Bekim Halit Krasniqi (19.5.1974 – 12.4.1999)

Bekim Halit Krasniqi (19.5.1974 – 12.4.1999)

Marsi dhe prilli i vitit 1999, në historinë e popullit shqiptar të Kosovës do të kujtohen si muajt më tragjikë e të rëndë, por edhe më të lavdishëm të përpjekjeve titanike të luftës për çlirim nga thundra e okupatorit serb. Forcat serbe, të tërbuara nga goditjet e avionëve të Aleancës Veriatlantike ndaj makinerisë së rëndë luftarake nga njëra anë dhe nga rezistenca e luftë- tarëve të UÇK-së në anën tjetër, përshkallëzuan dhunën dhe terrorin ndaj popullatës civile në të gjitha frontet e luftës, duke larë me gjak pothuajse çdo pëllëmbë të tokës së Kosovës. Njëri nga luftëtarët që me gjakun e tij skuqi malet e Drenicës, duke u bërë gurthemeli i lirisë së Kosovës, është edhe Bekim Krasniqi nga Negrovci i Drenasit.

Bekimi u lind më 19. 5. 1974. Ishte fëmija i gjashtë me radhë prej shtatë fëmijëve të lindur në familjen e Halit Krasniqit.

Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, në Shkollën Fillore “Jusuf Gërvalla”, ndërsa të Mesmen Profesionale “Leonik Tomeu”( tani “Fehmi Lladrovci”) në lëmin e Makinerisë – drejtimi Ngrohje e klimatizim, në Drenas.

Familja e Bekim Krasniqit, kryesisht mirrej me kultivimin e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale, kurse edhe puna në kurbet ishte pjesë e mbijetesës ekonomike të familjes. I lindur dhe i rritur në një familje me gjendje mesatare ekonomike dhe në një ambient ku fjala Atdhe dhe Liri ishin fjalët që më së shumti shqiptoheshin në ndeja dhe biseda, Bekimi që herët mësoi alfabetin e atdhedashurisë. Vitet ’90 të shekullit 20 ishin dëshmia më e mirë se deri në ç’shkallë mund të arrinte urrejtja e pushtuesit, po qe se te të robëruarit has injorancën dhe të ushqyerit e shpresës së kotë se me lutje dhe duke bërë sehir mund të fitohej liria e një populli.

Më 13 prill të vitit 1998 shumë të rinj të Negrovcit dhe të fshatrave përreth u paraqitën në radhët e UÇK-së, duke dhënë betimin para flamurit kombëtar se do t’i qëndronin besnik luftës për liri deri në çlirimin dhe bashkimin e trojeve të kombit. Njësiti ushtarak ”Pëllumbi” tashmë po rekrutonte në radhët e veta djemtë më të devotshëm për t’u përballur me forcat e armikut, të cilat tashmë kishin provokuar gjakderdhjen e paparë deri në atë kohë me masakrat në Çirez dhe Likoshan të Drenicës, si dhe sulmit ndaj familjes Jashari dhe komandantit Adem Jashari në Prekaz.

Në këtë datë, Bekimi u caktua në pikën 1 te varrezat për të vëzhguar lëvizjet e forcave të armikut në Arllat, përgjatë magjistrales Prishtinë-Pejë dhe në drejtim të Malishevës, e pastaj më 20 maj 1998, së bashku me Sejdi Krasniqin, Rafet Sopin, Veli Krasniqin dhe Fitim Gjoshin, si dhe me shumë të tjerë niset për në Shqipëri për sigurimin e armëve dhe municionit. Më 25 maj 1998 kthehet nga Shqipëria i uniformuar dhe i armatosur. Pushkën automatike, të cilën e kishte siguruar përtej Pashtrikut, nuk do ta lëshojë prej dore deri më rënien e tij dëshmor.

Bekimi me kushëririn e afërt, Musli Krasniqin, do të jetë së bashku në stërvitjet ushtarake që organizoheshin në Negrovc, te vendi i quajtur “Saraje” të udhëhequra nga komandanti Fadil Gashi nga Arllati dhe nga oficerë të tjerë dhe në të gjitha betejat e zhvilluara në fshatrat Negrovc, Nënkala, Arllat, Gjergjicë, Gryka e Llapushnikut, Balincë dhe Llozicë.

Më 25 e 26 shtator të vitit 1998, forcat serbe ndërmorën një ofensivë të gjerë kundër pozicioneve të UÇK-së të vendosura në të dy anët e Malit të Kozmaqit, në Baicë, Damanek, Krajkovë, Potërk, Grykas, Nënkala, Negrovc dhe Gjergjicë.”Bekimi dhe luftëtarët e tjerë nuk u dorëzuan para një arsenali dhe këmbësorie numerikisht shumëfish më të madhe serbe. Ai së bashku me Fatos Krasniqin, Avdullah Krasniqin, Shefqet Ibrahimin, Haxhi Podrimqakun, Skënder Shalën, Ilaz Javorin e të tjerë, për dy ditë të plota luftoi herokisht. Në këtë betejë, në fushën e nderit ranë Fatos Krasniqi, Skënder Shala dhe Ilaz Javori. Përkundër dhembjes për humbjen e bashkëluftë- tarëve, Bekimi vazhdoi betejë pas betejë kundër pushtuesit serb.

Më 12 prill 1999 u ndërmor një ofensivë tjetër kundër luftëtarëve çlirimtarë të UÇK-së dhe popullësisë civile, e ngjashme me atë të shtatorit të vitit 1998 në Kozmaq, por kësaj radhe më e përgjakshme se kurrë më parë. Bekim Krasniqi dhe Musli Krasniqi ishin në detyrën e vëzhguesit për t’i përcjellë lëvizjet e armikut nga drejtimi i Mleqanit dhe Llazicës, e pastaj për të raportuar për situatën e krijuar. Pikëtakimi ishte Kozmaqi, te vendi i quajtur “Guri i madh”. Duke u kthyer te vendtakimi, te “Rruga e Gurit”, ata ndeshen përballë me forcat e armikut. Pas një shkëmbimi të zjarrit, në përpjekie e sipër për të çarë rrethimin, bien Bekim Krasniqi dhe bashkëluftëtari i tij, Musliu.

Trupi i Bekim Krasniqit pushon përjetësisht në Kompleksin e Varrezave, në hyrje të fshatit Negrovc, duke e bërë krenare, jo vetëm familjen që e kishte lindur, rritur e edukuar, por gjithë Kosovën dhe shqiptarinë.

Pas luftës çlirimtare, familja e dëshmorit ka marrë mirënjohje dhe falenderime, për sakrificën e birit të tyre dhënë çlirimit të Kosovës. (I. S.)

Kontrolloni gjithashtu

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Në familjen Muzaqi, në Vushtrri, më 13 nëntor të vitit 1978 u lind, Arsim Muzaqi. …