Mehdi Sylë Haziri (1.1.1957 - 27.1.1999)

Mehdi Sylë Haziri (1.1.1957 – 27.1.1999)

Biri i shtrenjtë i Sylë e Bahtie Hazirit, Mehdi Haziri, u lind më 1.1.1957, në fshatin Druar të komunës së Vushtrrisë. Ndër vëllezërit e motrat e tij: Sejdi, Abit, Bedri, Sami, Sabrie, Nafie dhe Advi Haziri, Mehdiu ishte fëmija i dytë.
Pas shkollimit fillor në vendlindje, Mehdiu e kreu shkollën e mesme teknike në Mitrovicë – drejtimi saldues, profesion, të cilin e ushtroi më vonë, në ndërmarrjen “Kosova” të Vushtrrisë.
Familja e Mehdiut ka një histori sa të dhimbshme, aq edhe krenare kombëtare. Në Luftën e Dytë Parë Botërore, më 1945, në luftë kundër pushtuesit jugosllav, që kishte mësyrë ta shtrojë Kosovën, së pari Gjilanin, Artakollin e Drenicën, bie dëshmor gjyshi i Mehdiut, Sejdiu, i ekzekutuar nga çetnikët serbë.
Si qindra e qindra të rinj e të reja, ndër ta edhe Mehdiu u inkuadrua në manifestimet antijugosllave të mbajtura në Prishtinë, Vushtrri e Mitrovicë, qoftë në sheshe publike, qoftë në konsultime grupore, në kuadër të organizatave të fshehta atdhetare në drejtim të sensibilizimit të faktorit ndërkombëtar, por edhe rreth përgatitjeve për luftë të armatosur për pavarësi, për të cilën edhe u flijua e ra dëshmor për lirinë që sot po e gëzojmë.
Një kohë ishte i mërguar në Gjermani, për ta përmirësuar materialisht jetën familjare. Atje ra në kontakt me veprimtarë e grupe të ndryshme që përgatisnin bashkimin e idealeve dhe forcave, për luftë për liri, si dhe kthimin në atdhe dhe fillimin e luftës së armatosur, prej ku edhe vetë mori inspirime t’i bashkohej kësaj veprimtarie pa hamendje, duke u nisur drejt flakës së luftës, pa i llogaritur rreziqet.
Me qëllim përgatitor, së pari arriti në Shqipëri. Pas ushtrimeve ushtarake atje, veshi uniformën e re ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i pajisur me një kallash, një zollë të tipit kroat, si dhe disa granata.dore, më 1 qershor 1998 arrin në Kosovë. U radhit në radhët eUshtrisë Çlirimtare të Kosovës, në pikën e luftës në fshatin Trimor (ish-Zhilivodë) e në Sibovc, ku arriti të tregojë zell, vullnet, guxim, përkushtim e gatishmëri për të gjitha detyrat që i ngarkoheshin, si ushtar fronti, pjesëtar i njësitit të Druarit, në kuadër të Batalionit të Parë të Brigadës 142 të Zonës Operative të Shalës. Mori pjesë në disa beteja të Artakollit, si në ofensivën e parë të Qyqavicës (në Trimor), në Mihaliq, në Çeltinë etj.
Më 27 janar të vitit 1999, pasi shkoi për ta vizituar familjen e vendosur në Vushtrri, në lagjen te varrezat e qytetit, e cila ishte vënë në rrethim të hekurt nga forcat policore-ushtarake e paramilitare serbe, dhe ku përditë bëheshin masakra, Mehdiu në të dalë nga lagjja ku ishte vendosur përkohësisht familja e tij, kur po i kalonte në periferi të qytetit në hyrje të Çeltinës, ra në pritën e kobshme. Armiqtë kishin për qëllim ta zinin të gjallë. Pas një beteje të rrufeshme ballëpërballë, ra në altarin e lirisë, por jo në duart e armikut. Pas dy ditësh, Mehdiu u varros me nderime të mëdha në fshatin Druar. Më 1 shtator 1999, u rivarros në varrezat e dëshmorëve në Bletajë të Vushtrrisë.
Mehdi Haziri ishte i martuar. E la bashkëshorten, Arifen me fëmijët: Beratin, Beharin, Patriotin, Përparimin dhe Arbenitën, të cilët po rriten me krenarinë e veprës heroike të babait të tyre dëshmor. Figura e tij dhe e dëshmorëve të të tjerë të trevës së Vushtrrisë, është e skalitur në lapidarin e dëshmorëve në sheshin, afër Urës së Gurit në Vushtrri.
Emrin e dëshmorit Mehdi Haziri e mban një rrugë në Vushtrri. (Z. Gj.)

Kontrolloni gjithashtu

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 - 19.4.1999)

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 – 19.4.1999)

Fejzullahu ishte djali i Sokol e Vahide Graiçevcit. Lindi më 22 janar të vitit 1951, …