leoni

Driton Jahir Azemi (4.3.1980 – 27.1.1999)

Driton Jahir Azemi (4.3.1980 – 27.1.1999)

Në fshatin Bardhash (ish-Bradash ) të Besianës më 4 mars 1980 u lind dëshmori i kombit Driton Azemi. Bashkëshortët, Eminja e Jahiri patën nëntë fëmijë, shtatë djem e dy vajza: Blerimi, Arbeni, Agroni, Dritoni, Artoni, Fatoni, Bajrami, Shaha dhe Blerta.

Dritoni shkollimin fillor e kreu në shkollën e fshatit të lindjes. Për shkak të kushteve të rënda ekonomike nuk mundi ta vazhdoi shkollimin e mesëm, por edhe pse nuk e vazhdoi shkollimin, kishte njohuri arsimore e kombëtare, të cilat i merrte nga i ati i tij. Ishte i madh interesimi i tij për të njohur historinë kombëtare. Pos punëve që i bënte në bujqësi e blegtori, ai lexonte libra historie dhe romane historiko – letrare, prandaj kishte idol shumë personalitete historike të kombit. I interesonte të dinte edhe lidhur me gjyshin e tij nga nëna, Rizah Musliun nga Vendenisi (ish-Gllamniku) i cili kishte qenë i burgosur dhe kishte vuajtur burg politik për veprimtari atdhetare.

Dritoni, në kohën e lirë merrej edhe me sportin e futbollit. Nga interesimet e tij kuptohej se në shpirtin dhe mendjen e tij djaloshare po kultivohej dhe po rritej ndjenja kombëtare e atdhedashurisë.

Edhe pse në moshë të re ai ishte shumë aktiv në të gjitha protestat dhe demonstrate që mbaheshin në atë kohë në Besianë, kundër okupatorit shekullor serb. Kushtrimi i luftës për liri te Dritoni gjeti luftëtarin e gatshëm të lirisë. Në verën e vitit 1998, kur tashmë lufta çlirimtare po zhvillohej në zonën e Drenicës, Dukagjinit, Pashtrikut e në treva të tjera, ai kishte shprehur para të atit, Jahirit dhe para vëllezërve, dëshirën të bëhej pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mirëpo, meqenëse Dritoni kishte edhe tre vëllezër më të mëdhenj, ata i ishin përgjigjur se para tij u takonte atyre të radhiteshin në radhët e UÇK-së. Por insistimi i Dritonit për t’u inkuadruar në luftën çlirimtare kishte qenë i madh, prandaj iu bashkua luftëtarëve të lirisë më 9 shtator të vitit 1998, si pjesëtar i Brigadës 152 “Shaban Shala” të ZOLL, ku disa ditë kryen ushtrimet e nevojshme ushtarake në Bajgorë të Shalës. Me shpërthimin e betejës që përfshiu fshatrat Gegaj (ish-Dobratin) të Besianës deri në fshatin Kaqandoll të komunës së Mitrovicës, më 15, 16, 17 shtator 1998, në luftime mori pjesë edhe Dritoni i ri. Më pas u sistemua në pozicionet e fshatit Kështjellas (ish-Popovë), ku qëndroi një kohë të gjatë dhe kreu detyrën e vëzhguesit në relacionin Kështjellas – Llapashticë.

Në nëntor të vitit 1998 dërgohet në njësitin U – 33 të komanduar nga luftëtari Selim Haziri, e pastaj në U – 35 që komandohej nga Refik Shala, ndërsa në fillim të dhjetorit 1998 kaloi në Llapashticë në njësitin U – 55 të komanduar nga Faik Durmishi, ku qëndroi deri në momentin e rënies së tij heroike.

Dritoni mori pjesë në shumë ofensiva që u zhvilluan në këto anë gjatë dhjetorit të vitit 1998 dhe në janarin e vitit 1999 ku tregoi vendosmëri dhe heroizëm.

Lëvizja e forcave serbe gjatë janarit 1999 bëhej nëpër Luginën e lumit Llap, në drejtimin Nish – Besianë – Prishtinë dhe përmes hekurudhës Nish – Besianë – Prishtinë – Fushë Kosovë ku bëhej depërtimi i forcave serbe në brendi të Kosovës. Ndërkohë ato bënin vëzhgimin e terrenit edhe me helikopter, për t’i identifikuar pozicionet e UÇK-së.

Pas ofensivave të ndërmarra nga 24-27 dhjetor të vitit 1998, serbët ndërmorën edhe një ofensivë tjetër në fshatin Lkenas (ish-Peran), më 9 janar 1999, duke bllokuar aksin rrugor Besianë – Llapias (ish-Kërpimeh), që përbënte arterie të rëndësishme komunikimi për UÇK-në dhe popullatën civile. Qëllimi i okupatorit ishte që UÇK-së t’i pamundësohej lëvizja dhe qasja në rrugët kryesore.

Gjatë muajit janar 1999, forcat okupatore sulmuan vazhdimisht dhe mbanin të bllokuara rrugët Besianë – Prishtinë dhe Besianë – Llapias.

Me qëllim të identifikimit të pozicioneve të UÇK-së serbët provonin me luftime sporadike provokuese. Mirëpo ushtarët e UÇK-së gjatë kësaj kohe ndërmorën disa herë sulme befasuese duke u shkaktuar serbëve humbje të vazhdueshme. Forcat serbe për disa ditë me radhë bënë provokime dhe lëvizje kah pozicionet më strategjike, i provokonin qytetarët, i arrestonin, i rrihnin e i vrisnin por pati edhe luftime sporadike. Më 20 janar 1999 pati granatime të mëdha në drejtim të fshatrave Katunishtë, Llapashticë dhe fshatrat përreth. Gjatë bombardimeve në Llapashticë, plagosen disa ushtarë të UÇK-së në mesin e tyre edhe Driton Azemi, i cili nuk arriti t’i mbijetoi plagët e marra. Edhe ditën e varrimit të tij në Bradash, më 27 janar, pati luftime të ashpra ku forcat serbe filluan sulmet që në orët e hershme të mëngjesit. Pranë varrit të tij është ngritur pllaka përkujtimore, ndërkaq emri edhe fotografia e tij janë skalitur në përmendoren e dëshmorëve të rënë në betejat e kësaj ane, te Tabet e Llapashticës. Për dëshmorin janë shkruar shkrime përkujtimore dhe poezi që flasin për jetën dhe veprën e tij. Familja e dëshmorit pas luftës është nderuar me mirënjohje dhe falënderime nga institucione të ndryshme të Kosovës. (M. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Bajram Hetem Sylejmani (3.12.1965 - 28.9.1998)

Bajram Hetem Sylejmani (3.12.1965 – 28.9.1998)

Dëshmori Bajram Sylejmani ka lindur më 3 dhjetor të vitit 1965, në fshatin Sadovinë të …