Brickos

Ahmet Qeriqi: Periudha e rezistencës së vitit 1981 kërkon qasje, qëndrim dhe emërtim të saktë historik e shkencor
Ahmet Qeriqi në arrati, maj 1981

Dr. Zenun Gjoci: Arratisja dhe arrestimi artistik i Ahmet Qeriqit

                Kaluan 40 vjet që kur Ahmet Qeriqi, pos tjerash, merret me veprimtari aktive të pandërprerë politike e luftarake, përgjithësisht patriotike formash të ndryshme ilegale e legale. Si i tillë, pak a shumë, u burgos katër herë, duke përjetuar tortura nga organet e sigurimit “shtetëror” jugo-sllav. Përjetimet e tilla i ngriti në dy vepra artistike me tematikë të veçantë e të freskët letrare-artistike, “Meditime në arrati” (2002) dhe “Burgu” (2004), kushtëzuar nga kthesa historike, politike e kombëtare e ndërkombëtare, sidomos ajo evro0lindore, e shfrytëzuar nga klasa politike revolucionare, ku merrte pjesë edhe vetë autori.

                Veprat janë të një fizionomie të veçantë letrare mbi baza të një përjetimi, si thonë, të vuajtur me lëkurë, ku  frymëzimet letrare e historike, kombëtare e jetësore të gërshetuara  e të shkrira në një tërësi të njëpasnjëshme, pa kallpe e pranga të ndonjë politike ditore letrare. Ndërkaq, paraqitja artistike autobiografike e këtij realiteti të ri ideo-politik e veprimtarisë përgjithësisht patriotike, përmes aksioneve e aktiviteteve të ndryshme ilegale e të hapta, kërkonte kryekëput njerëz të gatshëm për flijime, trima me karakter të fortë, të pajisur me ideale të larta liridashëse atdhetare, që s´e bëjnë mall vuajtjen as burgun, veten as familjen, jetën as vdekjen.

                Jeta dhe vepra e personazheve pozitive të veprave të A. Qeriqit, me tërë qenien e tyre, janë vënë në shërbim të atdheut, pa marrë parasysh sakrificat, duke u kacafytur me vendosmëri me lakejt, servilët, lakmitarët e posteve dhe ofiqeve, shovinistët,  përgjithësisht me personazhet e karaktereve të zeza të pushtuesit dhe të shërbëtorëve të tyre. Janë libra për veprimtarë politikë e revolucionarë të luftës për liri, të manifestuar në forma të ndryshme dhe të ngritura në letërsi që po lind, një letërsi  me ngjarje të përjetuara historike. Të dyja, jeta e vërtetë dhe ajo letrare-artistike, këtu bëhen një trup e një shpirt. I tillë është edhe prototipi Eknat Malmiri i dy veprave të njëpasnjëshme të sipërshënuara të jetës dhe të letërsisë.

                Për hartimin e romanit të dytë kryesisht autobiografik “Burgu“, autori nuk e ka pasur gjithaq lehtë. Tani pas 20 e sa vjetë ndryshimesh epokale kombëtare e ndërkombëtare, lipsej një mjeshtri përzgjedhjeje të episodeve të ndryshme jetësore, politike e artistike të përshtatshme për kohën e lexuesin, për t´u ngritur në prozë artistike. Nga ana tjetër, duhej zgjedhur dilemën e paraqitjes besnike të vrazhdësisë ose jo, të ushtruar nga ana e serbëve dhe shërbëtorëve të tyre mbi të burgosurit politikë që sot gjenden midis nesh. Asokohe, ndër të burgosur paraqitej dilema: a të tregohet e vërteta, qoftë edhe e trishtueshme, që t´u bëhet e ditur të tjerëve se ka mjaft vështirësi baras me vdekjen, por ia vlen të sakrifikosh për atdhe, apo të minimizoheshej ajo, për të mos i frikësuar të tjerët.

                Nga ana tjetër, përvoja jetësore, përjetimet në burg dhe përgatitja intelektuale e autorit, si profesor i gjuhës e i letërsisë, veprimtar e krijues letrar, publicistik e shkencor,  i ka dhënë dorë t´i parashtrojë e t´i thurë me mjeshtri ngjarjet e përjetuara. Si e tillë, vepra shpreh ndjenjë kohe e realiteti dhe dëshmon aftësi e parimësi rrëfimi që të rrëmben e të ngulitet në kujtesë. Siç shprehet Ndoc Nikaj, “Po ma kande me hjek pëlhurën e me zbulue të vërtetën, sepse peshon ma shum se trillimet fantastike…”, ashtu siç do të tingëllojë kjo vepër mbi të vërtetën te lexuesit që nuk e kanë shijuar robërinë. Te fundi, një kritik francez shprehet se “historia është një roman që ka ndodhur dikur, ndërsa romani është një histori që do mund të ndodhë”. Ndërkaq, romani “Burgu” i A. Qeriqit është një roman që ka ndodhur, po ndodh dhe mund të ndodhë, përderisa nuk realizohen aspiratat tona për liri e bashkim kombëtar. Si i tillë, romani është një metaforë e konkretizuar, një si histori e individualizuar kombëtare më tepër psiko-meditative e një kohe e realiteti të caktuar, e thurur me mjeshtri artistike, ku rrjedhat historike përbirohen nëpër vrimën e koncepteve psiko-meditative. Jo pa qëllim, aty vuajtjet e torturat e mbijetuara paraqiten me vërtetësi, por të formës së zbutur. Këtë lloj letërsie psiko-meditative, autobiografike, historiko-letrare, autori e pasuron jo vetëm me tematikën e rrallë të jetës së burgut të kohës sonë, aq krenare, e guximshme dhe vendimtare, që hapi shtigje të reja historike e politike drejt lirisë. Vepra paraqet një botë të pasur jetësore, politike e kombëtare, në rrethana të veçanta kohore e hapësinore, ku fati i njeriut ishte në teh shpate, në një kohë sa dramatike, të vështirë dhe të pasigurt, jo vetëm për ilegalët e identifikuar e të burgosur.

                  Kujtimet në roman shfaqen si jehonë e ngjarjeve të bujshme të Lëvizjes për liri, të një faze të caktuar historike, që karakterizohet me shpërthimin politik të ilegales politike të shkrirë në rrafshin e një kryengritjeje gjithëpopullore, që e tronditi pushtuesin artificial YU-federativ, sidomos Serbinë, i la nën hije lëvizjet e tjera jo vetëm  evropiane dhe çori maskën e qëllimeve pansllaviste evrolindore. Ashtu si guri i rrokullisur shpatit, që merr të tjerë teposhtes, kemi bindjen se kryengritja shqiptare në Kosovën  e ´81-shes, bashkë me lëvizjen sindikaliste polake, ndikoi në shkatërrimin e kësaj perandorie ideologjike.

                Përkundër disa shkrimeve poetike e prozaike të letërsisë sonë e të huaj me këtë tematikë, autori i “Burgut” nuk i qaset as dëshprimit, as trishtimit, madje as dramatizimit të tepruar, edhe pse ka pasur elemente të tilla. Përmes gershetimit të letërsisë artistike e më pak publicistike e politike, ai më së paku ia qan hallin vetvetes e shokëve. Bosht i trajtimit ishte fati i Kosovës. Gjithshka është e projektuar si qëndresë për idealet e lirisë. Në autobiografinë e vet të vazhdueshme në dy romane: arratisja dhe arrestimi, A. Qeriqi i ka projektuar vizionet e tij liridashëse praktikisht të realizuara përmes sakrificës së shpirtit njerëzor për atdhe e liri. Aty, intelektuali i pajisur me horizont të gjerë letrar e shkencor e me ndjenja të zjarrta patriotike e luftarake, përballet me situatat absurde të ushtruara nga pushtetarët serbë e shërbëtorët e tyre të verbër e të shitur.

                Romani është i një dore të veçantë autentike, pa ndonjë ndikim tradicional a bashkëkohor, që e ushqen lexuesin me të bukurën jetësore e kombëtare, qoftë edhe përmes situatave të shëmtuara të kazamateve serbe, duke i fisnikëruar ato me mendjen e shpirtin drejt qëndresës heroike e krenare, qoftë edhe me pasoja më të mëdha. Kështu, përkundër ngjyrave dëshpruese e nihiliste, atmosferën e burgosjes autori e shndërron në  aktivitet frytdhënës, përmes kalitjes e përsosjes intelektuale, shpirtërore, politike e morale, përgjithësisht patriotike, që do të përjetësoheshin me vdekjen eventuale.

                Paraqitja e ngjarjeve të romanit është kronologjike. Ato rrjedhin natyrshëm, ashtu si e gjuajnë valët kryepersonazhin me shokë. Ngjarjet dhe personazhet janë të vërteta. Zgjerohen e ngriten drejt thellimit të asociacioneve e proceseve të tjera psiko-meditative që nga paraqitjet reale, si bazament historik e publicistik, te ndërthurjet artistike, politike e jetësore, deri te perceptimet filozofike, varësisht nga rrethanat e caktuara situative, herë në vetvete, herë në shoqëri.  Emrat e personazheve janë të kamuflluar përmes kombinimit fonematik e silabik, që mund ta dëshifrojë vetëm autori, bartësit e atij kombinimi dhe ndonjë nga shokët. Përmes përsiatjeve të përjetuara, të ndërthurura me ato psiko-meditative, të manifestuara në rrethana dramatike brenda e jashtë burgut, autori na shpie te rrjedhat ideo-politke kombëtare e ndërkombëtare. Përmes Eknat Malmirit në roman vihet arti përballë politikës pushtuese.

                  Ndryshe nga memoaret e N. Nikajt “Kujtime të një nate të kaluar”, nga ditari “Burgu” i H. Stërmilli e proza publicistike “Burgimi im” i P. Vasës, A. Qeriqi thellohet në proceset psiko-meditative, dike filluar që nga pasqyrimi real me stil publicistik, deri te ndërthurjet artistike, politike, jetësore e filozofike. Përzgjedhja subjektive e fakteve të përjetuara jetësore, rrëfimi i tyre, i gërshetuar me rrjedhat politike e psikomeditative të brendshme e të jashtme, në kacafytje me synimet ç´përjetoi, ç´ndodhi, ç´dëshiroi, shoqërohet me sinqeritetin e personazheve, sidomos me Eknat Malmirin, si i burgosur tipik, përballë apetiteve shoveniste pushtuese serbe. Ka aty elemente historike, politike, shpesh me tablo kritike, analitike, autobiografike, psiko-meditative, më rrallë edhe filozofike të rrëfyera me frymëzim e invencion, të shprehura me një gjuhë e stil të rrjdhshëm, me një strukturë autentike prozaike, të nënshtruar një regjimi të mprehtë, që të mbetet gjatë në kujtesë pa vështirësi.

                I pajisur me ideale liridashëse, i vetëdijshëm për vështirësitë e pasojat, autori e kryepersonazhi, nuk rrëmbehen nga sentimentalizmi, siç ndodh në disa vepra të  ngjashme, si “Burgu” i H. Stermillit, “Burgimet e mia” të S. Peliko-s, prej kah është ndikuar vepra “Burgimi im” i  P. Vasës. Por si në këto vepra, çiltërësia e autorit, e shprehur përmes Eknat Malmirit, tregon guximin e qëndresën prej një luftëtari të paepur.

                  Përkundër atmosferës së rëndë e jetës së pasigurt, të zymtë e të ndrydhur në burg, i prirë nga idealet e larta patriotike, Eknati me shokë ia del të mbijetojë, edhe pse i dobësuar fizikisht, por i pajisur me njohuri artistike e shkencore nga librat e lexuar aty. Përmes Eknatit, autori bëhet analitik e gjykues i vetvetes, i rrethanave politike e kombëtare, një si zemërlek i shoqërisë së atyshme pa dallim kombësie e delikti. Ngjarjet e frymëzimet thuren artistikisht përmes prototipit të autorit. Sintetizohet përvoja jetësore, përsosja intelektuale, shpirtërore e meditative, përgjithësisht patriotike.

Vepra paraqet një dramë të një intelektuali tipik, me parime të rralla humane, politike e patriotike, në një kohë e në rrethana tipike vendimtare për Kosovën, ndërtuar mbi një lëndë të pasur e të vërtetë jetësore të përjetuar me lëkurë, me burim nga përvoja e përgatitja intelektuale kulturo-letraro-artistike e politike. Konfliktin e shpallur e të pashpallur midis të burgosurve politikë e pushtetit, autori e kthen në sprova morale e psikologjike të personazheve.

                Gjuha e veprës është e rrjedhshme, e dinamike, e pasur me fjalë e shprehje. Ajo vihet në shërbim të funksionit përshkrues e analitik të gjendjes fizike, shpirtërore, emotive e refleksive, e shkallëzuar sipas rrjedhave e rrethanave situative me ngjyrat e saj stilistike përmes bisedave të karaktereve të ndryshme politike e jopolitike: gjuha e dialogut,  hetuesisë, e vuajtjes së dënimit, gjuha politike, filozofike, etj. Është një gjuhë specifike e atmosferës së veçantë, e shkallëzuar që nga biseda banale e të burgosurve me delikte kriminale, deri te ajo politike, psiko-meditative e filozofike, por në raste më të rralla. Fraza është e matur, koncize dhe e skalitur. Me gjuhë të rrjedhshme skalitet drejtësia e së vërtetës fiktive përballë asaj të imponuar. Ndeshet arsyeja e ndrydhur e ndrydhja e “arsyetuar”.

                   Në dy romanet e tij, A. Qeriqi është projektues praktik i luftës për liri. Këtë e dëshmoi edhe me pjesëmarrjen e tij në të gjitha fazat e zhvillimit të Lëvizjes kombëtare, madje edhe në luftën e armatosur me pushkë, me penë e me zërin e kushtrimit nëpër flakën e luftës, kur fjala e folur dhe e shkruar elektronike qenë dorëzuar. Aty metaforizohet kuptimësia e shpirtit shqiptar, virtyti, karakteri, konceptet e synimet politike, për të arritur te realizimi i aspiratave kombëtare, duke filluar që nga çështjet fundamentale të shqiptarit të robëruar, bazamentit gjuhësor e stilistik, shpirtëror e meditativ. Pikëpamjet e prototipit, Eknat Malmirit, e përbëjnë thelbin e qasjes ideo-politike, kombëtare, autobiografike e letrare-artistike të autorit, me elemente filozofike rreth konceptimit të idealeve kombëtare të konstruktuar përmes shpirtit të sakrificës.

Kontrolloni gjithashtu

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Aziz Mustafa: Bab’, ma gjej “Hamletin”

Bab’, ma gjej “Hamletin” Këtë kërkesë kishte ime bijë, nxënëse e klasës së nëntë, sot …