Ali Daut Ivaja (1.8.1968 – 12.4.1999)

Ali Daut Ivaja (1.8.1968 – 12.4.1999)

Ali Ivaja ka lindur më 1 gusht të vitit 1968, në fshatin Cërnillë të Ferizajt. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa shkollën tetëvjeçare e kreu në fshatin Babush. Shkollën e Mesme Teknike e kreu në Ferizaj.

Në vitin 1983, inspektorët e UDB-së, afër shtëpisë së Daut Ivajës, kishin kapur një afishe me parullën “Kosova Republikë”. Për këtë arsye ata e kishin bastisur edhe shtëpinë e tij. Aliu asokohe 15-vjeçar, atë ditë ndodhej në shkollë. I dyshuar se ai ishte autori i afishes ishte arrestuar dhe ishte dënuar me tre muaj burg për të mitur. Dënimin e kishte mbajtur në Burgun e Smrekovnicës.

Me qëllim për të vazhduar edhe shkollimin e lartë, Aliu regjistrohet pastaj në Shkollën e Lartë Teknike të Ferizajt, por ndërkohë merr ftesën për shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Armatën Jugosllave. Duke qenë se ishte i dënuar për veprimtari kundër shtetit, gjatë shërbimit ushtarak vazhdimisht ishte i sfiduar dhe nën përcjellje të inspektorëve ushtarakë të APJ-së, të cilët në atë kohë kishin intensifikuar fushatën e arrestimit dhe ndëshkimit të ushtarëve, por edhe të disa eprorëve shqiptarë që shërbenin në armatën jugosllave, të cilët akuzoheshin si përkrahës të kërkesave politike për Republikën e Kosovës. Asokohe po bashkëvepronte në ilegalitet me Ibrahim Graincën, Imer Graincën e të tjerë. Pas kryerjes së shërbimit ushtarak, me qëllim për të punuar dhe për ta ndihmuar familjen, Aliu shkon në Greqi, mirëpo pas një kohe zhvendoset në Gjermani, ku punoi disa vite rresht deri në fillimin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 15 mars të vitit 1998, së bashku me Rasim Hotin, Bujar Asllanin, Veli Hotin e të tjerë, kthehet në Kosovë dhe u bashkohet radhëve të luftëtarëve të lirisë, të cilët nga Gjermania, Austria, Zvicra e shtete të tjera të Evropës po ktheheshin në atdhe për të luftuar për lirinë e tij. Pasi ishte pranuar në Zonën Operative të Pashtrikut, eprorët e UÇK-së e kishin sistemuar në njësitin e Malësisë së Vogël, në Rahavec, ku radhët e UÇK-së i kishin konsoliduar dy komandantët e njohur të kësaj zone, Xhelal Hajda de Selajdin Mullabazi. Tani ai ishte në mesin e bashkëluftëtarëve: Ibish Mazreku, Ismail Zejna, e të tjerë. Ka marrë pjesë edhe në Betejën e Rahavecit më 18 korrik 1998 dhe ishte dalluar sidomos për ndihmën që ai me bashkëluftëtarë i kishte afruar popullatës civile, e sulmuar nga të gjitha anët nga forcat policore e ushtarake serbe. Dëshmori Ali Ivaja ka marrë pjesë në luftimet e zhvilluara nga njësitet e UÇK-së për mbrojtjen e Malishevës në verë të vitit 1998. Po ashtu, ai u dallua në luftime edhe në fshatin Bardh i Madh në qershor të vitit 1998, në të cilat luftime patën rënë dëshmorët: Xhemajl Mehmeti, Mentor Dërvishaj e Ismet Uka dhe ishin plagosur disa luftëtarë të tjerë. Ali Ivaja ishte kudo ku e kërkonte lufta për çlirimin e Kosovës. Kishte luftuar në zonën e Pashtrikut, të Drenicës dhe më në fund edhe në Zonën e Dukagjinit.

Me rastin e zgjerimit të luftës në Zonën e Neredimes ku përfshihej edhe vendlindja e Aliut, ai nuk e kishte parë të arsyeshme të shkonte atje, i vetëdijshëm se lufta çlirimtare ishte e përgjithshme dhe nuk kishte me rëndësi se kush ku po luftonte në çdo trevë të Kosovës.

Duke qenë se ishte kalitur në frontet e luftës, në rrethanat kur ishte krijuar fronti i Koshares, Ali Ivaja sistemohet në Brigadën 138 “Agim Ramadani” të zonës Operative të Dukagjinit. Ai edhe më herët kishte qëndruar në Zonën e Dukagjinit dhe meqë kishte njohuri në përdorimin e shumë llojeve të armëve, pikërisht për këtë edhe iu kishte bashkuar radhëve të luftës në Koshares, ku furnizimi me armatim dhe lloje të ndryshme të armëve ishte më i mirë, sesa në zonat e tjera. Asokohe Ali Ivaja ishte afër komandantit, Agim Ramadani dhe eprorëve e luftëtarëve të njohur si: Xhemajl Fetahaj, dëshmor, pastaj Anton Çuni, Haki Berisha, Shkëlzen Shehu, Fitim Maloku, Fatmir Idrizi, Kadrush Asllani e të tjerë, duke qëndruar me heroizëm deri në momentin e rënies dëshmor “Te Rrasa e Koshares”, ku ai kishte qëndruar trimërisht e burrërisht.

Gjatë luftimeve “Te Rrasa e Koshares”, më 12 prill të vitit 1999, Ali Ivaja goditet nga predhat e armëve të armikut serb dhe bie në altarin e lirisë. Bashkëluftëtarët e tërheqin trupin e tij dhe fillimisht e varrosin ne varrezat e UÇK-së, në qytetin Bajram Curr.

Më 23 gusht të po atij viti, trupi i dëshmorit Ali Ivaja rivarroset në kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Koshare, ku prehet në përjetësi, së bashku me 126 dëshmorë të tjerë të rënë gjatë luftës së UÇK-së. Familja Ivaja e fshatit Cernillë të Ferizajt ka marrë mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Zona Operative e Dukagjinit, Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, nga shoqatat e luftës dhe nga institucionet e tjera. Në vendlindjen e tij i është ngritur përmendorja. Ai ka lënë babanë Dautin, nënën Hamiden, vëllanë, Halitin dhe motrat Fatimen, Eminen e Ramizen. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Në familjen Muzaqi, në Vushtrri, më 13 nëntor të vitit 1978 u lind, Arsim Muzaqi. …