Brickos

Ahmet Qeriqi: Romani,“ Dashuria kuantike e Filanit”, në simbiozën e ideve humaniste

Romani i Demaçit, “ Dashuria Kuantike e Filanit” është roman tipik i personazhit si për nga modelimi i kompozicionit artistik ashtu edhe nga përmbajtja që trajton, në evokim të së kaluarës. Diskursi modern i komunikimit i akordon rrëfimit të dramës jetësore përmes kujtimeve, duke i shkrirë këto dy segmente në tërësinë e rrëfimit të thjeshtë, të çiltër, gjithnjë realist në përshkrimin e situatave duke e dimensionuar ngjarjen me elemente të reja narracioni. Kjo mënyrë e qasjes artistike, konsideroj se  ka qenë përzgjedhja më e mirë për të komunikuar me lexuesin, dhe në këtë drejtim Demaçi ka treguar se e njeh dhe i përcjellë me vëmendje të arriturat letrare e artistike bashkëkohore. “Nëntë letrat elektronike drejtuar Dardhës” janë themelet e romanit, janë shtyllat kryesore të godinës, ku shkrimtari, me shumë sukses, ka sintetizuar përvojën e tij jetësore si qëndrestar, idealist dhe krijues, në raport me kohën dhe njerëzit, në raport me të dashurit, por edhe me ata që nuk e duan, me ata që  bëjnë përpjekje të pareshtura për t i shkaktuar  plagë shpirtërore por edhe fizike, atij vetë dhe të gjithë atyre që nuk i përshtateshin dhe nuk i përshtaten regjimeve autarkike e despotike.

Filani, është ai që nuk i gjykon të tillët, madje as i urren, mbase duke pasur për bazë një segment të mesazhit biblik, që përmblidhet me fjalët: “Fali o Zot se nuk dinë çka bëjnë”. Në këtë raport, romansieri ka ndërtuar tipin e personazhit unikat, tipin e idealistit të pamposhtur, i cili në çdo çast, në çdo situatë e zotëron veten dhe i ruan të tjerët nga vetvetja e tij.  Filani, është ajo pika e pa zhdukur e Universit, është ADN-ja e patretshme, “është arsyeja që qëndron në ballë të Universit”, është piedestali ku arrin vetëm idealisti, në përpjekjet e tij  jetësore  për liri, barazi, drejtësi, që është korpusi unik i vendosur mbi principet e vetme, të cilat mund ta sjellin paqen e përgjithshme njerëzore… Filani është i gatuar me brumin e  njerëzisë dhe si i tillë, i lindur, i rritur, i edukuar ai ka arritur ta kuptojë me kohë se, njeriun  në jetë e mban besimi në të drejtën dhe në të vërtetën, duke lënë anash kënaqësitë e jetës, duke e bërë zap lakminë negative, duke mos pranuar nga jeta, atë që nuk të takon, duke mos lakmuar flakën e kashtës, e cila përhapet shpejt, por edhe shuhet përnjëherë, duke lënë prapa hirin  e zi, sterrë.

Romani “Dashuria kuantike e Filanit” shquhet në radhë të parë për etikën humaniste, njerëzore, me porosi të qarta, që burojnë nga jeta, nga ligjet e saj universale.  I ngujuar nëpër qeli e kazamate burgjesh të ish-Jugosllavisë, Filani ngrys ditët, muajt e vitet, gjithnjë duke qëndruar vertikalisht, duke mbajtur qëndrim të fortë kombëtar dhe duke mos u sprapsur as edhe një herë nga idealet e shenjta njerëzore për: barazi, drejtësi, liri, duke mos u ndarë për asnjë çast nga kërkesat për çlirim dhe bashkim kombëtar mbi principet universale të Vetëvendosjes së popujve. 

Në përballim me hetuesit dhe inspektorët e sigurimit, ai është krejtësisht i qartë dhe krejt i pandjeshëm ndaj ofertave të tyre. Filani është i vetëdijshëm se nuk ka kryer vepër penale. Këtë e dinë edhe inspektorët, por ai nuk pranon t’ i ndërrojë bindjet  e tij, qoftë edhe sa për sy e faqe, sa për të dalë nga burgu, sikur kishin bërë shumë të tjerë, para dhe pas tij. Ai, në qenien e tij ishte përgatitur për t’iu bërë ballë katrahurave e  rrebesheve jetësore, i bindur se vetë Krijuesi e kishte përzgjedhur për të kryer një mision të tillë, në dobi të kombit dhe të njerëzimit. Në një rrugë të tillë, të gjatë, të jetës së tij, Demaçi nuk do të thyhet asnjëherë, dhe ky qëndrim i tij i patundur, i çeliktë, e shquan atë dhe e vendos në piedestalin e idealizmit, duke e bërë shembull heroizmi për së gjalli.

Përshkimi i jetës nëpër burgje në dukje është fragmentar, por me elemente të pasura narrative, me përshkrim situatash e konfliktesh të përhershme në raport: i burgosuri me të burgosur të qelisë apo dhomës së përbashkët, në raport me  gardianët, inspektorët, drejtorët e  burgjeve etj, pastaj me personazhe të burgosurish shqiptarë, por edhe të burgosur të kombeve e kombësive të tjera të Jugosllavisë, të cilët kishin rënë ndesh me ligjin e regjimit dhe vuanin dënimet e rënda nëpër burgje, për veprat e ndryshme që kishin kryer, apo të cilat ua  kishin veshur.

Filani është i afërt me të gjithë dhe nuk shpreh urrejtje në pikëpamje kombëtare, nuk paragjykon, por paraqitet tejet komunikues dhe mban qëndrim parimor, si ndaj të burgosurve shqiptarë, me të cilët burgjet ishin të mbushura përplot, ashtu edhe ndaj të burgosurve të tjerë. Në raport me njerëzit e regjimit, ai është shumë i qartë dhe diskret, por edhe me ta komunikon lirshëm, duke u dhënë të kuptojnë se sa më shumë që e trashin zullumin, aq më të afërt e kanë mbarimin, sa më shumë që e mbajnë ngujuar atë, e bëjnë edhe më të vendosur dhe gjithnjë këmbëngulës në qëndrimet e tij.

Duke qenë se për nga zhanri, “Dashuria kuantike e Filanit” është roman personazhi, është krejt e natyrshme që ngjarjet të sillen rreth tij, meqë ai është edhe strumbullari i rrëfimeve, përmbajtjes dhe strukturës ideore të romanit.

I shkruar në formë të thjeshtë, në formë letrash shpjeguese, drejtuar Dardhës, Filani arsyetohet për qëndrimin e tij të prerë në raport me të, për shkak se e kaluara nëpër burgje ka krijuar një vakum të gjatë, në jetën e tij,  një ndërprerje shumë të gjatë të rrjedhës normale njerëzore, në aspektin fizik dhe pikërisht për shkak të kësaj të kaluare të gjatë, nëpër burgje, asgjë nuk mund të rikthehej më në vendin e vetë. Filani është i vetëdijshëm se pjesa joshëse e hireve dhe kënaqësive individuale ka kaluar përgjithmonë, andaj ai ndien nevojë të shpjegojë, për se ka marrë një qëndrim të tillë, përse ka vendosur ta braktis Dardhën, duke shpjeguar se këtë e ka bërë me qëllim për ta shpëtuar atë dhe vetveten.

Demaçi ka arritur që filozofinë e tij shumë të preferuar iluministe-idealiste, të stisur mbi principet e ligjeve të jetës, ta sintetizojë në këtë vepër madhore, e cila ruan në vetvete freskinë e shpirtit njerëzor, dhuntinë e  jetës, qoftë edhe të ngujuar brenda katër mureve të errëta e të lagështa nëpër qeli e kazamate, sepse jeta është dhunti hyjnore, dhe njeriu nuk ka të drejtë t’ia marrë tjetrit. Dhe nëse ia merr, ai, merr edhe një pjesë të tij të jetës, pavarësisht se si e bën këtë për përfitime individuale apo politike.  Demaçit i dhimbsen persekutuesit, meqë beson se ata janë të manipuluar, janë pjesë e ingranazhit të dhunës dhe si të tillë janë vegla fatkeqe.

Shkrimtari, Adem Demaçi në veprën e tij “Dashuria kuantike e Filanit” mendoj se ka sintetizuar me sukses  një pjesë të filozofisë së tij jetësore në kërkim të së vërtetës, filozofinë  e tij autentike të jetës, e cila përshtresohet nga  dy segmente të fuqishme bazike, arsimimin dhe vetë-arsimimin  e tij të gjatë nëpër burgje, aq të gjatë në kohë, sa realisht ka mjaftuar për të kryer  10 fakultete, të cilat ai  edhe i ka kryer gjatë studimit dhe  leximit të pandërprerë të literaturës botërore. Këtë  dije enciklopedike Demaçi e shpreh  kudo, në çdo bisedë të çdo teme apo përmbajtje, meqë bota e tij shpirtërore e intelektuale është pasuruar me përvojën jetësore nëpër burgje, por  dhe në “liri”. Arsimimi dhe vetë-arsimimi i Adem Demaçit kanë dhënë si rezultat një tipologji të veçantë, të krijuesit dhe intelektualit të kompletuar  edhe në vrojtimin e definimin e raporteve, të cilat i ka marrë në shqyrtim në romanin e tij të fundit, Dashuria Kuantike e Filanit.

Kontrolloni gjithashtu

Dr. sc. Bekim Vishaj: Në shenjë përkujtimi, 39 vite me parë u nda nga jeta Doajeni i folklorit shqiptar, Dervish Shaqa

Dervish Shaqa  u lind në fshatin Llukë e Epërme të Deçanit, në vitin 1912. U …