Rritja e përgjithshme e çmimeve ka vazhduar me ritëm të lartë edhe gjatë vitit 2026, duke krijuar pasiguri të madhe ekonomike për familjet kosovare. Shtrenjtimi i karburanteve mbetet një nga sfidat kryesore, jo vetëm për shkak të ndikimit të drejtpërdrejtë në xhepin e qytetarëve, por edhe për shkak të efekteve zinxhirore në të gjithë ekonominë.
Rritja e çmimeve të karburanteve ndikon drejtpërdrejt në kostot e transportit, prodhimit, furnizimit dhe shpërndarjes, duke u reflektuar përfundimisht në çmimet e produkteve dhe shërbimeve që konsumojnë qytetarët. Kështu, një rritje fillestare e kostove shndërrohet në një zinxhir shtrenjtimi që prek pothuajse çdo familje dhe sektor të ekonomisë.
Rritja e indeksit të çmimeve të konsumit prej 7.3% në shtator, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit paraprak, dëshmon presionin e vazhdueshëm mbi fuqinë blerëse të qytetarëve. Për familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, kjo nënkupton më pak mundësi për të përballuar jo vetëm nevojat bazike, si ushqimi, energjia dhe banimi, por edhe shpenzimet e tjera që përbëjnë një jetë normale dhe dinjitoze.
Në aspektin ekonomik, kjo situatë shoqërohet edhe me rritjen e kostos oportune. Kur një familje detyrohet të shpenzojë më shumë për ushqim, energji dhe transport, ajo duhet të heqë dorë nga shpenzime të tjera, si arsimi, shëndetësia, aktivitetet familjare apo kursimet. Pra, inflacioni nuk e rëndon vetëm buxhetin familjar në vlerë monetare, por kufizon edhe mundësitë dhe zgjedhjet ekonomike të qytetarëve.
Në anën tjetër, deficiti i lartë tregtar dhe varësia e konsiderueshme e Kosovës nga importet e bëjnë ekonominë tonë më të ekspozuar ndaj goditjeve të çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Kur një pjesë e madhe e konsumit mbulohet nga importet, rritja e kostove jashtë vendit transmetohet te tregu vendor, duke ushtruar presion shtesë mbi çmimet. Ndërkohë, prodhuesit vendorë përballen me kosto më të larta operative, vështirësi në ruajtjen e konkurrueshmërisë dhe sfida në zgjerimin e prodhimit, ndërsa qytetarët paguajnë gjithnjë e më shumë për të njëjtat produkte dhe shërbime.
Përballë kësaj situate, nevojiten masa konkrete dhe një qasje e mirëfilltë zhvillimore:
1.Indeksimi i pagave dhe pensioneve, duke marrë parasysh inflacionin dhe rritjen reale të kostos së jetesës, në mënyrë që të mbrohet fuqia blerëse e qytetarëve.
2.Masa lehtësuese për bizneset, veçanërisht për prodhuesit vendorë dhe ndërmarrjet e vogla, me qëllim të përballimit të kostove operative dhe ruajtjes së vendeve të punës.
3.Mbështetje e targetuar për familjet në nevojë, në mënyrë që ndihma publike të arrijë te kategoritë më të prekura nga shtrenjtimi.
4.Nxitja e prodhimit vendor dhe eksporteve, përmes investimeve, qasjes më të lehtë në financim dhe politikave që rrisin konkurrueshmërinë e ekonomisë.
5.Zëvendësimi i importeve aty ku është ekonomikisht i arsyeshëm, duke krijuar kushte që një pjesë më e madhe e kërkesës së brendshme të përmbushet nga prodhimi vendor.
6.Politika ekonomike proaktive dhe afatgjata, të cilat nuk kufizohen vetëm në reagimin ndaj krizave, por synojnë krijimin e një ekonomie më produktive, më rezistente dhe më pak të varur nga goditjet e jashtme.
Kosovës nuk i nevojiten vetëm masa të përkohshme për ta përballuar shtrenjtimin, por një strategji e mirëfilltë ekonomike që fuqizon prodhimin vendor, rrit investimet, zgjeron eksportet dhe krijon mundësi të qëndrueshme për zhvillim.
Zhvillimi ekonomik nuk duhet të matet vetëm me rritjen e treguesve makroekonomikë, por edhe me përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, fuqinë e tyre blerëse dhe aftësinë e familjeve për të jetuar me dinjitet.
Një ekonomi e shëndoshë nuk është vetëm ekonomi që prodhon më shumë, por edhe ekonomi që u mundëson qytetarëve të përballojnë jetesën dhe të kenë besim në të ardhmen.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
