DRITAN GOXHAJ: SHQIPËTARËT E VITIT 2022, SI ATA TË VITIT 1922

(Lexoni parathënien e ÇAJUPIT për dramën e Milo Duçit, “E THËNA”) Kairo 1922

Bashkatdhetarëve.

S’është neovoja t’u prezantoj unë autorin e këtij libri, që pata naflakë me lëçit i pari në dorëshkrim. Mjafton t’u kallëzoj se, Zoti Milo Duçi është vetë Lulo Malsori, që ka pas botue “Gjakun”, një fjalor shqip-italisht, dhe plot vjersha të bukura e artikulla ndë gazeta dhe të përkohëshme, në kohë të shkuara.  Se duet me dit se Z.Milo Duçi, sido që ala trim i ri, është nga Shqiptarët e vjetër që kanë punuar për letraturën shqipe dhe për liri t’Atdheut qysh në kohë të tiranisë, kur Turku s’ka dashur të dëgjojë as emrin Shqiptar.

Sot, që cilido  mund të thotë e shkruajë çka të dojë, pa asnjë farë reziku, na kanë dalë disa Shqiptarë të lashtë, aty ku s’i pandenim, dhe këta njerëz të guxuashim përmenden tani si atdhetarë të vërtetë, sido që herët kanë vepruar kundra Shqipërisë.

Një faktum i tillë nuk e dëshpëroi Z.Milo Duçi, dhe mori prapë pëndën e shkroi një dramë tjetër fort origjinale, “E THËNA”, që ka me u pëlqye të tërve kur ta këndoni e kur ta shukoni të luhet në theatro.

Tani disa vjet, kemi rënë tepër pas politikës. Jemi mërzitur, jemi lodhur pa dobi, duke u grindur me bisedime të politikës që nukë mbarojnë kurrë. Politika! Formirë. Po na duet  dhe letratura, për Zonë! Kemi nevojë të dëfrejmë e të çdëfrejmë dopak, të jetojmë dhe me ëndërra.

Pastë të mirë pra Z.Milo Duçi, që na mbushi dëshirën e zemrës, se “E THËNA” do të na zbavitë mjaft sa të harojmë, një orë a dy, mendimet e mundimet e jetës, ndë këtë botë ku hollësitë, kodhelet dhe lodrat e politikës gadi na prishin trutë në ditë të sotme.

Do të më thuani se jam në gabim, se politika për Shqiptarët është si buka që hamë; janë të lindur për politikë. Për njëmënd, ndë Shqipëri gjënden plot ministra, qeveritarë, depytenj, diplomatë të fortë.  Mbijnë sikurse kërpudhat nga dhéu…

Përkundra, shkronjëtorët, vjershëtorët, janë fort të pakët. Në këta 3 a 4 vjet të fundit, Shqipëria ka mundur me pas më tepër se 300 a 400 ministra, diplomatë, depytenj të çkëlqyerë!  Po, qysh 40 vjet e tëhu, s’ka mundur me na dhënë veç 4 a 5 shkronjëtorë e vjershëtorë që meritojnë të përmenden në letratyrë…1)

Si shpjegonet kjo pasunië në pikëpamje të politikës? Unë, që jam krejt budallë në këtë pikëpamje, them se, për shumicën e Shqiptarëve, politika është një punë fort e lehtë dhe u vërtetoj se, për me fitu bukën, në këtë botë të reme, zanati m’i lehtë është të bënesh ministër. S’ke nevojë të dish asnjë punë, asnjë mjeshtëri me themel. Ministri i bujqësisë, bie fjala, tokon të mos çquaj qepët nga prasët; ministri i luftës tokon të mos ketë marë një pushkë në dorë; ministri i financës tokon të mos ketë fituar asnjë grosh, veç me të grabitur; ministri i arsimit tokon të mos dijë as shqip, veç të mundi të shkruaj një ë me dy pika mbi krye; ministri i punëve të përjashtëme tokon të jetë prift a hoxhë…., dhe puna të vejë mbarë gjithmonë…2)

Një herë në një kohë, populli lypte nga qeveritarët të jenë sidomos atdhetarë të vërtetë.  Jo, sot s’është nevojë. Ndë Shqipëri, një turkoman, një grekoman, një sllavoman, një intrigant, një tradhëtor, tokon të bënet, pa vesvese, regjent, ministër, depytet, prefekt, faqe me nder dhe mbret. . .

S’ka pra m’i lehtë zanat se politika, o vëllezër shqiptarë. Përkundrë, letratyra është një punë fort e rëndë: shkronjëtor, vjershëtor, s’bënet kushdo. Dhe në daltë dokush, s’ka si jeton, se librat shqip nukë shiten. Shqiptarët s’janë budallë me tret kot pare duke blerë libra e gazeta. Më mirë është me pi, se me lëçit. . . Prandaj shkronjëtorët shqiptarë janë të rrallë dhe nuk nderonen aspak.  Shkojnë gjithë barabar, si i miri dhe i ligu, dhe ky përmëndet më tepër se ay.

Po kam uzdajë se  një shkronjëtor si  Z.Milo Duçi do ta mërgojë këtë rezik. S’kam dyshim se “E THËNA”, kur të lëçitet a kur të luet, do të pëlqejë fort e fort. Në qoftë se dokush e qërton a e kritikon për keq, i lutem autorit të mos dëshpëronet, por të kujtonjë fjalët e plakut La Fontenë: “Kurkush s’mund të kënaqij tërë botën dhe babanë”.

Kairo, shkrurt 1922.

A.  Zako (Çajupi).

—————————-

1)Është heq një pjesë.

2)Aluzione therrëse te gjendja politike e viteve 1919-1922, veçanërisht te qeveritë e Durrsit, të vërlacit ebtë Zogut e te dallaveret e tyre parlamentare.

FJALORTH:

Naflakë – deri tani;  Kallëzoj – tregoj;  Ala – ende;  S’i pandenim – nuk e prisnim;  Kodhelet- lajkat;  Pa vesvese – pa kujdes;  Regjent – sundimtar i përkohshëm;  Uzdajë – guxim, kurajo.

Shënim:Marë prej vëllimit: “ÇAJUPI – VEPRA”, Tiranë 1957, f.237-239

Kontrolloni gjithashtu

Ilaz Kodra

Ramush Haradinaj: Me Ilaz Kodrën ishim bashkë në betejën e Qafë Mullarit, në ditën që u vra Luani e u plagos Rafet Rama

Me Ilaz Kodrën ishim bashkë në betejën e Qafë Mullarit, në ditën që u vra …