj, janë te paqëndrueshme dyshimet e ngritura mbi shefin e misionit vëzhgues (KVM) të OSBE-së në Kosovë, William Walker, se ai e trilloi masakrën e  Reçakut apo se ministri gjerman i Mbrojtjes, Rudolf Sharping, e përdori publikimin e planit “Paktoi” për të arsyetuar përfshirjen e ushtrisë gjermane ne operacionet e NTAO-s.

 Shikuar në retrospektivë veprimin e forcave ushtarake, policore dhe paraushtarake serbe gjatë periudhës së  Kosovës 1998/1999, përkatësisht dëbimin e 1 milion shqiptarëve, përdhunimet e mijëra femrave shqiptare dhe masakrat e shumta anekënd Kosovës, si në Prekaz (Jasharajve)181, në Abri të Epërme, në Reçak,182 në Rogovë në Leshan, në Celinë, në Suharekë,183 në Krushë të Madhe 1999, në Izbicë 1999, në Lybeniq, në Rezallë, në Studime,184 në Qyshk185 në Dubravë186 dhe lokalitete të tjera shqiptare, konfirmohet se vrasjet dhe spastrimi etnik në Kosovë ishin të planifikuara qëmoti dhe i ngjasonin një operacioni të planifikuar, pasi që ofensiva me shpejtësi lëvizej përpara nga veriu në drejtim të jugut. Pasojat e luftës në njerëz, masakra të mëdha, vrasje e organizuar, madje edhe të familjeve të tëra gjatë periudhës janar 1998 – 12 qershor 1999: Të vrarë: 11.840 viktima nga Kosova dhe 20.400 femra shqiptare të dhunuara.187

Një hetim nga Tribunali i Hagës, për bartjen e trupave të shqiptarëve të vrarë në luftën e fundit të Kosovës me kamionë frigoriferë drejt Serbisë, i ka dhënë të drejtë ish-ministrit gjerman të Mbrojtjes për ekzistencën e planit “Patkoi”.  Këto krime, sipas hetimit, janë bërë sipas një plani të detajuar dhe të lejuar nga qarqet më të larta të shtetit. Përderisa për llojin e parë të krimeve, atyre të instinktit, përgjegjësia është individuale dhe bie mbi kryersit, lloji i dytë i krimeve të bëra sipas planit shtetëror, bie në domenin e krimeve të rënda të luftës si rrjedhojë e një ndërmarrje të organizatave kriminale me qëllim të spastrimit etnik të Kosovës.188 Sipas hetimeve të Tribunalit të Hagës, gjatë luftës së Kosovës ka pasur dy lloje të krimeve të luftës: krimet e ashtuquajtura të instinktit, të kryera pa një plan të mëhershëm dhe të realizuara me vendime individuale të forcave serbe në terren si dhe krimet e paramenduara dhe të përgatitura më herët nga qarqet e larta të shtetit serb. Pikërisht, krimet që Serbia i kishte bërë para dhe gjatë realizimit të operacionit “Patkoi”, i cili u bë i njohur për publikun nga gjermanët gjatë periudhës së luftës në Kosovë dhe fushatës ushtarake të NATO-s kundër caqeve dhe infrastrukturës represive të shtetit serb, janë krime të kategorisë të krimeve të rënda të luftës, përgjegjës për të cilat është elita shtetërore serbe.189 Për më tepër, plani “Patkoi” është edhe dëshmi shtesë se ideologjia dhe programi hegjemonist serb ndaj Kosovës, që gjatë luftës 1998/1999 u përshkallëzua në vrasje dhe dëbime masive, ishte një vazhdimësi historike e spastrimit etnik në Kosovë. Me një fjalë, elita shtetërore serbe synonte që Kosova të spastrohej nga shqiptarët etnik me qëllim që të sigurohej “lebensraum” për kolonët serbë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në mbrojtje të pikës më strategjike të Rrafshnaltës Te Shkëmbi i gradinës kanë rënë dëshmorë: Islam Kastrati, Mentor Morina, Halim Bajraktari, Ramadan Bytyçi dhe Mentor Gashi E hënë 19 prill, 1999

Ahmet Qeriqi: Në mbrojtje të pikës më strategjike të Rrafshnaltës Te Shkëmbi i gradinës kanë rënë dëshmorë: Islam Kastrati, Mentor Morina, Halim Bajraktari, Ramadan Bytyçi dhe Mentor Gashi (E hënë 19 prill, 1999)

Sot moti ka filluar të përmirësohet. Qysh në orën 9.00 të mëngjesit janë lëshuar në …