Skënder Malush Maraj (3.8.1960 – 12.4.1999)

Skënder Malush Maraj (3.8.1960 – 12.4.1999)

Bashkëshortët Malush e Zike Maraj nga fshati Tedel (Vrellë) i komunës së Burimit lindën dhe rritën shtatë fëmijë: Sevdien, Ajshen, Zojën, Fatimen, Fatmushin, Skënderin dhe Fatmirin. Sikur ishte parathënë që Skënderi, para se për prindërit dhe familjen të ishte rritur për Kosovën, prandaj atë që në vitet e rinisë e kishte preokupuar pozita e Kosovës dhe e popullit të saj. Pa dyshim, frymën atdhetare te ai e rriti edhe Pranvera e 81-tes, me demonstratat e fuqishme popullore, të cilat kishin vulën e rinisë. Motoja kryesore e këtyre demonstratave ishte parulla “Kosova-Republikë”, e cila kërkesë nuk do të pushojë për asnjë moment deri në organizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila mori përsipër që kërkesat e popullit shqiptar të Kosovës t’i realizojë me forcën e armës, pasi Serbia pushtuese bëri me dije përfundimisht se njeh vetëm këtë gjuhë të komunikimit.
Për afirmimin e kërkesës “Kosova-Republikë”, pas vitit 1981 ishte angazhuar edhe Skënder Maraj. Bashkë me një grup shokësh të fshatit, si Feriz Blakaj (dëshmor), Xhemail Blakaj (dëshmor) e të tjerë, shkruan këtë parullë në vende të ndryshme të fshatit. Skënderi e kishte shkruar “Kosova Republikë” edhe në dyert e oborrit të shtëpisë së tij dhe ky mbishkrim vazhdon të qëndrojë e shkruar edhe sot e kësaj dite. Ajo paraqet mesazhin e shpirtit të dëshmorit Skënder Maraj, i cili mesazh do t’i bjen në sy secilit që hyn dhe del nga këto dyer dhe secilit që kalon pranë tyre.
Agjentët e UDB-ës i kishin rënë në gjurmë këtij aktiviteti, prandaj më 1983, Skënderi arrestohet dhe dënohet me 9 muaj burg, me akuzën se bashkë me të rinj të tjerë, kishte shkruar parrullën “Kosova – Republikë” dhe kishte ngulitur flamurin shqiptar në faqen e malit mbi fshatin Tedel, te vendi i quajtur Kershi i Kuq.
Skënderi kishte një rreth të gjerë shokësh me të cilët vazhdon aktivitetin kombëtar, siç ishin Feriz Blakaj, Fadil Bicaj, Musa Beqiraj, Xhavit Beqiraj, Sadri Idrizaj, Ahmet Rexhaj, Demë Blakaj, Xhemail Blakaj (i mbytur nën tortura gjatë hetimeve policore), Muharrem Blakaj (vëllai i Xhemailit) e të tjerë. Ky grup veprimtarësh, në vitin 1986 u arrestua për veprimtari, siç thuhaj, “nga pozitat e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar”.
Dëshmori Skënder Maraj kishte të kryer shkollën fillore. Pas përndjekjeve policore dhe krajatave të përjetuara, u martua me Selvinë, të cilëve u lindën dy fëmijë. Për të mos harruar vuajtjet e përjetuara në burg dhe vuajtjet e gjithë popullit shqiptar të Kosovës gjatë asaj kohe, si dhe për rikujtuar qëndresën e vet e të popullit të Kosovës, dy vajzat e tij ishin pagëzuar me emrat Kujtesë dhe Qëndresë.
Vitet ’90, si për të gjithë shqiptarët në Kosovë, vazhduan të jenë të rënda edhe për dëshmorin Skënder Maraj. Fundin e kësaj gjendjeje e paralajmëroi vetëm dalja në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtë ngjarje ai e priti dhe e përjetoi me gëzim të madh sepse po afronte koha kur pushtuesit serb duhej kthyer grykën e pushkës. Kjo kohë u afrua edhe më shumë kur në Tedel dhe në trevën tjetër të Burimit filloi të veprojë Brigada 133 “Adrian Krasniqi” e UÇK-së, e formuar në fillim të janarit të vitit 1999.
Njëzetekatër marsi i vitit 1999, kur filloi edhe bombardimi i NATO-s mbi makinerinë dhe infrastrukturën ushtarake të Serbisë pushtuese, zjarri i luftës u përhap me shpejtësi në trevën që përfshin fshatrat në drejtimin Burim-Tedel-Banjë dhe Radafc. Kjo trevë ishte nën përgjegjësinë komanduese të Brigadës 133. Po këtë ditë kjo brigadë kishte vendosur vijën e frontit në pozicionet e parapërgatitura ndërmjet fshatrave Lubozhdë e Tedel, në Tedel, Studenicë, Orroberdë e në fshatra të tjera. Skënderi ishte pozicionuar në pikën lindore të fshatit të tij, në mesin e shumë bashkëluftëtarëve si Feriz Blakaj (dëshmor), Nezir Mujaj (dëshmor), Smajl Fetahaj (dëshmor), Ismet Bicaj (dëshmor), Skënder Dreshaj, Ujkan Dreshaj, Nimon Dreshaj, Ramadan Dreshaj e shumë të tjerë.
Forcat serbe, të përqendruara në pikat strategjike në Banjë, Dobrushë, Kodër të Tomocit, Lubozhdë e vende të tjera, kishin për synim ta merrnin nën kontroll vijën Burim-Tedel-Banjë dhe Radafc, në mënyrë që ta dobësonin këtë segment të rëndësishëm të zonës operative të Dukagjinit, përmes të cilit bëhej edhe komunikimi me trevën e Rugovës dhe në anën tjetër mundësohej shpopullimi i kësaj treve përmes Rozhajës. Për realizimin e këtij synimi, forcat e armikut ndërmorën një sulm frontal ushtarak nga drejtimi i Burimit, më 12 prill 1999. Skënderi me bashkëluftëtarë, këtë sulm e priti në vijën e parë të istikameve në Tedel. Beteja zgjati prej orëve të paraditës deri në mbrëmje. Në këtë betejë Skenderi u shqua me trimëri e heroizëm në përballjen me armikun, deri në momentet e rënies në fushën e nderit. Në fushën e nderit, atë ditë bien edhe dëshmorët Nezir Mujaj, Smajl Fetahaj, Ismet Bicaj, Xhafer Mehmetaj, Bujar Visoqi, Abedin Dreshaj, kurse Muharrem Vuthaj plagoset për vdekje.
Një ditë më parë, edhe familja e Skënderit, sikurse tërë popullata tjetër e fshatit ishte larguar nga shtëpia dhe ishte strehuar në bjeshkë, ku qëndron deri në përfundim të luftës dhe largimin e forcave pushtuese serbe nga Kosova.
Trupi i dëshmorit Skënder Maraj, pas përfundimit të luftës është gjetur i varrosur në varrezat e qytetit të Pejës, afër varreve të dëshmorëve Feriz Blakaj, Ismet Bicaj, Smajl Fetahaj e Nezir Mujaj. Rivarrimi i tij u bë në varrezat e fshatit të lindjes. Në monumentin e dëshmorëve të Brigadës 133, i vendosur në këtë fshat, është skalitur edhe emri i dëshmorit Skënder Maraj. Emri i tij është shkruar edhe në pllakën përkujtimore kushtuar shtatë dëshmorëve të fshatit Tedel. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Në familjen Muzaqi, në Vushtrri, më 13 nëntor të vitit 1978 u lind, Arsim Muzaqi. …