Ekrem Sadik Dili (12.9.1975 - 12.4.1999)

Ekrem Sadik Dili (12.9.1975 – 12.4.1999)

Ekrem Dili u lind më 12. 9. 1975 në fshatin Orllan të Besianës. Babai i tij, Sadiku ishte martuar me Mehreme Aliun nga fshati Bederianë (ish-Bërvenik ), me të cilën pati tetë fëmijë: Nuhiun, Muharremin, Ilazin, Ekremin, Fadilin, Hamdiun, Fetien dhe Sevdien. Ekremi ishte fëmija i katërt me radhë.

Shkollën fillore e kreu në vendlindje, në shkollën që sot mban emrin e heroit Zahir Pajaziti, ndërsa gjimnazin e kreu në Orllan, paralele e gjimnazit të Besianës. Pastaj regjistrohet në Fakultetin Filozofik në Prishtinë, në degën e Pedagogjisë, ku për dy vite ndjek ligjëratat në shtëpitë private, për shkak se objektet e institucioneve arsimore ishin uzurpuar nga okupatori serb.

Pas rënies së Kmandantit Zahir Pajaziti me shokë, Ekremi çdo ditë e më shumë po përgatitej për sfidat e reja të Kosovës, të cilat do të ishin të pashmangshme. Ndërsa, pas daljes së UÇK – së në skenë, Ekremi u ndie shumë i gëzuar dhe më i fuqishëm moralisht. Ai po priste me padurim rastin e inkuadrimit në UÇK. Kur lufta çlirimtare u përhap në zonat e ndryshme të Kosovës, Ekremi u radhit në radhët e Brigadës 152 “Zahir Pajaziti”.

Ndonëse deri në fillim të prillit 1999 në malësinë e Galabit nuk kishte luftime frontale dhe atje ishin të strehuar shumë banorë nga Llapi e Galabi, forcat serbe plani- fikonin të depërtojnë në këto anë. Mirëpo më 7 e 8 prill 1999 forcat serbe u befasuan kur hasën në rezistencë të ashpër të njësiteve të UÇK-së.

Forcat serbe të pozicionuara në Albanik, Batllavë, Herticë e deri në Besianë, si dhe prgjatë kufirit Kosovë-Serbi, kishin për qëllim të mposhtnin nësitet e UÇK-së dhe të depërtonin te popullata civile për të kryer plaçkitje, masakrime dhe pastrim etnik edhe në këtë pjese të territorit të Kosovës. Mirëpo pjesëtarët e UÇK-së ishin të vendosur të mbrojnë me çdo kusht territorin dhe popullatën e kësaj ane, prandaj nga ana tjetër e Llapit kishin kaluar njësite të UÇK-s.

Luftëtarët e UÇK-së ishin pozicionuar në drejtimin kryesor të sulmit të armikut, në gjendje gatishmërie për mbrojtjen e popullatës.

Forcat serbe kishin tentuar që me makineri ushtarake të hapin rrugë për këmbë- sorinë në drejtim të aksit rrugor për në Turanë. Mirëpo, intervenimi i shpejtë i njësiteve të UÇK-së thyen sulmin dhe zhvilluan luftime të rrepta kundër armikut serb, i cili u detyrua të tërhiqet në fortifikatat e tij te fabrika e ujit të ujësjellësit “Batllava” në Albanik.

Sulmet e armikut vazhduan pa reshtur edhe në ditët në vijim në këto anë por njësitet e UÇK-së ishin të vendosura ta mbrojnë vendin dhe popullatën e shumtë në këto anë.

Më 12 prill 1999, luftëtarët e njësitit ku bënte pjesë edhe Ekrem Dili, duke mbrojtur pozicionet ushtarake u përballën në betejë të ashpër me militarët serbë. Gjatë këtyre luftimeve Ekremi goditet nga arma serbe, duke rënë për atdhe në vendin e quajtur Te Varrezat.

Në pasditën e 12 prillit, Ekremi u varros pranë heroit të kombit Zahir Pajaziti ku tash është ndërtuar edhe Kulla Qëndresë e heroit Pajaziti.

Pas luftës, për kontributin e dhënë në luftën për liri, familja e dëshmorit Ekrem Dili është nderuar me mirënjohje nga SHP i UÇK-së të ZOLL-it, SHFD të Besianës etj. (M. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 - 19.4.1999)

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 – 19.4.1999)

Fejzullahu ishte djali i Sokol e Vahide Graiçevcit. Lindi më 22 janar të vitit 1951, …